|

Krimet e pandëshkuara në Kosovë

Shkruan: Sheradin Berisha

Publikoi: Myzafer Muharremi

Sheradin Berisha

KRIMET E PANDËSHKUARA NË KOSOVË!

Raport

ASKUSH S’I NDJEK KRIMINELËT!

Pas përfundimit të luftës, kur popullata e shpërngulur kthehet në Kosovë, ka gjetur dokumente ushtarake e madje edhe fotografi, në të cilat shihen qartë militarët e paramilitarët serbë në aksione, duke buzëqeshur mistershëm me armë në dorë përpara shtëpive që i kishte kapluar zjarri. Edhe pse emrat e kriminelëve që kryen mijëra masakra, janë identifikuar nga njerëzit që mbijetuan krimin, deri më sot askush nga përgjegjësit e sigurisë në Kosovë, as policia apo prokuroria e EULEX’it, as policia e Kosovës apo prokuroria vendore, por as institucionet tjera ndërkombëtares dhe as ato vendore (Qeveria, presidenca, Kuvendi apo shoqëria civile), nuk kanë treguar as më të voglin interesim, për t´i ndjekur e arrestuar këtë mori kriminelësh. Ndërkohë që EULEX’i po i ndjek e arreston luftëtarët e lirisë, të cilët me armë në dorë e mbrojtën popullatën nga gjenocidi dhe etnocidi serbë! Kur kihen parasysh të gjitha këto fakte dhe mijëra të tjera si këto, natyrshëm bëhen përgjegjës, gjithë lidershipi politikë e institucional i Kosovës, për neglizhencën totale rreth ngritjes së një Padie penale, kundër shtetit serbë, për gjenocidin dhe etnocidin e kryer në Kosovë.

EDHE GRUPI I KONTAKTIT ËSHTË PËRGJEGJËS PËR MASAKRAT NË LIKOSHAN, QIREZ DHE NË PREKAZ!

Dalja publikisht e Ushtrisë Çlirimitare të Kosovës më 28 Nëntor 1997 në Llaushë të Drenicës (me rastin e varrimit të mësuesit Halit Geci) ka bërë kthesë historike në vetëdijsimin e popullit shqiptar, në kuptimin, se UÇK’ja ekziston dhe si e tillë nuk ishte krijesë e “shërbimeve sekrete serbe”, siç e kishte cilësuar kreu i LDK’së në Prishtinë. Pas daljes publike të UÇK’së, kryekrimineli Millosheviq intensifikojë operacionet policore – ushtarake kundër UÇK’së dhe popullatës shqiptare. Më 22 janar 1998 forcat kriminale serbe sulmuan familjen e Shaban Jasharit në Prekaz. Ato ditë kur Ushtria Çlirimtare e Kosovës po bëhej gjithnjë e më shumë mbizotruese e situatës në Kosovë, u vu në lëvizje diplomacia ndërkombëtare, për të parandaluar rrjedhën e ngjarjeve që çonin pashmangshëm drejt një lufte të përgjakshme.

Qasja e bashkësisë ndërkombëtare ndaj zgjidhjes së çështjes së Kosovës, ndërtohej mbi qëndrimin e njohur siç ishte “mospranimi i gjendjes status quo” dhe “kundërshtimi i aspiratave të shqiptarëve për pavarësi”. Mbi këtë bazë, gjatë vitit 1998, Grupi i Kontaktit dhe qendrat tjera ndërkombëtare të vendosjes përmes diplomacisë së ashtuquajtur lëvizëse, do të ngarendin sa në Beograd e sa në Prishtinë për të gjetur një zgjidhje politike për Kosovën, përmes negociatave. Ngjarjet më kulmore që i dhanë kahje zhvillimeve politike në Kosovë, konsiderohen vizitat e shpeshta të ambasadorit amerikan Robert Geldbard, i deleguari special i SHBA’ve për ish’Jugosllavinë, në janar – mars të vitit 1998 në Prishtinë dhe në Beograd. Ambasadori Robert Geldbard në një nga takimet e tij ( 22. 02. 1998 ) me kryetarin e LDK’së në Prishtinënë publikisht e akuzoi UÇK’në si “organizatë terroriste”.

Ibrahim Rrugova, R. Geldbard, 1998

Me këtë veprim ai ashiqare kërkonte forcimin e lidershipit politik në krye me Ibrahim Rugovën. Një ditë më vonë z.Geldbard gjatë një takimi me Millosheviqin, i dhuroi Beogradit lehtësira, duke deklaruar se disa nga sanksionet ekonomike që ia kishin vënë Serbisë do të hiqen! Ky veprim i diplomatit amerikan, skajshëmrisht akuzues për UÇK’në, në të vërtet i dha forcë shtytëse në aspektin politik kreut të LDK’së, ndërsa në aspektin ushtarak e trimëroi satrapin Sllobodan Millosheviq, për të marrë një ofensivë për zhbërjen e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, për vrasjen e shqiptarëve dhe shkatërrimin e vendbanimeve të tyre. Dhe, në të vërtet kjo nbdodhi! Më 28 shkurt 1998 forcat ushtarake-policore të Millosheviqit në “emër të spastrimit të terenit nga bandat terroriste të UÇK’së“sulmuan fshatrat Qirez dhe Likoshan, me ç´rast vranë e masakruan 24 shqiptarë, gra, fëmijë e pleq të pafajshëm në shtëpitë e tyre.

Ndërkaq, një javë më vonë, më 5, 6 e 7 mars 1998, forcat barbare serbe sulmuan fshatin Prekaz, duke përdorur gjithë arsenalin ushtarak modern, kundër familjes së Shaban Jasharit. Pas një lufte tre ditore (të pabarabartë), çetnikët e Beogradit vranë mizorisht 56 anëtarë të familjes Jashari, në mesin e të cilëve ra për të mos vdekur kurrë edhe komandanti legjendar i UÇK’së Adem Jashari. Kryekrimineli Millosheviq dhe disa qarqe ndërkombëtare gjykuan se me vrasjen e Adem Jasharit kanë shuar edhe UÇK’në, por ngjarjet që pasuan më vonë dëshmuan të kundërtën.

Pas këtyre ngjarjeve, ndërhyri diplomacia ndërkombëtare, e cila kërkojë ndërprerjen e dhunës së armatosur për t´i lënë rrugë zgjidhjes së problemeve përmes dialogut në mes palëve. Më 9 mars 1998 në Londër mbahet mbledhja e Grupit të Kontaktit, ku do të diskutohet për gjendjen e rëndë në Kosovë. Në deklaratën e Grupit të Kontaktit, kritikohet „përdorimi i tepruar i forcës“ dhe „tejkalimi i autorizimeve“ të njësive speciale të policisë serbe, „që ka sjellë për pasojë së paku 80 humbje jete“, ndërsa denohen në tërësi siç theksohet në deklaratë „aksionet terroriste të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, apo të çfarëdo grupi apo personi.“

Pra, Grupi i Kontaktit, operacionet shfarosëse të njësive speciale serbe kundër shqiptarëve i cilëson si përdorim i tepruar i forcës, ndërsa veprimet e UÇK’së që ishin në mbrojte të popullatës shqiptare nga forcat serbe, i cilësonte si “arsione terroriste”! Prandaj, me këtë rast për vrasjen dhe masakrimin e familjeve shqiptare në Likoshan, Qirez dhe në Prekaz i bëjë përgjegjës edhe shtetet e Grupit të Kontaktit![1]

NUMRI I TË MASAKRUARVE!

Tashmë dihet mirëfilli, se, gjatë luftës në Kosovë (1998-1999), forcat militare dhe paramilitare serbe kanë vrarë e masakruar në forma më mizore, rreth 15 mijë shqiptarë dhe 90% prej tyre qenë civilë të pa armatosur. Në këtë periudhë kohore janë përdhunuar mijëra femra shqiptare. Gjithashtu, mësohet për rrëmbimin e  mbi 3 mijë shqiptarëve, ku pas luftës afër 1000 mijë prej tyre u gjetën nëpër varrezat masive në Serbi (Peruqac, Petrovo Sello dhe Batajnica 1, 2 dhe 3), ndërsa akoma nuk dihet për fatin e 1.800 shqiptarëve të tjerë që konsiderohen si të zhdukur (të pagjetur).

Sipas një përllogaritjeje të publikuar në raportin e KMDLNJ’së (1999), numri i objekteve të shkatërruara, të djegura ose të dëmtuara – i shtëpive dhe i banesave, i lokaleve afariste dhe i fabrikave, i shkollave dhe i objekteve të tjera arsimore, kulturore e shkencore, i objekteve fetare, i monumenteve kulturore e historike që nga lashtësia e deri në ditët e sotme është tejet i madh. Vlerësohet se gjatë luftës në Kosovë (mars 1998 – qershor 1999) janë shkatërruar dhe djegur pjesërisht ose tërësisht rreth 1100 vendbanime shqiptare; janë plaçkitur, djegur e shkatërruar (pjesërisht a tërësisht) mbi 200.000 shtëpi, banesa, lokale afariste, punëtori zejtare,  fabrika, shkolla, biblioteka, monumente kulturore – historike, objekte kulturore, shkencore, fetare etj.

Pas përfundimit të luftës, kur popullata e shpërngulur kthehet në Kosovë, ka gjetur dokumente ushtarake e madje edhe fotografi, në të cilat shihen qartë militarët e paramilitarët serbë në aksione, duke buzëqeshur mistershëm me armë në dorë përpara shtëpive që i kishte kapluar zjarri. Edhe pse emrat e kriminelëve që kryen mijëra masakra, janë identifikuar nga njerëzit që mbijetuan krimin, deri më sot askush nga përgjegjësit e sigurisë në Kosovë, as policia apo prokuroria e EULEX’it, as policia e Kosovës apo prokuroria vendore, por as institucionet tjera ndërkombëtares dhe as ato vendore (Qeveria, presidenca, Kuvendi apo shoqëria civile), nuk kanë treguar as më të voglin interesim, për t´i ndjekur e arrestuar këtë mori kriminelësh. Ndërkohë që EULEX’i po i ndjek e arreston luftëtarët e lirisë, të cilët me armë në dorë e mbrojtën popullatën nga gjenocidi dhe etnocidi serbë!

