|

“FAJET I KA, KOMUNIZMI ” !

Opinion

Shkruan: Mendim Sfida

“ F A J E T  I  K A, K O M U N I Z M I ” !

                         


Ka kohë, vite e më se dy dekada që në Shqiperi po ndodhin aso lloj krimesh që as mendja më e çartur, para vitit 1990, në Shqiperi, nuk do të kishte ditur që t’i hamendësonte e, as t’i artikulonte, se per t’i kryer ato, nuk kishte asnje shans.

Përse po ndodh kështu? Çfar ka ngjarë në këto më se dy dekadat e fundit në vendin tonë? Përgjigjja për këto e shumë pyetje te tjera si këto, në lidhje me problemet, dukuritë e çudirat e ndodhura gjat ketyre më se dy dekadave të fundit në shoqërinë shqiptare janë fare të thjeshta për t’u dhënë. Sipas “teoricientëve”, “opinionistëvë”, “studiuesve”, “analistëve”, “psikologëve” e “sociologëve”, por mbi të gjithë, sipas “politikologëve” e “politikanëve” të këtij vendi, të gjitha çudirat, anomalitë, pakënaqësitë, konfliktet, vrasjet, ndasitë, përçarjet, varfëria, injoranca, papunësia, e të tjera e  të tjera si këto, burimin e paskan tek komunizmi.(!!)  Kësaj i thonë që të thërrasësh me sa fuqi që ke: “EUREKA”!

Për një njeri që mendjen e ka ende të fresket, ende të painfektuar nga helmi antikomunist, të patrullosur nga bajatomania e propogandes bajate të ditës, nuk është e vështirë që të dalë në përfundime të qarta, të drejta e të pakundershtueshme nga asnjë nga “çetnikët” e politikës së ditëve, viteve e dekadës së fundit të shekullit të shkuar e, të dekadës së fillimit të këtij shekulli të ri në formë, por më të vjetër se çdo vjetersirë, në përmbajtje, jo për faj të vetë shekullit, por të atyre që i japin emer e përmbajtje atij, politikanëve e politikave që hartojnë e zbatojnë ata. Natyra njerëzore, apo antinjerëzore e një sistemi përcaktohet në një masë shumë të madhe edhe nga klasa apo klasat politike që e përfaqësojnë atë sistem politik, ekonomik e shoqëror.

Si ngacmim për të shkruar këto radhë, më sherbyen disa nga vrasjet e shumta, disa nga ndodhitë e çuditshme e, disa nga “arësyetimet” e dhëna rreth tyre nga njerëz të thjeshtë, nga njerëz të selektuar të politikës, nga “çetnikë” në sherbim të taborreve politike, dukshëm antikombëtare, që kanë sunduar jetën politike në dy dekadat e fundit në vendin tonë.

Dukuria më interesante, në lidhje me arësyetimin e të paarësyetueshmeve veprime e dukuri sociale, ndodhur në këto dekada “demonkratikase” borgjeze, në Shqiperi, është se të gjitha “fajet” për të gjitha këto ndodhira e çudira, na i paska, sipas logjikës së palogjikë të këtyre “analistëve” që nuk dinë të analizojnë emrin e tyre, sipas këtyre sherbëtorëve qorrë të pseudopolitikës së ditës, pra, sistemi i kaluar socialist i para nëntëdhjetës, që sipas këtyre “filozofëve”, quhet “KOMUNIZEM” .

 Këta soj – sorollop “politikanësh” e të gjithë “kalemxhinjtë” që i mbrojnë ata dhë bëmat e tyre, ende nuk dinë të dallojnë socializmin, si një hallkë kalimtare, nga kapitalizmi për në komunizëm. S’kanë faj sepse niveli i tyre intelektual i “jashtzakonshëm” i kapercen me “analiza”, harqe kohore si periudha e socializmit dhe, ata arrijnë të parashikojnë e të bëjnë “vlerësime” e “analiza” për një sistem ekonomiko – shoqëror që ende nuk është zbatuar në këtë planetin tonë që quhet “Tokë”. Në asnjë material të shkruar apo të regjistruar, të kohes se shtetit shqiptar të periudhës 1944 – 1990, nuk gjën një formulim mendimi, një fjali të vetme ku të jetë thënë se, në Shqiperi po ndertojmë komunizmin; se Shqiperia, të jetë quajtur nga përfaqësuesit e atij shteti me emertimin, “Shqiperia komuniste”, por, Shqiperia socialiste. Aq  e vertetë është kjo, sa edhe forma e shtetit që në kushtetutën e vitit 1976, u quajt, “Republika Popullore Socialiste e Shqiperise”.

