|

Fate njerëzore në romanin “Pafajësia e Evës”

Nga: Fatime Kulli

Fate njerëzore në romanin “Pafajësia e Evës”

(Esse-analizë rreth romanit “Pafajësia e Evës”, -të shkrimtares Raimonda Moisiu)

kopertina e librit

“Pafajësia e Evës”, titullohet libri i  shkrimtares shqiptaro-amerikane Raimonda Moisiu, i cili vjen për audiencën e lexuesve në gjininë e romanit, nga Shtëpia Botuese “Albin”, Tiranë, 2009. Është një roman me një pëlhurë të endur me fill historik, i mrekullueshëm, histori reale, e gjallë e intensive, që sillet e përcillet në segmente të ndryshme kohore nga diktatura në tranzicion e më gjatë, përcjell ndërtimin e  marrëdhënieve njerëzore në dritën e jetës së vështirë, përpjekjet për të besuar te ata njerëz që besojnë në jetën e dashurinë. Truku i shkrimtares Raimonda Moisiu ka një logjikë historike që kapërthen ngjarje nga më dramatiket që ka kaluar Shqipëria dhe shumë nga këto ngjarje kulmore ajo ka marrë përsipër t’i përshkruajë nëpërmjet fatit të personazheve të saj. Gjatë leximit romani shëmbëllen me një udhëtim mbresëlënës e me shumë të papritura, por që gjithsesi të krijojnë një ndjesi të këndshme.

Romani gati autobiografik ka një arkitekturë të shumëtrajtshme, ka një sërë karakteresh që gëlojnë nëpër faqet e tij dhe i japin frymëmarrje. Romani “Pafajësia e Evës”, vërtitet rreth një boshti kryesor dhe strumbullari i ngjarjeve është Eva që me pafajësinë e saj është pjesëmarrëse në tërë dramaticitetin e romanit, histori e zhgënjimit dhe dëshpërimit jo vetëm e një  njeriu të vetëm, por e  një populli të tërë, histori dramatike të trishta e të dhimbshme, të shtypur e persekutuar, të varfër e krenarë,  histori të “huazuara”, nga ekzistenca e një kohe po dramatike në Shqipëri,  -jetës nën diktaturë. Eva sëbashku me njerëzit e saj ishin tragjikë të simboleve tragjike  në atë valë persekutimi  dhe izolimi të paparë. Dhe ironia ishte se të gjithë këta njerëz duhet të jetonin në rrëmujën e mbeturinave të atij sistemi tragjik. Ideja e romanit përcjell në mënyrë efektive atmosferën e zymtë të jetës në vitet e diktaturës, përkundrejt ndjenjës së brendshme e të madhe, interesante dhe ngjarjet përputhen me dramat e atij sistemi ogurzi. Romani në kapitujt e parë rrëfen historinë e dashurisë të bukur e të trishtë, të dy njerëzve, që takohen rastësisht në Tiranë, – Ai, Bardhyl Priska, një djalosh i ri, i pashëm energjik, i fortë,  kryemekanik  nga Tirana, nipi i një “njeriu me pozitë në qeveri”, takon vajzën e jetës  e bie në dashuri me studenten Eva Suvaria, vajzë e brishtë e  bukur, e ardhur nga juglindja e vendit, qytetit Enkelanë, buzë liqenit të Ohrit. Një dashuri  e bukur dhe e dëlirë, e zjarrtë dhe e sinqertë,  pa komplekse, dhe të dy po përjetonin çastet më të bukura të dashurisë e  thurnin ëndrrën e të ardhmes. Të dy i rezistojnë kohës janë të mbushur me dashuri për njëri-tjetrin, që maturohen në orbitën e jetës dhe simbolit tragjik të trazirave të kohës në  një botë të lëkundur. Historia e dashurisë së tyre përshkruhet nga emocione të forta në atë diktaturë të lodhur e rrudhosur nga hipokrizia, përçmimi, fyerja, varfëria e injoranca, smira që vriste shpirtin e  hakmarrja që vriste njeriun, doktrina komuniste që vetëm mashtronte dhe hapte plagë që nuk kishte melhem t’i shëronte. Një dëshmi e zymtë për tragjedinë e fatit të tyre, mes dëshirës së  fortë për të mbijetuar, instiktive të errëta njerëzore që përshpejtuan internimin e Lulit me familje dhe testamentit të arrogancës së hapur të atij regjimi për padrejtësitë e jetës,  duke e detyruar Evën, të divorconte njeriun e jetës. Autorja Raimonda Moisiu ka një mënyrë humaniste e frymëzuese për të shpalosur idetë dhe rrëfyer një histori të thjeshtë në dukje, por rrëfimtarja përpiqet edhe njëherë, jo vetëm të paraqesë padobishmërinë e atij sistemi, pashmangshmërinë e tij dhe pafajësinë e tyre, në të njëjtën kohë. Historia fillon thjesht e mjaftueshëm, e mbushur me ide. Në thelb, ky rrëfim është melodrama e Evës, Lulit dhe Remit, dashuria paralele e fatet tragjike të tyre, janë gjetje moderne të autores. Trekëndëshi i dashurisë e bën rrëfimin të duket më interesant, dhe e mban lexuesin në tension dhe shumë pranë realitetit e të vërtetës. Kjo është natyrisht ajo, se në jetë njeriu nuk mund të ketë asnjëherë gjithçka. Por në fund, ata janë njerëz të kapur nga trazirat e kohës që jetonin, duke u përpjekur t’i përshtateshin realitetit, për t’i mposhtur ata, por gjithsesi përmes sakrificash e sfidash ata nuk heqin dorë, paçka se roli  i jetës, paraqitej i zymtë, por gjithmonë me shpresën për të mbijetuar. Në çdo faqe, ju, do të hasni personazhe të paharrueshëm dhe do të ndjeni për këta individë që shprehin dhimbjen e madhe njerëzore për shumë gjëra, respekt e dashuri, do të kaloni nëpër marrëdhëniet e tyre sociale e politike, kohën e tyre të lumtur, personazhe që takohen e nuk takohen më mbas,  por secili prej tyre përfaqëson identitetin e kohës që jetonin. Është pothuajse si tre jetët në një, prandaj kjo e bën rrëfimin më të detajuar, të nevojshëm dhe të çon drejt një historie të këndshme me dramaticitetin e saj. Eva Suvaria, bija e një veterani të luftës nacional-çlirimtare, i plagosur rëndë në kokë, sa kishte humbur edhe dritën e syve,- apo “vajza e komandantit” siç e thërrisnin në vendlindjen e saj: vinte nga qyteti i vogël buzë liqenit të Ohrit, Pogradeci, që në fjalorin e vjetër, e thërrisnin Enkelana. Ajo vinte nga vendlindja e Lasgush Poradecit, që ajo, e pëlqente aq shumë  krijimtarinë e tij. I pëlqente Lasgushi që i këndonte aq bukur dashurisë.

