|

Egoizmi tek njeriu

Nga: Bujar Plloshtani

(poet, eseist politik dhe kryetar i Shoqatës së artistëve “Pushkin”)

Bujar Plloshtani, Skopje

Egoizmi tek njeriu

Shkrim nga libri filozofik “Traktati mbi arsyen e mendimit” të autorit Bujar Plloshtani

Traktati mbi arsyen e mendimit

Egoizmi tek njerëzit mund të shprehet si një motivim klasik që e udhëheq njeriun nga dëshirat dhe vullneti për jetë intelektuale. Kjo botë transite është e ndërtuar nga ligje ekzakte, të cilat për mendjen e njeriut janë enigmatike për t’i shqyrtuar përtej njohjes njerëzore, sepse ligjet natyrore veprojnë jashtë vullnetit njerëzor. Një veti e egoizmit është ekzistente te njeriu, sepse është e ndërtuar si pjesë përbërëse e kësaj natyre. Askush nuk i njeh ligjet e botës gjer në edukimin estetik, sepse janë burim i arsyes hyjnore të cilat janë të pandryshueshme në thelb. Të qenurit egoist intelektual duke rendur për të shquar njohjen, si veti e brendshme e tij është mjet që justifikon veprimin njerëzor, megjithatë, ligjet e botës kanë qenë dhe para krijimit të universit, të cilat kanë shërbyer për rregullimin e marrëdhënieve ndërmjet njerëzve. Bota është joreale e ndjekur pas nga egoizmi, dhe nocione të pafundme që i dedikohen vetive të brendshme të njeriut. Egoizmi dhe natyra e tij brenda njeriut duhet të jetë një prirje që ka lindur më herët, dhe nga sistemi i të jetuarit; ai parafytyrohet si lindje dhe zhvillim i domosdoshëm në karakterin e njeriut duke u përhapur në cilësinë e xhelozisë naive. Nocioni i egoizmit lind nga natyra jonë njerëzore, mirëpo, më vonë, ai zhvillohet sipas kushtit që varësisht njeriu do ta orientojë. Është nevojë shoqërore që lind në ndjenjat njerëzore, ku qëndron jashtë vullnetit për ta ndërtuar e modifikuar si nocion i volitshëm të qëndrojë në karakter. Atë mund ta orientojmë dhe ta përshtatim brenda karakterit tonë, por jo dhe ta ndryshojmë apo shmangim krejtësisht. Sepse është e pamundur një veprim i tillë, duke e ditur që ai ka lindur, dhe se vështirë mund të modifikohet drejt qëllimit tonë përkatës. Ne mund ta shfaqim atë me kohën, apo me mënyrën tonë të të jetuarit përballë ligjeve të kësaj bote që na imponon natyra shoqërore, si dhe aktet misterioze të cilat janë në kundërshtim me pamjen tonë të brendshme dhe të jashtme. Po qe se egoizmin e shfaqim sipas kujdesit dhe të mirës sonë njerëzore, egoizmi ndryshe s’ka si të funksionojë kundrejt sjelljeve tona njerëzore, ai thjesht do ta drejtojë sjelljen tonë me vemendje psikologjike, dhe vetitë e tij do të jenë kaq të kontrolluara, saqë vështirë mund të diktohen drejt objektit të së keqes. Paraqitja e theksuar e egoizmit në botë mund edhe më shumë ta ndërlikojë sistemin njerëzor duke instaluar xhelozinë naive, dhe kështu ka gjasa reale ta bëjë më absurde ekzistencën e njeriut përballë këtij realiteti të hidhur njerëzor.

Egoizmin sipas shqyrtimit pozitiv, në radhë të parë mund ta marrim si një pikëpamje e arsyeshme psikologjike që ndriçon vetitë e moralit. Saherë që njeriu është egoist duke mos dëmtuar tjetrin, e duke qenë i pajisur me zili të mëdha për të arritur një veprim të suksesshëm në jetën e përditshme ndihmon në zgjidhjen e problemeve duke i çuar përpara lëvizjet shoqërore. Të qenurit egoist për të vënë në lëvizje të mirën e përhershme mbi paraqitjen e ndryshimit të gjendjes njerëzore në formatin estetik e psikologjik, fillimisht është një domosdoshmëri e krijimit të këtij njeriu mbi çdo edukim suprem të mundshëm dhe të përfitojë mbi shqyrtimet e arsyes së mendimit të shëndoshë. Mirëpo idetë e gjenive nuk imponojnë tjetrit, por priren të përhapin idetë iluministe që njerëzimi të ndikohet e të qeverisë me idetë e tyre që në thelb ngjizin progres. Njerëz të tillë vijnë nga qielli duke vështruar pozitën e mjerueshme të qenieve njerëzore, ku ndërkohë te ata mund të vërehet shkoqur që janë të pajisur me misionin për ta ndryshuar gjendjen njerëzore drejt të mirës së përhershme. E mira e përhershme ndikon në përmirësimin e moralit dhe njohjes së sendeve me llogaritje shkencore. E mira e tyre po kërkon të shpërndahet si vezullim i shpejtë tek shoqëria jonë e amullt, që mendja dhe veprimi mendor ka ngrirë brenda një norme të zbrazët morale.

