Agolli “Pi Kafe” me La Fontenin, Prof. Aleksandër Zoto përkthen
Nga: Viktor Z. BAKILLARI
Fakulteti i Gjuhëve të Huaja, Tiranë

Dritero Agolli
AGOLLI “PI KAFE” ME LA FONTENIN
Prof. ALEKSANDËR ZOTO PËRKTHEN
Rreth një vit më parë Prof. Aleksandër Zoto (*1939, Shën Etien / Francë) përktheu në gjuhën frënge një vëllimth me poezi-fabula të zgjedhura të poetit tonë Dritëro Agolli.

- Ballina e Librit të Dritëro Agollit përkthyer nga Prof. Aleksandër Zoto
Pasaporta e librit është si më poshtë vijon:
Dritëro Agolli
À fleur de fables
Traduit et presanté par Alexandre Zoto
Illustré par Alain Lacouchie © fondencre
Collection Beaux Livres, Beaupré, 23800 Sagnat
www.fondencre.fr; contact@fondencre.fr
Novembre, 2010.
ISBN 978-2-9533343-3-3
Çmimi 17€
Vëllimthi pra titullohet “À fleur de fables / Tek mbijnë fabulat”. Është një buqetë e freskët me 35 poezi-fabula të qëmtuara nga përkthyesi A. Zoto dhe të ilustruara me shije nga frëngu Alen Lakushi (Alain Lacouchie; *1946, Limoges/France, një figurë poliedrike në Francë: mësues anglishteje, poet, piktor, fotograf, historian…. )
Po ç’është ky libër në gjuhën fënge?
Në detin krijimor letrar të z. Dritëro Agolli (*1931, Menkulas/Devoll), (poezi, reportazhe, tregime & novela, romane, sprova, artikuj kritikë & studimorë, skenare kinematografike e përkthime) spikasin edhe shumë fabula të goditura, aq sa peshën e tyre nuk mund ta mbajnë lehtë as kuaj të fuqishëm. Pikërisht këtë anë ka rrokur me zotësi z. Zoto kësaj radhe. Në “arsenalin” e fabulave të Agollit, përkthyesi ka përzgjedhur ato që kanë “barutin të thatë”. Të jepet përshtypja sikur z. Zoto është ngjitur në majën e Tomorrit (2416 m.) dhe, duke pasur gjithçka në pëllëmbë të dorës, vështron rreth e rrotull, 360 gradë, gjithçka mbresëlënëse, sytërheqëse, gjithë peizazhin katërstinor shqiptar të pikturuar nga Agolli. Ai sodit : bimët (Atje pas lumit një rrap, hënën për briri e kap), lulet (aromëdehëse), ditën (e cila pas shembjes së mugëtirës rreth teje merr pushtetin në dorë… dhe natës ia hap dosjet e fshehta), natën (e cila vjen mbi hirin e një prushi, që mbrëmë nga vdekja e një peme mbeti), hënën (e cila sillet nudo në të ftohtë dhe vapës nudo domosdo dhe fshihet dalëngadalë prapa çatisë së shtëpizës, a prapa malit kurrizdalë), dëborën (e cila hesht kur është gjallë dhe flet atëherë kur vdes), kënetën (e cila tek fle nën bark e gudulisin peshqit), lumin (i cili natën merr frymë si gjëja e gjallë), renë (si një jorgan i bardhë), detin (e rrudhur dhe të thinjur, i cili përplas dhe krahë e kraharor dhe vuan si martir), kafshët (heroina dhe protagoniste të përrallave; miu nuk pyet nga luani, për të vetëm macja është e tmerrshme) , sendet (gjëra të thjeshta, por të dobishme)…
***

Prof. Aleksandër ZOTO
Prof. Zoto këtë libër e ka shoqëruar me këtë pasthënie të përkthyer prej nesh:
Ja një poet që do të duhej t’u pëlqente si shkollarëve francezë ashtu edhe sivëllezërve të tyre shqiptarë. «Poet për fëmijë» do të thoshte dikush, madje me një çik përçmim. Por kjo mund të merret edhe si kompliment nëse marrim parasysh të rriturit tek të cilët regëtin fryma fëminore.
