|

Arti në Shërbim të Atdheut

22 April 2011
Nga Agim Gashi – Drenica

 

Agim Gashi - Drenica

 

Nga shtypja serbe dhe ngushtimi i hapësirave për të vepruar, shumë intelektualë shqiptar, në fillim të viteve ’90 u dëtyruan të emigrojnë jashtë atdheut. Në mesin e tyre ishte edhe djaloshi entuziast me shpirt artisti, nga Drenica kreshnike, Smajl Lushtaku-Prekazi. Ai u largua me një valigje duke marrë me vete edhe  shumë kujtime dhe ëndërra për atdheun. Rrugët e jetës e degdisën nëpër botë, por kurrë nuk arritën t’ia zbehin dashurinë për art të cilin e shfrytëzoi si armë luftë në sherbimt të atdheun. Ne e vizituam në Holandë, ku jeton sot dhe për lexuesit e gazetës Prishtina Press zhvilluam këtë intervistë.

Intervistë me poetin dhe aktorin Smajl Lushtaku-Prekazi

Intervistoi Z. Agim Gashi – Drenica

 

Prishtina Press: Kush është Smajl Lushtaku – Prekazi ?

Smajl Lushtaku – Prekazi: U linda në vitin 1960 në Prekaz të Poshtëm, komuna e Skenderajt, në Drenicës. Shkollën fillore e kreva në vendlindje, ndërsa të mesmen në Skenderaj. Kam mbaruar dhe dy vite të fakultetit Juridik në Prishtinë, por për rrethana tashmë të njohura e të asaj kohe u detyrova t’i ndërpres studimet. Dëshira ime ishte që të studioj aktrimin, ku kjo dëshirë u realizua tek në vitin 1991, në Poloni ku mbarova Akademinë për Teatër dhe Film. Që nga fëmijëria e hershme, në shpirt kam pasur artin dhe kam qenë aktiv në jetën kulturore dhe artistike.Jam baba i pesë fëmijëve.Qe pesëmbëdhjetë vite Smajli jeton dhe vepron në Holandë!

Smajl Lushtaku-Prekazi

Prishtina Press: Jeni njëri ndër themeluesit e Teatrit ”Drenica” të Skenderajt, kur ka ndodhur kjo dhe ç’ju shtyri ta themeloni këtë Teatër?

Smajl Lushtaku-Prekazi: Po. Me një grup te rinjësh entuziastë dhe dashamirë të dërrasave të skenës, themeluam Teatrin « Drenica » në vitin 1976. Ishte kërkesë e kohës njëherit edhe një lloj rezistence kundër regjimit serbosllav, që ta prezentojmë kulturën tonë të mirefilltë shqiptare. Sepse siç dihet arti u paraprinë edhe revulucioneve dhe ndryshimeve rrënjësore në shoqëri.

Bazën e aktrimit përpos Zotit që na e dhuroi, e morëm edhe ne shkollën e mesme tek prof. Beqir Beqiri, i cili ishte një entuziast i madh dhe punonte me ne me zemër dhe shpirt.

Më që dëshira ishte tejet e  madhe për aktrim dhe për ta promovuar edhe më tepër kulturën dhe artin, në vitin 1976 formuam teatrin « DRENICA », me një grup shokesh si : Bilall Koci, Shaqir Bejta, Arif Lushtaku, Ramadan Dobra, Agim Gashi, Shefqet Lushtaku, Rexhep Uka, Beqir Beqiri, Nexhmije Rreci  etj.

Qëllimi ynë kryesor për formimin e këtij Teatri ishte që të rezistojmë përmes kulturës sonë të mirëfilltë shqiptare. Duke i vënë në skenë traditat pozitive shqiptare dhe duke i luftuar ato negative, si dhe duke e luftuar pushtuesin serbosllav përmes fjalës artistike-skenike.

Prishtina Press: Në cilat drama keni luajtur dhe cilat role?