Sipas Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut me seli në Prishtinë, që nga data 28 shkurt 1998 deri më 22 maj 1999, forcat ushtarake, policore dhe paraushtarake të Serbisë kanë bërë 274 vrasje në masë, në të cilat janë vrarë 3721 civilë të paarmatosur dhe këto vrasje dhe masakra kanë pasur shtrirje në tërë territorin e Kosovës. Në këtë periudhë kohore, sipas KMDLNJ’së, janë identifikuar dhe hapur 142 varreza masive në Kosovë, nga të cilat janë zhvarrosur 2031 persona të ekzekutuar. Janë identifikuar edhe disa varreza masive në Serbi, si në Peruqac, Petrovo Sello dhe Batajnica 1, 2 dhe 3 etj., në të cilat janë gjetur mbetjet mortore të afër 1000 shqiptarëve të vrarë e të masakruar gjatë luftës 1998 – 1999 në Kosovë. Në raportet e KMDLNJ’së rezulton se vrasjet dhe masakrat në masë të shqiptarëve, më së shumti janë bërë në komunën e Gjakovës, gjithsejt 40 raste me 693 persona, pastaj në komunën e Pejës janë regjistruar 39 raste të vrasjeve në masë me 451 të vrarë dhe të masakruar. Komuna e Klinës ka 144 të vrarë në 23 raste të vrasjeve në masë. Në komunën e Rahovecit janë evidentuar 22 raste të vrasjeve në masë me 391 të vrarë etj.[2]

 

SUPERSTRUKTURA KRIMINALE  SERBE

 Në vrasjen dhe masakrimin e popullsisë shqiptare është përfshirë një superstrukturë e forcave ushtarake e policore serbe. Këto forca përbënin një kombinim kompleks të strukturave policore speciale të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, njësive ushtarake speciale të Ushtrisë serbe dhe njësive të shumta paramilitare, siç ishin: “Shkorpionët”, “Tigrat e Arkanit”, “Beli Orlovi” (Shqiponjat e Bardha) të Voisllav Sheshelit, Formacioni “Frenki”, një njësit komando i emëruar sipas udhëheqësit të tij Franko Simatoviq – “Frenki”, “Operativna Grupa” ose “OPG” (grupi operativ), një njësit elitë i policisë serbe, pjesëtarët e të cilit e kanë quajtur veten “Magla” (mjegulla), “vullnetarë të ardhur nga Republika serbe e Bosnjes dhe shumë vullnetarë dhe mercenarë të ardhur nga ish-vendet sovjetike. Për më tepër në njësitë paramilitare serbe janë rekrutuar vullnetarisht edhe serbë e malazezë lokal – vendës, ku kishte edhe njësi të veçanta kriminale siç ishte grupi paramilitarë i ashtuquajtur “Munja” (vetëtima) që mori pjesë në masakrën e fshatit Qyshk të Pejës etj.

 

MASAKRA E LIKOSHANIT, QIREZIT DHE PREKAZIT

Forcat e armatosura serbe, nga janari 1998, kur eskaloi kriza e Kosovës dhe mori përmasa të luftës të armatosur, kanë bërë ekzekutime arbitrare e masakrime në masë duke mos kursyer, madje, as gratë e fëmijët, as pleqët e të sëmurët. Vrasjet masive të shqiptarëve filluan në fillim të këtij viti në Likoshan dhe në Qirez të Drenicës. Më 28 shkurt në këtë rajon të Drenicës u organizua një sulm i kombinuar i forcave serbe që zgjati 24 orë, me ç’rast u angazhuan një numër i madh i policëve, i paramilitarëve dhe i ushtarëve serbë të maskuar. Në atë sulm është përdorur edhe armatim i rëndë dhe helikopterë. Gjatë këtyre operacioneve në fshatrat e Drenicës, Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë vendosi lidhjen mes Beogradit dhe bazave të veta në Kosovë dhe me helikopter u sillte ndihmë forcave serbe që qëllonin pa ndërprerë në fshatrat me popullsi shqiptare.

Civilët shqiptarë janë vrarë e masakruar në shtëpitë e tyre, mosha e të cilëve sillet prej 16 deri në 70 vjeç. Policët janë futur në familjen 36 anëtarëshe të familjes Ahmetaj, ku i kanë detyruar të gjithë, burra, gra e fëmijë, të shtrihen përtokë, i kanë ndarë meshkujt, i kanë nxjerrë jashtë dyerve të oborrit, i kanë rrahur dhe i kanë masakruar një nga një në mënyrën më barbare, aq sa vështirë është bërë identifikimi i tyre.

Nga kjo ekspeditë shfarosëse në Likoshan janë masakruar e vrarë 10 anëtarë të familjes Ahmeti, si: Ahmet Ahmeti (50), Gani Ahmeti (46), Elmi Ahmeti (44), Hamëz Ahmeti (44), Driton Ahmeti (23), Naim Ahmeti (22), Lumni Ahmeti (20), Shemsi Ahmeti (19), Basri Ahmeti (19), Elhami Ahmeti (16). Ndërkaq në Qirez janë vrarë e masakruar: Beqir Sjediu (31), Nazmi Sejdiu (1975), Bedri Sejdiu (1975), Bekim Sejdiu (1974), Xhemshir S.Nebihu, Rukije Nebihu, Rexhep Rexhepi, Beqir Rexhepi, Muhamet Xhela (70), Naser (Muhamet) Xhela (37) dhe Rexhep Ajeti (60).

Pas masakrës së Likoshanit dhe Qirezit, më 5 mars 1998, rreth orës 5.00 të mëngjesit, forcat policore serbe ndërmorën një sulm të kombinuar mbi fshatrat: Prekaz i Poshtëm, Llaushë, Polac, Marinë, Vojnik dhe Rakinicë të komunës së Skënderajt dhe ky sulm zgjati deri me 7 mars.

Më 5, 6 dhe 7 mars 1998 vetëm në Prekaz janë vrarë 56 shqiptarë, prej tyre 21 anëtarë ishin të familjes së ngushtë të Shaban Jasharit. Në këtë operacion shfarosës nga forcat serbe u vranë: Shaban Murat Jashari (74), Zahide Shaban Jashari (72), Zarife Rifat Jashari (49), Hamëz Shaban Jashari (47), Ferida Hamëz Jashari (43), Adem Shaban Jashari (43), Adile Adem Jashari (40), Selvete Hamëz Jashari (20), Hidajete Rifat Jashari (18), Fitim Adem Jashari (17), Afete Hamëz Jashari (17), Besim Hamëz Jashari (16), Valdete Rifat Jashari (14), Lirije Hamëz Jashari (14), Igballe Rifat Jashari (14), Kushtrim Adem Jashari (13), Blerim Hamëz Jashari (12), Igball Rifat Jashari (11), Fatime Hamëz Jashari (8), Blerim Hamëz Jashari (7).

Ndër të vrarit ishin 15 fëmijë, të moshës 7 deri 16 vjeç, dhe 17 femra. Ndër të masakruarit kishte pleq e plaka deri në moshën 74 vjeçare. Të gjitha viktimat e identifikuara dhe të paidentifikuara policia i varrosi më 10 mars, pa respektuar kurrfarë normash të traditës ose të rregullave të varrimit, si dhe pa e bërë obduksionin.

ZGJEDHJET QË DËMTUAN UNITETIN E FAKTORIT SHQIPTARË! 

Në kohën kur akoma kufomat e masakruara të familjes legjendare Jashari në Prekaz ishin pa u varrosur, në kohën kur mblidheshin para për të blerë arkivole për burrat, gratë, pleqtë dhe fëmijët e masakruar, më 5, 6 e 7 mars, nga forcat kriminale të Millosheviqit, në kohën kur fshatrat e Drenicës dhe të Dukagjinit mbaheshin të rrethuar nga njësitë kriminale serbe, LDK’ja, bënte fushatë parazgjedhore për zgjedhjet e 22 marsit, të cilat i kishte shpallur z.Rugova disa javë më parë, përkundër kërkesës së SHP të UÇK’së, Partisë Parlamentare të Kosovës etj., që për shkak të gjendjes së jashtëzakonshme këto zgjedhje të anulohen dhe të shtyhen për më vonë.

Ibrahim Rugova, në vend se ta shqyrtojë këtë kërkesë të arsyeshme dhe t´i çaset punës për unifikimin e faktorit politikë e ushtarak shqiptarë, ai, të enjten më 19 mars 1998, i bëri apel popullit të dalin masovikisht në zgjedhjet parlamentare e presidenciale më 22 mars, duke u arsyetuar se këto zgjedhje meqë kanë ”përkrahje ndërkombëtare …” kanë “rëndësi të veçantë historike, kombëtare e shtetërore”, sepse kështu “forcohet legjitimiteti i udhëheqjes dhe institucioneve të Kosovës”, si dhe “rendi demokratik në Kosovë…”!

Zgjedhjet e 22 marsit nuk e luajtën rolin historik, kombëtar e shtetëror, as nuk e forcuan legjitimitetin e lidershipit politik e institucional, e aq më pak krijoj rend demokratik në Kosovën e pushtuar e të përgjakur nga forcat ushtarako-policore të Serbisë. Dhe, përfundimisht mënyra se si i është çasur Grupi i Kontraktit zgjidhjes së çështjes së Kosovës, ka dëshmuar se, këto zgjedhje, nuk e kishin “përkrahjen ndërkombëtare”, sepse shtetet e GK’së (gjatë verës) përmes të ashtuquajturës “diplomaci fluturuese” dhe takimeve të drejtpërdrejta Prishtinë – Beograd, pikërisht përmes Ibrahim Rugovës do t´i zhvlerësojnë ato insitucione të dala nga zgjedhjet e 22 marsit, me formimin e ekipeve negociatore si, “G15”, “G4” etj.

