|

Albin Kurti: Kosova duhet të bashkohet me Shqipërinë!

Nga Sonila Alushi
12 Prill 2011

” Çështjen e bashkimit të Kosovës me Shqipërinë, përveç si vullnet dhe e drejtë e jona, ne e shohim edhe si çështje interesi. Bashkimi i Kosovës dhe Shqipërisë është edhe interes i sigurisë. Një shtet më stabël dhe i qëndrueshëm është zbrapsje e orekseve serbe për veriun e Kosovës, por me atë rast do të merrnin fund edhe ato greke për jugun e Shqipërisë.” – Albin Kurti

Albin Kurti, Drejtues i Lëvizjes VETËVENDOSJA

Albin Kurti, studenti i shkëlqyer i Fakultetit të Elektronikës, filloi aktivitetin e tij për të drejta e pavarësi duke hyrë në Unionin e Pavarur të studentëve të Universitetit të Prishtinës si anëtar i kryesisë së Unionit, i angazhuar me marrëdhëniet me jashtë. Datat: 1 tetor 1997, 30 dhjetor 1997, 13 mars 1998 dhe 29 tetor 1999, shënojnë protestat e para paqësore, të cilat Kurti i organizoi së bashku me kryesinë e UPSUP.

Zëri i këtyre protestave kumboi mjaftueshëm për të arritur deri në Washington DC, New York, Bruxelles, Copenhagen dhe në Parlamentin Evropian në Strasburg. Vende nga të cilat u ftua me qëllim informimin e komunitetit botëror rreth kërkesës së arsyeshme të studentëve. Në fund të vitit 1999, Kurti filloi të punonte si sekretar në zyrën e përfaqësuesit politik të UÇK-së, Adem Demacit, i quajtur ndryshe nga shumë gazetarë si “Mandela i Balkanit”.

Gjatë fushatës së bombardimeve te NATO-s, Kurti qëndroi në Prishtinë, ku policia serbe e arrestoi në 27 prill 1999 me akuzën e  “Ndërmarrjes së disa aktiviteteve terroriste me qëllim separatist”. Ne gjyq ai pranoi bashkëpunimin me Adem Demacin, duke shprehur gjithashtu respektin ndaj tij dhe qëllimin për ta përkrahur dhe paraqitur politikën e UÇK-së në realizimin e qëllimit të shenjtë: Pavarësisë së Kosovës dhe çlirimit të shqiptarëve nga regjimi okupues fashist i Sllobodan Milloshevicit.

U dënua me 15 vjet burg dhe u torturua nga polizia serbe, por pas ardhjes se Koshtunicës në pushtet, u lirua. Këto ide dhe qëllime, i shtruan rrugën Lëvizjes VETEVENDOSJE! e cila u themelua dhe kryesohet nga Albin Kurti që nga viti 2005. Protestat vazhduan duke u bërë përsëri motiv i akuzave për dhunë, por këtë herë nga ana e Eulex-it. Në fillim të vitit 2010, ai u paraburgos nga njësitë speciale të SHPK-së dhe UNMIK-ut për demonstratat në fjalë.

Realizimi i VETEVENDOSJE!-s nënkupton ikjen e administratës së UNMIK-ut nga Kosova. Kërkon një prani ndërkombëtare në vend të reduktuar në ca mekanizma te domosdoshëm për monitorimin e të drejtave të pakicave. Ajo identifikohet si komunitet i njerëzve që refuzojnë të nënshtrohen. Ndër të tjera, synon arritjen dhe realizimin e vetëvendosjes për popullin e Kosovës e gjithashtu bashkimin e saj me Shqipërinë. Në fund të këtij viti, kjo lëvizje hyri si Lëvizje politike në zgjedhjet e Kosovës duke fituar 12,60% të votave e duke u klasifikuar kështu si forca e tretë politike e vendit.