Smajl Lushtaku – Prekazi: Që nga viti 1976 kam qenë aktiv në këtë Teatër deri në vitin 1990, plot 14 vite. Kam luajtur në dramat : « Ik,Jak,ik » të Josip Relës,- rolin e Gjonit , te drama « Buqitje malesh » të Murteza Pezës-rolin e Shpendit ,kam bërë regjinë e pjesës teatrale « Shtatë shaljanët » dhe kam lujt rolin e Vuksan Gjonit, te « Halili dhe Hajrija » -rolin e Halilit, »Toka jonë » e Kolë Jakovës-rolin e Tuq Makut te « Rrëmuja » e Jusuf Kelmendit – komesarin, të «Hakmarrja » e Jusuf  Kelmendit – rolin e Musë Mehmetit, te « Agu »i Din Mehmetit – rolin e Nikës, te « Nita » e Josip .V.Relës kam bërë regjinë e kurse te « SHTROJERA » e Nebil Durakut kam bërë dramatizimin dhe regjinë etje.

Pas shfaqjes së dramës "Ik, Jak, Ik" Skënderaj viti1980

Prishtina Press : Diçka nga ajo kohë, ndonjë kujtim?

Smajl Lushtaku-Prekazi : I tërë aktiviteti ynë zhvillohej në saje të vullnetit dhe entuzizmit (luanim dhe aktronim pa pagesë, pa para) në baza vullnetare e mbanim gjallë frymën artistike, duke mos kursyer asgjë nga vetja vetëm e vetëm të dëgjohej fjala shqip!

Më kujtohet, ishim në prag te shfaqjes së dramës « HAKMARRJA » dhe në skenë  duhej të ishte një gardh. Pa hezituar dolëm në malet e Prekazit,I premë  thuprat dhe e thurëm gardhin, ishim tre veta, morëm tre pjesë të  gardhit dhe duke kaluar me gadh në shpinë nëpër qender te Skenderajt dhe i vumë në skenë.Njerëzit që po na shihnin në qytet po mendonin se jemi çmendur, por më vonë e morën vesh. Në hapat e parë nuk kishim shumë shikues dhe më kujtohet edhe një rast jo i këndshem. Erdhi Zdravko Çolici me një koncert, është dashtë katër herë të shfaqet koncerti sepse kishte kërkesa të mëdha nga publiku, ndërsa ne kur shfaqnim ndonjë pjesë në fillim interesimi i publikut ishte tejet i vogël, vinin vetëm artdashësit e mirëfilltë. Por, sa më shumë që shtohej shtypja serbosllavëve vetëdija e njerëzve sa vinte e shtohej, por duke iu falenderuar punës dhe sukseseve tona, filluan të mbushen sallat plot kudo që shfaqnim drama.

Prishtina Press: Keni luajtur edhe me bashkfshatarët tuaj që tani janë dëshmorë të Kombit, siç ishin Hamëz Jashari e Naser Kodra ?

Smajl Lushtaku–Prekazi : Po thuaj se dhjetë vite kemi qenë së bashku në dërrasat skenike me Hamëz Jasharin dhe Naser Kodrën. Kemi luajtur në Skenderaj por edhe në Prekaz të Poshtëm si dhe në mbare Dardhaninë!

Në vitin 1983 formuam një grup të dramës në Prekaz, ku përgatitëm dramën « Fosilet » të Azem Shkrelit. Regjinë e bera unë ndërsa rolin kryesor të Dyl Mehmetit e interpretonte Hamëz Jashari, ndërsa të Bardho Bulit – Naser Kodra. Ishte kënaqësi të punosh  dhe bashkëveprosh me këta dy aktorë të zellshëm dhe talentë nga natyra.

Ishin aktorë të përkryer me nje vullnet të çeliktë. Shumë të urtë me kolegët po të ashpër me armikun, me çka dëshmuan duke dhënë edhe jetën për lirinë që po e gëzojmë. Kam emocione dhe nostalgji për këta dy aktorë që aq shumë na dhanë si në skenë po ashtu edhe në luftë duke u flijuar për më të shtrejtën-LIRI.
Ju qoftë i lehtë dheu i atdheut. Lavdi !