Edhe më i pashkolluari i këtij vendi, që i ka jetuar e i njeh këto dy sisteme politike, ekonomiko-shoqërore, pra socializmin, si periudhë kalimtare për në sistemin komunist dhe sistemin kapitalist të ketyre dy dekadave të fundit, nuk ia lejon vetes, qoftë edhe thjeshtë për arësye morali, që të bjerë në batakun e “arësyes” së pa arësye, të bjerë në prehërin e genjeshtrës që çorodit mendjet njerëzore, në kthetrat e kurtheve që pjellin të gjitha së bashku, skenare për të vrarë vlerat, për të shlyer kujtesën shoqërore, për të zhdukur të vertëtën e pazhdukshme, për të shndërruar historinë sipas oreksit të tyre e, për të “tredhur” mendimin njerëzor.(!)    Një veprim e qendrim të tillë, historia e njerëzimit, na e mëson, se e ka nxitur e përdorur vetem nazi-fashizmi, i ndaluar me ligj nderkombëtar që pas Luftës së Dytë Botërorë.

Në qoftë se bëhen analiza të verteta, me një logjikë të vertetë e të kthjelluar nga mjegullnaja e hedhur gjatë këtyre më se dy dekadave, për historinë, për sistemin komunist (në teori), për socializmin që po ndertonim e, aq sa ndertuam para vitit 1990, e verteta është krejt tjeter nga kjo që kemi degjuar e po degjojmë në këto njëzet vite “demonkraci” borgjeze.

Shqiperia socialiste e nisi rrugëtimin e vet për të ecur perpara, që me sherimin e plagëve që la lufta pushtuese, në periudhën 07 prill 1939 e, deri me 29 nëntor 1944, por edhe plaga e prapambetjes e errësirës shumëshekullore në të cilën kishte jetuar para çlirimit. Ato plagë ishin edhe ekonomike, por edhe shpirtrore, sepse ishin flijuar 28 mijë bijë e bija, nga më të mirët e këtij populli, për çështjen e lirisë së atdheut e të rivendosjes së pavarësisë së vertetë. Ja, ky pra, sherimi i ketyre plagëve, ishte një “gabim” i socializmit. (!)

Shqiperia “demokratike” e pas nëntëdhjetës e nisi rrugën e vet më shkatërrimin, djegjet, grabitjet e vjedhjet e të gjithë pasurisë kombëtare, pasuri jo e vogel ajo, e krijuar me mundin, djersën e gjakun e një populli të tërë për më se një gjysëm shekulli, nën udhëheqjen e PPSH e të Pushtetit të popullit.

Shqiperia socialiste, që mua më pëlqen ta quaj edhe “SHQIPERIA ENVERJANE”, e nisi marshimin e vet fitimtar dhe me luftën kundër errësirës mendore, pra kundër analfabetizmit, luftë kjo e zhvilluar krah për krah me luftën kundër pushtuesve e tradhtarëve të atdheut, sepse padija e një populli, nuk ishte më pak armike se sa pushtuesi e pushtetet e tradhtarëve të atdheut. Ja edhe një “gabim” tjeter i socializmit, në Shqiperi. (!)