 

Intervista me Albin Kurtin

Intervistoi Sonila Alushi

Sonila Alushi: Deklaroni se Lëvizja VETEVENDOSJE! ka si prioritet vetëvendosjen e brendshme dhe të jashtme të Kosovës. Çfarë përmban më hollësisht kjo vetëvendosje?

Albin Kurti: Lëvizja VETËVENDOSJE! synon materializimin e vullnetit politik të qytetarëve të Kosovës. Kjo ndryshe quhet “vetëvendosje”. Me vetëvendosje të brendshme ne duam t’u japim fund institucioneve ndërkombëtare me karakter kolonialist që veprojnë në Kosovë, siç janë ICO, EULEX dhe UNMIK. Këta organizma kanë pushtet ekzekutiv mbi institucionet e Kosovës, kanë imunitet ndaj ligjeve që i zbatojnë ndaj nesh, ndërkohë që askush në Kosovë nuk i ka zgjedhur e askujt nuk i japin llogari.

Ne angazhohemi që qytetarët e Kosovës të bëhen subjekt, dhe kësisoji të jenë fillimi dhe fundi i çdo pushteti. Pikërisht sepse Kosova nuk ka kushtetutë që buron nga vullneti i popullit, por ka Plan të Ahtisaarit që është mbi kushtetutën, në nenin 1.3 të saj, Kosovës i ndalohet bashkimi me Shqipërinë, cënim ky direkt i vetëvendosjes së jashtme. Ne besojmë se subjektivizimi i popullit brenda është rruga për faktorizimin e Kosovës në marrëdhënie me vendet e tjera.

Sonila Alushi: Shprehni shpesh që Kosova qeveriset nga politikanë dashakeqës, të cilët lejuan korrupsionin, krimin e organizuar dhe krimet ekonomike duke e çuar Kosovën në këtë gjendje. Përse mendoni që kjo nuk eshte arsye e mjaftueshme për të patur mbikqyrjen dhe praninë ndërkombëtare?

Albin Kurti: Të thuash se politikanët në Kosovë lejuan korrupsionin e krimin e organizuar, i bie që ata i mbyllën sytë para këtyre dukurive. Në fakt ata janë aktorët kryesorë. Është vërtetuar botërisht se tutelat e huaja nuk u ndihmojnë popujve, por është pikërisht flakja e tyre kusht i përparimit. Tashmë kjo gjë është e sanksionuar edhe në dokumentat e OKB-së (Rezoluta 1514 e dhjetorit të vitit 1960).

Përveç aspektit parimor, është e rëndësishme të shpjegohet edhe situata konkrete ku përfshihen marrëdhëniet midis burokratëve ndërkombëtarë, politikanëve vendorë dhe gjendja e qytetarëve. Kosova administrohet nga ndërkombëtarët prej vitit 1999. Që nga ky vit kemi rritje të vazhdueshme të varfërisë. Shifrat e fundit thonë se në Kosovë kemi mbi 18 përqind të qytetarëve në varfëri ekstreme, ndërsa papunësia ka arritur deri në 50 përqind. Politikani apo zyrtari i caktuar publik, në Kosovën me protektorat zgjidhej dhe ishte i varur nga preferencat e administratorëve ndërkombëtarë e ambasadorëve të huaj.

Duke qenë kështu, kur ai korruptohej nuk dënohej, por dosja e tij futej në sirtar dhe duke mbetur pasive, por gjithmonë potencialisht aktive, ajo shërbente për shantazh dhe kushtëzim për dëgjueshmërinë politike të politikanit. E këtillë është gjithë historia e negociatave me Serbinë. Politikanët e korruptuar, i bënin koncesione Serbisë, duke bërë koncesione mbeteshin prapë në pushtet, ndërkaq qytetari varfërohej. Korrupsioni është njëkohësisht premisë dhe pasojë e kësaj gjendjeje. Një cikël i tillë po përsëritet edhe sot e kësaj dite. Korrupsioni është fjala kyçe e arsyetimit të misionit të EULEX-it në Kosovë. Mbi korrupsionin e politikanëve, pra edhe kontrollimin e tyre, ndërtohen edhe llogaritë gjeopolitike të perandorive, që në zhargonin diplomatik quhen marrëdhënie rajonale. Në këto llogari Kosova figuron si figurë që lëvizet, dhe jo lojtar që ka lojën e tij. E në gjithë këtë konstelacion, humbës mbetet vetëm populli i Kosovës. Përfundimisht, për ta ndërruar këtë gjendje populli duhet të vijë në shprehje.

