Fotografia në bibliotekën suedeze
tregim
Shkruar nga Viron KONA

Në foto: Viron Kona, dalë në bibliotekën e qytetit të Borasit, Suedi.
Teksa pinim kafe me mikun tim nga Malësia e Gjakovës Ibrahim Hajdarmataj dhe bisedonim për letërsinë, papritmas ai më tha:
-Lexova një tregimin tënd në gazetën e njohur “Republika”, kushtuar 100 – vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë. Tregimi më pëlqeu, por nuk mund të rri pa të bërë një pyetje, që më ka mbetur në mendje: Përse, ai tregim, që fliste për Pavarësinë e Shqipërisë, shoqërohej edhe me një fotografi, ku ti ke dalë pranë stendave me libra të një prej bibliotekave suedeze? Apo ke dashur të mburreshe pakëz dhe të na tregosh se ke qenë edhe në Suedi?
Bëra pakëz buzën në gaz:
-Mbase e kam vendosur atë fotografi, edhe për “t`u mburrur” pakëz, por, në këto vite të demokracisë, nuk besoj se mburret njeri se ka parë këtë apo atë shtet të botës. Sot, janë qindra mijëra shqiptarë që dalin në botë, punojnë, jetojnë atje, shkojnë për pushime dhe vizita turistike…E, megjithatë, mendoj se, me pyetjen që më bëre, nxite më tej një bisedë. Bëj pakëz durim dhe më dëgjo se çdo të të them:
-Po të dëgjoj, – tha Ibrahimi dhe më pa drejt e në sy.
Piva pakëz kafe dhe ia nisa:
-Kur një autori i kërkohet nga redaksitë e gazetave ose shtëpitë botuese një fotografi për të ilustruar një tregim ose një libër, përgjithësisht ai përpiqet të zgjedh atë fotografi që i duket më e mirë, më e qartë dhe më e bukur. Apo jo?
-Po, deri këtu më dukesh bindës, por futu në temë.
-Ke të drejtë, – iu përgjigja dhe vijova: – Unë, për ilustrime, parapëlqej ato fotografi, ku kam dalë në natyrë, mes lexuesve të vegjël ose edhe me miq të mi. Por, shoqërimi i atij tregimi me atë fotografi, e ka një shpjegim.
-Atë shpjegim po pres, – ngulmoi me padurim Ibrahimi, dhe, duke më parë buzagaz, më ngacmoi: -Ti po e bënë si lumi, që, përpara se të derdhet në det, vjen rreth e qark maleve e kodrave, futet në lugina, përhapet nëpër fusha…
-Dhe, më në fund, e gjen rrugën, – e ngacmova edhe unë, – lumi shkon doemos për atje ku është nisur, pavarësisht nga digat ose pengesat që i vihen përpara.
Dhe, pa e larguar qetësinë dhe buzagazin nga fytyra, vijova:
-E shoh që nuk ke durim të dëgjosh shpjegime të zgjatura, prandaj po bëj siç po më këshillon, po futem drejt e në temë: -Midis 28 Nëntorit, të Shqipërisë dhe 28 Nëntorit të Suedisë, ka një lidhje. Nëse për Shqipërinë, 28 Nëntori përfaqëson Ditën e Pavarësisë, për Suedinë, 28 Nëntori, përfaqëson Ditën e Librit.
-Nuk e dija këtë, – tha Ibrahimi.
Unë vijova:
-Populli ynë thotë: “Miku i vërtetë, duket në ditë të vështira”. Dhe, pikërisht ndër popujt dhe shtetet e parë të botës, që njohën menjëherë Pavarësinë e Kosovës, është Suedia. Ndërkaq, ajo dallohet ndër vendet e botës, që mik-priti shqiptarët, veçanërisht gjatë dhe pas vitit 1999. Sot, atje, janë bërë qytetarë të saj, mbi 50 mijë shqiptarë, shumica nga Kosova.
-Ky është një argument i fortë, – tha Ibrahimi dhe po tregohej më i vëmendshëm, më i duruar, madje edhe më i dëshiruar për të dëgjuar vazhdimin e shpjegimit tim.
-Ministrja e jashtme e Mbretërisë së Suedisë, Anna Lindh, – vijova unë, – e mbrojti me zjarr çështjen e pavarësisë së Kosovës dhe propagandoi njohjen e saj si shtet edhe nga vende të tjera të botës. Në këtë periudhë, ajo u godit për vdekje nga një nacionalist ekstremist me origjinë serbe, duke mbetur kështu një dëshmore e lirisë së Kosovës. Sot një rrugë e rëndësishme në Kosovë, mban emrin Anna Lindh.
-Edhe këtë nuk e kam ditur, – tha Ibrahimi, teksa u ndje i prekur për heroinën suedeze, por dhe e shfaqi hapur urrejtjen për kriminelin ekstremist serb. Ndërkaq, më pa në sy si të donte të më nxiste më tej.