Shqiperia e “demokracisë” borgjeze i nisi bëmat e saj edhe me djegjet, vjedhjet e  shkatërrimin e tempujve të dijes, pra shkollave. Në se në hapat e parë të Shqiperisë socialiste Enverjane, populli hezitonte t’i dergonte fëmijët në shkollë, fill, pas pak kohësh, ai e vuri re se shkollimi i fëmijëve ishte dhurata më e çmuar që po u bëntë ai pushtet atyre, kombit e atdheut, shumë shpejt, populli, prinderit e fëmijëve dyndeshin nëpër shkolla të të gjitha niveleve e, të të gjitha specialiteteve, për të regjistruar fëmijët e tyre atje. Edhe ky ishte një “gabim” tjeter i Shqiperisë Enverjane, sepse ua ndriçoi mendjet njerëzve. (!) E, menjëherë, pas vitit 1990, nisi braktisja e shkollave nga nxënësit e nga prindërit e tyre, veçanërisht e nxënësve vajza, nisi mbyllja e shumë shkollave, largimi nga puna i mijëra mësuesve të vertetë e, mbushja e atyre shkollave që mbeten me “mësues” militantë partiakë, por kurrsesi militant të shkollës e të shkollimit të brezit të ri.

Shqiperia socialiste Enverjane e filloi rrugëtimin e saj drejt krijimit e lartësimit të vlerave njerëzore edhe me nderimin e përjetësimin e jetës, veprës e të gjakut të të gjithë të rënëve, bijë e bija të kombit tonë, gjatë tërë historisë, në luftrat për liri e perparim kombëtar. Ja, ky është një “gabim” i pafalshëm i komunizmit, në fakt, socializmit!

Ndryshe nga ai sistem, kapitalizmi i këtyre dy dekadave në Shqiperi, shkeli mbi gjakun e atyre të rënëve, krenari e vertetë e kombit dhe, ngriti në piedestale kriminelët, vrasësit e deshmorëve e të heronjve të vertetë të kombit, tradhtarët që bashkuan pushkët me pushtuesit dhe me antishqiptarët, shitësit e interesave kombëtare për përfitimet e tyre personale, diversantët e stervitur nëpër kampet e specializuara për luftë diversioniste kunder shteteve e sistemeve që i vendosnin vetë popujt e atyre shteteve, diversantë që i kishin lyer duartë e tyre me gjak shqiptari e, që kishin ikur nëpër botë për të shpetuar lëkurën e tyre të zgjebosur.

Shqiperia socialiste e Pushtetit të popullit e nisi rrugëtimin e vet edhe me luftën për emancipimin e çlirimin nga kthetrat e zakoneve prapanike, skllavëruese, të gjysmës së popullsisë, pra të vajzave, grave e nënave. Edhe ky ishte një “gabim” tjeter i socializmit, “komunizmit” siç nuk dinë ta dallojnë këta “intelektualët” e sotëm.

Shqiperia “demokratike” e pas nëntëdhjetës, riktheu në jetën e kësaj gjysme të popullsisë përseri zakonet kanunore, prapambetëse e skllavëruese, duke e futur femren në errësirën vrasëse, duke e kthyer atë në një robinë shtepiake e, thjeshtë në një ripërtëritëse të jetës. Kjo pjesë e popullsisë, sot fare lehtë, vritet nga burrat, shitet si mall pa zot, trafikohet për qellime fitimi, edhe po “mbështillet”, mbulohet, në mendje me injorancën që shkakton padija, por edhe në tërë trupin e saj me perçen mesjetare, dhuratë e fesë. (!)

Në kohën e Shqiperisë së Enver Hoxhës u hapen vende pune për të gjithë njerëzit që kishin plotësuar moshën për punë, vende të cilat u sillnin familjeve shqiptare mirëqënie ekonomike e shpirtrore, u sillnin dinjitet e krenari, nga të jetuarit me djersën e vet e, nga puna që bënin për veten e vet e fëmijët e tyre. Ah, “ç’gabim”  i madh edhe ky, i atij sistemi ! E, si për ta ndrequr këtë “gabim” të Shqiperisë së Partisë së Punës, kjo koha e Shqiperisë së “demonkracisë” borgjeze, i hoqi të gjithë njerëzit nga puna, i hodhi në rrugë, ua shkatërroi të gjitha vendet e punës e, i la me gisht në gojë, të gjithë njerëzit e thjeshtë e të ndershëm.