Autorja Moisiu me personazhin e Evës, ka krijuar një heroinë të këndshme, prekëse, në dukje e lumtur, por që në të vërtetë është shumë e dëshpëruar, e shqetësuar, e brengosur, e cila po përjetonte dhimbshëm, internimin dhe ndarjen me njeriun e zemrës, Lulin, fatkeqësi që çoi në një shembje të papritur të rolit që ajo kishte marrë në jetë. Madhështia e dashurisë së  Evës  për Lulin, qëndronte  në aktin e saj njerëzor, duke shkuar aty në fshatin ku i fejuari i saj ishte internuar, si e vetmja rrugë për të gjetur ngushëllim për veten, Lulin dhe të kaluarën e tyre të lumtur. Të dy ishin viktima të rrethanave dhe sistemit! Autorja Moisiu na jep më shumë se një histori dashurie dhe se kjo histori dashurie, nuk është ideja kryesore e këtij romani. Ajo ka përfshirë interesat romantike, që janë nënkuptimet e ndezjes së konfliktit të ndryshimit, brenda të sistemit totalitar, një nga ndjenjat e pashmangshme dhe për të mbështetur temat kryesore; se jeta e njeriut është e rëndësishme, pavarësisht në dukje i vogël e i parëndësishëm në fytyrën e tragjedisë së ardhshme të diktaturës. Personazhi Eva Suvaria është krijesë e atributeve të tilla ekstravagante dhe kontradiktore. Personazhet dhe marrëdhëniet mes tyre janë të komplikuara, dashuria tragjike, argëtuese, e brishtë, e maturuar, e mbijetuara e fatkeqësisë dhe Eva tashmë e ndodhur midis apelit të dashurisë dhe humbjes së saj, morales e imorales, guximit e mbijetesës, që duhet të merrte fatin e të ndryshonte rrethanat mes së kaluarës, të tashmes e së ardhmes të saj të pasigurt – sfida për të mbijetuar. Ajo tashmë, ishte interpretuese e realitetit dhe dhimbjes njerëzore që po kalonin inteligjenca e qytetarët, në një periudhë tronditjesh morale e intelektuale, kalvarit të internimeve dhe ferrit të burgjeve, për ata që nuk i nënshtroheshin diktaturës komuniste. Me një rrëfim rrëzëllitës, mahnitës, me pasazhe lirike, me bukuri shpirtërore, mes dhimbjes e dëshpërimit të mbrujtur me humorin e veçantë të absurdit, na sjell rilindjen e saj, lidhjen e saj me Remin, ish shokun e shkollës, me të cilin kishte patur dikur në adoleshencë, flirt platonik. Autorja Moisiu i jep kuptim jetës; edhe në rast se ndjenja e përkatësisë së dikurshme që ka dashur një person tjetër, është më se e mjaftueshme për të ruajtur ekuilibrin e rrëfimit; midis së kaluarës e të ardhmes…

