|

Daut Hoxha ndërmjet shkrimtarit dhe studjuesit

Fatmir Minguli

 

Daut Hoxha u lind në Durrës më 1935. Arsimin e mesëm e kreu në qytetin e lindjes. Fillimisht studioi për inxhinjeri mekanike në UT. Me emërimin e tij në arsim, kreu studimet e larta në ILP Shkodër, dega histori-gjeografi. Fillesat e tij letrare janë botuar në periodikët “Rinia”, “Letrari i ri” dhe “Puna”, në vitet 50. Vëllimi i tij i parë me tregime u pezullua më 1959 për kufizimet e kohës. Pas një shkëputjeje të gjatë ai shfaqet në shtypin shqiptar, boton te revistat “Krahu i shqiponjës”, “Urtësia”, në gazetën “Drita”, etj.

 

 

Librat në qarkullim të autorit janë:

  1. Venedika – tregime, 1997
  2. Dhimbja e zemrës dhe shpirtit – poezi, 1998
  3. Pulëbardha – poezi, 1999
  4. Jetë midis dy dashurive – tregime, 2000
  5. Gruaja me të zeza – roman, 2001
  6. Vdekja e bretkosave – toman, 2002
  7. Ishte kohë lufte – roman, 2005
  8. Jetë në shi – tregime, 2009
  9. Socialdemokracia,

      ideali qe frymëzoi reformimin – studime, 2010

  1. Një natë me stuhi – tregime, 2012

 

            Pse është i veçantë një shkrimtar? Pyetja ka një përgjigje. Në rastin e Daut Hoxhës mund të ketë një keqkuptim për emrin. Dihet roli i Daut Hoxhës në shkaktimin e luftës italo-greke në vitin 1940. Por ai ishte 70 vjet përpara. Daut Hoxha është një shkrimtar durrsak me një veprimtari që iu lejua  për ta zhvilluar vetëm pas viteve  ’90.

            Gjithçka që do të shkruaj më poshtë nuk është e influencuar nga komentet për jetën e tij; gjithçka që do të shkruaj e kam nxjerrë thjeshtë nga librat që ai ka botuar në periudhën postkomuniste 1992-2011. Në kohën që kisha përfunduar idetë e mia për shkrimet e Daut Hoxhës, dikush më tregoi një histori, e cila nuk ka të bëjë me veprimet e tij të letrave. Këtë histori do ta përmend diku më poshtë. Mua më dhanë 8 libra të Daut Hoxhës për t’i lexuar dhe për të dhënë një mendim. Unë i lexova me kujdes dhe gjeta aty shumë gjëra të këndshme, gjëra që më detyruan të shkruaj për to.

                        Libri më i fundit i shkrimtarit durrsak Daut Hoxha është “Socialdemokracia ideali që frymezoi reformimin”. Ne vitin 2010 shkrimtari Daut Hoxha botoi librin “Socialdemokracia ideali që frymezoi reformimin”, liber i cili për mendimin tim është më origjinali dhe më pranë të së vërtetes.

           Në përmjet një metode rrotulluese ai paraqet ngjarjet të bashkëngjitura me personazhet real që bënë historinë e vërtetë të socialdemokracisë. Shkrimtari Daut Hoxha është bashkëkohës i këtyre ngjarjeve dhe ka ditur që me një zgjuarsi ballancimi të servirë pikërisht ato që duhen servirur i pa ndikuar nga politikanet e ndryshem arlekinë.

            Cuditshem, ky autor sjell emra që nuk permenden keto 20 vjet mbas 1990 në mediat shqipetare. Sjell emra si Vaso Pash Shkodrani, Stavri Vinjahu e pastaj qendrën e qëndrave socialdemokrate: Musine Kokalari, Skender Muca, Gjërgj Kokoshi, Shefqet Beja dhe pastaj me nje urtësi dijetari na jep figurat ndoshta fundore të ketij grupimi jetë shkurter si: Sejfulla Malëshova, Mustafa Gjenishi, Nako Spiru.

           Me një saktësi inxhinerike jepen portretet e këtyre pionerëve që përmenda më lart ku lexuesi ka kënaqësinë të njihet me jetën e këtyre njerëzve “ndryshe”. E keto portete si në rralle libra të tjera të ngjashëm vazhdojnë me ato të Uran Kolekulës.