Shqiperia e komunistëve të Enver Hoxhës dhe e një populli të bashkuar rreth atyre komunistëve, e pati bërë atdheun një vend të lulëzuar e të begatë, një vend të sigurisë më të lartë për jetën njerëzore e, një vend të pathyeshëm, ku populli ishte zot shtepie në shtepinë e vet. Ja, këtij i thonë “gabim” që sot nuk falet! Që nga nëntëdhjeta e deri në momentin që po shkruaj këto radhë, Shqiperisë “demokratikase” nuk i është ndalur zjarri, ajo po digjete po piqet sikur të binte mbi të shfryrja e të gjithë zemratës së kësaj bote. (!) Shqiperia e sotme, që në të kaluarën socialiste e kishte patur mall, qoftë vetem një përmbytje, përmbytet për kokërr të “qejfit” edhe nga reshja më e pakët e shiut. Fushat e sistemuara dikur, sot janë rikthyer në këneta e moçale, janë “mbjellur” me shkurre e ferra. Ato nuk dallgëzojnë më si deti, nga grunjërat bereqetplota, por shkrumbojnë nga thatësira . Ato nuk i trazon më, si në kohën e Enverit, “muzika e kënga” e traktorëve, ekskavatorëve e autokombanjave. Heu, ç’“gabim” i madh ai!! Në vend të asaj “kënge” sot dëgjohet kënga e bretkosave e, zukatjet “orkestrale” të mushkonjave malarike . Sot jeta e njeriut është gjëja më e pavlerë, aqsa ajo nuk vlen as sa një varësë qafe, vajze a gruaje. (!!) Sot Shqiperia e “demokraturës” borgjeze e ka kthyer vendin në një han pa porta e pa dyer, ku futen në teritorin e saj edhe djalli edhe i biri, pa patur më të voglën pengesë. Sot pushtetarët borgjezë mburren nga se ua kanë dorëzuar llokum në dorë, sovranitetin, lirinë e pavarësinë e vertetë të atdheut e të një populli të tërë, “aleatëve” e “miqve”, që deri dje nuk lanë gur pa përmbysur që ta rrëzonin sistemin kushtetues të Shqiperise, vetem e vetem se ajo nuk u nënshtrohej dhe ua përplaste në fytyrë të gjitha hilet e poshtersitë që endnin e gatuanin kundër asaj Shqiperie krenare, të pamposhtur e fitimtare.

Shqiperia Enverjane e komunistëve dhe e popullit liridashës e krenar, krijoi, qysh në kohën e luftës për çlirim, farkëtoi më vonë dhe, e bëri të pathyeshëm, BASHKIMIN e një populli të tërë, së pari rreth vetvetes e, së dyti edhe rreth udhëheqëses që po i printe nga fitorja në fitore, Partisë së Punës së Shqiperisë; ajo, zhduki përfundimisht plagën e rëndë të gjakmarrjes, atë të vëllavrasjes, ato të grindjeve e hasmërive nderkrahinore; ato të nëpërkëmbjes së pakicave etnike apo rracore. Ja, këtij i thuhet “gabim” !

Që nga viti 1990 e, deri më sot, kjo Shqiperia “demokratikase” ka shpartalluar përfundimisht bashkimin e popullit, harmoninë e mirëkuptimin shoqëror. Në tërë këto vite është vrarë qetësia shpirtërore e njerëzve. Plaga e eger e gjakmarrjes po këput jetë njerëzore pa kurrëfar pengese, a thua se është nëpër varre. Vëllavrasjet e pakuptimta justifikohen nga shteti e propoganda borgjeze, në të shumtën e rasteve, me shprehje banale e në thelb antikombëtare, si : “vrasësi ishte me të meta mendore” (!!!)  Sot pakicat etnike sundojnë mbi shumicën e popullsisë e, shfaqin hapur edhe shovinizmin e tyre ndaj trojeve tona, boll të cunguara. Sot pakicat rracore, sidomos ato me ngjyre, nuk trajtohen si njerëz e, lihen në mëshirë të fatit.

