|

Koncert i pa harruar me veprat e Akademik Rauf Dhomit me rastin e 60 vjetorit të lindjes

Shkruan Prof. dr. sc.Akil Mark Koci, kompozitor

Është kënaqësi që në një koncert solemn të shohim një auditor kaq të
zgjedhur sikur me këtë rast. Kishin ardhur shumë intelektualë të
shquar, akademikë dhe anëtarë të qeverisë, deri te kryeministri.
Në të njëjtën kohë është për të ardhur keq mungesa e kolegëve të
vokacionit, sidomos e profesorëve të Fakultetit të Arteve, të cilët
studentëve të tyre duhet t’u shërbejnë si model.

Rauf Dhomi është lindur në Gjakovë. Shkollimin e mesëm e kreu në
Prizren, kurse studimet universitare dhe ato pasuniversitare i
përfundoi në Sarajevë, në klasën e profesorit dhe kompozitorit
Mirosllav Shpiler.

Punoi në fillim pranë Shkollës së Lartë Pedagogjike në Prishtinë dhe
themeloi Korin e Burrave të Gjakovës.

Tani mban postin e drejtorit të Filarmonisë e të Operës së Kosovës dhe
është profesor në Fakultetin e Arteve të Prishtinës. Është anëtar i
Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës.

Ka kompozuar shumë vepra të gjinive të ndryshme me prirje të veçantë
për muzikën vokale. Kompozitori Rauf Dhomi, me operat “Goca e
Kaçanikut” dhe “Dasma arbëreshe”, cilësohet si krijuesi i parë i
operës në Kosovë.

Është autor i baletit “E Bukura Moré” dhe i shumë veprave të tjera.

Pra, Rauf Dhomi ka zënë qysh tash vend në Antologjinë e krijimtarisë
muzikore tek ne, në periudhën kur ajo sa ka filluar të hedhë hapat e
parë seriozë në muzikën klasike.
Kështu, pra, në mënyrë krejt të natyrshme, krejt angazhimi i tij
rezultoi me një koncert plotësisht të merituar solemn, të cilin edhe
TVK vendosi ta shpërblejë duke e transmetuar drejtpërdrejt më
4.12.2005 dhe të cilin e pashë me shumë interesim.

Në koncert u interpretuan krijime nga opusi i tij, duke filluar me
operat “Goca e Kaçanikut”, ”Dasma arbëreshe” dhe disa këngë solo.
Pasuan një pjesë “Rondo” për violonçel dhe “Impresionet dardane”, të
cilat i interpretuan Antonio Gashi dhe Lule Elezi, duke lënë mbresa të
fuqishme. U vërejt prania në numur të madh e solistëve vokalë
nga Shqipëria, duke përfshirë emra të tillë, si Kastriot Tusha, Suzana
Frashëri, Ylber Gjini, Marina Lekaj e të tjerë, të gjithë të
shkëlqyeshëm.

I erdhi radha më tej një grupi vajzash të korit të Operës së Kosovës.
Të gjithë solistët i përcolli pianistja Lule Elezi me shumë ndjesi dhe
profesionalizëm. Simpatik ishte edhe Okteti 8+1.

Mirëpo shtrohet pyetja: a thua kemi edhe ne në Kosovë solistë vokalë,
të cilët do të ishte dashur të kishin marrë pjesë në këtë solemnitet,
apo na duhet ende të ftojmë mysafirë? Çfarë bën Fakulteti i Arteve? A
mos, vallë, problemi qëndron diku tjetër?

Megjithatë, them se e tërë kjo punë duhet të çmohet, por, nga ana
tjetër, nuk mund të rri pa vërejtur se krejt krijimtaria e Rauf Dhomit
vazhdon kryeneçësish-të bazohet kryekëput në traditën e muzikës
romantike. Dëshmi më e freskët për sa thashë, ishte edhe koncerti
solemn, i cili, nga fillimi deri në fund u përshkua nga një atmosferë
e tillë.
Të krijohet përshtypja se dikush nuk po dëshiron të përfillë trendet e
muzikës bashkëkohore evropiane dhe botërore. Më shkoqur: nuk ra në sy
as përpjekja më e
vogël që shprehja muzikore gjatë kësaj kohe të shndërrohet me tinguj
bashkëkohorë, që duhet të jetë synim i çdo krijuesi progresiv.
Sido që të jetë, një koncert i tillë solemn duhet të përshëndetur
sepse të tillë kemi pak. Veprimtaritë – homazh të kësaj natyre janë
shumë të dobishme, jo vetëm se paraqitet vepra e krijuesit përkatës,
por edhe kultura shpirtërore e popullit.

Këto veprimtari do të jenë të pazëvendësueshme për nga roli që luajnë,
të paktën derisa institucionet tona do të vazhdojnë të mos kenë
ndjeshmërinë e duhur ndaj organizimit të solemniteteve të ngjashme.
Andaj u befasova për të mirë kur, përveç akademikëve, me kryetarin në
ballë, erdhën edhe qeveritarë, në mesin e të cilëve bënin pjesë shumë
ministra, përfshi ish-ministrin e Kulturës, bashkë
me të tashmin, të prirë nga kryeministri.

Vlen të përmendet se kohë më parë Teatri i Operës dhe Baletit në
Tiranë pat organizuar një eveniment të ngjashëm, të quajtur “Portert
kompozitori”, kushtuar, po ashtu, kompozitorit Rauf Dhomi.
Me atë rast prezantimin e bëri homologu i Rauf Dhomit, drejtori Zhani
Ciko, i cili, pos të tjerash, tha:

”…Kompozitorin Rauf Dhomi e konsideroj si një nga figurat më të
rëndësishme të muzikës serioze shqiptare”. Ndërkaq, në solemnitetin e
Prishtinës, në mungesë të muzikologëve, për “denim” fjala iu dha kryeministrit,i cili u
ndërthurr ngathët, gati si në politikë, për të mos thënë në
qesëndisje…!? më falni, mendova: në qeverisje.



Related posts

Në Fier filloi ndërtimi i projektit "Europa plaza"...
Stanka's new film 'Immoral Primer'
Forma, eleganca, plasticiteti dhe shkëlqësia jan të veçanta ...
Një jetë e tërë kushtuar çlirimit dhe bashkimit të Kosovës m...

Leave a Reply





Archive