           Daut Hoxha me këtë liber plotëson një boshllek në historiografinë shqiptare.

Jo pa qëllim lexova shkurtimisht këtë libër studimor të autorit Daut Hoxha.

Para këtij libri ai botoi romanin “Ishte kohë lufte” ku origjinaliteti i artit narrativ barazohet me origjinalitetin e vete qytetit të Durresit.

          Është një roman me ngjarje të fill pas lufte në qytetin e Durrësit. Në faqet e tij gjallojnë personazhe durrsakë të atyre viteve dhe që veprojnë në ngjarje krejtësisht të veçanta, sidomos për qytetin e Durrësit. Ky qytet përjetonte kalimin alternativ nga kultura perëndimore e Italisë në kulturën e re sovjetike që po transplantohej jo vetëm në Durrës. Leta, Vasili, Vangjeli, dr. Samiu janë pothuaj personazhe realë. Ndërthurja e ngjarjeve të kaluara para lufte me ngjarjet e pas luftës i japin romanit lehtësi dhe kënaqësi për lexuesin.

            Në ndryshim nga romani “Vdekja e bretkosave”, ky roman ka vulën e qytetarisë durrsake dhe jo vetëm kaq. Ai ngjesh përsëri përpjekjen e vazhdueshme të autorit Daut Hoxha për të vënë në vënd rolin e socialdemokratëve të vërtetë, veprimtaria e të cilëve kishte filluar që me Mustafa Gjinishin. Ky i fundit zë një pozicion përmendoreje në këtë roman. Daut Hoxha e ruan stilin e tij, ruan formën origjinale të narracionit, duke i dhënë forcë të gjithë prozës së tij.

            Në të vërtetë unë nuk i kam pëlqyer kritikat që bëheshin në periudhën e monizmit, sepse ato mbërtheheshin brenda kornizave të partisë, kështu që vetë kritika ishte e bezdisëshme në lexim, monotone dhe pa kokë. Mund të them me plot bindje se edhe shumë kritika që shkruhen sot janë përsëri të bezdisëshme në lexim, monotone dhe pa kokë; i vetmi ndryshim është heqja e kornizës së partisë. Por është futur korniza e mikut, militantit partiak, e elozheve mediokre etj.

Ndrojtja

 

E veçanta e parë e Daut Hoxhës është ndrojtja ndaj librave që ai shkruan. Kjo është një ndjenjë që ai e ka të shoqëruar që nga libri i parë “Venedika” e deri në romanin “Ishte kohë lufte”. Kjo ndrojtje shfaqet, sepse ai është tepër i sinqertë, veti që shqiptarët e çmojnë më shumë se çdo gjë tjetër. Sinqeriteti është ndoshta më i fuqishëm se “dhënia e besës”, paçka se të dyja hyjnë brenda njëra-tjetrës. Dhe kështu, me këtë sinqeritet prej treguesi, ai ndruhet ndaj lexuesve: Vallë a do ta kuptojnë, a do ta lexojnë me durim? Po me këtë sinqeritet ai ndruhet ndaj lexuesve: vallë a do t’i ndjejnë këta lexues shkrimet për kampet famëkeqe të punës të mbas viteve ’50. Por vetë sinqeriteti e bën ngadhënjimtar mbi mijëra faqe të shkruara gjatë periudhës së monizmit mbi punën vullnetare, krijimin e njeriut të ri, besnik ndaj idealeve…

Pikërisht këtu Daut Hoxha, në luftë të pandërprerë me vetveten, në luftë me ato ç’janë shkruar për 50 vjet me radhë, tregon jetën reale, ashtu siç ka qenë dhe jo ashtu si e mbërthenin në korniza të partisë, duke anashkaluar realitetin. Ndrojtja e tij bën atë që thotë Shpent Topollaj për romanin “Vdekja e bretkosave”: “Botimi i këtij romani ishte një detyrim moral për shumë njerëz që punuan shumë ato vite të mbas çlirimit …”.

Brenda shpirtit shpërthyes të Dautit tingëllojnë vargjet e shkruara më 1953:

                                    Do të dëshiroj

                                    me miq, me shokë,

                                    në mes tyre lumturinë

                                    ta ndërtoj.

Në të gjithë librat me poezi dhe prozë, këto vargje janë laitmotiv. Librat kanë datën e botimit mbas 1997-ës, por shkrimet janë realizuar që nga 1953 e këtej. Imagjinoni vuajtjet shpirtërore deri në vitin 1990!