«Urdho», i thoshte një ditë shkrimtari Marsel Panjol një miku , duke i zgjatur një libër, «lexoje, është plot me diktime.» Duke u frymëzuar nga kjo fjali, kam dëshirë të them «Urdhëroni, lexojeni, është plot me tingëllima», sinonim, një herë e një kohë, i fjalës poezi. Në fund të fundit, pikërisht këtë jam përpjekur të sjell: karakterin muzikor – madje ndonjëherë teatror – të poezive të Dritëro Agollit. Ato, sa dëshirë kemi t’i recitojmë, po aq kemi edhe t’i lexojmë.
Agolli, poet kuvendar dhe rrëfimtar njëkohësisht , kalon shumë lehtë nga teksti «tek mbin fabula» te vetë fabula, gjini – kjo e përpunuar në vetvete , shumë e lëvruar, me një ton lozonjar dhe familjar gjithnjë të pranueshëm. Me fjalë të tjera, parapëlqimi i tij për strofën e plotë dhe të rregullt, e konceptuar në pjesë të barabarta për syrin dhe për veshin, nuk e shpie aspak në stërzgjatje : poet gojëtar, ai ka gjithashtu dhuntinë e pranimit fare lehtë të mundësisë së ndryshimit të mënyrës së veprimit.
«Poet i tokës», kjo është etiketa që i ngjitet atij nganjëherë. Megjithatë, thjeshtësia e tij nuk duhet keqkuptuar.
Fare lehtë, nga mënyra sesi e trajton dhe e shikon botën, Agolli mund të vendosej midis Dionisit dhe Epikurit, nëse do t’i referoheshim kulturës së Lashtësisë dhe midis Fransis Ponzhit, Zhak Preverit dhe Zhyl Renardit nëse kthejmë sytë nga poezia frënge e shekullit XX. Poezinë e tij e përshkon një galdim i madh përpara shkapërderdhjeve të botës, i harmonizuar bukur me një dozë humori dhe qyfyresh.
Asnjë autor tjetër shqiptar, madje as ballkanas nuk na ka dhënë më bukur se Agolli njeriun plastik që mendon për njeriun e zhdërvjellët prej mishi dhe ndjenjash. Dhe nëse kjo botë që ai sajon dhe inventarizon gjatë krijimeve ngjan e rregullt për shëmbëlltyrën e njeriut, kafshë, pemë, ngjarje e sende e kanë po ashtu vendin e duhur dhe që u takon pranë «mbretit të krijimit». Për Dritëro Agollin, sigurisht, bota ekziston në secilin nga përbërësit e saj, dhe ajo, nga ana e vet, provon ekzistencën e tij.
Pra, si përfundim, gjithçka tek ai lëkundet dhe barazpeshohet në aspirata ose prirje të kundërta por jo kontradiktore. Nga njëra fabul në tjetrën alternohen ose shkojnë së bashku ideali i lidhjes me tabanin dhe ëndërra e Ikarit, humori nostalgjik dhe dëshira e zjarrtë për të jetuar e një biri të tokës, mosngutja e plakut të urtë dhe padurimi i rishtarit të përjetshëm, hokatarëria dhe çiltëria, Dritëroi solidar dhe, përse jo?, Dritëroi oshënar.
Gjithashtu, unë do të përmblidhja virtytet e këtij poeti me anë të këtyre dy formulave: Ai i kthen poezisë të drejtën për të qeshur e buzëqeshur – e drejtë kjo nga e cila ajo ka humbur shumë, dhe në saje të një mënyre të shkruari të pastër e të kulluar, ai i kthen poezinë publikut të gjerë të të gjitha kategorive moshore.