Më 22 mars 1998 u mbajtën zgjedhjet “presidenciale dhe parlamentare” të Republikës së Kosovës, ndërsa të nesërmen më 23 mars në Prishtinë nga grupi 3+3 (i përcaktuar qysh në marrëveshjen Millosheviq – Rugova të nënshkruar më 01. 09. 1996), në mes palës serbe dhe asaj të Kosovës, nënshkruhet aneksi për normalizimin e arsimit shqip në Kosovë. Më 24 mars 1998 (atë ditë kur kishte shpërthyer lufta në fshatin Gllogjan të Dukagjinit, në mes të forcave pushtuese serbe dhe UÇK’së) Ibrahim Rugova pasi shpalli fitoren e LDK’së nga zgjedhjet e mbajtura, në vend se t’i konstituoj institucionet, ai e bën publike listën prej 15 negociatorëve të Kosovës “G’15”, për të përgatitur një platformë për bisedime me Serbinë. Më 6 prill nga “G’15” krijohet “G’4” dhe ky “G’4” i kryesuar nga Ibrahim Rugova më 15 maj 1998 takohet me kryekriminelin Sllobodan Millosheviq në Beograd!! Këto veprime të papërgjegjshme të kreut të LDK’së do ta dëmtojnë seriozisht unitetin e faktorit shqiptarë, përballë regjimit pushtues të Millosheviqit.

MASAKRA E LYBENIQIT

Më 24 mars 1998 shpërtheu një luftë frontale në Gllogjan të Deçanit ku UÇK’ja mposhti forcat policore-ushtarake serbe. Më 24 prill 1998 fillon ofensiva e madhe ushtarako-policore për marrjen e pikës strategjike në rrafsh të Dukagjinit, Jabllanicës. Në këtë kohë luftimet u zgjeruan në Drenicë ndërsa në Llap pati përforcime policoro – ushtarake.

Në natën mes 22 e 23 prillit 1998, derisa rreth gjashtëdhjetë vetë nga Hereçi e Sllupi po ktheheshin nga Shqipëria në Kosovë, afër pikës C-2 në malet e Koshares, diku rreth orës 5.45 të mëngjesit ndeshen në pritën e organizuar të forcave ushtarako-policore serbe, ndaj të cilëve u përdorën edhe helmet kimike.

Aty u ekzekutuan njëzet prej tyre: Bekim Salih Aliaj (1973), Hajdar Ramadan Thaçi (1962), Hasan Bajram Tahiraj (1954), Sadik Lush Alijaj (1961), Skënder Qazim Hajdaraj (1969), Shefqet Selim Aliaj (1969), Ukë Misin Shabanaj (1970), Vehbi Asllan Hasanaj (1967) dhe Gazmend Hasan Ramaj (1972), të gjithë nga fshati Hereç, si dhe profesor Selman Brahim Lokaj (1950), Astrit Xhafer Hadërgjonaj (1977), Bekë Sefer Hadërgjonaj (1976), Bekim Shefqet Mazrekaj (1976), Beçë Binak Lokaj (1968), Hajdar Ramadan Lokaj (1975), Imer Isuf Lokaj (1970), Tahir Abaz Mazrekaj (1962) dhe Xhemajl Sejdë Mazrekaj (1969), të gjithë nga fshati Sllup. Aty vriten edhe Veli Adem Noci (1969) dhe Blerim Ramë Januzaj (1968) nga Dujaka.

Gjatë këtyre luftimeve u zunë rob nga forcat serbe Gazmend Tahiraj dhe Ibër Sherif Metaj (1962), të dy nga fshati Hereç, ndaj të cilëve u ngrit procedura penale në Gjyqin ushtarak të Nishit. Me këtë rast u mor gjyqtari hetues i Gjyqit ushtarak në Nish, nënkoloneli Radenko Milladinoviq.[3]

Më 26 prill, nga sulmet artilerike mbi Baballoq me rrethinë shkatërrohen 20 shtëpi dhe vriten 10 shqiptarë (10 nga Gjakova e 6 nga Deçani). Më 27 prill granatohen fshatrat Hulaj dhe Voksh dhe në këtë sulm vriten 3 shqiptarë dhe 4 ushtarë serbë. Më 3 maj sërish merr hov operazioni ushtarak për pastrimin e rajonit kufitar. Sulmohen fshatrat e Rekës së Keqe – Ponosheci, Brovina, Batusha e Morina.

Luftimet për një kohë zgjerohen në Komoran, Sllatinë dhe në komunën e Rahovecit. Granatohen fshatrat Ratkoc, Radostë, Bratotin dhe Brestoc. Më 13 maj në Ponoshec e Smolicë vriten 10 shqiptarë. Derisa ato ditë po zhvillohen luftimet të përgjakshme, më 15 maj 1998 Ibrahim Rugova takohet me Sllobodan Millosheviqin në Beograd. Gjatë sulmeve në rajonin e Klinës dhe të Drenicës, vriten 2 shqiptarë në Çitak dhe 4 në Stapanicë, ndërsa shkatërrohen fshatrat Zajm e Grabanicë. Më 18 maj Serbia bllokon depërtimin e mallrave dhe të ushqimit për në Kosovë.[4]

Gjatë operacioneve pushtuese, forcat serbe më 26 maj 1998 sulmuan edhe Deçanin, ku ishte vija e parë e fronit në këtë pjesë të Dukagjinit. Me këtë rast  një pjesë e popullsaisë u zu rob dhe u dërgua në Kishën e Deçanit, e cila gjatë luftës ishte shndërruar në kamp përqëndrimi për shqiptarët. Në këtë kohë në Deçanë u vranë e u masakruan 16 shqiptarë: Bajram Gogaj, Nexhat Ibërhysaj, Haxhi Gogaj, Jahir Ibërhysaj, Haxhi Ibërhysaj, Xaje Kuçi, Haxhi Boshtraj, Hajdar Kuçi, Bekë Shabanaj, Tafë Shabanaj, Shaban Osaj, Haxhi Cacaj, Zize Cacaj, Beqir Cacaj, Qaush Bajraktari dhe Time Bajraktari. Ndërkaq në luftimet e përgjakshme të zhvilluara në Deçanë bien heroikisht luftëtarët e lirisë: Himë Mushkolaj, Isa Kuçi, Ragip Cacaj dhe Valdet Kuçi. ( Rilindja, C.Mazrekaj, 06 qershor 2000)

Më 25 maj 1998, që nga ora 9.30 deri në orët e mbrëmjes fshati Lybeniq u rrethua nga forca të mëdha policore. Pas gjuajtjeve të shumta nga armët e rënda, ekspedita e policisë serbe hyn në fshat, dhe me këtë rast në oborret e shtëpive të tyre vrasin e masakrojnë: Zeqë Hamzajn, Brahim Hamzajn, Dervish Hamzajn, Ymer Hamzajn, Gani Hamzajn, Rifat Hamzajn, Bashkim Hamzajn, Hysen Alimehajn dhe mysafirin e familjes Huskaj, Haxhi Gogajn nga Deçani, dhe i plagosin Nezir Sali Jahmuratajn, Lulzim Ymer Hamzajn dhe Ardeshik Mehmet Gogajn nga Deçani.

Ndërkaq, më 29 maj 1998, policia serbe vrau Mehmet Ukë Ukshinajn dhe ia dogji kufomën. Po më 25 maj 1998 në Shushticë të Poshtme të Burimit(ish’Istogut) u masakruan 9 anëtarë të familjes Salihaj. Gjatë muajve mars – maj 1998 në Kosovë u organizuan Protesta paqësore të shqiptarëve kundër masakrave serbe ndaj popullatës civile shqiptare të Drenicës dhe të viseve të tjera të Kosovës. Qindra pjesëmarrës, kryesisht nxënës e studentë, u keqtrajtuan nga policia dhe civilët serbë. Ata pësuan lëndime të rënda trupore dhe thyerje të gjymtyrëve të trupit, siç u ndodhi edhe profesorëve të Fakultetit Filozofik të Prishtinës, më 10 qershor 1998.

Më 31 maj, rreth orës 13.30, pas një incidenti që kishte ndodhur në afërsi të fshatit Poklek të Ri, policia dhe paramilitarët serbë ndërmorrën një sulm mbi banorët e këtyre fshatrave dhe masakruan 11 persona, 3 prej tyre nuk janë identifikuar. Përveç Ardian Haxhi Deliut (18), që është varrosur, trupat e tjerë janë bartur me një kamion policie dhe që nga ajo ditë nuk dihet asgjë për vendndodhjen e tyre. Dyshohet se personat e vrarë e të masakruar janë varrosur në ndonjë varr masiv ose janë asgjësuar, me qëllim të fshehjes së gjurmëve.[5]

 

MASAKRA E RAHOVECIT, VËRRINIT

Gjatë verës së vitit 1998 kur Forcat serbe ndëmorrën një ofenzivë me përmasa të gjera u vranë e u masakruan edhe qindra shqiptarë: gra, burra, pleq e fëmijë të paarmatosur.

