Fjalor Shqiplaqisht-Shqip
Viktor Z. Bakillari
Fakulteti i Gjuhëve të Huaja
Tiranë
Fjalor Shqiplaqisht-Shqip
(Identiteti gjuhësor i përçudnuar i baba shtetit)
Përmbledhje:
Në këtë artikull trajtohen çështje të drejtshkrimit të gjuhës shqipe. Autori bën një shëtitje dhe mban me shumë kujdes emërtimet e shkruara nëpër tabelat e institucioneve shtetërore. Rezultati? Gjithçka e shkruar gabim. Çdo tabele institucionale ka një a më shumë gabime drejtshkrimore.
Në faqen 7, nenin 14/1, të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë thuhet: Gjuha zyrtare në Republikën e Shqipërisë është shqipja. Por shqipja e shkruar në këto tabela është fatkeqësisht një shqipe e bastarduar. Pasi rendit emërtimet e gabuara, autori bën ndreqjen e tyre dhe jep rrugëzgjidhje se si duhet dalë nga kjo gjendje e mjerë.
+++
Këtë gjuhë të bekuar – Kush ia dha kështu Shqipërisë,
Kjo është lule e uruar – Qëndisur prej Perëndisë.
…
Kurrë s’kënaqet Perëndia – Gjuhën shqipe ta humbasë,
E mban madhëri e Tij – Armiku le të pëlcasë.
Baba Meleq Shëmbërdhenji / SKRAPAR.
“Në fillim ishte Fjala”
Krahas shtimit të jashtëzakonshëm të halleve, problemeve, brengave, krimeve, ndëshkimeve, sorollatjeve, zyrave, korrupsionit në vendin tonë, gjatë këtyre 19 vjetëve të ndërtimit dhe të ngjitjes së shpatit rrëshqitës të shoqërisë demokratike, edhe gjuhësia shqiptare ka bërë çapa të mëdhenj cilësorë në lëmin teorik dhe hapa të stërmëdhenj prapa në atë praktik, gjë që pasqyrohet dhe në zbatimet gjuhësore të ditëve tona.
Vëmendja e gjuhësisë sonë, sidomos puna në fushën e kulturës së gjuhës shqipe, para këtyre afrodydhjetëvjeçarve, i kalonte caqet shkollore dhe universitare, duke mos u kufizuar vetëm në librat shkollorë, por edhe në jetën e përditshme, nëpër gazeta, radio, televizion, revista, parulla, banderola, tabela, pllakate etj.,etj. Mbas vitit 1990, me ndërrimin e regjimit, u “përmbysën” dhe shumë parime gjuhësore. Tek “vreshti” i pasur, i shëndetshëm dhe i pastër i gjuhës shqipe filloi të mbijë “grami”, i cili, tashmë, është përhapur në çdo cep të tij.
Në vend që gjuha shqipe të saktësohej dhe të lulëzonte, këta vjet po ndodh dukuria e kundërt. Përdorimi i tepruar nga politikanët e përnatshëm në ekranet televizive, në radio, në shtypin e përditshëm, i fjalëve të huaja, sidomos i anglicizmave, tekat e snobëve, mania dhe tamahu i kozmopolitëve për gjithçka të jashtme, përfshirë këtu dhe fjalën, veprimtaria e dendur e për(c)kthyesve dhe e dragomanëve me gjuhë të huaja të mësuara nëpër kurse disamujore apo, kur janë femra, duke ndjekur romancat në televizor, ose që kanë shkuar për bukën e gojës në mërgim, kanë bërë dy lekë, janë kthyer në Shqipëri, kanë gjetur një mik për të zënë një vend si përkthyes (sipas formulës: më mirë një mik sesa një çiflig) kanë bërë që gjuhës shqipe t’i merren mendtë dhe të ketë nevojë për barna.
Gjithë ky zhgan politikanësh, përkthyesish, gazetarësh (shumica e këtyre tri kategorive pra, pa arsim përkatës), emigrantësh, snobistësh, kozmopolitësh kanë hedhur benzinë në zjarr për përzhitjen, përcëllimin dhe djegien e gjuhës shqipe.
Megjithatë shqipja ka veshur këmishën zjarrduruese dhe është e argasur dhe e vaksinuar kundër kësaj përpjekjeje dështake qysh në kohën e rilindësve të mëdhenj. Sado e ashpër qoftë trysnia e huaj, shqipja ka shekuj që ka fituar imunitet nga kjo lloj sëmundjeje dhe qëndron e paepur.