Sonila Alushi: Në radhët e mbeshtetësve dhe kandidatëve tuaj ka një numër të konsiderueshëm studentësh.Pra po investoni dukshëm në këtë pjesë të shoqërisë. Përse kaq shumë insistim për këtë prani e cilat jane aspiratat dhe angazhimi juaj në lidhje me arsimin publik?

Albin Kurti: Shumica dërrmuese e popullatës në Kosovë janë nën moshën 25 vjeçare. Por energjia dhe vrulli rinor në Kosovën pa ekonomi, me universitet që vetëm universalen nuk e ka, ku zona universitare nuk është hapësirë lirie, por fakultet të mësojnë procedurat e përshtatjes dhe rregullit. Kjo situatë e rëndë ka bërë që Kosova me popullatën më të re, të jetë vendi ku rinia gjithë energjinë e saj e shpenzon duke kërkuar rrugë e mënyra për ta braktisur vendin, e për ta shkrirë pastaj gjithë potencialin e saj në vendet tjera.

Aktiviteti i Lëvizjes VETËVENDOSJE! përgjatë këtyre pesë viteve ka qenë punë dhe aksion kundër këtij realiteti. Ne duam që universitetin ta shkëpusim nga keqpërdorimi që i bëhet nga pushteti dhe ai t’i kthehet studentit, studentëve dhe universitetit. Lëvizja VETËVENDOSJE! i ka dhënë rëndësinë që meriton edhe brenda organizatës, por ata janë pikë e rëndësishme edhe në programin tonë politik. Qendra “STUDIM KRITIKË VEPRIM” e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Universitetit të Prishtinës merret çdo ditë me problemet e studentëve, organizon aktivitete e aksione të ndryshme në funksion të vetëdijësimit e organizimit studentor. Në programin tonë për arsimin, Lëvizja VETËVENDOSJE! angazhohet për arsim publik falas për të gjithë dhe në të gjitha nivelet.

Sonila Alushi: Cila ka qenë shtysa kryesore që çoi në futjen tuaj si forcë politike në zgjedhjet e fundit?

Albin Kurti: Pas një debati të gjatë në të gjitha nivelet e Lëvizjes, më 12 Qershor 2010 (5 vjetori i themelimit të Lëvizjes) morëm vendimin që mjeteve tona të deritashme të veprimit, gjithmonë në funksion të qëllimit të njejtë, t’i shtojmë edhe një tjetër, atë të pjesëmarrjes në zgjedhjet parlamentare. Motivi kryesor që ne filluam të mendonim për një vendim të tillë ishin proceset e dëmshme politike para të cilave ndodhet Kosova. E njëjta arsye që solli edhe zgjedhjet e parakohshme, dhe për të njëjtën arsye që u vodhën votat masivisht.

Në kohën kur Qeveria Thaçi, e korruptuar gjer në grykë, po diskreditohej çdo ditë e më shumë dhe proporcionalisht me këtë rritej përkrahja për Lëvizjen VETËVENDOSJE! Kur nga dita në ditë pritej fillimi i negociatave me Serbinë, dhe njëkohësisht privatizimi i Postë dhe Telekomunikacionit të Kosovës, Qeveria e Kosovës nuk i përballonte dot këto procese, andaj, u shpallën zgjedhjet për t’u vjedhur ato masivisht. Më e saktë është të thuhet se u zgjodh që të vidhet pushteti, sesa u mbajtën zgjedhjet dhe në proces e sipër u vodhën votat. Zgjedhjet nuk u mbajtën për demokracinë, ato u bënë që të legjitimohet pushteti për negociatat me Serbinë.