Më 4 qershor 1998 në Poberxhë të Deçanit janë vrarë 13 shqiptarë. Më 13 korrik 1998, në Tërpezë të Ulët, Drenoc dhe Senik të Malishevës janë vrarë 11 shqiptarë. Më 18 korrik, në brezin kufitar Shqipëri-Kosovë, forcat policore e ushtarake serbe masakruan dhjetëra shqiptarë, ndër ta gra, fëmijë dhe pleq, derisa po përpiqeshin të kalonin kufirin për në Shgqipëri. Ngjarja ka ndodhur përtej Rrasës së Zogut, afër tëbanave të Junikut, ku supozohet të kenë qenë afër 60 shqiptarë, ndërkaq mediat serbe, të mbështetura në burimet e armatës serbe, kanë pohuar të jenë vrarë mbi 100 shqiptarë. Numri i të plagosurve në këtë masakër ka qenë po ashtu i madh.[6]

Më 19 korrik, si pasojë e një sulmi të paramenduar të forcave serbe, në Rahovec pati shumë të vrarë e të plagosur. Në Teqen e Sheh Myhedinit në Rahovec janë masakruar shumë gra, fëmijë dhe pleq që kishin kërkuar strehim në këtë institucion fetar. Te vendi i quajtur “Tuba” u gjetën të masakruar dy profesorë si dhe gjashtë trupa të karbonuzuar, identiteti i të cilëve nuk u mësua. KMDLNJ ka regjistruar 150 persona të vrarë. Dëshmitarët që kanë arritur t’i shpëtojnë këtij krimi tregojnë se ushtria, policia dhe paramilitarët serb kanë ekzekutuar civilë shqiptarë arbitrarisht. Gjatë kësaj ofensive u morën peng u zhdukën e u kidnapuan shumë shqiptarë, për fatin e të cilëve nuk dihet asgjë. Organet e pushtetit serb në Prizren, më 22 korrik, në varrezat e këtij qyteti hapën dy gropa të mëdha dhe varrosën shumë shqiptarë të vrarë gjatë ofenzivës në Rahovec. Më 16 gusht, derisa po iknin 13 anëtarët e familjes Asllani me traktor nga Ranca e Shtimes, u godit nga një tank serb, me ç’rast u vranë 11 anëtarë të kësaj familjeje, prej tyre 7 fëmijë të moshës 6 muaj deri 13 vjet dhe 3 gra, ndërsa 3 meshkuj të tjerë janë plagosur.[7]

Nga 1 – 5 shtator 1998 forcat militare e paramilitare serbe zhvilluan një ofenzivë në  Trevën e Vërrinit të Prizrenit. Në Malësi të Vërrinit (ish’Lybeçevë) vranë, Arlind Kryeziun 5 vjeçar. Ndërsa gjatë ditës së dytë të shtatorit, u vranë: Bajram Thaçi, Mursel Halilaj, Skender Memedaj, Agush Kryeziu, Qazim Poniku, ndërsa Nesim Krasniqi ra në rezistencë me forcat e okupatorit. Ishin zënë rreth pesëmbëdhjetë pleq tjerë robë, të cilët për katër ditë kishin kaluar ditët e ferrit. Katrahura e djegies kishte filluar.

Pas rënies së ushtarëve në Lez, katundin me rreth dyzet shtëpi e mbuloi tymi e flaka. Nuk shpëtoi asgjë nga zjarri pos tyrbes dhe një shtëpie njëdhomëshe që përdorej si xhami, por jo edhe plumbave dhe copave të granatave që vrimonin kudo nëpër muret e tyre. Lezi qe rrafshuar me tokë, kështu pohoi edhe një banor i tij gjat atyre ditëve për një agjenci informative. Edhe Malësia ishte djegur e tëra, katund ky që numëronte mbi 250 shtëpi qe bërë shkrumb e hi gjatë atyre tri-katër ditëve të fillim shtatorit. Ditën e katërt, nga forcat okupatore, në këtë katund u vra i riu Arsim Maliqaj.

Ploja e luftës kishte vazhduar edhe në katundin Gjeq (ish-Jeshkovë). Në luftime u vranë: Agim Shala dhe babai i tij Avdiu, Besim Shala, Fatmir Berisha e nuk u kursyen as popullata civile; plaka Kadishe Berisha, plaku Merxhan Shala, e reja Myrvete Shala dhe Fatime Shala. Katundi gjithashtu qe kallur i tëri nga forcat barbare serbe. Edhe në Hoqë të Qytetit, granatat e armikut vranë plakën Hatë Shala dhe Xhemil Krasniqi, Kësaj ploje nuk i shpëtoi as katundi Arbëri dhe Kushtendil. Ndërsa në këtë të fundit u vranë edhe tre ushtarë të UÇK-së: Tamil Shala, Milaim Thaçi dhe Refki Shala. Kështu, për këto katër-pesë ditë, Vërrinin e mbuluan flakët e luftës të cilat rrodhën gjakut dhe shkrumbit mbi shtatin e tij.[8]

 

MASAKRA E ABRISË SË EPËRME

Nga janari i vitit 1998, forcat policore serbe ushtruan të gjitha format e dhunës kundër veprimtarëve shqiptarë. Rexhep Bislimi, veprimtar i NKMDLNJ në Ferizaj, dhe Cen Dugolli, vdiqën nga pasojat e përdorimit të shfrenuar të torturës nga policia gjatë hetimeve. Dr. Hafir Shala, aktivist i SHBH “Nëna Tereze”, u arrestua nga forcat serbe më 10 prill dhe që nga ajo ditë nuk dihet asgjë për fatin e tij. Xhavit Haziri, veprimtar në zyrën e KMDLNJ’së në Prishtinë, është kidnapuar në Prishtinë, më 17 shtator, dhe që nga ajo ditë nuk dihet asgjë për të. Derisa po shpërndanin ndihma në disa fshatra të Malishevës, nga granatimet, u vranë dy veprimtarë të SHBH “Nëna Terezë”: Hajriz dhe Adem Morina. Më 25.09.1998 Dr. Lec B. Uka u masakrua nga forcat serbe.

Më 1 tetor, afër fshatit Likoc, vetura KNKK hasi në një minë me ç’rast humbi jetën dr. Shpëtim Robaj, veprimtar humanitar, ndërkaq u plagosën 3 veprimtarë të tjerë. ( Nga raporti i KMDLNJ për vitin 1998) Më 16 shtator, pasi ishin kthyer në shtëpitë e tyre në Dragobil dhe derisa po lëshonin bagëtinë, u rrëmbyen nga forcat serbe Osman M. Paçarizi (60) dhe Fehmi M. Paçarizi (45), u dërguan në Malishevë dhe u ekzekutuan. Më 25 shtator, në fshatin Galicë të komunës së Vushtrrisë, forcat serbe hynë në fshat dhe ekzekutuan 14 meshkuj, kryesisht të rinj, dhe një grua. Më 26 shtator, në afërsi të tunelit të Magurës, në komunën e Klinës, forcat serbe ndanë nga masa e të përndjekurve disa shqiptarë dhe, aty për aty, i ekzekutuan Smajl Millakun (72) dhe djalin e tij, Seferin (49), nga Ujmiri. Po atë ditë në Golluboc forcat serbe ekzekutuan 8 të rinj shqiptarë.[9]

Më 26 shtator 1998, në lagjen e Deliajve, në Abri të Epërme, të Gllogocit, një kilometër larg shtëpisë së tyre, forcat speciale policore serbe masakruan 23 anëtarë të familjes Deliaj, në mesin e tyre gra, fëmijë e pleq (prej moshës 1.5 vjeç deri në 94 vjeç): Adem Sali Deliaj (1965), Havë Imer Deliaj (1936), Jeton Imer Deliaj (1988), Hamide Sali Deliaj (60), Valmir Adem Deliaj (1996), Luljeta Imer Deliaj (1971 – shtatzënë), Menduhije Imer Deliaj (1994), Habib Deliaj (1948), Hysen Deliaj (1946), Lumnije Imer Deliaj (1969), Mihane Hysen Deliaj (1982), Antigonë Hysen Deliaj (1984), Mihane Arif Deliaj (1973), Donjetë Hajriz Deliaj (1991), Gentiana Hajriz Deliaj (1990), Zahide Hajriz Deliaj (1971), Bekim Deliaj (1971), Fazli Deliaj (1904), Hajriz Fazli Deliaj (1964), Ali Deli Deliaj (1930), Pajazit Rrustem Deliaj (1929), Zeqir Jonuz Deliaj (1951), Sherif Deliu (1931) që të gjithë nga Abria e Epërme.

Sikurse mijëra shqiptarë të tjerë, që nga 25 shtatori, familja Deliaj ishte strehuar në mal, për t’u shpëtuar sulmeve shfarosëse serbe. Një ditë më vonë (më 26 shtator, rreth orës 10 paradite), aty kishte depërtuar këmbësoria serbe. Të shtëna armësh e britma njerëzish ishin dëgjuar pastaj. Të gjithë ishin qëlluar në kokë nga afërsia dhe ishin masakruar derisa po përpiqeshin të iknin nga sulmi. Trupat e të ekzekutuarve tregonin dëshmi të qarta të një kasaphane. Luljetë Deliaj, që kishte dy muaj shtatzënë, barkun e kishte të prerë plotësisht. Pajazit Deliaj është gjetur me fyt të prerë dhe një pjesë të trurit të nxjerrë jashtë dhe të vendosur pranë tij. Foshnja gjashtëjavëshe, Diturie Imer Deliaj, u gjet e gjallë, e tëra e mbuluar në gjak në krahërorin e së ëmës së masakruar. Kjo foshnje, që i mbijetoi masakrës, vdiq më 19 nëntor ’98, si pasojë e kushteve të rënda. Ndërsa, më 4 tetor, pak më larg vendit të masakrës, u gjetën dy viktima të masakruara të kësaj familjeje: Antigona Hysen Deliaj (14) dhe Mihane Hysen Deliaj (16), të cilat para se të masakroheshin ishin dhunuar.[10]

MASAKRA E REÇAKUT, RAKOVINËS, ROGOVËS

Eskalimi i dhunës serbe me përmasa më të gjera në Kosovë filloi menjëherë pas marrëveshjes së të deleguarit special të Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës Riçard Holbruk e presidentit të Jugoslavisë së mbetur – Serbi e Mali i Zi Slobodan Miloshjeviq, në tetor të vitit 1998 dhe ardhjes në Kosovë të Komisionit Verikues të Organizatës për Siguri e Bashkëpunim në Evropë. Që në fillim të vitit 1999 forcat ushtarako-policore serbe hapën një front të gjerë 25 km në rajonin e Llapit – prej Lupçit të Poshtëm e deri në Peran të Podujevës. Këto fshatra sulmoheshin për çdo ditë me tanke, artileri të rëndë, raketa tokë-tokë e armë të tjera. Si pasojë e këtyre sulmeve të forcave serbe 45 mijë qytetarë shqiptarë janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre.[11]