Ky parashtrim nuk ka të bëjë ende me objektin e shembujve ilustrues. Shembujt që kemi marrë në formën e një fjalori nuk kanë të bëjë pothuajse fare me barërat e këqija të gjuhës apo, ndryshe, me barbarizmat. Kjo, për një arsye të thjeshtë. Sado të mëqaken dhe të rropaten këta kinse-diturakë gjuhësh të huaja, apo politikanë që flasin shqipen shatra-patra me fjalë aspak shqipe, nuk do të arrijnë dot ta dëmtojnë rëndë Fjalorin e Gjuhës së Sotme Shqipe. Të gjithë jemi të ndërgjegjshëm për punën që ka bërë Akademia e Shkencave, Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë[1] përse jo edhe televizionet “Top Channel”, e të tjerë në këtë drejtim. Po kështu, Fakulteti i Gjuhëve të Huaja, në bashkëpunim me Fakultetin e Historisë e të Filologjisë, brenda një kohe të shkurtër, kanë organizuar disa seminare të rëndësishme, për t’u vënë ledh fjalëve të huaja të panevojshme[2]
Qëllimi ynë, kësaj radhe, është që të shikojmë një dukuri sa të dukshme, aq dhe të padukshme, por qindrafish më të rrezikshme sesa trysnia e fjalëve të huaja. Kësaj radhe do të merremi vetëm me tabelat, pllakatet që ka ngjitur apo salduar baba shteti nëpër ministri, drejtori dhe institucione.
Dukuria është e dukshme ditën dhe natën, sepse ato tabela janë të palëvizshme si pllaka varri, ose pllaka përkujtimore dhe mund të shkosh t’i shikosh në çdo kohë. Është e padukshme, sepse janë aq të njohura, saqë nuk bien më në sy dhe njerëzit kanë aq halle, sa nuk u hedhin as sytë.
Gjuhën shqipe, me dashje apo pa dashje, nga djallëzia ose padija, po mundohen ta gërryejnë dhe t’i bëjnë varrin vetë nëpunësit dhe shtetarët shqiptarë.
Vetëm gjatë një shëtitjeje të shkurtër nga qendra deri tek liqeni i Tiranës mblodhëm, ashtu si rastësisht, ashtu si pa dashur dhe me të qeshur, aq material sa mund të përbënte lëndë të plotë për një fjalor tepër të veçantë, ndoshta të vetëm në llojin e vet në të gjithë botën. Duke vështruar me vëmendje, në këtë copë rrugë, vetëm institucionet shtetërore, jo ato private, të jepet përshtypja se është krijuar një gjuhë e re ndryshe nga ajo standardja që njohim.
- Po ç’është kjo gjuhë?
Që t’i fusim shkelmin retorikës së tepërt dhe t’ua japim fjalën fakteve kokëforta të realitetit tonë, kjo është gjuha zyrtare e shtetit, pasqyra e tij, vitrina e tij, pjesa e dukshme e tij. Po t’i referohemi gjuhës standarde shqipe, “Fjalorit të gjuhës së sotme shqipe”, na del se 100 % e nëpunësve, e shtetarëve dhe e pushtetarëve tanë në institucionet tona të përmendura më poshtë na dalin më të paaftët e botës intelektuale, më analfabetë-administrativë se etërit dhe gjyshërit e tyre.
Në asnjë vend në botë, sado i prapambetur dhe i varfër qoftë, nuk mund të gjesh më shumë burokratë, drejtues, shtetarë dhe pushtetarë indiferentë sesa në Shqipëri. Dhe kur mendon se nuk bëhet aspak fjalë për shkresurinat, por thjesht për tri-katër fjalë që duhen shkruar në një tabelë ose pllakat në hyrje të vendit të punës, kjo bëhet krejt e pafalshme. Si ka mundësi që të numërosh afër 30 institucione të larta shtetërore dhe te të gjitha të figurojë i shkruar gabim emërtimi i tyre, duke e bastarduar, shqyer, çapëlyer, shqepur, bymyer dhe tkurrur sipas qejfit, artificialisht, me apo pa dashje, shqipen?