Ëndrra e prishur

 

Heroi i përhershëm i Daut Hoxhës është një djalë i ri, simpatik, i zgjuar, i hedhur dhe gazmor. Dhe është shumë i përkushtuar ndaj punës. Antiheronj të përhershëm të Daut Hoxhës janë njerëzit e partisë; të kuptohemi, jo të pushtetit. Ata të partisë, kur bashkonin dhe detyrat e pushtetit, atëherë tërbimi i heroit djalë i ri shkon në shpërthim. Ky është një hero i veçantë. Duke e krahasuar me romanet “Këneta” të Fatmir Gjatës  dhe “Tuneli” të Dhimitër Xhuvanit, të dy romane të mëdhenj për jetën e mijëra shqiptarëve, romani i D. Hoxhës “Vdekja e bretkosave” është një roman shumë më i gjallë. Heroi vjen ndërmjet dialogjeve stilistike të atyre viteve. Ai nuk bën monologje, hamendje, meditime. Ai vepron duke guxuar mbi çdo lloj vështirësie. Këto vështirësi më të rënda ishin ato të sekretarit të partisë, i cili ishte pengesa më e madhe se stuhitë, dherat e rrëzuar në tunel, puna rraskapitëse dhe vuajtjet shpirtërore të njerëzve të thjeshtë. Dhe përsëri po citoj një pjesë nga vjersha “Proftësia”: Shiko, ja egërsira/ shpejt në fushë/ do bjerë ajo/ me egërsinë e saj/ do të shkatërrojë gjithçka.

Përse njerëzit nuk duhet të bënin një jetë normale, ndonëse edhe ishte pasluftë? Përse ishte kaq i vështirë pak argëtim? Nuk ishin shpenzimet që do të bënte shteti. Ishte diçka tjetër shumë më e thellë. Ishte ideja djallëzore që do të kultivonte pafundësisht njeriun socialist gjithmonë të varfër. Nuk ka klonim më të fuqishëm se sa ajo që injektuan partiakët e shtetit shqiptar në vitet ’50. Punë vullnetare, pa lekë, me pak ushqim. “Jemi të varfër” e kështu vite me radhë. E çfarë kërkonte Darjani, një nga heronjtë më të dashur të Dautit? Kushte më të mira jetese, gjëra për njerëzit, për jetën. Por sekretari i partisë nuk lejonte në emër të kursimit, në emër të një “të ardhmeje të shkëlqyer”, drejt “lugës prej floriri”. Dhe përrallat dhe dogmat e rafinuara vazhdonin. Kapeshin armiq të popullit, kur ata ishin popull vetë. Dauti habitet si mund të jetë armik Darjani, kur punon gjithë ditën dhe kërkon mbas punë pak jetë. Kërkonte të drejtën e tij.

Më bukur nuk mund të thuhet për ata që prishnin ëndrrat:

“Aqifat dhe Lefterët, të ngujuar si vemjet, do t’i gjeje në qelizat e shoqërisë njerëzore, për ta copëtuar dhe shkatërruar atë…”

Këta ishin skifterët, bufët, hutinët që ia copëtuan ëndrrat Darjanit e mijëra e mijëra të rinjëve shqiptarë të ndershëm e të sinqertë. Në thyerjen, prishjen e ëndrrave punonte një sistem i sinkronizuar, i cili shfrytëzoi indirekt formulën e mbivlerës së Marksit, në llogari të një diçkaje tjetër dhe kurrë në dobi të popullit. Ideja që të punojnë si në rrethim, me punë vullnetare, kundër rehatisë etj. etj. çuan gradualisht në varfërimin total të popullit shqiptar deri në vendosjen e turpit me emrin “tollon” në mes të Europës në vitet ’90. Këtë proces D. Hoxha e trajton me shumë saktësi në disa libra, qoftë në prozë, qoftë në poezi. Vihet re edhe një tendencë shumë inteligjente, ndoshta e paparë në shkrime të tjera të autorëve shqiptarë. Kjo tendencë del në formë shkëndijash midis shkrimeve të D. Hoxhës. Në përpjekjet e ndryshme të heronjve të Dautit vihet re tendenca e një rryme politike që ishte në kundërshtim me politikën e partisë në pushtet. Është tendenca e ideve të socialdemokracisë, ëndrrës së shumë e shumë shqiptarëve, të cilët u zhgënjyen nga teoritë famëkeqe të Stalinit dhe më pas të ndjekësit fanatik, Enverit. Ndoshta duhet studiuar me një shikim të veçantë. Këto ide shpalosen më shumë në romanin “Ishte kohë lufte”. Këto aspekte të fiksuara bukur artistikisht, në mënyrë shumë të gjallë, nuk i kanë trajtuar edhe pena të njohura pak si përparimtarë të periudhës moniste. Aq më keq kur disa dolën edhe disidentë.

