|

GJITHNJË E PAHARRUAR, MËSUESJA IME E PARË

Nga: Destan Rama

Mësues veteran

Publikoi: Prof. Murat Gecaj

Destan Rama

 

Pak radhë, për  Habibe Shehun (Dervishi)

1.

Në nje ditë të bukur vjeshte, kur po meditoja me vete për vitet e shkuara të jetës sime në arsim, natyrshëm, m’u kujtua mësuesja e paharruar e klasës së parë, Habibe Shehu (Dervishi). Kështu dhe e ndieva detyrim timin moral e shpirtëror, që t’i shkruaja pak radhë për të, në këto festa të gëzuara të fundvitit.

Ja, edhe tani pas kaq vitesh, nuk më shqitet kurrë nga mendja portreti i saj, fizik dhe shpirtëror. Në atë kohë, ishte vajzë e re, me trup mesatar, me flokë të drejta e ngjyrë gështenjë, e shkathët, e dashur dhe tepër e afrueshme  me ne, nxënësit. Veshja e saj e thjeshtë, estetike, ia shtonte ende më shumë bukurinë fizike.

Pra, ne e ndienim veten si të ishim vëllezërit, motrat ose fëmijët e saj. Me atë zërin e ëmbël e meliodioz na magjepste, na bënte të qendronim në bankë “gojëkyçur” e të përqendruar në mësim. Kërkonim që çdo fjalë të saj ta bënim pronën tonë.

Habibe Shehu

 

2.

Mësuese Habibe Shehu (Dervishi) u lind në Krajkë, të komunës së Zerqanit, në rrethin e Bulqizës, më 21 korrik 1937. Ishte nga një familje e madhe, e mirënjohur, pra e Dervishit të teqes së atij fshati, me tradita atdhetare e fetare. Në vendlindje ajo mori mësimet e para, ndërsa shkollën unike (7-vjeçare) e mbaroi në Zerqan. Ka qenë ndër vajzat e para dhe të pakta, e cila theu e prishi me guxim mendësitë dhe zakonet e vjetra prapanike në zonë, për vazhdimin e shkollës. Kjo bëri që, në vitin 1949-1950, ajo mbaroi shkollen unike, bashkë me dy shoqe të tjera nga Zerqani.

Duke u bazuar në  rezultatet e  larta, që arriti gjatë viteve të para të  shkollimit dhe në nevojat e shumta për kuadro në arsim, Seksioni i Arsimit dhe i Kultures i rrethit Dibër, kërkoi që Habibja të kryente detyrën fisnike të mësueses dhe e emroi atë në fshatin Peladhi. Këtë gjë ajo e vlerësoi si nder, por dhe përgjegjësi të madhe për edukimin e mësimin e nxënësve të saj.

 Me kalimin e viteve, pasi edhe u aftësua nga ana profesionale,  kjo mësuese shërbeu me devotshmëri e pa u lodhur në disa fshatra të Grykës së Madhe, në krahinën e saj. Por viti më i bukur, më mbresëlenës për të, siç kujton edhe tani, ka qenë ai i 1958-ës . Në atë kohë, ajo u njoh me bashkëshortin Fadil Shehu, edhe ky mësues e së bashku punuan në fshatin Dushaj të Bulqizës.

 Në bisedën, që bëra me Habiben, ajo kujton: “Në një ditë të bukur nëntori, si tani, kur po shkonim në shkollën e fshatit Dushaj, bashkë me Fadilin, u ndalua një makine “skodë”,  5-6 metra përpara nesh. Doli shoferi dhe na foli. Për habinë tonë, ky ishte Ramazan Kthupi, nga Durresi, ish-mesuesi i gjuhës shqipe i klasës së 7-të, në Zerqan. U mallëngjyem, por edhe u kënaqëm, pasi pamë edhe një herë mësuesin tonë, pas 8 vitesh. U ndamë ashtu gjysmë të përlotur, duke i uruar njëri-tjetrit punë të mbarë e jetë të lumtur”.

 Në misionin e saj fisnik, mesuese Habibja pati gjithmonë në krah shokun e jetës, Fadilin. Ai nuk u kursye për t’i kryer detyrat prindërore, në mirërritjen dhe edukimin e fëmijëve të tyre.

Gjate periudhës së shërbimit në arsim,  pa u shkëputur nga puna, Habibja mbaroi vitet e shkollimit të plotë, si edhe kreu disa kurse kualifikimi, në Shkodër dhe në Peshkopi. Kështu, ajo u aftësua më tej dhe u bë specialiste e mirëfilltë në profesionin e mësimdhënëses, veçanërisht në punën me klasa kolektive.

 Në çdo shkolle, ku u emërua, kjo mësuese punoi dhe u shërbeu me devotshmëri e përkushtim, nxënësve e fëmijëve të saj të dashur. Kjo bënte që përfundimet e arritura me ta, gjatë tërë viteve të punës, të ishin të larta. Por edhe në punën e saj edukatore kopshti mori vlerësimet më të larta,  nga institucioni i arsimit të rrethit, drejtoria e shkollës, kolegët dhe prindërit.

 Për të gjitha këto, që përmendëm më sipër, gazeta lokale”Ushtima e Maleve”, më 2 qershor 1984, në një shkrim të saj theksonte: ”Bluzat e bardha-si bora, mjetet e bollshme e me kulturë dhe niveli i lartë i njohurive të fëmijëve, flisnin qartë për punën këmbëngulëse e me pasion të edukatores Habibe Shehu, në fshatin Zerqan. Mbi 90% e fëmijëve të këtij kopshti kishin një përgatitje të plotë, për në klasën e parë”.

Urimet dhe falënderimet për mesuese Habiben, në punën e saj si mesuese, edukatore dhe veprimtare shoqerore, ishin të shumta atëhere, por janë edhe sot, kur ajo po gëzon vitet e pensionit.

Brezat e nxënësve, që i ka pritur e përcjellur kjo mësuese e dashur dhe e paharruar, e kujtojnë me mjaft respekt e dashuri, si e para që u mësoi atyre lexim-shkrimin e gjuhës shqipe, me shumë durim, dashuri e pasion.

Megjithëse është e moshuar, sa herë vijnë 7-Marset, pra Ditët e Arsimit tonë Kombëtar dhe festa të tjera, mësuese Habiben do ta gjesh në mes të ish-nxënësve të saj, kolegëve e dashamirësve të dritës e diturisë. Ajo nuk i kursen kurrë këshillat e saj për brezat e rinj të mësuesve, që të përgatisin nxënës të ditur dhe të edukuar. Ata gjejnë tek ajo modelin e qetësisë dhe të dashurisë njerezore dhe, njëherësh, i urojne asaj të festojë me gëzim ngjarje të shunuara, sa të dojë vetë. Njëkohësisht, shprehin mendimin dhe besimin e plotë të tyre se, po të kishte patur konkurse në vitet, kur punonte në arsim, me siguri Habibja do ta kishte merituar vlerësimin “Mësuese Model”.

Bulqizë, nëntor 2011

 



Related posts

In memoriam për Ali Ohrin
Klubi “Drita” ndan Çmimet letrarë për vitin 2011
Dr. Et-hem Cara: I dua fëmijët e mi, por, më shumë dua Atdhe...
Një lloj i ri Tulipani për shtetin më të Ri në botë, Kosovë...

Leave a Reply





Archive