Gjatë shëtitjes sonë mbajtëm shënime dhe arritëm të evidentojmë në mënyrë të përgjithshme gabimet e mëposhtme. Theksojmë se brenda një emërtimi (tabele institucioni) figurojnë disa nga rubrikat e gabimeve të pikasura, prandaj në krahun e majtë do të shkruajmë emërtimet e institucioneve siç janë dhe në të djathtin ashtu siç e pranon shqipja standarde:
1. Të shkruarit e shkronjës E në vend të shkronjës Ë (mungesa e dy pikave mbi E-në e madhe të shtypit). Ky gabim haset pothuaj se te të gjitha tabelat. Ja disa shembuj tipikë:


2. Mungesa e nyjave të cilat duhen përsëritur para emrave në rasën gjinore, apo mungesa e plotë e tyre (shembulli 6, 12 shih dhe 3.1 ). Ja disa nga shembujt më tipikë:


3. Mungesa e vizës lidhëse (-), (shih dhe 2.2) :


Gjuha shqipe bën pjesë jo vetëm në trashëgiminë tonë kulturore por, si çdo gjuhë tjetër, edhe në trashëgiminë kulturore botërore. Në faqen 7, nenin 14/1, të Kushtetutës së Shqipërisë thuhet: Gjuha zyrtare në Republikën e Shqipërisë është shqipja. Atëherë ç’na mbetet për të pohuar kur ajo përdhoset nga ata që mbahen për ajkë, pari, diturakë, më të zgjuarit, më të mençurit e kombit?! Sepse, vetëkuptohet, të zësh një vend në shkollë, në drejtori, në dikaster, në institucion, në ministri duhet të jesh dikush. Si ka mundësi që shumica e institucioneve fillojnë me : REPUBLIKA E SHQIPERISE në vend të REPUBLIKA E SHQIPËRISË? Gjuha jonë ka 36 shkronja dhe jo 35 sipas këtyre drejtuesve të institucioneve. Për ta është e njëjtë shkronja E (e) me shkronjën Ë (ë), edhe pse në të shkruar Billi i kompjuterave ka menduar edhe për këtë, duke e realizuar shumë thjesht këtë shkronjë. Shkronja Ë (ë) ka të njëjtën vlerë dhe rëndësi si të gjitha shkronjat e tjera të alfabetit tonë. Që të mbahet një qëndrim mospërfillës, i vrazhdë dhe cinik, bastardues edhe ndaj shkronjave të gjuhës (se ndaj njerëzve, vetëkuptohet, s’ka dyshim), ky është një veprim i papjekur dhe guxim të tillë kanë vetëm zyrtarët shqiptarë.
Dikush mund të thotë se ministri, drejtori, titullari i institucioneve a i ministrive në fjalë, si dhe i të gjitha atyre institucioneve që e përdhosin gjuhën në këtë farë feje, nuk është gjuhëtar dhe nuk ka mbaruar për gjuhë dhe letërsi. Përligjje foshnjore dhe servilizëm i keq nëse kjo fjali del nga goja e ndonjë puthadori shefash. Kjo bie menjëherë poshtë për këtë arsye:
Mos vallë para viteve ’90 ish-kolegët a homologët e këtyre të tanishmëve kishin mbaruar për gjuhë dhe letërsi? Ndërkohë as që bëhej fjalë dhe nuk diskutohej fare që të ndodhnin shkelje të tilla.
Dikush tjetër mund të thotë: Nuk bëhet gjithë ky shkrim për një shenjë pikësimi apo për një shkronjë. Këtij dikushi do të dëshironim t’i kthenim një përgjigje të ilustruar me nga një shembull qoftë për shenjën e pikësimit, qoftë për shkronjën:
«…Në kohë lufte, forcat armike kapin dikë dhe e fusin në burg (po sjellim rrëfenjën, nuk po flasim me emra). Duke parë rrezikshmërinë e tij, komanda e lartë lëshon një urdhër me faks: Filani, i mbyllur në qelinë X, jo të pushkatohet. Dhe personi në fjalë u la i lirë. Komanda, kur e merr vesh, tërbohet për moszbatimin e urdhrit dhe nis hetimet.
- Unë do ta pushkatoja tha ekzekutuesi i urdhrave nëse faksi do të ishte i tillë : Filani, i mbyllur në qelinë X jo, të pushkatohet…»
Ose përse të kthehemi kaq prapa? Le të kalojmë para Ambasadës Italiane, përballë Radiotelevizionit shqiptar. Atje na bën ballë ky pllakat:
MOS!
PAGUANI
ATË ÇKA ËSHTË FALAS
…
Komentet e gjata janë të tepërta. “Ftesa” është e qartë. Të gjithë shqiptarët “urdhërohen” të paguajnë atë çka është falas. Nëse zotërinjtë e Ambasadës Italiane dëshirojnë që shqiptarët të mos paguajnë atë çka është falas, luten që pikëçuditjen (!) ta zhvendosin në fund të fjalës FALAS.