***
Shumëkush mund të befasohet me këtë punë të prof. A. Zotos. Këtë e vura re edhe në biseda me miq e shokë kohët e fundit. «Gjithë ai profesor merret me fabula kalamajsh», më tha njëri prej tyre teksa pinim kafe. Po, ia ktheva, gjithë ai Ezop, La Fonten, Çajup, Dritëro… janë marrë me krijime fabulash.
- Po pse, pak gjëra të rëndësishme ka që mund të përkthente nga shqipja? – vijoi më tej.
- Kjo është zgjedhja e tij, ia ktheva, por unë mendoj se:
Ky është ndoshta njëri prej shërbimeve më të rëndësishëm që prof. A. Zoto i ka kryer kulturës shqiptare. Vendi ynë (ashtu si çdo vend tjetër) ka nevojë për miq e dashamirës. Po nga, si, qysh mund të gjenden a fitohen këta miq? Mos vallë blihen në pazar!? Sigurisht miq si puna e ambasadorëve, konsujve, biznesmenëve dhe tregtarëve, vetëkuptohet janë të rëndësishëm, por duam – s’duam ne, kjo punë mbart në vetvete edhe “një çik të hedhme”, hipokrizi, shtirje, interes apo doza të theksuara subjektiviteti. Neve na duhen edhe një kategori miqsh të një shkalle , ndoshta, më të lartë: altruistë, të sinqertë, objektivë e pa interes. Ndonjëherë njeriu, si qenie e çuditshme që është, mund të simpatizojë kulturën dhe popullin e një vendi tjetër në mënyrë krejt të rastësishme. Dhe një nga këto mënyra është nëpërmjet librit, letërsisë. Dhe simpatia në raste të tilla krijohet qysh në fëmijëri. Prof. A. Zoto ka përkthyer letërsi të shëndoshë shqiptare për fëmijë francezë dhe frankofonë. Sigurisht që gjatë leximit dhe të mësuarit për mendsh të këtyre poezive-fabula nga fëmijët francezë ka për t’u ngulitur në mendjen e tyre edhe emri i autorit dhe kombësia e tij; nga ku Shqipëria mund të fitojë këtë klasë miqsh: miq me gjak të ri, filiza të rinj të cilët në një mënyrë anë tjetrën do të lidhen, do ta simpatizojnë e përse jo edhe ta duan vendin tonë. Pikërisht për këtë kategori miqsh ne kemi, ndoshta, më tepër nevojë që ata të jenë sa më të shumtë. Pra, libri i prof. Zotos mund të shërbejë si pikënisje për publikun minor francez dhe katalizator për lidhjen e tyre me Shqipërinë. A ka punë më fisnike se kjo!? Pikërisht, sipas mendimit tim, këtu qëndron gjenialiteti i prof. Zotos në këtë rast.
Dy fjalë rreth çështjeve dhe vështirësive të përkthimit
Nëse përkthimi në përgjithësi nuk mund të quhet asnjëherë si punë e lehtë e për t’u eglendisur, përkthimi i poezisë mund të konsiderohet si kafshatë që s’kapërdihet, arrë gungë, së cilës nuk mund t’ia nxjerrësh thelbin lehtë a si lule mos më prek. Kjo ndodh nga vështirësia e epërme e leximit të poezisë, e cila ka të bëjë me të rrokurit e kuptimit që fshihet prapa gjuhës së figurshme që karakterizon këtë gjini. Në fakt, të lexosh një poezi pa kuptuar se ç’diamante fsheh ajo nën petkun zëzëllitës të fjalëve, është si të përdorësh një fjalë pa ia ditur kuptimin. Poezia është pasqyrimi i një çasti të caktuar të jetës së poetit, e cila merr kuptime të ndryshme, unike dhe personale për lexues të ndryshëm; nga ku edhe vështirësia e përkthimit të saj. Kjo është arsyeja që poezisë mund t’i mvishet një vlerë tjetër nga ajo e letërsisë romaneske me një tis më misterioz, i cili mund të jetë ose burim guflues ose burim nëntokësor.