Prishtina Press: Pas dhunës sistematike të okupatorit serb, si shumë bashkëkombas tuajt ju morët rrugën e mërgimit?

Smajl Lushtaku-Prekazi: Po, është e vërtetë. Ato ishin ditët më kobzeza për popullin shqiptar. Jeta u ndalë në Dardhani. Kosova u pushtua nga  regjimi i bishës karpate-serbe. Rezistenca jonë ishte e mjerë dhe passive. Hapësira po ngushtohej për të vepruar dhe Kosova po shndërrohej në një burg kolektiv, duke i privuar shqiptarët nga jeta normale: mbyllën shkollat, largohen njerëzit nga puna dhe jeta e shqiptarit (kryesisht e njerëzve që kishin një të kaluar jo të « pastër » për serbët) ishte në rrezik. Unë si  dhjetra mijëra të tjerë mora rrugën e « korbave » , rrugën e mërgimit me shpresë që për një kohë të shkurtër të kthehemi në Atedhe, por mjerisht mbetëm ende këtu ku jemi.

Prishtina Press : Fillimisht mërguat në Poloni. Jeta e emigrantit atje si dhe aktivitetet tuaja?

Smajl Lushtaku-Prekazi: Në Poloni migrova në vitin 1991. Pa humbur kohë u regjistrova në Akademinë për Teatër dhe film, që e mbarova në vitin 1995.

Jeta e emigranitit në Poloni si në çdo vend nuk ishte e lehtë, por pasi që isha i angazhuar në aktrim më dukej e bukur dhe interesante, ku falënderoj Fondacionin « BATOREGO « që më mundësoi shkollimin duke më ndarë edhe bursë.

Në Poloni kam luajtur në shumë shfaqje teatrale si dhe në filmin e Stiven Shpilbergut ”LISTA E SHINDLERIT” , isha i angazhuar gati 4 muaj!

Pastaj migrova në Holande ku edhe sot jetoj dhe veproj.

Smajl Lushtaku-Prekazi dhe Yolanda Paauwe, në dramën «Lule pa aromë » në Holandë

 

Prishtina Press : Sot jeton në Holandë, si e kaloni kohën, me çka mirreni ?

Smajl Lushtaku-Prekazi
: Momentalisht gati një vit jam në pushim mjekësor. Kam pasur një operacion, por çdo gjë përfundoi mirë. Mirrem kryesisht  me poezi dhe së shpejti do të dalë me një përmbledhje. Jam duke përgatitur edhe një skenar të një recitali dramatik që i kushtohet  UÇK-së dhe dëshmorëve të Lirisë!

Prishtina Press : Vonë keni dalur në skenë si poet, kur e kuptuat se keni afinitet për poezi?

Smajl Lushtaku-Prekazi : Poezia më pëlqen, sepse është kënga e jetës. Melodia e saj herë e dhembshme herë krenare, herë e dashur e herë kryeneqe. S’e di as vetë saktësisht kur kam filluar të shkruaj poezi, sepse edhe në dramatizime të pjesëve teatrale kam kombinuar ndonjë varg apo poezi. Por kohëve të fundit me një  intensitet më të shtuar po e krijoj poezinë sepse inspirimin po ma jap mërgimi (mungesa e atdheut) jeta që kemi mbetur : »As me shehër as me Barilivë »siç thotë populli. Mandej situata e pazgjedhur e nyjes shqiptare, ku edhe në këtë fillim të këtij mileniumi çështja kombëtare ende s’është zgjidhur.

Unë më shumë jam aktor sesa poet, po poezinë e kam si vaj, sepse nuk kanë thënë me kot të mençurit :Vaji i burrit është kënga, për mua poezia !

Prishtina Press: Poezitë tua shquhen për atdhedashuri?

