|

JO, MIRËNJOHJE PËR PIROMANËT BJELLOGARDISTË RUSË, QË E DOGJËN SHQIPËRINË!

Barometri diplomatik

Prof.Dr. Mehdi HYSENI

Prof. Dr. Mehdi Hyseni

*** Ai që të pushton dhe të  masakron, nuk meriton dhurata të rastit, mirënjohje dhe falenderime të paharruara, por ndëshkim ligjor, moral dhe material sipas së drejtës ndërkombëtare dhe Kartës së Kombeve të Bashkuara.

*** Ai që nuk e pohon dhe nuk e mbron të vërtetën çdo herë kur e lypë nevoja, ai është kriminel dhe vrasës i së vërtetës si vlerë universale.

 

Pavarësisht nga relatat e përkohshme miqësore të Nikola Pashiqit(ish-kryeministër i Serbisë) me Ahmet Zogun, që me çdo kusht ta mbante në “fronin” e pushtetit  në Shqipëri, Serbia nuk ka pasur asnjë të drejtë legale, që duke përdorur edhe forcat e armatosura bjellogardiste mercenare ruse, të  zhvillonte agresion kundër Shqipërisë (dhjetor, 1924), sepse një akt i tillë,  sipas së drejtës ndërkombëtare përbënte  krim për  paqen dhe për sigurinë kolektive ndërkombëtare. Si rrjedhim, territori i Shqipërisë, në asnjë formë të ligjshme,  nuk do të duhej të ishte  objekt okupimi dhe agresioni ushtarak  i forcave  piromane ruso-serbe pushtuese të Serbisë, pavarësisht se kush i “simpatizon” dhe  i “falenderon” ato nga  individët shqipfolës, si  “njohje e meritës” për djegjen e Shqipërisë.

Pa marrë parasysh interesat dhe privilegjet lukrative partikake të partiashëve, të çifligarëve e bejlerëve dhe të diktatorëve  të ndryshëm (të djeshëm dhe të sotshëm), në radhë të parë, duhet të mbrohet interesi i përgjishëm i kombit dhe i shtetit-Shqipërisë Etnike, jo interesat heterogjene  të grupeve të interesit, të klaneve, të partive dhe të  aleancave të tyre politike të brendshme apo të jashtme. Shqipëria Etnike, duhet të jetë ideal i pavdekshëm dhe  interes madhor i çdo shqiptari, jo PARTIA dhe  tregtia politike me shqiptarët dhe me  territoret e atdheut të tyre.

-Përmbysja e  Qeverisë Demokratike  të Fan S. Nolit nga forcat ushtarake ruso-serbe, ishte akt agresioni direkt dhe indirekt  i Serbisë ndaj Shqipërisë!

Prandaj, Serbia mban përgjegjësi morale, materiale dhe ligjore për një ndërhyrje të tillë brutale për rrëzimin e pushtetit legal, legjitim dhe demokratik në Shqipëri, në dhjetor të vitit 1924. Sipas së drejtës ndërkombëtare, agresoni i tillë serb është krim jo vetëm ndaj Shqipërisë, por edhe krim ndaj paqes dhe sigurisë ndërkombëtare.

Edhe pse Leka Zogu II, u ka shprehur “mirënjohje të përjetshme” forcave ruso-serbe që me forcë dhe me luftë agresive e kanë kthyer në krye të Shqipërisë, gjyshin e tij,Ahmet Zogun, një akt i tillë bie ndesh me normat dhe me rregullat e së drejtës ndërkombëtare, sepse  asnjë shtet në botë, nuk ka të drejtën, që të përzihet në çështjet e brendshme të një shteti tjetër qoftë edhe në rastin e organizimit, të përdorimit të forcave apo të grupeve të ndryshme vullnetare paramilitare a militare të armatosura, duke përfshirë edhe mercenarët sikurse në rastin konkret që ka vepruar Serbia,  e cila për të rrëzuar  qeverinë demokratike shqiptare i ka organizuar, i ka ndihmuar dhe i  ka  hedhur forcat mercenare ruse në Shqipëri).