Mjeshtra të përkthimit përkthimin e poezisë e quajnë « gogol », sepse krahas pengesës gjuhësore duhet të përballen me sukses edhe me pengesa kulturore, të cilat e pengojnë lexuesin e huaj të kuptojë të fshehtën, të pathënën nën fjalët e përzgjedhura të poetit. Kështu, përkthyesi rropatet që nëpërmjet ndjeshmërisë së tij të kuptojë atë të autorit dhe ta përcjellë në gjuhën e vet. Kjo shpjegon edhe përkthimet e ndryshme të një poezie të vetme, ku të gjitha ndryshojnë pak a shumë nga njëra – tjetra. Vështirësia kryesore që ka hasur prof. A. Zoto, mendoj se është rikrijimi i lidhjes së kuptimit me zëzëllimën, me veshjen tingullore të fjalës, çka karakterizon poezinë si dhe pozicionimi i tij për të shënjestruar dhe goditur në fjalën e duhur. Dihet që edhe sinonimet brenda së njëjtës gjuhë nuk kanë të njëjtin kuptim; prej nga: është krejt e pamundur të gjendet një përputhje ekzakte, një mbivendosje a simetri qind-për-qindëshe midis fjalëve të dy gjuhëve të ndryshme. Megjithatë, jam i mendimit se prof. A. Zoto në këtë përkthim ka arritur caqet maksimale të së mundshmes. Këto fabula të poetit tonë D.Agolli, kanë pasur me të vërtetë fatin e lumë që nuk janë masakruar nga përkthyes të zhveshur ndjenjësisht të tipit “Google translate”, por janë frëngjishtëruar duke qëndruar krah për krah atyre të La Fontenit nga një njohës deri në hollësi i të dyjave gjuhëve : asaj frënge dhe shqipe njëkohësisht, nga Prof. Aleksandër Zoto. Prof. A. Zoto nuk njeh vetëm gjuhët, kjo do të përbënte vetëm “tortën”, ai njeh edhe kulturat e dy popujve, çka përbën edhe “qershinë” mbi të. Vetëm kështu «kjo tortë me qershinë përsipër» do të ishte estetikisht e bukur dhe përmbajtshmërisht e shëndetshme për publikun e madh francez, dhe frankofon.
***
Prof. Aleksandër Zoto është një zë i fuqishëm (në mos më i fuqishmi) në botën frankofone për përhapjen dhe rrezatimin e kulturës, traditave, historisë dhe letërsisë së shëndoshë shqiptare. Nëse në botën anglofone kemi Dr. Robert Elsie-n (*1950, Vankuvër/Kanada, albanolog dhe përkthyes ), që përhap kulturën shqiptare si rrallëkush tjetër dhe përkthen kryevepra shqiptare, në galaktikën frankofone ambasadori dhe misionari i kulturës shqiptare është Prof. Aleksandër Zoto. Njohës deri në imtësi i gjuhëve dhe kulturave frënge e shqipe, ai ka përkthyer kryevepra të Kadaresë, Agollit, Spahiut, Podrimjes, Bashës….
Jo vetëm miq e shokë, por krejt hapësira mbarëshqiptare duhet t’i jenë mirënjohës z. Akeksandër Zoto për punën sistematike dhjetravjeçare në shërbim të përhapjes së vlerave më të larta e më të shëndosha shpirtërore shqiptare në botë. Prof. Zoto është një monument i gjallë, një pasuri kombëtare prej mishi, gjaku e ndjenjash e kulturës shqiptare.
***
Duke lexuar fabulën e Agollit KALI DHE GOMARI të përkthyer nga Prof. A. Zoto në frëngjisht, vendosëm ta përkthejmë nga frëngjishtja në shqipe pa pasur përpara origjinalin. Më vonë, u paravendosëm edhe origjinalin. Ja se çfarë doli:

|
|
Tweet |


Shkrim i mrekullueshem,sidomos ne ish studenteve e frengjishtes e vleresojme dhe me teper. Urime.