Ndërsa për shkronjën, në librin e klasës së parë “Abetare – Shkronjë pas shkronje”, (Tiranë 2005) me autorë prof.as.dr. Mimoza Gjokutaj (Çano) dhe prof.dr. Shezai Rrokaj, në fq. 98, një poezi e poetit Odhise Grillo shpreh pikërisht atë që po rrekemi të sqarojmë:
…
Për një shkronjë, / që ti s’e vë, / fjala derë / bëhet erë / dhe shtëpia ngel pa derë.
Për një m / që ti s’e vë, / fjala mik bëhet ik. / … / a i thuhet mikut ik ?
Shih, pa shih, / ka dhe më keq, / për një b, / që ti e heq, / fjala bujk / bëhet ujk.
…
Vërtet, kjo është një poezi për fëmijë, po me keqardhje na duhet t’ju themi se në këtë nivel e keni katandisur veten. Hidhni sytë, lexojeni, kuptojeni, mësojeni përmendsh dhe mbajeni vath në vesh sa herë që merrni penën a shtypni preklat e kompjuterit, shkurt: zbatojeni në praktikë.
Që të jemi më të qartë: Provoni të merrni një certifikatë në gjendjen civile me një shkronjë të emrit a të mbiemrit të ndryshuar. Përfytyroni problemin që i hap policia dikujt me një pasaportë që ka një shkronjë të ndryshuar në të. Ose shkoni në bankë për të tërhequr para me një shkronjë të ndryshme nga të dhënat që ka banka! Sa telashe mund të hapen në kufi për probleme të tilla? Dhe kështu, telashet që mund të të hapë një shkronjë bëhen varg.
Dikush tjetër mund të thotë me ndershmëri: Kështu e dinim. E shkruam siç dinim. Pikësëpari, përgëzime për çiltërsinë, por na duhet t’i themi: Askujt nuk i lejohet të mos e dijë ligjin! Është krejt e arsyeshme që forma duhet të përputhet me përmbajtjen, një dyqan i bukur është rezultat i një pune të madhe dhe reklama së bashku me vitrinën zbukurohen sa më mirë. Fuqia, pastërtia, respekti, që ndjell reklama e institucioneve të mësipërme, pasqyrohet tek ajo tabelë e vogël. Por kur tabela është e shkruar për faqe të zezë, me gabime, ç’duhet menduar për brendinë e tij (institucionit)?! Mos në këtë rast shprehja « Ç’ka vitrina e ka brenda magazina » mund t’u shkojë për shtat këtyre institucioneve ? Luaj vendit, larg qoftë, se me tabela të tilla është e mbushur gjithë Shqipëria.
Dhe diçka tjetër shumë e rëndësishme. Ja, marrim normalen, atë që është e arsyeshme, që ky shkrim nuk ra në vesh të shurdhët dhe në sy qorr, që këto institucione dhe qindra e mijëra të tjera në të gjithë Shqipërinë, që nga kopshtet e deri te ministritë, do të heqin këto tabela dhe do të vendosin të tjera të reja dhe të shkruara sipas shqipes standarde. Atëherë, kush do t’i paguajë sërish gjithë këto shpenzime? Përsëri baba shteti (pra taksapaguesi shqiptar), apo mos vallë do të ishte më e udhës që të gjendej fajtori dhe ta mbante ai përgjegjësinë?
Edhe diçka të fundit, për ta mbyllur.
Duke parë morinë e gabimeve, na shkon ndër mend që institucionet shtetërore shqiptare të gjejnë barnat e duhura për kurimin e kësaj sëmundjeje. Mendojmë se për tekstin e tabelave që do të ngjiten tek institucionet duhet të bashkëpunojnë (vetëkuptohet, në kushtet e ekonomisë së tregut, kundrejt një shume simbolike) të gjitha institucionet me degën e gjuhës shqipe të Fakultetit të Historisë dhe të Filologjisë, ose dhe me Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë për ta shkruar korrekt, derisa shqiptarët të mësojnë në masë shkrim e këndim pa gabime. Gjithashtu, dega e gjuhës shqipe nxjerr me dhjetëra studentë të mirë çdo vit. A nuk do të ishte më e udhës dhe më mirë që të gjithë sekretaret dhe sekretarët që punësohen të kenë mbaruar për gjuhë ose për të mos qenë radikalë, kandidati për sekretar apo sekretare, para se të zërë një vend pune në një institucion shtetëror, të japë medoemos disa provime të gjuhës shqipe, si morfologjinë për drejtshkrimin ashtu dhe sintaksën për të mos pasur thyerje sintaksore? Ngulmoj tek ky fakt se mjafton të marrësh një shkresë zyrtare (unë vetë kam një përvojë të hidhur dhe një letërkëmbim para 3-4 vjetësh me shkresënxirësit e TELEKOMIT SHQIPTAR [(ALBTELECOM-it!!!); se si na detyrojnë të lexojmë në shqipe C-në K, as vetë nuk e marr vesh] dhe ta korrigjosh do të vësh re se shkresëtari (në fakt shkresënxirësi) është më pranë analfabetit sesa njeriut me shkollë.