Serbia, edhe në dhjetorin e vitit 1924, edhe në rastet e tjera të ndërhyrjes me forcë dhe me  agresion ndaj Shqipërisë (1912-1999), edhe pse ka qenë anëtare e Lidhjes së Kombeve (1919) dhe e Kombeve të Bashkuara (1945), asnjëherë nuk u është përmbajtur obligimeve dhe përgjegjësive, të marra përsipër nga këto dy organizata ndërkombëtare, por fatkeqësisht ka vepruar në të kundërtën, duke  i shkelur ato paprecedencë përmes ushtrimit të propagandës dhe të politikës së saj  serbomadhe, duke mos u kursyer as në përdorimin e forcës dhe të luftës agresive e gjenocidale në funksion të  heqjes dhe të mohimit të së drejtës së vetëvedosjes, të lirisë dhe të pavarësisë së kombit shqiptar dhe të Shqipërisë Etnike.

Shqipëria nuk është pronë private e askujt!

 

*** Leka Zogu II (nipi i Ahmet Zogut): – “Unë u jam përjetësisht mirënjohës emigrantëve rusë, të cilët e mbështetën gjyshin tim…”!!! (Shih: www.shekulli.com.al/30/07/2012).

Sipas logjikës absurde, iracionale dhe antikombëtare shqiptare të këtij konstatimi të Leka Zogu II, po del se, edhe shqiptarët e Kosovës,  “po u dashëka”, që t’u shprehin “mirënjohje” forcave çetniko-fashiste policore, paramilitare, militare dhe merecenare ruso-serbe të regjimit agresiv dhe gjenocidal të Slobodan Milosheviqit, të cilat e okupuan dhe e dogjën Kosovën (1989-1999)!? – Sikur, ruanja Zot,. të ndodhte ndonjë “mirënjohje” e tillë nga cilido qoftë shqiptar, ky do të ishte krim dhe dënim  i dyfishtë për  Kosovën shqiptare. Do të ishte vrasje e lirisë dhe e pavarësisë së Kosovës. Mirëpo, një absurd  i tillë, nuk ka ndodhur as në Kosovë, as në Shqipërinë Etnike. Përkundrazi, të gjithë shqiptarët së bashku me Shqipërinë, me Amerikën dhe me NATO-n  unanimisht e kanë dënuar dhe ndëshkuar luftën ndërhyrëse agresive dhe gjenocidale të Slobodan Miloshebvit  në Kosovë(1989-1999).

Një konstatim i këtillë i Leka Zogu II, është tërësisht i gabuar (si në kuptimin historik, ashtu edhe në atë politik dhe diplomatik) ngase ka karakter subjektiv personal të njëanshëm, që  shpërfill  dhe injoron mbrojtjen e interesit të përgjithshëm kombëtar dhe shtetëror të  shqiptarëve dhe të Shqipërisë Etnike, vetëm për hir të jusitifikimit të interesit personal dhe të luftës për pushtet të Ahmet Zogut, i cili zgjodhi rrugën më të gabuar dhe më fataliste-ndihmën ushtarake  të Serbisë dhe të Rusisë, që ta përmbyste qeverinë demokratike të Shqipërisë (dhjetor 1924).

Për këtë  rast tragjik për Shqipërinë dhe për shqiptarët  flet edhe ky pasus i  intervistës së Leka Zogu II, të bërë me Oksana Dyachenko për gazetën  ruse “Ekho planety”, të përkthyer dhe të publikuar në  gazetën “Shekulli” të Tiranës së datës 30 korrik 2012, ku ka  pohuar se  “ …Gjyshi im ( do të thotë Ahmet Zogu – mh)  kërkoi ndihmë nga oficerët rusë të Gardës së Bardhë, të cilët jetonin në Mbretërinë fqinje të Serbëve, Kroatëve dhe Sllovenëve. Në dhjetor të vitit 1924, 7000 ushtarë shqiptarë nuk ishin në gjendje të përballonin qindra oficerë rusë, të cilët, pas dy javësh të luftimeve me gjyshin tim erdhën në Tiranë. Pas kësaj Shqipëria u shpall republikë, president i të cilës ishte Ahmet Zogu. Unë u jam përjetësisht mirënjohës emigrantëve rusë, të cilët e mbështetën gjyshin tim…” (http://www.shekulli.com.al/website/index./leka-zogu-II-mirenjohje-ruseve-qe-sollen-zogun-ne-pushtet/30/korrik 2012//.