Sonila Alushi: Në të përjavshmen VETEVENDOSJE! është shkruar se vëzhgues tuaj janë kercënuar e nuk janë pranuar fare në disa qendra votimi. Mund të na thoni dicka më shumë rreth këtyre ngjarjeve?

Albin Kurti: Kjo është e vërtetë. Kanë qenë të panumërta rastet e kërcënimeve. Në fshatin Kopiliq, në orën 7:00 kur duhej filluar procesi i votimit, vëzhguesit tanë i kanë gjetur gjysmë të mbushura kutitë e votimit, dhe më pas janë nxjerrur jashtë duke mos i lejuar fare të marrin pjesë. Vlen të përmendim se kanë qenë denoncimet dhe ankesat e Lëvizjes VETËVENDOSJE! shkaku kryesor i përsëritjes së zgjedhjeve në Drenas, Skënderaj, Deçan, Lypjan, Malishevë dhe Mitrovicë.

Sonila Alushi: A është e vërtetë që keni shitur apartamentin tuaj në Prishtinë për të financuar fushatën elektorale të Levizjes VETEVENDOSJE! ?

Albin Kurti: Po.

Sonila Alushi: Si do t’i përgjigjeshit kujt sheh në Lëvizjen tuaj patriotizëm shterpë, patetizëm dhe populizëm thjeshtë për të patur pushtet?

Albin Kurti: Veprimtaria jonë konkrete dhe arsyetimi racional i konceptit tonë tash e sa kohë janë demanti më i mirë për ata që na akuzojnë për shterpësi dhe patetizëm. Sa i përket pushtetit ne tashmë e kemi bërë të qartë dhe e kemi dëshmuar mënyrën se si e mendojmë atë. Për ne, pushteti nuk është qëllim në vetvete, madje nëse nuk shohim mundësi që përmes pushtetit të rregullohen gjërat, edhe e luftojmë atë, siç e kemi bërë gjithnjë në kohën e negociatave, dhe siç do të bëjmë prapë.

Pushteti, gjegjësisht mekanizmat e tij mund të jenë mjete për arritjen e qëllimeve të caktuara. Pra, asgjë nuk përfundon me pushtetin. Na duhen mekanizmat e pushtetit për t’i shfrytëzuar ata që të vendoset kontrolli në pikat kufitare 1 dhe 31, na duhet pushteti që ta ndalojmë plaçkitjen që po i bëhet publikut me të ashtuquajturin proces privatizimi. Pushteti mund të jetë mundësi, kjo mundësi mund të shfrytëzohet për të ecur përpara i gjithë vendi, por edhe për të vjedhur.

Sonila Alushi: A ka apo parashikohen ndryshime nga ana juaj në idetë dhe veprimtaritë e Lëvizjes VETEVENDOSJE! tashmë që keni fituar 12,60%% të votave duke u shndërruar në forcën e tretë politike të Kosovës?

Albin Kurti: Lëvizja VETËVENDOSJE! do të vazhdojë dhe do ta pasurojë aksionin e saj politik. Të gjitha mënyrat e veprimit të deritashëm, duke filluar nga aksionet simbolike, tubimet me qytetarë e deri tek demonstratat gjithëpopullore, do të shtohen varësisht nga zhvillimi i ngjarjeve. Dallimi i vetëm është se kësaj radhe ky aksion politik do ta ketë zërin dhe veprimin e tij edhe në Kuvendin e Kosovës.

Në të ardhmen,VETEVENDOSJA! do synojë të fitojë pushtetin e vetme? Apo do gjejë rrugën e një koalicioni, ndoshta dhe duke bërë një politikë pak më të butë?