Gjatë muajve janar – mars 1999 nga Serbia në Kosovë kanë hyrë forca të shumta të ushtrisë, të policisë e të paramilitarëve serbë dhe armatim i rëndë i luftës. Në shumë rajone të Kosovës është bërë mobilizimi i përgjithshëm dhe armatosja në masë e civilëve serbë, të cilët kanë marrë pjesë aktive në veprimet ushtarako-policore kundër shqiptarëve dhe vendbanimeve të tyre. Njësitet e ushtrisë jugosllave kanë minuar rrugë dhe ura kaluese, siç ishte ajo Prishtinë – Shkup, afër Kaçanikut, në drejtim të Hanit të Elezit, kurse në tërë Kosovën kanë provokuar incidente për të ndërmarrë aksione terroriste kundër popullsisë civile shqiptare për ta detyruar atë t’i braktisë shtëpitë e veta, të cilat paramilitarët serbë, por edhe forcat policore e ushtarake serbe e serbët dhe romët civilë pastaj i kanë plaçkitur, rrënuar e djegur. Kështu, më 19 janar, pas incidentit që kishte ndodhur afër “Urës së Gjakut” në Mitrovicë, forcat serbe kanë filluar një  sulm përmasash të gjera ndaj lagjeve të Mitrovicës “Ura e Gjakut” dhe “Bair”, paralagjes Shipol dhe fshatrave Vaganicë e Poshtme dhe Vaganicë e Epërme. Gjatë këtij aksioni janë vrarë dy shqiptarë, ndërsa janë arrestuar e keqtrajtuar në forma të ndryshme e zhdukur qindra të tjerë.[12]

Në muajin Janar 1999 janë kryer tri raste të ekzekutimit në masë të shqiptarëve nga ekskadronet e vdekjes të varrëmihësit Sllobodan Millosheviq, në Reçak, Rakovinë dhe në Rogovë të Hasit. Më 15 janar 1999 në Reçak të Shtimjes u vranë e u masakruan mizorisht 45 shqiptarë. Masakra e Rakovinës ndodhi më 24 janar, rreth orës 21.00, në afërsi të urës së Rakovinës në rrugën magjistrale Prishtinë – Gjakovë. Policia serbe, pa asnjë pretekst, shtiu me armë automatike nga autoblinda dhe vrau Shaban T. Kelmendin (45) dhe fëmijët e tij Haxhiun (11) e Besimin (12) nga Rakovina dhe Hysen e Sanije Kurtin (30) nga Cërmjani, që ishin mysafirë të Shabanit dhe po ktheheshin me traktor në Cërmjan.

Masakra tjetër ndodhi më 29 janar në fshatin Rogovë të Gjakovës, ku forcat ushtarako-policore serbe vranë 26 shqiptarë. Sipas dëshmitarëve, që i kishin shpëtuar kësaj masakre, atë ditë, rreth orës 05.30, ushtarët, policët e paramilitarët serbë, pasi e kishin futur në rrethim të hekurt tërë fshatin, kanë hyrë nëpër shtëpitë e fshatit, i kanë bastisur e demoluar. Popullata, e gjendur para kësaj katrahure, kishte filluar të arratisej në drejtime të ndryshme ose të strehohej ku mundej. Atëherë ushtarakët e paraushatarkët dhe policët serbë vranë e masakruan ata që zunë – kë mundën dhe ku mundën.

Atë ditë u vranë e masakruan: Agron dhe Sejdi Rama nga Smolica e Gjakovës, Gëzim Ademaj nga Ratisha e Deçanit, Agush Gjoci nga Raushiqi i Pejës, Agim Zeneli dhe Luan Islami nga Shqiponja e Dushkajës, Sahit Krasniqi nga Ratkoci i Përdrinit, Daut Zagraxha nga Banja e Burimit, Haxhi Lipjani nga Kleçka e Malishevës, Valon Gashi nga Buçani i Pejës, Vesel Avdyli nga Drenoci i Klinës, Emrush Çeta nga Turbovci i Burimit, Bahtjar Morina nga Lubizhda e Malishevës dhe Naim Dreshaj nga Vrella e Burimit. Që ët gjithë ishin uishtarë nga Zona Operative e Dukagjinit dhe ajo e Pashtrikut.

Në mëngjesin e 29 janarit forcat kriminale serbe në Rogovë në shtëpitë e tyre masakrojnë: Rrustem Morinën me 3 djemtë Selmanin, Nysretin dhe Mehmetin, pastaj Ibrahim Kryeziun, Adem, Rifat dhe Zyber Shalën.[13]

MASAKRA E BELLACERKËS, KRUSHËS SË MADHE, SUHAREKËS

Eskalimi eklatant i terrorit shtetëror serb arriti kulminacionin e vet ditëve kur lufta çlirimtare e popullit të Kosovës, të prirë nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës, po çonte drejt zgjidhjes së çështjes së Kosovës dhe në prag e gjatë ndërhyrjes së drejtpërdrejtë ndërkombëtare për zgjidhjen e krizës në Kosovë në shkurt dhe në mars të vitit 1999, sidomos me largimin e Misionit Verifikues të Organizatës për Siguri e Bashkëpunim në Evropë dhe të institucioneve të tjera ndërkombëtare që, në një numër të konsiderueshëm, ishin prezente në Kosovë deri më 20 mars 1999. Atëherë regjimi serb e tregoi haptazi fytyrën e vet të vërtetë dhe qëllimin e qartë gjenocidal për spastrimin etnik të Kosovës dhe për zhdukjen e shqiptarëve nga këto troje.

Ditën e largimit definitiv të përfaqësuesve ndërkombëtarë nga Kosova, më 20 mars 1999, vetëm në Skënderaj forcat paramilitare dhe ushtarako – policore serbe arrestuan me qindra dhe ekzekutuan 30 shqiptarë të Drenicës. Ndërkaq, më 24 mars 1999, rreth orës 17.15, kur tashmë ishte shpallur ndërhyrja e NATO’s, por ende pa filluar bombardimet e caqeve në Jugosllavi e në Kosovë, forcat serbe, në Kotlinë të Kaçanikut, ekzekutuan 22 shqiptarë dhe i hodhën në një gropë të thellë – për t’i fshehur gjurmët e krimit.

Menjëherë pas fillimit të bombardimeve të NATO’s dhuna dhe terrori i forcave serbe ndaj shqiptarëve të paarmatosur u intensifikua, duke marrë përmasa të një gjenocidi. Natën midis 24 e 25 marsit 1999, kur bombardimet e NATO-s tashmë kishin filluar, pjesëtarët e njësisë speciale të policisë serbe në Prishtinë arrestuan në shtëpinë e tij avokatin Bajram Kelmendi, anëtar i Kryesisë së Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut në Prishtinë, dhe dy djemtë e tij – Kastriotin student dhe Kushtrimin nxënës, të cilët po atë natë i vranë dhe i masakruan. Midis 24 e 25 marsit 1999, kriminelët serbë vranë e masakruan në Mitrovicë edhe poetin Latif Berisha, profesor i Universitetit të Prishtinës dhe kryetar i Degës së Lidhjes Demokratike të Kosovës në Mitrovicë, veprimtarin e shquar Agim Hajrizi, kryetar i Kuvendit të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës me të birin dhe të ëmën, dhe veprimtarin Enver Haliti.

Më 25 mars 1999, forcat Serbe r rethuan dhe sulmuan fshatin Bellacërkë në komunën e Rahovecit. Shumë banorë të Bellacërkës ikën gjatë lumit Belaja jashtë fshatit dhe u detyruan të kërkonin strehim afër një ure hekurudhore. Derisa forcat serbe i afroheshin urës, ata hapën zjarr kundër një numri fshatarësh, duke vrarë 12 veta, 10 prej tyre gra dhe fëmijë. Një fëmijë dyvjeçare mbeti gjallë pas këtij incidenti. Forcat e shumta serbe pastaj urdhëruan fshatarët e tjerë të dilnin nga shtrati i përroit. Në këtë moment burrat dhe djemtë më të mëdhenj u ndanë nga pleqtë, gratë dhe fëmijët e vegjël. Grave dhe fëmijëve pastaj u dhanë urdhër për t’u larguar drejt një fshati të afërt, të quajtur Xërxë. Një mjek nga Bellacërka u përpoq të fliste me një komandant të forcave sulmuese, por ai u vra me armë zjarri, si edhe nipi i tij. Burrave dhe djemve më të mëdhenj të tjerë pastaj u është dhënë urdhri të ktheheshin në shtratin e përroit. Pasi zbatuan urdhrin, u hap zjarr kundër këtyre burrave dhe djemve më të mëdhenj, duke vrarë rreth 65 prej tyre. Për më tepër, forcat serbe vranë edhe gjashtë burra të cilët i gjetën, të fshehur në një kanalvaditës të afërt.[14]

Më 25 – 27 mars 1999 në Krushë të Madhe të Rahovecit u vranë dhe u masakruan 241 shqiptarë, ndërkaq më 26 mars 1999, në Krushë të Vogël, janë vrarë dhe masakruar 116 shqiptarë. Në fshatin Celinë të Rahovecit, më 25 e 26 mars 1999, forcat serbe vranë dhe u masakruan 82 banorë të këtij fshati – 11 fëmijë të moshës 2-4 vjeçare, 6 vajza të rritura, 7 gra dhe 58 burra.

Më 26 mars 1999, në orët e hershme të mëngjesit, forcat serbe e rrethuan afërsinë e oborrit të familjes Berisha në Suharekë. U vunë në pozitë tanksat, të drejtuara kundër shtëpive. U urdhëruan banorët të dilnin nga shtëpitë. U ndanë burrat nga gratë dhe fëmijtë dhe u vranë gjashtë anëtarë të familjes. Forcat serbe përçuan anëtarët e tjerë në drejtim të një kafeneje. Këta anëtarë u futën në kafene, bashkë me tri grupe të familjes së gjerë të Berishëve. Pastaj forcat serbe hynë në kafene dhe hapën zjarr kundër njerëzve aty brenda. U hodhën edhe eksplozive në kafene. Me këtë rast 35 civilë u vranë në këtë aksion dhe u plagosën rëndë edhe të tjerë.

Kufomat e viktimave u tërhoqën zvarrë prej kafenesë dhe u vendosën në platformën e një kamioni, i cili pastaj u nis në drejtim të Prizrenit. Tre individë të plagosur, të cilët u hodhën në kamion bashkë me kufomat, kërcyen prej kamionit gjatë rrugës për në Prizren. Plaçka që u takonin së paku gjashtë prej personave të vrarë në kafene janë gjetur në një vendvarrim masiv të fshehur në një poligon të UJ-së afër Korishës. Për më tepër, dokumentet personale që u takonin së paku pesë prej personave që u vranë në kafene janë gjetur në kufomat që u zhvarrosën prej një varri masiv të fshehur në Batajnicë afër Beogradit në Serbi.

