Anashkalim investimesh dhe zgjedhjet lokale
Opinion
Shkruan: Aziz Ramadani
Tetovë

Aziz Ramadani
Zëdhënësi i qeverisë Aleksandar Gjorgjiev sipas gazetës “Koha” të datës 16 korrik 2012 doli me projektin për ndërtimin e rrugëve lokale dhe atyre rajonale në Republikën e Maqedonisë. Sipas tij do rikonstruohen 176 km rrugë lokale dhe 74 km rrugë rajonale deri në fund të këtij viti.
Po sipas planifikimeve te qeverisë së tij, këto rrugë me gjasë të madhe nuk do shkelen nga këmba e shqiptarëve. Për rikonstruim si rrugë rajonale që parashihen të punohen dhe që lidhin popullsinë shqiptare përmendet vetëm rruga Strugë – Dibër dhe Tetovë –Jazhincë. Për rrugët lokale se cilat vendbanime do përfshihen në ndërtim nuk është bërë e ditur. Ai bëri të ditur se kryetarët e komunave të paraqiten me projektet e tyre për të hyrë në programin për ndërtim, rikonstruim dhe mirëmbajtje të rrugëve lokale që t’i përmbushin interesat e qytetarëve.
Qytetarët si përherë mbeten me shpresën se do t’u realizohet ndonjë kërkesë. Zëdhënësi në fjalë, tregoi se qeveria ka ndarë edhe 5,5 milion euro për zhvillimin e fshatrave.
Shumë në rregull, por për cilat fshatra?
Këto eurot e përmendura janë para të mbledhura edhe prej popullatës shqiptare në Maqedoni. Sa para prej këtyre do ju ndahen fshatrave shqiptare? Besoj, fare pak. Kush duhet të angazhohet që këto para të mbërrijnë edhe në fshatrat shqiptare? Padyshim të zgjedhurit e popullit. ministrat, zëvendësministra, deputetët, kryetarët e komunave dhe partitë politike.
Rruga lokale Tetovë-Llace- Sellcë- Vicë është asfaltuar më vitin 1986 me 50% vetëkontribut të banorëve të këtyre trevave. Ajo tani është në gjendje të mjerueshme. Në të çdo ditë nxënësit e shkollave të mesme dhe afër 6000 banorve është në rrezik.
Shkolla e fshatit Sellcë ka filluar të ndërtohet më vitin 2000 dhe mbarimi i saj nuk duket fare në horizont. Banorët nga mosperspektiva e jetesës çdo vit arratiset në mërgim. Bangat e shkollave zbrazen dita ditës. Kujt i nevojitet kjo? Tani gurbetqarët kthehen për pushime. Rruga lokale është e papërballueshme. Pse investimet e qeverisë nuk arrijnë edhe në vendbanimet shqiptare në Maqedoni?
Vitin e kaluar me iniciativë të një gurbetqari me emrin Memet Ademi nga fshati Sellcë me vetkontribut u mblodhën para dhe me punë vullnetare u punua një javë. U mbushën gropat. U zgjërua rruga. Sa mire!. Por, kjo rrugë është si ajo këmisha e kalbur që këtej qepet andej shkepet. E gjithë kjo u bë në muajin e Ramazanit para Bajramit.
Askuj prej atyre përgjegjësve që përmenda më lart as që ju bë vonë. Nuk e thanë edhe ate që thuhet “puna e mbarë”. Kjo rrugë, me vetëkontribut rikonstruohet për një javë. Për shtetin është sa një thërmi.
Në këtë rrugë qarkullojnë edhe pushtetarët, udhëheqësit politik dhe partiak. BDI- ja me 14 mars dhe njëherë në zgjedhjet lokale ose ato parlamentare, krse PDSH-ja vetëm para zgjedhjeve, cilat do qofshin lokale ose parlamentare.
Qe 11 vjet, pas luftes në Maqedoni, partitë shqiptare BDI dhe PDSH janë pjesëmarrëse në pushtet, qoft atë qendror ose lokal. Pa rezultate konkrete.
Zgjedhjet lokale janë paraparë për vitin 2013 dhe ata përsëri do të vijnë. Me siguri do të vijnë! Do vijnë të kërkojnë vota.
E shqiptarët përsëri do të votojnë! Pse e bëjnë këtë kur ata janë zhgënjyer njësoj pavarsisht se cila parti ka qenë në pushtet? Ka disa arsye. Partitë më të mëdha shqiptare kanë nga një numër jo të vogël antarësh (militantë partiakë) që paguhen për agjitime, kërcnime, sharrje. Këta antarë shkojnë shtëpi më shtëpi për të marr garancë se do votohet partia e tyre. Ditën e zgjedhjeve bëjnë bartjen e votuesve prej shtëpiave deri te vendi i votimit.
Një grup tjetër njerzish votojnë për të fituar ndonjë vend pune qoft edhe si portjerë. Një grup tjetër njerzish votojnë vetëm për inat të njërës ose tjetrës parti. Jo se kanë bindjen për ate se platforma politike e partisë që votojnë është e mirë.
Një pjesë e shtresës më të varfër mashtrohet(shitet) për 500 den. Një pjesë e popullatës mbetet me shpresën se ndoshta kësaj here do ndryshoj diçka për të mirë. Edhe sa kohë, popullata shqiptare do të vazhdojë me këtë rritëm? Thuhet se populli nuk gënjehet kollaj, por për çudi ai akoma vazhdon të jetë i gënjyer! Zgjedhjet lokale afrohen dhe partitë politike e kanë filluar para kohe fushatën e tyre.
Por, banorët e këtyre trevave nuk i presin zgjedhjet. Se prej zgjedhjeve, përveç premtimeve bosh, sharrjeve dhe friksimeve nuk fitojnë gjë. Banorët e presin muajin e ramazanit dhe Memetin!. Memeti me shokë mbushin gropat! Deri kur ?
|
|
Tweet |