Shqiperia socialiste Enverjane nuk i kishte askujt asnjë borxh dhe nuk e futi kurrë popullin e vet në borxhe. Ja, edhe ky është një “faj” i madh i socializmit!

Klasa “politike” e Shqiperisë së sotme kapitaliste e ka zhytur vendin në borxhe, aq sa vetë Banka Kombëtare pranon se borxhi i Shqiperisë në fund të gjashtëmujorit të parë të këtij viti ishte 801.2 miliardë lekë.

Në kohën Enverjane, edhe pse numri i automjeteve nuk ishte ky i sotmi, por rrugët ishin shumë më të këqia, nuk ndodhnin aksidente automobilistike, si sot jo se jo, por kur ndodhte ndonjë i rrallë, ai bëhej problem që nga lagja e deri në qeveri, sepse jeta e njeriut vlente më shumë se çdo gjë tjeter. Ah ç’ “gabim” edhe ky, i atij sistemi !

Sot në Shqiperinë “demokratikase” njerëzit po vdesin rrugëve aq shumë, nga aksidentet automobilistike, sa edhe shteti nuk ka deshirë më t’i publikojë shifrat e atyre aksidenteve, sepse ato vdekje ua kalojnë edhe vdekjeve në situata luftarake në vendet ku zhvillohet luftë e vertetë me armë.

Nuk po radhiti më situate që nuk mund të krahasohen me njëra-tjetrën, sepse jam i bindur se edhe ai që është më i marrosuri pas këtij sistemi çnjerëzor kapitalist, diku në nënndërgjegjen e vet ka një zë që i flet fshehurazi më zërin e arësyes së vertetë.

A thua se fajin e paska patur socializmi që Shqiperia po lëngon në prag të varrit në këto dy dekada? A thua se faji qënka i socializmit, që shoqëria shqiptare është ndarë e përçarë në njëmijë çeta e parcela politike?! A thua është faji i kohës Enverjane, që sot vritet për gjak vajza 16-vjeçare, vritet fëmia 9-vjeçar?!

Po djegia e shkrumbimi i pyjeve, pemëtoreve, vreshtave e, shkatërrimi i shtretërve të lumenjve sot, ardhka si një “faj” i komunizmit?!

Po, more lexuesit e ketij shkrimi, korrupsioni gjigand, vjedhjet e pervetësimi i pasurisë kombëtare e, i trojeve më të mira e turistike të atdheut nga një grusht kriminelësh të veshur me pushtet, “Faj” i komunizmit na qënka?! Ç’e bukur logjikë, kjo e këtyre “kalemxhinjve” të kurvo-politikës së sotme!

          PO! PO! Një faj të madh e ka ai “komunizmi” i Shqiperisë socialiste, sepse, këta të pangopurit e babëzitur e të pashokë, pushtetarë të këtyre viteve “demokratike” borgjeze, kanë më se njëzet vite që hanë bukë nga ai sistem, duke e share atë e, duke vjedhur e shitur ende pasurinë e asaj kohe.  Kjo “klasë” politike duke e ndjerë epersinë e socializmit mbi këtë sistem antivlerash të gjithanshme, duke e parë me sytë e tyre, deshtimin e madh e fundin e tyre të pashmangshëm e fatal, nuk lanë gafë, gabim, krim, qendrim e veprim antinjerëzor e antikombëtar, të mbajtur e të kryer prej tyre, pa ia deleguar me logjikën e palogjikë, sistemit të vlerave të gjithanshme, ekonomike, politike, morale, kulturore e njerëzore, socializmit, duke menduar se po ia hedhin popullit.

              Po për zhytjen në mjerim e në varfëri të tejskajshme të një populli të tërë sot, edhe për këtë ka faj komunizmi? Po kur hajdutët “adoleshentë”, krijesa të këtij sistemi, ngjallin tmerr e frikë, kudo si në kryeqytet, në qytete e fshatra të kësaj Shqiperie të sterlodhur, duke vjedhur, grabitur, plagosur e vrarë njerëzit, në mesin e ditës, nën hundët e “shtetit”, për një varëse qafe, për një palë vëthë, për një orë dore, për një telefon, për një çantë dore, etj. , edhe për këtë i paska fajet komunizmi?!