 

MASAKRA E GJAKOVËS

Në natën e 24-25 marsit 1999 filluan bombardimet e NATO-s mbi caqet ushtarake serbe në Kosovë e Serbi dhe po atë natë makineria serbe filloi vallen e saj makabre në Gjakovë. Atë natë u vranë gjashtë qytetarë të nderuar të Gjakovës, në mesin e tyre edhe kirurgu dhe humanisti i shquar Dr. Izet Hima si dhe dogj e tërë Çarshia e Madhe.

Në natën e 25-26 marsit 1999 u dogj e tërë gjysma perëndimore e Mahallës së Qylit, u vranë në shtëpitë e tyre: Remzie Radoniqi Bejtullahu 61 vjeçare, bashkëshorti i saj Sulejman Bejtullah Bejtullahu i moshës 62 vjeçare, Rajmond Agim Ibrahimi i moshës 15 vjeçare, Skënder Sadri Gashi (Ibrahimi) 43 vjeçar, vëllezërit: Ali Ibrahim Islami (26 vjeçar) Bali Ibrahim Islami (34 vjeçar), Afrim Idriz Koci (29 vjeçar) e Besim Idriz Koci (27 vjeçar). U vranë gjithashtu Fadil Beqir Krasniqi (29 vjeçar), Qazim Selim Osmanaj (56 vjeçar) me dy djemtë e tij Bekimin (25 vjeçar) dhe Musanë (30 vjeçar), Xhevdet Sadik Rakoci (55 vjeçar), Naser Qamil Thaçi (29 vjeçar), Asllan Osman Halilaj (87 vjeçar) në mesin e tyre edhe dy piktorë akademikë Shefqet Nasir Pruthi (53 vjeçar) dhe Avni Osman Ferizi (63 vjeçar). Në të ngrysur të së njëjtës ditë më 26 mars 1999 në Mahallën e Gecës në shtëpinë e Zenel Abedin Dervishdanës u bë edhe një masakër, u vra i zoti i shtëpisë (59 vjeçar) me djemtë Fahriun (37 vjeçar), Eminin (32 vjeçar) dhe musafirët e tij: mikun e shtëpisë Sulejman Malik Begollin (48 vjeçar), fqinjtë Arif Jakup Bytyçin (73 vjeçar) dhe Urim Arif Bytyçin (33 vjeçar).

Masakra më e tmerrshme ndodhi në natën e 1 e 2 prillit 1999 në Mahallën e Qerimit në Rrugën ”Sadik Stavileci” kriminelët serbë masakruan: Rexhë Hasan Gucin, Xajë Ramë Kurtin, Shukri Ramë Haxhiajn, Mazllom Kasim Kavajën (nga Mitrovica), Sulejman Murat Gërçarin së bashku me tre djemtë e tij (Skënderin, Haxhiun dhe Albertin), dy vëllezërit Dylatahu (Skënderin e Naserin), Melaim Musa Qarkaxhiun, inxhinierin e shquar të ndërtimtarisë Blerim Xhevdet Bërdoniqin, ndërsa e plagosën rëndë Bujar Faruk Tetricën, i cili gjatë rrugës për në Shqipëri vdiq.

Sapo kishte filluar 2 prilli i zi për Gjakovën, afër Stacionit të autobusëve u krye një masakër edhe më e tmerrshme në familjen Haxhia. Në familjen Haxhia u vranë vëllezërit Hasan (49 vjeçar) e Adem (46 vjeçar) Ali Haxhia, djemtë e Ademit Berati (17 vjeçar) e Gëzimi (26 vjeçar) dhe gruaja e Hasanit Myzafere Murat Haxhia (49 vjeçare), ndërsa familja e Januz Canës (72 vjeçar) e përbërë nga gruaja e tij Ganimete (Rexha) Cana (60 vjeçare), vajza Shpresa (43 vjeçare) dhe djali Fatmiri (41 vjeçar) pasi u masakrua u dogj së bashku me shtëpinë. Kjo familje u zhduk pa lënë asnjë pasardhës. U vra Afërdita Deda-Demjaha me të birin Argjentin, të cilin e masakruan me thika në gjumë e pastaj e tërhoqën zvarë dhe e varën në shtyllën elektrike.

Dëshmia më autentike dhe më rrëqethëse është tmerri që ndodhi në bodrumin e shtëpisë së Mehdi Vejsës së ndjerë në Gjakovë. Aty ndodheshin: gruaja e Mehdiut Fetije Gashi-Vejsa (60 vjeçare), gruaja e djalit të saj Lulzimit Tringa Hani Hoxha-Vejsa (30 vjeçare), e ëma e Tringës Shahindere Nushi-Hoxha (55 vjeçare), motra e Tringës Flaka Hani Hoxha (15 vjeçare), fëmijët e Tringës Rita Lulzim Vejsa (2 vjeçare), Arlind Lulzim Vejsa (5 vjeçar), Marigona Lulzim Vejsa (9 vjeçare), Dorina Lulzim Vejsa (11 vjeçare). Në bodrum ndodhej edhe vajza e Fetijes dhe Mehdi Vejsës Valbona (38 vjeçare), e martuar për Behar Haxhiavdinë me fëmijët: Doruntinën (3 vjeçare) Egzonin (5 vjeçar) dhe Rinën (7 vjeqare).

Në bodrum ndodhej edhe Valbona Valdet Byci-Caka (34 vjeçare), gruaja e Ali Xhemil Cakës, me tri vajzat e saj Dionën (2 vjeçare), Delvinën (7 vjeçare), Dalinën (14 vjeçare) dhe djalin e saj Drenin (9 vjeçar), Hysen Shaban Gashi (53 vjeçar), Mandushe Lutfi Nuqi (52 vjeçare) dhe nëna e saj Shirine Lama Nuqi (73 vjeçare). Gjithsej në bodrum ndodheshin 21 veta: një mashkull i moshës madhore, 7 gra të moshave prej 30-73 vjeçare dhe 13 fëmijë prej moshës 2 në 15 vjeçare. Në të gjithë këtë masë fëmijësh dhe grashë kanë shkrepur rafale automatikësh dhe pasi i kanë vrarë ia kanë futur flakën shtëpisë. Nëpër tym e flakë Dren Ali Caka (9 vjeçar, i plagosur me dy plumba në krahëror) ka arritur të dalë nëpër dritare dhe të shpëtojë, por nuk ka mundur ta nxjerrë prej aty motrën e tij të vogël Dionën 2 vjeçare, e cila kërkonte ndihmë nga ai. Diona u dogj e gjallë. Makineria kriminale serbe më 16 prill 1999 në rrugën, ”Sadik Stavileci” të Gjakovës i vrau: Skender Binaku, Xhemajl e Florent Kerraxhiun, Xhevdet dhe Isuf Dafotën e Dr. Masar Isa Radoniqit stomatolog.[15] 

 

MASAKRA E IZBICËS, QYSHKUT, LYBENIQIT

Më 27 mars 1999 në Lagjen Dardania të Pejës u vranë 44 shqiptarë. Më 1 prill 1999 në fshatin Lybeniq të Pejës, janë vrarë dhe masakruar 59 shqiptarë. Të ekzekutuarve u janë hequr rrobat para se të ekzekutohen. Më 7 prill 1999 në Bjeshkët e Lybeniqit u vranë dhe u masakruan 21 shqiptarë. Më 25 mars 1999 në Goden të Gjakovës u vranë 20 shqiptarë. Më 26 mars 1999 në Padalishtë të Burimit (ish’Istogut) u vranë 19 shqiptarë. Më 25 mars 1999 në Milloshevë të Prishtinës u vranë 4 shqiptarë. Më 26 mars 1999 në Landovicë të Prizrenit u vranë 17 shqiptarë, ndërkaq më 27 mars 7 shqiptarë janë vrarë e masakruar në Mamushë të Prizrenit. Më 27 mars, në Dardhishtë të Obiliqit u vranë 10 shqiptarë.

Më 28 mars 1999, në fshatin Izbicë të Skënderajt forcat serbe kanë vrarë e masakruar 158 shqiptarë moshash dhe gjinish të ndryshme. Njëri nga burrat e këtij fshati, që i kishte shpëtuar kësaj masakre, ka deklaruar se ushtarët serbë janë futur në fshat, i kanë ndarë burrat nga gratë e fëmijët dhe i kanë detyruar të rreshtohen për tre e kanë filluar t’i gjuajnë me pushkë automatike. “Kur serbët filluan të shtien, – tregon i tronditur ky fshatar – rashë në tokë duke u shtirë se jam i vdekur. Kur janë larguar serbët, ngadalë jam zvarritur barkas drejt malit dhe jam lëshuar poshtë nëpër shkurre. Të gjithë fshatarët e mi, që kisin mbetur në atë luginë, ishin vrarë e masakruar”.[16]

Më 28 mars 1999 forcat serbe në Besianë (ish Podujevë) masakruan 19 anëtarë të familjes Bogujevci (6 anëtarë), Duriqi (9 anëtarë prej tyre 4 fëmijë), Tahiri dhe Gashi. Një ditë më vonë, më 29 mars, në Potërq të Klinës janë vrarë dhe masakruar 14 shqiptarë, ndërsa më 29 e 30 mars 1999 në Beleg të Deçanit, u vranë 27 shqiptarë.

Më 31 mars 1999 në Pastasellë të Rahovecit, janë vrarë dhe masakruar 106 shqiptarë. Po atë ditë, në Burim të Malishevës janë vrarë 33 shqiptarë. Më 21 maj 1999 në Stagovë të Kaçanikut u vranë dhe u masakruan 12 shqiptarë. Më 14 maj 1999 në tri fshatra të Pejës Qyshk, Zahaq dhe Pavlan janë vrarë, masakruar dhe janë djegur 72 shqiptarë. Më 2 prill 1999 në Kçiq të Madh të Mitrovicës, u vranë 7 shqiptarë. Më 24 prill 1999 në Nagavc të Rahovecit u vranë 24 civilë shqiptarë të paarmatosur.