Smajl Lustaku-Prekazi: Po është e vërtetë, sepse kush nuk i shërben atdheut të vet, nuk i  duhet as njerëzisë. Unë edhe pse jetoj larg atdheut, dëshiroj të jem ai që jam. Të prezentoj vetvetën në origjinalitet. Atdheun e dua mbi të gjitha dhe  po më mungon shumë. I mjerë është  njeriu pa atdhe, jetim nën mëshirën e fatit dhe zotnisë. Pa keqkuptime, vetëm qentë lehin aty ku hanë. Ne kudo që jemi duhet të dëshmojmë që jemi njerëz me identitet dhe krenar që i përkasim  Shqipërisë natyrale. Më shumë se kurrë na nevojitet atdhedashuria, sepse kombi po kalon në një eksperiment të tmerrshëm  nga lloj-lloj virusësh, të cilët po mundohen ta zhdukin çdo gjë shqiptare. Andaj frymëzimin e gjej në kombin tim, në historinë dymijëvjeçare të robërisë!
Pra inspirim është vetja ime!

Prishtina Press: A nuk ju duket pak jashtë mode, kur shumica shkruajnë për dashurinë.Vargjet tuaja edhe pas Pavarësisë së Kosovës i përshkon patriotizmi ? Kur do ta ndërroni stilin e të shkruarit ?

Smajl Lushtaku-Prekazi: Së pari, atdheu s’matet me modë. Mëmëdheu  është dashuria më e kapshme dhe e sinqertë që egziston për mua.Ta duash dikend është e bukur, por ta duash atdheun  është hyjnore,  takohesh me vetë zotin. Unë mendoj se ata që s’e duan atdheun  s’mund ta duan askënd-as personin. E di që shumica e poetëve sot shkruajnë  për dashuri, por unë  s’mirrem me to, jo për faktin q, moti e kam kaluar fazën e adoleshencës, por…sa i përket Pavarësisë së Kosovës, për mua kjo është  një lojë  e vetëknaqësisë te disa individëve, sepse çështja jonë nacionale shqiptare nuk është zgjidhur. Për mua Pavarësia e Kosovës është një akt,  por jo kurrësesi krejt shfaqja. Pa Bashkimin e Kombit Shqiptar në një shtet, këto janë dokrra për mua. Stili im i shkrimit ndërron vetëm atëherë kur ta bëjmë ribashkimin e trojeve shqiptare!

Prishtina Press: Çka kishit për t’i porositur poetët dhe aktorët e rinj?

Smajl Lushtaku-Prekazi: Ta duan dhe ta respektojnë vetvetën-atdheun, sepse vetëm aty ekziston e bukura dhe hyjnorja. Ta prezentojnë vetveten, kulturën dhe vlerat e mirëfillta shqiptare të cilat janë të veçanta në tërë globin. Të jenë më të guximshëm në mbrojtjen e dinjitetit personal dhe kombëtar!

Prishtina Press: Në fund ëndërra  juaj që kishit dashur  t’u realizohet ?

Smajl Lushtaku-Prekazi: Mos më marrtë vdekja, pa e parë SHQIPËRINË NATYRALE, siç e ka krijuar vetë zoti!

Prishtinapress:!Krejt në fund?!

Smajl Lushtaku-Prekazi: Ju falënderoj për vizitën, duke i përshëndetur të gjithë lexuesit e gazetës “Prishtinapress” dhe gjithë shqiptarët ku do që janë. | Prishtina Press

 

U ndamë   me poetin dhe aktorin Smajl Lushtaku-Prekazi, të cilin më shumë se sa vitet e kishin rënduar mbi supe skenat tragjikomike që po luhen gjithandej trojeve shqiptare, por me shpirt  kish ngelë po ai Smajli që e kam njohur në vitet’80 (ku për fat kam pas rastin që me të të luaj në disa drama) plot energji dhe elan për artin dhe krijimtarinë, me shpresë që akti i fundit i dramës shqiptare të përfundojë me një dasmë të madhe – me kurorëzimin e Shqipërisë natyrale! – Agim Gashi – Drenica



Related posts

Zogu dhe Marti
Krishti i Kryqzëuar, nga një fëmijë...
Trilogji ditore
Ringjallet shpirti i Rekës

Leave a Reply





Archive