Egoizmin sipas shqyrtimit negativ, në radhë të parë konsiston në pikëpamjet negative të moralit. Duke u nisur sipas kësaj, egoizmi mundëson një imponim të ideve të tij vetjake tek tjetri duke ia marrë të drejtën e veprimit për të shprehur vullnetin e arsyeshëm personal. Një shpirt pak poetik drejt forcës intuitive është më shumë një kahje që drejton pozicionet e mendjes së njerëzimit, dhe një mundësi më shumë për ta kuptuar nocionin e botës. Njerëzimi është egoist, dhe imponues tek mendimet e të tjerëve. Imponimin e ideve te tjetri e kuptoj si kureshtje për të shfaqur veprimin e mendjes në të mirën vetjake të individit, pa shikuar e menduar në realitetin e hidhur që mund t’i shkaktohet tjetrit. Sa më shumë të imponohet ideja te tjetri, aq më shumë njohja humb ndriçimin e saj, dhe shuhet si një meteor i fundit. Imponimi nuk është arsye, por forcë ku idenë e tjetrit tenton ta shndërrojë për hir të qëllimeve personale. Ky lloj imponimi mund të jetë një rast për të shprehur provokimin e idesë së tjetrit për të rënë brenda rrezikut naiv. Njeriu i ditur nuk është i prirur të imponojë idetë e veta te tjetri, por sa më shumë tenton të shprehë paraqitjen e vullnetit me arsye të kulluar duke ngjizur të vërtetën e mendimit si një kusht i domosdoshëm në natyrë. Pra, ai përhap idetë e tij përmes laboratorit të psikikës, ku nxjerr mendime të vyera për t’iu përshtatur mjeteve për jetë intelektuale, dhe me siguri, nuk ndjen frikën e huazimit të ideve të tij ndaj askujt, sepse idetë e tij janë autentike të fituara nga përvoja e njohjes inteligjente. Intelekti i zhvilluar në mënyrë sistematike bën që t’i rritet siguria në vetvete duke krijuar modelin e tillë të krenarisë për të përhapur idetë e vlefshme, sesa të imponojë idetë tek të tjerët. Në veset e ndonjë njeriu ende nuk kam parë të paktën të veprojë nga intuita e tij e përcaktuar për të dhënë atë që ka brenda mençurisë së tij, por më shumë është i prirur të imponojë ide dhe mendime tek tjetri duke menduar se idetë e veta janë më të përshtatshme për t’u konsumuar drejt llojit intelektual… Ky lloj egoizmi është një lloj naiviteti i shprehur përmes pamjes së brendshme, e cila sipas veprimit të imponimit të ideve te tjetri shndërrohet në fakir të vetvetes, dhe bën që substanca e thjeshtë dhe kolektive të kuptohet si një qëllim egoist për hir të interesave vetanake, duke shfrytëzuar të mirën e tjetrit si mjet për të realizuar qëllimin e tij. Ky lloj egoizmi në trajtim negativ është një veti e dobët e moralit që e dëmton karakterin njerëzor, ngase tenton sa më shumë të përfitojë nga tjetri. Çdo përfitim i mundshëm me egoizmin negativ për të triumfuar qëllimi egoist mund të shndërrojë njeriun e pafajshëm drejt humbjes së moralit, që fundja, ndonjëherë ndodh t’i kushtojë me jetë. Kjo paraqitje e egoizmit negativ është shprehje e revoltës dhe e motivit të dobët moral, që në sipërfaqe nxjerr atë që është më e shëmtuar. Egoizmi në thelbin negativ është virtyt i njerëzve të vegjël dhe i të marrëve, por që fatkeqësisht, hera-herës që të gjithë e gëzojmë në karakter.

 



Related posts

PËRUROHET LIBRI “PETRO NINI LUARASI, MENDIMTARI MARTIR I...
LIBËR I RI, PER NJË SHKOLLË SHQIPE, NË SUEDI
Poezi nga Alili Dase
Zoti e bekon Kosovën edhe në Bukuresht

Leave a Reply





Archive