Më 1 prill 1999 në Lybeniq janë vrarë e masakruar: Bajram Alimehaj, Shaban Alimehaj, Fadil Alimehaj, Rrustem Alimehaj, Hazir Alimehaj, Shaban Alimehaj, Haxhi Alimehaj, Osman Alimehaj, Bekë Bobi, Zeqë Bobi, Haradin Huskaj, Osman Huskaj, Tafil Huskaj, Nekë Huskaj, Smajl Huskaj, Metush Huskaj, Naim Huskaj, Haxhi Huskaj, Ramë Huskaj, Fehim Huskaj, Gëzim Avdullahaj, Ramë Avdullahaj, Ruzhdi Ukshinaj, Fazli Ukshinaj, Ramë Ukshinaj, Hajdar Ukshinaj, Qamil Ukshinaj, Shyhrete Ukshinaj, Muhamet Ukshinaj, Riza Morina, Çun Morina, Adem Bushati, Smajl Bushati, Bajram Bushati, Jashar Hamzaj, Xhavit Hamzaj, Selim Jahmurataj, Smajl Jahmurataj, Kadri Jahmurataj, Salih Rrustemaj, Nazmi Rrustemaj, Sefer Shoshi, Gani Shoshi, Ali Shoshi, Ramiz Berisha, Rexhep Rexhaj, Ilir Lokaj, të gjithë nga Lybeniqi, si dhe Selim Aliçkaj nga fshati Irzniq, Arif Tahiraj nga fshati Carra breg, Selaim Sylaj nga fshati Gllogjan, Haxhi Cacaj nga Deçani, Zize Cacaj nga Deçani, Rrustem Ukaj nga Strellci.

Me qëllim të mbulimit të gjurmëve të krimit, vrasësit i kanë marrë dhe i kanë zhdukur trupat e 50 viktimave, ndërkaq, kufomat e 14 viktimave të tjera janë gjetur në varrezat e qytetit, janë ekzaminuar gjatë muajit shtator 1999 dhe janë rivarrosur në varrezat e fshatit Lybeniq. Të njëjtën ditë, pra më 1 prill 1999, në bjeshkën e Lybeniqit, nga këto forca serbe janë vrarë edhe Hate Alimehaj, Ferdane Alimehaj, Leonard Alimehaj, Hatmane Alimehaj dhe Fatmir Alimehaj.

Pas mbarimit të luftës, një grup fshatarësh të Buçanit në bjeshkën e Lybeniqit e gjejnë kufomën e Kapllan Gashit të cilën e kanë identifikuar në bazë të rrobave dhe të pasaportës. Kufoma ka qenë me kokë të prerë dhe me dy vrima nga predhat. Ndërsa tek vendi i quajtur “Ujëvara e Lybeniqit” në një grykë të thellë, gjejnë edhe kufomat e Shaqir Gashit, Nexhat Gashit, Musa Gashit, Riza Gashit, Murat Gashit, Arif Gashit, Rrustem Gashit, Xhavit Gashit, të gjithë nga fshati Buçan, mandej të Hysen Ademajt, nga fshati Loxhë, si dhe të Qamil Ukshinajt nga fshati Lybeniq.

Sipas dëshmitarëve të gjallë, para ekzekutimit këta njerëz janë vërejtur dhe vëzhguar nga helikopteri i ushtrisë jugosllave. Forcat e ushtrisë jugosllave, i kanë rrethuar në Bjeshkën e Lybeniqit, ku ishin të përqendruara formacionet e Armatës së Tretë Serbe. Pas vrasjes dhe masakrimit i kanë hedhur në humnerën e “Ujëvarës së Lybeniqit”. Po ashtu në bjeshkën e Lybeniqit që nga data 7 prill 1999 janë zhdukur pa gjurmë: Selim Shala, Valdet Shala, Demë Shala, Kushtrim Shala, Abedin Shala, Sejdi Shala, Jeton Shala, Januz Bezeraj, Muhamet Bezeraj, Hazir Bezeraj, Nazmi Shala, Servete Gjocaj, Sylë Gjocaj, Lulëzim Gjocaj, Nazmi Gjocaj, Arben Gjocaj, Agim Gjocaj dhe Deli Bricori, të gjithë nga fshati Rashiq i Pejës. Në fshatin Lybeniq, pas luftës janë gjetur edhe kufomat e 5 personave të vrarë gjatë muajve prill e maj 1999, që nuk janë identifikuar.[17]

MASAKRA E ÇIKATOVËS, POKLEKUT, MAKOCIT, MEJËS

Më 2 – 4 prill 1999 në Volljakë të Klinës u vranë 16 shqiptarë, ndërkaq më 4 prill në Kralan u vranë 20 shqiptarë të tjerë. Nga familja Bobi e Devës u vranë e u masakruan 7 anëtarë, 6 anëtarë të familjes Dinaj nga Hereçi, 3 familje me mbiemrin Osmanaj nga Godeni me 8 anëtarë, familja Morina 6, Feraj 6 dhe familja Thaçi nga Demjani 3 anëtarë. Më 5 prill 1999 në Llapçevë të Malishevës janë vrarë 7 shqiptarë. Po këtë ditë në Rrezallë të Skënderajt u vranë pa mëshirë 80 shqiptarë.

Më 7 prill 1999 në Çabiq të Kleinës u vranë 10 shqiptarë, ndërs më 9 prill 199 në Kaçanik të Vjetër u vranë 25 shqiptarë të tjerë. Më 12 prill 1999 në fshatrat Negroc e Tërstenik të Drenasit u vranë 21 shqiptarë. Më 13 prill 1999, forcat serbe rrethuan fshatin Sllatinë dhe lagjen e Vatës. Pasi granatuan fshatin, trupat e këmbësorisë dhe ato policore hynë në fshat dhe plaçkitën dhe dogjën shtëpitë. Gjatë këtij aksioni, 13 civilë janë vrarë me armë zjarri.

Sipas dëshmitarëve okularë, më 13 prill të vitit 1999, në mes të orës 13 dhe 14, në fshatin Kodrali, ka pasuar një ndërhyrje brutale e policisë serbe të MUP-it të Deçanit, përkatësisht e policëve serbë të punktit policor të Irzniqit, me ç’rast janë rrëmbyer nga forcat serbe nëntë burra të fshatit Kodrali: Nijazi (Avdi) Ferizaj (1935), profesor i gjuhës angleze, njëherit drejtor i Gjimnazit “Vëllezërit Frashëri” në Deçan, Shaqë (Avdi) Ferizaj (1930), rapsod i njohur i kësaj treve, Ismet (Zekë) Ferizaj (1955), Bylbyl (Jahë) Ferizaj (1962), Bashkim (Ibish) Ferizaj (1964), Skënder (Haxhi) Ferizaj (1956), Ramadan Ferizaj, Halit. Njësiti i policisë serbe kishte hyrë në Ferizaj në fshatin Kodrali rreth orës 13. Diku rreth orës 13, sipas dëshmitarëve, policia serbe kishte hyrë në shtëpinë e Isë Kadrisë (Hasaj), të cilin e marrin me vete dhe e nisin në drejtim të lagjes Pepaj, duke i rënë për mjedis fshatit.

Njëri nga dëshmitarët okularë, Muhamet Ferizaj, të cilit me këtë rast i janë rrëmbyer nga policia serbe vëllai Ismeti dhe djali i axhës Bylbyli, kishte shpëtuar vetëm në saje të fatit. Vetëm pesë minuta e kishin ndarë nga vëllezërit e kushërinjtë që më pas u rrëmbyen dhe u masakruan, kur kishte shkuar në shtëpi për të marrë një palë pantallona. Në orën 13.05 minuta, unë kam qenë në fshat, isha në oborrin e Ali Ademit (Ferizaj), kurse policia serbe kishin hyrë në oborr të Hajdar Pepajt.

Së pari ka ardhur “Landroveri” dhe është ndalur në oborrin e shtëpisë së Hazir Pepajt. Në “Landrover” ka pasë policë serbë të uniformuar. Rreth njëzet policë kanë ardhur me tri makina, një “Landrover”, një “Nivë” dhe një kamion të tipit “Zastava” me mbulojë të lul’s (të verdhë) me regjistrim të Gjakovës. Kamioni është ndalur në rrugën para shtëpisë së Bajram Pepajt, ndërsa “landroveri” dhe “niva” kanë hyrë në oborr të Hajdarit. “Landroveri” i ka ra “zastojës” dhe e ka thyer pa problem. Pas kësaj kanë dalë policët. Isë Kadria, 70-vjeç, ka qenë i lidhur me duar lartë në kamion.

Personat që më pas janë rrëmbyer (në momentin e rrëmbimit të gjithë ishin të pauniformuar e të paarmatosur) i ka rrethuar policia serbe prapa shtëpisë së Rexhep Pepajt. Këta kanë nisë të ikin teposhtë fshatit, por në atë moment policët serbë kanë gjuajtur me një mjet shpërthyes në ajër. Aty kanë qenë telat me xhemba të rrethojës dhe nuk kanë mundur të kalojnë prej tyre. Kanë mbetur në tela, nuk kanë mundur të ikin. Aty të gjithë i ka zënë të gjallë policia serbe, rrëfen Muhameti.[18]

Nga 14 – 16 prill 1999 në Mitrovicë janë ekzekutuar 10 shqiptarë. Më 15 prill 1999, në Sllovi të Lipjanit, janë masakruar 18 civilë shqiptarë, kurse më 16 prill te vendi i quajtur “Lugu i Demës”, janë masakruar edhe 17 shqiptarë të tjerë, kryesisht nga fshati Sllovi. Dëshmitarët thonë se këta civilë shqiptarë janë ekzekutuar nga formacioni paramilitar i kriminelit Toshiq. Më 15 e 16 prill në Zhegovc të Gjilanit janë vrarë 8 shqiptarë. Më 16 prill në Skënderaj janë vrarë 13 shqiptarë. Po atë ditë në Gllanasellë të Drenasit u vranë 22 shqiptarë. Prej 17 prillit deri më 2 maj 1999, në Çikatovë të Vjetër dhe Poklek të Vjetër u vranë 132 shqiptarë. Më 18 prill 1999, forcat serbe kanë ndërmarrë një aksion terrorist kundër popullsisë shqiptare të fshatrave Hallaç, Ribar i Vogël, Bujan, Bregu i Zi, Godanc i Poshtëm e Kraishtë në komunën e Lipjanit. Me atë rast janë bërë plaçkitje dhe ekzekutime në masë të qytetarëve shqiptarë, në mesin e të cilëve kishte edhe gra, fëmijë e pleq.