             Po kur mbillet e tregëtohet bima e lënda narkotike, që në kohën e socializmit as që i njihej as emri, kur sot droga e SIDA vrasin jetë njerëzore, edhe për këtë na paska “faj” komunizmi? Ah të gjorët ju, more pseudopolitikanë e ju sherbëtorë të tyre, që u mashtron mendja se mund t’ia hidhni popullit! Populli është si një det i thellë, që kur t’i ngrejë dallgët, do t’u fundosi në fundin e tij për të mos e parë kurrë më dritën e diellit.

            Po kur pushtetarët kriminelë të këtyre dekadave, me paratë e gjakun e një populli të shfrytëzuar egersisht prej tyre, ngrejnë ishujt e parajsës për vete e për brezat e fëmijëve të tyre, në mes të detit të mjerimit ku e kanë zhytur popullin ata, edhe kjo dukuri na qënka një e keqe që për të paska “faj” komunizmi?!

 Po për atë që këta pushtetarët e këtyre dy dekadave, nuk kanë se çfarë t’i tregojnë popullit se ç’kanë bërë për të mirën e tij, e për t’u matur me atë sistem, përveç se mbjelljes se hasmërive e të ndasive politike, edhe për këtë e paska “fajin” komunizmi?!

Po për nënshkrimin në fshehtësi nga sytë e popullit, të marrëveshjeve antikombëtare më antishqiptarët historikë, për t’u falur atyre, pjesë të teritorit kombëtar, për hir të ruajtjes së karrigës së qelbur të një pushteti edhe më të qelbur e antikombëtar, edhe për këtë e paska “fajin” komunizmi?! Po për mospranimin, nga pushtetarët e sotëm “shqiptarë”, të deshirës së mbarë një kombi për t’u ribashkuar si komb e si troje, edhe për këtë ka “faj” komunizmi?! E si për të shplarë fytyrën e tyre të nxirë nga qendrimet e veprimet antikombëtare në këto më se njëzet vjetë, këta pushtetarët pushta, janë gati të thërrasin në kor, njëzëri: – E GJETEM! FAJIN E KA KOMUNIZMIT, për të gjitha deshtimet tona! E, vertet ashtu është, sepse ai , SOCIALIZMI, bëri, në një kohë shumë të shkurtër, aq shumë të mira për këtë vend e komb, sa s’kishin bërë të gjithë shekujt e mëparshëm, të gjithë së bashku e, as këta kriminelët e veshur me pushtet borgjez, nuk mund të bëjmë, sikur teorikisht, të qendronin në pushtet për shekuj të tërë!

                                                                                                                                                                Tiranë, me 09.08.2012.



Related posts

Çfarë fitojmë dhe çfarë humbasim ne (populli) prej VOTIMEVE?
Ribashkim vetëm me elitë të ndershme dhe dorë të fortë!
Mërgimtarët në shekullin e pavarësisë
ALBANOFOBIA DHE RRETHI TRAGJIK I SHQIPTARËVE

1 Comment for ““FAJET I KA, KOMUNIZMI ” !”

  1. xhemil Seferi thotë:

    Mendoj se matriali i shkrur nga autori është i bazuar në realitet e kohës simbas etapave historike. Propaganda e madhe antikombtare kryesisht e mbështetur nga agjentura e kahershëme Sërbe, ndën prektestin e luftës kundër komunizmit, i cili nuk ka ekzistuar as në Shqipëri, as në botë, veçse Socializmi si periudhë tranzicioni midis kapitalizmit dhe komunizmit, nocion që autori e sqaron pastër dhe bindëshëm se forcat më të errëta në shqipëri luftuan jo ideologjin totalitare, por shbën kombin, nëpërmjet djegjes shkatërrimit, vjedhjes dhe tjetërsimi së fundi e Shitën atë ndën diktaturën e hekurt të tiranit Sërbo shqipëtar e mbështetur nga një bandë veriore dhe pjesërisht jugore antikombtare….

Leave a Reply





Archive