 

Dashuria për qytetin

 

Veçori për Dautin është dashuria për qytetin e lindjes dhe për qytetin ose zonën ku punonte. Përsëri në kundërshtim me shkrimtarët që botuan gjatë monizmit, Dauti është kokë më vete kur i këndon Durrësit, në një kohë kur shumica i këndonin Tiranës, partisë, ajrit rreth Komitetit Qendror.

Të shkruash për qytetin është diçka e dëshiruar nga shumë e shumë njerëz dhe jo vetëm durrsakë, por edhe të tjerë. Shumë të tjerë: ata që kanë bërë ushtrinë, ata që kanë bërë plazh, ata që janë martuar me vajza durrsake etj.,etj.

Kur lexon ato poezi të vogla, të lezetshme, si valë të vogla të detit, mendja të shkon gjithandej në ato qoshe të Durrësit. Kjo është meritë e një shkrimtari. Ai ngjall emocion. Gjatë leximit të një tregimi të Daut Hoxhës ashtu automatikisht, si nga larg, vinte zhurma kërcitëse e portës metalike te stacioni i vjetër i trenit dhe plaku legjendar Xhepi, ruajtësi besnik deri në ngadhnjim i kësaj porte, “përfaqësuesja” më tipike e Durrësit. E veçanta e Dautit është novela “Gruaja me të zeza”, një kombinim i stilit të autorëve disidentë rusë dhe pak i stilit të Mopasanit. Një lexues i zakonshëm mund ta quante “roman pornografik”. Por autori, duke qenë një vrojtues i mirë, pra psikolog dhe duke i jetuar vetë shumë e shumë ngjarje të atij realiteti është krejt larg “pornografisë”. Ai nuk është snob, ai nuk është gjasme modern, me qëllim që të lexohet, p.sh. në Paris. Ai është në lëngun e vet, një vuajtës real i barabartë midis njerëzve të popullit, atij populli që udhëtonte me tren, bënte plazh duke ikur në këmbë deri te “Hekurudha”, që hante siç hanin të tjerët. Popull. Ai siç dashuron Durrësin dashuron edhe Tiranën, por jo atë Tiranën rreth Komitetit Qendror. Ai dashuron rrugët e bukura të disa zonave, dashuron ndonjë shitëse në MAPO-n e paharrueshme për të rinjtë e atëhershëm, muzikën e ndaluar. Ai filloi të jetojë çaste të vogla lirie, një lloj demokracie në miniaturë të viteve ’60. Durrsakët i mbajnë mend mirë këto vite. Edhe nëse diçka po ndryshonte, skifterët filluan “ndalimin total të kënaqësive”. Kështu filloi edhe një herë tjetër koha e pasluftës, kursime, punë vullnetare, partizimi i çdo gjëje.

Dashuritë e Dasaretit te romani “Gruaja me të zeza” janë domethënëse, nuk janë qëllim në vetvete, janë artifica, mekanizmi ku D. Hoxha na njeh me jetën e qytetit atëherë, na njeh me shumë skuta poshtë, poshtë te njerëzit, por edhe në disa skuta lart, aty ku lëshoheshin “urdhërat kundër kënaqësive” njerëzore. Nëpërmjet Dasaretit, “dashnorit pa kufi”, autori kërkon të na japë realitetin e Durrësit dhe Tiranës. Jeta ka qenë edhe atëherë me zëvendësministra qejfli, me gra afërsisht lezbike, me gra të lira, me gra që vinin nga shoqëria borgjeze e Tiranës etj. Por edhe këto ishin pjesë e shoqërisë, të mira, të këqija, as të mira, as të këqija. Si gjithmonë në jetë. Kurrë nuk është lejuar të shkruhej jeta ashtu siç ka qenë. Fatkeqësisht, Dauti nuk i botoi në kohën e vet, sepse ai nuk mund të përdorte furçat e korrigjimit të partisë. Ai preferoi të mos i botojë dhe bëri mirë, jo se do ta dënonin, por se ai nuk donte të gënjente me shkrimet e tij. Këtu qëndron e veçanta e madhe e tij. Edhe heshtja ka vlerë. Pa dëshirën e ndonjë krahasimi, dua të perifrazoj fjalët e nobelistit të sivjetshëm në letërsi Coetzze: “Duhej t’u kisha kërkuar atyre (komisionit Nobel) ta harronin ceremoninë dhe çmimin të ma dërgonin me e-mail.”