Si përfundim, do të dëshironim të thoshim se, pavarësisht toneve vende-vende të ashpra, shkrimi është fund e krye qëllimmirë. Demokracia solli krahas shumë të mirave edhe lirinë e të lexuarit të gjithçkaje që dëshiron. Gjithsecili nga ne, në mos e pastë lexuar librin e shenjtë, Biblën, ka dëgjuar: Në fillim ishte Fjala. Dhe fjala nuk duhet thënë dhe shkruar me shtrembërime, por ashtu siç e pranon norma. Ndërkohë që shumë të huaj kanë shfaqur interes të veçantë për gjuhën shqipe, zyrtarët shqiptarë e pëgëjnë, e bastardojnë, e shtrembërojnë, e përçudnojnë. Dukuria është e qartë: Gjuhën e mban gjallë populli, e lëvrojnë, poetët, shkrimtarët dhe shkencëtarët, e studiojnë dhe e ligjësojnë gjuhëtarët dhe e thajnë dhe e vyshkin zyrtarët.
I nderuar sekretar, sekretare, drejtor shkolle, administrate, drejtorie dhe kushdoqofsh… !
Për ta mbyllur këtë shkrim do të dëshironim të rimerrnim një pjesë nga motivet e z. M. Elezi.
Juve që e lexoni këtë shkrim (qëllimmirë nga ana jonë) dhe vini të drejtën në vend, pavarësisht nëse pajtoheni apo jo me brendinë dhe tonin tonë, Zoti ju ndihmoftë dhe ju bekoftë !
Ju që e paragjykoni, që mateni me hijen e mëngjesit, që tregoheni të anshëm, shpërfillës, nëpërkëmbës, Zoti pastë mëshirë, ju faltë dhe ju ndihmoftë të gjeni punën që jeni të aftë dhe të zotë ta kryeni! U BËFTË!
LITERATURA
Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë: Për pastërtinë e gjuhës shqipe, Fjalor, Tiranë, 1998.
Universiteti i Tiranës, Fakulteti i Gjuhëve të Huaja, akte të seminarit të 3-të, Rreth huazimeve në shqipen standarde , Tiranë 2004
Fakulteti i Gjuhëve të Huaja dhe Departamenti i Gjuhës Shqipe, akte të konferencës shkencore, Zbatimi i kulturës gjuhësore në shqipen e shkruar, Tiranë, 2004.
Akademia e Shkencave e RPS të Shqipërisë, Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë, Gjuha Letrare Kombëtare Shqipe dhe Epoka Jonë, Tiranë, 1988.
Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Instituti i Gjuhësësë dhe i Letërsisë. Konferenca Shkencore Shqipja Standarde dhe Shoqëria Shqiptare sot. Tiranë, 2003
Akademia e Shkencave e RPS të Shqipërisë, Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë, Fjalor i Gjuhës së Sotme Shqipe, Tiranë, 1980.
Prof.dr. Xhevat Lloshi, Stilistika e Gjuhës Shqipe dhe Pragmatika, SHBLU, Tiranë, 2001
Prof. dr. Gjovalin Shkurtaj, Kahe dhe Dukuri të Kulturës së Gjuhës Shqipe, Sh.B . KRISTALINA –KH, Tiranë, 2003
Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, Tiranë, 1998.
V.O.: 1. Këtë shkrim e kanë botuar zotërinjtë profesorë Kopi & Ardian Kyçyku (atë & bir) në revistën e tyre evropiane HAEMUS. (41-44) (2010-2011)
2. Shënim: Shkrimi është bërë në vitin 2009.
[1] Shih ndër të tjera botimin e Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë: Për pastërtinë e gjuhës shqipe, Fjalor, Tiranë, 1998.
[2] Shih : « Rreth huazimeve në shqipen standarde », akte të seminarit të 3-të. Universiteti i Tiranës, Fakulteti i Gjuhëve të Huaja, Tiranë 2004 ; dhe «Zbatimi i kulturës gjuhësore në shqipen e shkruar», akte të konferencës shkencore, Fakulteti i Gjuhëve të Huaja dhe Departamenti i Gjuhës Shqipe, 16 dhjetor 2004.
|
|
Tweet |