Lëvizja VETËVENDOSJE! e ka programin e saj politik, dhe politika e saj bazohet mbi këtë program. Politika e Lëvizjes VETËVENDOSJE! është e drejtë dhe parimore, ajo mund të duket ekstreme apo normale, varësisht me çfarë e krahason. Nesë krahasohet me partitë aktuale politike në Kosovë ajo mund të duket ekstreme, sepse partite politike tek ne, duke qenë të mbërthyera nga interesat personale, konformiste ndaj faktorit ndërkombëtar, ato nuk bëjnë fare politikë. Në fakt, kërkesa jonë për vetëvendosje është normale dhe e pritshme për kushtet e Kosovës. Ne nuk kërkojnë asgjë tjetër veç shtetit, karakteri i të cilit vie nga vullneti qytetarëve.

Sonila Alushi: Skeptiket mendojne që një bashkim i Kosovës me Shqiperinë, do ishte katastrofë e duke patur parasysh gjendjen politike dhe ekonomike në të cilën janë dy vendet sot. Në çfarë perspektive dhe me çfarë koncepti shtrohet ky bashkim nga Lëvizja VETEVENDOSJE!?

Albin Kurti: Ata që thonë se po të bashkohej Shqipëria e varfër dhe Kosova e varfër do të dyfishohej varfëria. Çështjen e bashkimit të Kosovës me Shqipërinë, përveç si vullnet dhe e drejtë e jona, ne e shohim edhe si çështje interesi. Kosova dhe Shqipëria mund të kombinohen shumë mirë ekonomikisht. Sistemet tona energjetike do të ishin komplemetarë midis vete. Dimrit kur vështirësohen punët tek prodhimi i energjisë me termocentrale në Kosovë, Shqipëria ka energji me bollëk, e kundërta vlen për stinën e verës, kur në Shqipëri ulet kapaciteti i hidrocentraleve, Kosova mund të prodhojë me kapacitet të plotë. Unifikimi i tregut, bashkëpunim intensiv në të gjitha lëmitë e jetës, duke filluar nga kultura e arsimi, do të sillte një konkurrencë vlerash. Një shtet me më shumë banorë, është mundësi për shmangien e lidhjeve nepotiste që ekzistojnë në Kosovë dhe Shqipëri. Një bashkim i tillë sjell edhe demokratizim të mirëfilltë.

Bashkimi i Kosovës dhe Shqipërisë është edhe interes i sigurisë. Një shtet më stabël dhe i qëndrueshëm është zbrapsje e orekseve serbe për veriun e Kosovës, por me atë rast do të merrnin fund edhe ato greke për jugun e Shqipërisë.

Sonila Alushi: Keni deklaruar në televizionin Ora News para pak kohësh se procesi i bashkimit kombëtar nuk mbaron me Shqipërine. Çfare keni parasysh me këtë?

Albin Kurti: Shqiptarët, kudo që jetojnë në Ballkan jetojnë në trojet e tyre, Ata janë autoktonë dhe të ndarë padrejtësisht. Ne mendojmë se pikë graviteti për ta duhet të jetë Tirana. Shteti shqiptar duhet të jetë mbështetësi kryesor i shqiptarëve që jetojnë në shtetet tjera. Andaj na duhet bashkimi i Kosovës dhe Shqipërisë fillimisht. Çfarëdo përpjekje e shqiptarëve të organizuar në mënyrë vetanake, pa përkrahjen e duhur të një shteti të fortë shqiptar nuk mund të ketë sukses.

Sonila Alushi: Shume te huaj mendojnë se një bashkim i tillë, nuk do jetë vecse një tjetër motiv zjarri ne Ballkan. Cila është përgjigjia juaj ndaj kesisoj parashikimesh lufte?

Albin Kurti: Së pari duhet treguar se përmes zjarrit ka ndodhur ndarja. Në nuk e duam zjarrin, por e duam bashkimin. Përpara se të llogariten të gjitha pengesat që mund të dalin rrugës, vendimtar për ne është vullneti i shqiptarëve dhe ata e duan bashkimin.