Personazhet e ngjarjeve tronditëse në këtë roman, autorja i përshkruan bukur artistikisht, me filozofi jetësore. Njerëzit që i përkasin të gjitha skajeve të shoqërisë, njerëzit që e rrethojnë, duke iu dhënë vendin që iu takon, në këtë rrëfimi jetësor të dashurisë tragjike. Supet e brishta të Eva Suvarisë mbartnin kujtime të bukura e të ëmbla, konseguanca, sfida, dhimbje, dëshpërim, trishtim, lot; bile ato; dy më të dhimbshmet të jetës së saj; “Rrëmbimin përdhunshëm të pafajësisë së saj, nga ata, që sa parimorë dukeshin në aparencë, aq imoralë e ksenofobistë ishin në shpirt e karakter; grabitjen e Lulit, divorcin e imponuar dhe vdekjen e Remit! Luli dhe Remi, ishin dy meshkujt më të rëndësishëm e të dashur të jetës së saj. Kjo dashuri paralele, e pabesueshme por e vërtetë! Tërë jetën e saj, i kishte dashuruar të dy njësoj në heshtje e intimitet! Eva Suvaria edhe sot është e pafajshme!

Në këtë rrëfim tronditës, midis vlerës e antivlerës, të moralshmes e të pamoralshmes, të së mirës e së keqes, intrigës e ironisë, jetës e mbijetesës, dashurisë e dhimbjes, tragjikes e komikes, me tërë dramaticitetin e kohës së diktaturës, Raimonda Moisiu, si një lëvruese e poezisë dhe e publicistikës, realizon këtë sprovë të parë, në gjininë e romanit.

Personazhet e këtij romani, të krijojnë ankth, emocione, gjendje historike, personazhe letrare dhe reale, ëndërr dhe realitet, të gjallë e të vdekur, vlera dhe antivlera, ironi dhe dramatizëm. Ky roman është një tendencë serioze e autores, se ka talent dhe di të rrëfej me gjuhën artistike letrare, absurditetet e fateve njerëzore në kohën e kolerës komuniste.

Autorja Raimonda Moisiu, intelektuale shumë planshe, në këtë dhjetëvjeçar, tregon se është një prodhimtare për tu patur zili në krijimtarinë letrare, në disa zhanre letrare, ku shëmbëllejnë ngjyrat e artit letrar, si në poezi, ese, publicistikë, por tashmë edhe si romanciere.

Shkrimtarja Moisiu në këtë roman, e ka zënë “brumin e bukës” me ngjarje të jetuara në formën e rrëfimit, të fateve njerëzore, duke na treguar, se ne duhet të mendojmë si duhet jetuar në të ardhme. ““Pafajësia e Evës”  vjen të na shkundë emocionet, duke mos harruar të djeshmen, të ndërtojmë të ardhmen. Gjatë leximit te “Pafajësia e Evës” ndjejmë reflektimin e një imagjinate të zhvilluar të autores dhe prirjen për një prozë novatore, që padyshim, është një prurje e munguar prej autoreve gra, dhe shumë e rëndësishme për gjininë e romanit shqip.

Fatime Kulli  

 Tirane

Shtator 2011



Related posts

PËR NJË PALË SYTJENA
Tragjedi qe luhen çdo ditë
VIZIONI I LIRISË DHE I UNITETIT KOMBËTAR SHQIPTAR
Sintezat kimike të një lulzimit veror …(Dr.Zef Mulaj)

Leave a Reply





Archive