- Po, është e vërtetë e pamohueshme se Ahmet Zogu,   gjyshi i Leka Zogu II,  ka ardhur në pushtet me ndihmën e Serbisë  dhe të bjellogardistëve mercenarë rusë, të cilët me luftë agresive e përmbysën Qeverinë Demokratike të Fan S. Nolit në dhjetor të vitit 1924, kështu e thotë, edhe historia shqiptare, ballkanike, evropiane  dhe ndërkombëtare. Për më tepër , këtë të vërtetë të hidhur të agresionit serbo-rus kundër shqiptarëve dhe Shqipërisë, tanimë, këtu e  88 vite më parë, e dinë, edhe nxënësit e klasës së pestë të shkollës fillore. Kështu që, nuk   ka asnjë dyshim se  një puç i tillë për rrëzimin e Qeverisë Demokartike Shqiptare, i kryer nga ndërhyrja agresive e forcave pushtuese serbo-ruse, ishte jo vetëm interes personal i Ahmet Zogut dhe i forcave reaksionare të përmbysjes së pushtetit shtetëror, të cilin e morën me dhunë dhe me terror në saje të agresionit ruso-serb, por pikësëpari, ishte edhe interes afatgjatë i Serbisë dhe i Rusisë për të forcuar dhe zgjeruar ndikimin dhe rolin e tyre hegjemonist dhe imperialist  në  kurriz të  copëtimit dhe të gllabërimit të  territoreve të shqiptarëve dhe të Shqipërisë Etnike në Ballkan si sferë e interesit të tyre sllav.

Agresioni serbo-bjellogardist  me forcat piromane mercenare  ruse për të mposhtur qeverinë demokratike, nuk është bërë, që Shqipëria të shpëtonte nga rrymat ideologjike komuniste ruse, sepse atëherë, as në Shqipëri e as në vendet e tjera të Ballkanit, nuk kishte forca të tilla, por vetëm reaksion carist rus, siç ishte edhe Mbretëria Serbo-Kroato-Sllovene (1918), edhe pse në Rusi më 1917 kishte fituar Revolucioni Bolshevik me në krye Vladimir I.Lenin.

Pavarësisht nga interpretimet e ndryshme të historianëve të ndryshëm (dikur dhe sot), përmbysja e Qeverisë Demokratike e Shqipërisë (dhjetor 1924) nga ana Ahmet Zogut, i ndihmuar nga Serbia, nuk është bërë që të triumfojë liria, drejtësia, demokracia, zhvillimi dhe përparimi në Shqipëri si vend i qytetëruar me orientim evropiano-perëndimor, por të shndërrohej në një “oazë turistike” atraktive e përhershme  e kolonializmit serbo-sllav, e kontrolluar nga ana e sferës së interesit tradicional kolonialist dhe imperialist ruso-sllav në Ballkan.

Mik, shok e vëlla e ke  Amerikën dhe NATO-n, që të ndihmon dhe të shpëton,  jo Rusinë, as Serbinë, që të varrosë e robëron!

 

 

Ndryshe nga  opinioni dhe bindja historiko-politike, kombëtare, shtetërore dhe ndërkombëtare e gabuar e   Leka Zogut II, që për okupimin e Shqipërisë(1924) ka falënderuar” forcat bjellogarduste ruse, -Unë, u jam mirënjohës i përjetshëm Amerikës dhe aleatëve të saj evro-perëndimorë (NATO-s), që nga ploja e gjenocidit serbomadh i shpëtuan mbi dy milionë e gjysmë shqiptarë (1999), si dhe më 17 shkurt të vitit 2008, pavarësuan Kosovën nga sundimi kolonial shekullor i Serbisë (1912-1999). -Pra,  falenderimi dhe mirënjohja për jetë të jetëve Amerikës, jo bjellogardistëve rusë e serbë, që sa herë deshën (me ahmetin e pa ahmetin) e dogjën hi e shkrum Kosovën me gjithë Shqipëri.  Në këtë kontekst, nuk mund të vijë në shprehje kurrfarë mirënjohjeje, as falenderimi  rusëve, as serbëve, as kolaboracionistëve, por vetëm mallkim dhe gjykimi  i tyre, sepse ata, edhe më 1924, kur me forcë e bajoneta e sollën në pushtet Ahmet Zogun, kryen agresion klasik kundër Shqipërisë, sepse rrëzuan qeverinë demokratike, si dhe vranë, masakruan dhe terrorizuan shumë shqiptarë të pafajshëm, që ishin në mbrojtje të Shqipërisë.