Me Dautin duhet vepruar ndryshe, ai duhet ndihmuar që të flasë sa më shumë duke botuar libra të tjerë, duke i kujtuar se asnjëherë nuk është vonë. Në librat e Dautit spikat gjithmonë një djalë i ri që gëzon jetën, lufton kundër pengesave. Ky djalë është ai lëngu lidhës midis qytetit të dashur dhe jetës së njerëzve që lëvizin brenda qytetit. Po t’i shohësh me kujdes poezitë delikate, të mbushet mendja plotësisht. Ky i ri na tregon për kampet e punës në vitet 1952-1953, na flet për një dashuri të lënë përgjysmë, për fakultetin e Tiranës, për udhëtimin me trenin e paharruar Durrës-Tiranë, për kontakte të larme me njerëz, për lulet e qytetit, detin… Është ky djalë që gjithandej është i gatshëm për çdo punë, do gëzim, do përmirësim, por… i dalin përpara të pashkollët me pushtet që nuk donin të përmirësonin qoftë edhe diçka, jo vetëm për ata që vuanin në burgje për probleme idesh ndryshe, por edhe për gjithë njerëzit që ishin të lirë në jetë, por të burgosur për idetë përparimtare. Tek tregimi “Ajo…” flitet me adhurim për një mësuese durrsake.: “Mosha, bukuria, hareja dhe çiltërsia harmonizoheshin si në sinfoni dhe i dhuronin Durrësit, qytetit tim, paqe e mirësi.”

Kështu, Daut Hoxha, punon pa u lodhur, me një shkathtesi për tu patur zili. Këto ditë është duke përpunuar intesivisht ditarin e jetes se tij. Ditar te cilin e kam pare vete dhe eshte nje dokument me vlere te jashtezakonshme. Botimi i ardhshëm i këtij ditari do ti tregojë më shume te shpalosura dijet dhe artin narrativ të shkrimtarit dhe studjuesit durrsak Daut Hoxha.

E përgjithshmja

 

Që në fillim po citoj disa vargje të Uollt Uitmanit:

            “Vetëm një gjë dua të themeloj unë…

            ……………………………………………………….

            pa ndërtesë, pa ligj, pa policë e pa fjalë,

            Institutin e dashurisë së vërtetë të shokëve.”

Këto vargje i përshtaten shumë mirë D. Hoxhës, se po të mbledhësh të veçantat e tij del në një figurë të vetme: një njeri krijues që beson te e mira dhe te dashuria ndaj njerëzve. Prandaj tani do të tregoj atë historinë që përmenda në fillim të shkrimit. Tregojnë qytetarët e Durrësit për një veprim sa qytetar aq dhe heroik të mësuesit dhe shkrimtarit Daut Hoxha, sot mësues pensionist.

Gjatë një veprimtarie me nxënësit e shkollës, ndërsa po kalonin gjatë Bulevardit të Dëshmorëve u del përpara një traktor me defekt në timon. Për të shmangur rrezikun që u kanosej nxënësve, Dauti i del përpara traktorit dhe shpëton jetën e nxënësve të tij. Ai vetë u dëmtua me fraktura në trup e në këmbë. Ky akt trimërie kujtohet edhe sot nga qytetarët e qytetit tim bregdetar, për të cilin ai shkruan me kaq dashuri në gjithë veprën e tij letrare. Sot ai është ndër njerëzit më të respektuar në Durrës.

 



Related posts

Malli për Baban
KUR PIKOJNË LOTËT E DASHURISË PËR NËNËN
GJUHA AMTARE NË DIASPORË
CIKËL POETIK PRANVEROR

Leave a Reply





Archive