Une do të thoja që dy vendet tona jane të ndara nga nje Mur postkomunist dhe postjugosllavist që ndan trojet tona por edhe influencon marrëdhëniet midis dy popujve. Çfarë do të shtonit dhe kur e parashikoni rënien e këtij Muri shqiptarofolës?

Muri shqiptarofolës do të bie më shpejtë apo më ngadalë, varësisht nga intensiteti i përpjekjeve tona. Kohëve të fundit vërehen zhvillime pozitive në këtë drejtim. Komunikimi medial, kontaktet më të shpeshta i kanë thyer paragjykimet që kemi pasur ndaj njëri-tjetrit. Kjo duhet vazhduar, por përveç kontakteve ndërnjerzore, marrëdhëniet tona duhet zgjeruar edhe në raporte biznesi, bashkëpunime në fushën e arsimit, kulturës e sportit. | Prishtina Press

____________________

Artikulli publikuar tek Albanian News. Lexo Burimin kliko ketu >>



Related posts

SHQIPTARET DHE ‘NENA TEREZE’!
BALLKANI DHE SHQIPTARËT
Ministri Haxhinasto, në Ministerialin e NATO-s në Bruksel
Zëvendësministri i FSK-së Bejtush Gashi priti në takim ish-p...

2 Comments for “Albin Kurti: Kosova duhet të bashkohet me Shqipërinë!”

  1. Amir Bregu thotë:

    QONI TE FALA ALBIN KURTIT DHE THONI SE ATA QE FLASIN PER BASHKIM KOMBETAR DHE NJEKOHESISHT SHKELIN MBI ADEM DEMAQIN JANE DEMAGOG QE NUK LUFTOJN PER SHTET KOMBETAR POR PER PUSHTET PERSONAL.TRI HER T´U DHA RASTI ME E KANDIDUA ADEM DEMAQIN PER PRESIDENT DHE KETE NUK E BERE, SEPSE NUK TE LA BAJRAKTARIZMI I YT PERSONAL ME E PA SE FIROJA E JOTE DHE BASHKIMI KOMBETAR VJEN PERMES TE ADEM DEMAQIT! SHKELE MBI NJERZEIT ME TE MEDHENJ QE I KA KOMBI ANDAJ PERGJITHMON KE ME MBET NE OPOZITE!

  2. Shqiperia dhe Kosova, dikur moti e ndar…!
    ———————————————————
    Sot. JO.
    ————
    Sot, zoti Albin, Shqiperia dhe Kosova, e ka problem me nje fjale
    te urte: “Dy atllar me nje hu, s’lidhen dote”. Pra, Me nje opozite ne
    Shqiperi qe tane kohen pergatit kurtha per rrximin e qeverise. Por,
    kure nuk ja arrite qellimit; i kthehet punes opozitare me propozime
    qesharake qe as zoti vete s’munde t’ia zgjedhe.Tani, ne vende te
    strategjive dhe opcionev (qe i mungojne) dhe vete si lider fl-
    te per korrupcionin dhe vete se lajmrone pasurine i pari qe te ker-
    koje te bejne edhe te tjeret, kete s’guxone te e beje, por, ka zgje-
    dhe rrugen e “Jehovaj Vitens” me boten rinore qe te i perdor si ve-
    gel per te orgonizuar dhe mobilizuar qe te mbledhe vota, dhe, si
    do mbesin rinija mbrapa me studime dhe aktivitete te tjera per bo-
    ten rinore qe i duhen ne zhvillim, ai, se ka derte per kete, por, i
    duhen votat qe te vie ne pushtet. I thuhet keti udheheqes strate-
    gjike dhe atdhedashes dhe si “Rilindas Kombetar”, jo kurre.
    Kosova per dallim te VV per ca pake; Qeveri dhe opozite, “dushke
    per gogegla”. Albini eshte i mire por, duhet te die se pse Nastra-
    dini “e ka rrahe kaun plake”, kure i ka ngjitur me nje ka te ri.
    (Akoma eshte (?), me kende eshte ngjite Albini), se di.

Leave a Reply





Archive