Vazhdova:
-I pari Ministër evropian që shkoi në Kosovën e pavarur, është Ministri suedez Karl Bild, ndërkohë që Suedia, është ndër vendet e para që ka firmosur e mbështetur integrimin e Shqipërisë në Evropë. Po të thellojmë argumentet historike, suedezi Erik Hans Thunman, së bashku me skandinavin tjetër, danezin Pederssen, kanë mbrojtur shekuj më parë origjinën ilire të shqiptarëve. Kurse sot, është një tjetër albanolog i shquar suedez, që konsiderohet “Miku i madh i shqiptarëve”. Ai quhet Ulmar Kvik. Ky njeri i dashuruar pas popullit shqiptar, në shkrimet dhe studimet e tij, del vazhdimisht në mbrojtje të shqiptarëve, duke shkruar me argumente bindëse për origjinën tonë ilire, për historinë dhe çështjen e Kosovës. Vitet e fundit ai ka shkruar një libër brilant të titulluar “Më shumë heroizma se sa grurë”, ku analizon historinë shqiptare të 100 viteve të fundit.
Veç këtyre, në Suedi, shqiptarët, kanë liri dhe të drejta si çdo qytetarë suedez dhe vlerësohen e respektohen. Në qytetet dhe krahinat suedeze, veprojnë lirshëm dhjetëra shoqata kulturore shqiptare, botohen dhe përkthehet një literaturë e pasur nga Shqipëria, çelen ekspozita të shumta të artit tradicional shqiptar, ekspozita të pikturës, ekspozita fotografike dhe etnografike, zhvillohen festivale të folklorit, të këngëve dhe valleve popullore dhe moderne, shfaqen filma me motive shqiptare, vlerësohen futbollistët me origjinë shqiptare deri edhe në kombëtaren suedeze… Suedia është nga vendet me liri, të drejta e standarde të larta demokratike, dhe, këto liri dhe të drejta, shqiptarët i gëzojnë njëlloj si suedezët, pa asnjë dallim. Madje atje përmendet shpesh herë thënia “Alla ar ( er ) lika ( Të gjithë të barabartë ).
Heshta një çast dhe, duke e ftuar mikun tim të ngriheshim e të shëtisnim një copë rrugë, duke ecur përkrah, i thashë:
-E di që, festa e verës në Suedi lajmërohet me çeljen e qershive?
Ibrahimi më pa me sy pyetës.
-Edhe në Korçën e serenatave, festa e verës ose behari, lajmërohet me çeljen e qershive. Është e njohur për të gjithë ne, ajo kënga e serenatave korçare: “Kur vjen behari çel qershia/Vajza të bukura/Faqka pa puthura…
Bëmë buzën në gaz, duke përsëritur nën zë tekstin dhe melodinë e asaj kënge të bukur rinore, pastaj, pas një heshtje të shkurtër, iu ktheva mikut tim:
-Mendoj se, këto janë disa nga arsyet, të cilat bënë që, kur m`u kërkua fotografia për të ilustruar tregimin për 100 – vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, parapëlqeva të vendos edhe një fotografi nga një vend mik. Këtë herë, përzgjodha fotografinë nga Suedia, dalë, pikërisht në një nga bibliotekat e saj. Kështu m`u duk se i bëja respekt dhe jehonë 28 Nëntorit, Ditës së Flamurit të Shqipërisë, por dhe Ditës së Librit të Suedisë.
-Kur e kanë suedezët festën e tyre kombëtare ? – pyeti Ibrahimi.
-Suedezët festojnë Ditën e Suedisë më 6 qershor. Por, besoj, se e di, që, në vitin 2009, u përkujtua 200 – vjetori i luftës së fundit në Suedi. Prej asaj kohe populli suedez nuk e njeh luftën.
-Si lumë ata ! – ia bëri Ibrahimi, i ngazëllyer dhe i befasuar,dhe, duke më parë drejt e në sy,vijoi:
-Kurse neve, po të veçojmë luftërat për pavarësi e çlirim kombëtar, që kemi zhvilluar për t`u çliruar nga pushtuesit osman, në 200 vjet, kemi qenë shesh betejash që na i kanë imponuar dy luftëra botërore, një luftë ballkanike, lufta dhe gjenocidi serbë kundër popullit të Kosovës në fundshekullin e kaluar…
-Mbase, prandaj edhe suedezët, si popull paqësor, janë shumë të ndjeshëm ndaj popujve që kanë vuajtur ose janë viktimizuar, – shtova unë.
Disa çaste mes nesh pasoi një heshtje e shkurtër, pastaj, papritmas e pyeta mikun tim:
-Të lutem, sa është ora tani?
-19.00, – tha ai.
-Kaq është ora edhe në Suedi, – i thashë, nuk lëviz sekonda. Jemi në të njëjtin meridian gjeografik me Suedinë.
Vazhduam të shëtisnim, duke folur për miqësitë dhe vëllazërimin mes njerëzve, shteteve dhe popujve. Të dy, me Ibrahimin, ishim në një mendje që, miqësitë nuk krijohen rastësisht dhe nuk janë të njëanshme dhe se, “E vetmja mënyrë që të kesh miq, është të jesh edhe vet mik….”
|
|
Tweet |