 

Përmbysja me forcë ushtarake e Qeverisë demokratike shqiptare(1924), nuk ishte kurrfarë dhurate për popullin shqiptar, por AGRESION i Serbisë kundër Shqipërisë ( edhe pse ajo ishte anëtare e Lidhjes së Kombeve që nga 17 dhjetori i vitit 1920), i cili, sipas të gjitha konventave dhe rezolutave ndërkombëtare të derisotme të Lidhjes së Kombeve (28.04.1919) dhe të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (25.06.1945) dhe, sipas së drejtës ndërkombëtare, është i dënueshëm si krim ndërkombëtar.

Jo kurrfarë  “hamam” mbretërie me  ndërhyrjen  agresive të  Rusisë  dhe të Serbisë, por  Shqipëri të ribashkuar me mbështetjen e Amerikës,  të NATO-s dhe të Evropës Demokratike!

Shqiptarët nuk kanë pse të ëndërrojnë për ndonjë Mbretëri të skaduar, për ndonjë  miqësi  të hidhur me Rusinë apo me  Serbinë, por për  një  Shqipëri të Ribashkuar dhe, për Amerikën e fuqishme dhe demokratike. Kjo është ëndrra realiste e shqiptarëve, jo Rusia e as Serbia-xhandarë të Evropës dhe të Ballkanit.

-Shqiptarëve nuk iu duhet kurrëfarë Mbretërie e medituar qoftë ajo e arritshme dhe e serviruar si “dhuratë” e agresionit ruso-serb në “pjatën” toksikologjike   të miqve të dikurshëm dhe të sotshëm të Ahmet Zogut-gjyshit të Leka Zogut II, të  rusëve të  Rusisë dhe të hallkave të ndryshkura të zinxhirit të saj sllav(Serbi, Mali i Zi, Bullgari apo Greqi), por një Shqipëri e ribashkuar e lirë dhe demokratike e paqësore evropiane, e ndihmuar dhe e mbështetur gjithanshmërisht nga Amerika dhe nga aleatët e saj tradicionalë  evro-perëndimorë. -Kjo do të ishte zgjidhja e drejtë dhe  përfundimtare   e çështjes koloniale  shqiptare në Ballkan, jo kurfarë ëndrrash  nostalgjike për  aleancat sllave brenda dhe jashtë Ballkanit.

Historikisht, kombi shqiptar  dhe Shqipëria Etnike, kurrënjëherë nuk kanë pasur miq, as aleatë sllavë, por vetëm armiq të përbetuar si në kohën e Rusisë cariste, ashtu edhe në atë Rusisë bolshevike komuniste sovjetike, që  për hir të interesave të tyre strategjike, ideologjike politike, ushtarake, hegjemoniste dhe militariste, Shqipërinë dhe shqiptarët  në Ballkan, me shekuj i kanë shtypur, kolonizuar, tëkurrur dhe copëtuar territorialisht, me qëllim të fundit, që t’i izolonin dhe shkëpusnin nga Evropa Perëndimore, duke ua mohuar  identitetin e tyre, edhe si komb, edhe si shtet i lirë, i pavarur dhe sovran, me qëllim që të shtrinin ndikimin e tyre, të zgjeronin  dhe të mbronin  zonën  e sferës së  interesit  të tyre shekullor  sllav në Ballkan, kryesisht  për të ndryshuar hartën  historike dhe gjeopolitike të  ekzistencës së shqiptarëve dhe të Shqipërisë Etnike në Ballkan.

Prandaj, shqiptarët nuk kanë asnjë arsye, pse të jenë falënderues dhe “mirënjohës të përjetshëm”, as të përkohshëm të rusëve,  të serbëve, të grekëve, të bullgarëve apo të malazezëve fqnijë, sepse  vështruar në retrospektivën historike dhe politike, kjo amalgamë sllave ishte fatkeqësia më e madhe për kombin shqiptar dhe për Shqipërinë Etnike, që si rrjedhim, edhe sot, në dekadën e  dytë të shekullit XXI, shqiptarët dhe trojet e tyre etnike, kanë ngelur “peng” i sundimit të egër kolonialist, neokolonilaist, hegjemonist dhe imperialist ruso-sllav.



Related posts

Lidhja e kombeve dhe çështja shqiptare
Toleranca është nji virtyt i shoqerisë së moderuar njerëzore...
Ministri Bedri Hamza do të merr pjesë në takimet e rregull...
Hapet Panairi Ndërkombëtar "Vjeshtë 2011"

Leave a Reply





Archive