Vetëm në familjen e Rexhep Vishesellës së Ribarit të Vogël u vranë e u masakruan 13 anëtarë. Njësitë vrastare serbe ishin paramilitarë të veshur me uniforma të zeza e me shirita të kuq në krah dhe policë. Këto njësi kanë ekzekutuar njerëz në shtëpitë dhe në oborret e tyre, nëpër ara e livadhe dhe kanë përdorur edhe plumba dum-dum. Paraprakisht, viktimat i kanë plaçkitur dhe masakruar. Në Hallaç ishin masakruar së paku 23 shqiptarë, kurse në Ribar të Vogël 19. Të vrarë kishte edhe në Kraishtë e në fshatrat e tjera të sulmuara. Kurse mbi 10 mijë shqiptarë të këtyre fshatrave kishin ikur e ishin strehuar nëpër malet e Varigocit e të Zborcit, ku për disa kohë mbetën nën qiellin e hapët – pa ushqime dhe gjëra më elementare.[19]

Më 18 prill 1999, në Bërnicë të Epërme të Prishtinës, është masakruar familja 7 anëtarëshe Reka, ndërsa po të njejtën ditë në fshatin Hade të Obiliqit, janë vrarë 5 shqiptarë. Nga 18 – 25 prill 1999 në Prishtinë në masakrën e Makocit janë vrarë 55 shqiptarë, ndërkaq më 18 – 19 prill 1999 në Marec të Prishtinës u vranë 16 shqiptarë. Më 25 prill 1999 në fshatin Mazrek të Hasit (Prizren) janë vrarë 10 shqiptarë, ndërsa të nesërmen me 26 prill u vranë nga 12 shqiptarë në fshatrat Planejë e Gorozhup të kësaj treve të Prizrenit.

Më 27 prill 1999 në fshtin Mejë të Gjakovës janë masakruar pamëshirshëm 377 shqiptarë. Në komunën e Gjakovës janë të rrëmbyer – të zhdukur 756 pesona, prej tyre 586 janë të komunës së Gjakovës, gjersa 179 janë të komunave tjera. Ndërsa gjatë viteve 1998 – 1999 në komunën e Gjakovës janë vrarë 752 shqiptarë. (Zëri, E premte, 31 maj 2002) Më 29 prill 1999 në Dardhishtë të Obiliqit u vranë 4 shqiptarë, ndërsa më 30 prill 1999 në Llashticë të Gjilanit u vranë 13 shqiptarë, ndërsa nga 30 prilli deri më 3 maj 1999 në Vërbovc të Drenasit u vranë 90 shqiptarë. Më 30 prill 1999 në fshatin Shtuticë të Drenasit u vranë 30 shqiptarë, ndërsanë fshatin Baks 11 shiptarë të tjerë. Në prill 1999 në fshatin Hallaq të Lipjanit u vranë 11 shqiptarë.

 

MASAKRA E VUSHTRRISË, BUKOSHIT, KORISHËS, BURGUT TË DUBRAVËS, TUSUSIT

Më 27 mars 1999, forcat ushtarake serbe filluan të digjnin shtëpi në qytetin e Vushtrrisë dhe dogjën xhaminë kryesore në këtë qytet. Më 2 maj 1999 këto forca barbare sulmuan një numër fshatrash në verilindje të qytetit të Vushtrrisë, duke përfshirë fshatrat Skromë, Sllakofc, Ceceli dhe Studime e Epërme. Me këtë rast fshatarët u dëbuan nga shtëpitë e tyre dhe shumë shtëpi, dyqane dhe objekte fetare u dogjën plotësisht. Fshatarët, bashkë me njerëz të zhvendosur më parë nga vendbanime të tjera në komunën e Vushtrrisë, u detyruan të formonin një kolonë prej rreth 20,000 njerëzish që udhëtonin në rrugën e Grykës së Studimes, në drejtim të qytetit të Vushtrrisë.

Gjatë natës së datave 2-3 maj 1999, forcat serbe përndoqën, rrahën dhe vranë afërsisht 104 shqiptarë dhe u vodhën artikuj me vlerë shumë të tjerëve. Mijëra shqiptarë në këtë kolonë u ndaluan në kooperativën bujqësore afër qytetit të Vushtrrisë. Më 3 maj 1999 në kooperativën bujqesore i ndanë burrat të moshës ushtarake nga gratë, fëmijtë dhe pleqtë. Gratë, fëmijtë dhe pleqtë u udhëzuan të shkonin në Shqipëri dhe një numër burrash u detyruan të ngitnin automjete nga kooperativa bujqësore në një burg në fshatin Smrekonicë. Pas disa javësh burgimi në kushte çnjerëzore, ku iu nënshtruan rrahjeve, torturës dhe vrasjeve, shumë nga këta burra u transportuan në fshatin Zhur, afër kufirit me Shqipërinë dhe u detyruan të kalonin në Shqipëri.

Më 3 maj 1999 në fshtin Bukosh të Therandës janë vrarë 23 shqiptarë, ndërsa më 4 maj në Damanek të Malishevës u vranë 5 shqiptarë. Më 13 maj 1999 në Fushë të Pejës u vranë 12 shqiptarë, ndërsa 77 në Korishë të Prizrenit (nga bombardimet e NATO’s). Nga 16 maji 1999, nuk dihet për fatin dhe vendndodhjen e Ukshin Hotit. Më 16 e 17 maj 1999 në Ticë të Skënderajt janë vrarë 10 shqiptarë, ndërsa më 17 maj u vranë 18 shqiptarë në Carallukë të Malishevës.

Më 19 – 22 maj në Burgun e Dubravës nga bombardimet e NATOs, si dhe nga forcat policore, gardianët dhe kriminelët serbë ish të burgosur, u vranë mbi 177 të burgosur shqiptarë. Më 21 maj 1999, fshati Stagovë u rrethua nga forcat serbe. Popullata u përpoq të ikte drejt maleve në lindje të fshatit. Gjatë këtij aksioni, së paku 12 persona u vranë. Pjesa më e madhe efshatit u plaçkit dhe u dogj. Më 22 maj 1999 në Vushtrri janë vrarë dhe masakruar 68 shqiptarë, ndërsa më 26 maj në lagjen Tusus të Prizrenit u vranë 26 shqiptarë. Më 25 maj 1999, forcat serbe rrethuan fshatin Lisnajë. Derisa forcat hynin në fshat, popullatës i është dhënë urdhri që të mblidhej në shkollë dhe të largohej nga fshati me traktorë. Pastaj u ndanë burrat nga gratë dhe fëmijët. Gjatë këtij aksioni, janë vrarë katër burra. Për më tepër, katër anëtarë të familjes Qorri u vranë në përpjekje për të ikur drejt pyjeve. Në qershor 1999 KMDLNJ ka evidentuar tri raste në të cilat janë vrarë nga 12 shqiptarë. Më 1 qershor 1999 në Javor të Malishevës u vranë 4 shqiptarë, më 8 qershor 1999 në Zhabar të Mitrovicës u vranë 4 shqiptarë, ndërsa më 9 qershor në Mitrovicë gjithashtu u franë 4 shqiptarë.[20]

 

BURGOSJET DHE KIDNAPIMET

As Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (10 qershor 1999) e as Marrëveshja ushtarako-teknike e përfaqësuesve të forcave të NATO’s dhe të Ushtrisë Jugosllave më 9 qershor 1999 nuk kanë paraparë asgjë për fatin e të burgosurve shqiptarë në burgjet serbe. Kjo i mundësoi regjimit të Beogradit të mbajë peng në kazamatet e veta rreth 7000 shqiptarë të burgosur e të kidnapuar në mënyra të ndryshme.

Ndërkohë, gjendja e shqiptarëve të burgosur në burgjet e Serbisë është shumë e rëndë. Të burgosurit shqiptarë në këto burgje – në Nish, Pozharevc, Leskovc, Prokuple, Vranjë, Mitrovicë të Sremit etj., çdo ditë u nënshtrohen torturave më të rënda dhe ballafaqohen me vdekjen. Ata në këto burgje ju jepnin shumë pak ushqim të dobët, nuk marrnin ilaçe më të nevojshme e nuk kishin as përkujdesje minimale mjekësore. Ata keqtrajtoheshin në mënyra të ndryshme jo vetëm nga gardianët e burgut e policët, por edhe nga të burgosurit serbë dezertorë e kriminelë ordinarë.

Më 11 gusht 1999 janë sjellë në Kosovë trupat e të burgosurve shqiptarë Sali Kurtaj (48) nga Gjilani e Tefik Saliu (1926) nga Ferizaj – të vrarë ditë më parë në Burgun e Beogradit. Në burgun e Prokuples (Serbi) ka vdekur Muhamet Basha (66) nga Vraniqi, e nga burgu i Mitrovicës së Sremit është sjellë i vdekur Sadik Jahir Agushi (1958) nga Drenoci i Klinës. Nga pasojat e torturave në burgjet serbe vdiq Zeqë Adem Hasaj (1953) nga Kodralia e Deçanit i lirur nga burgu i Zajeçarit (Serbi).

VARREZAT MASIVE

Kriminelët serbë, përkundër gjithë egërsisë që kanë treguar duke vrarë, ekzekutuar, masakruar dhe torturuar në mënyrën më të tmerrshme viktimat, gjatë tërë kohës janë munduar t’i fshehin gjurmët e krimeve të veta duke varrosur e zhvarosur trupat e vrarëve e të të masakruarve, duke i bartur nga një vend në vendin tjetër, duke i hedhur në puse e humnera ose edhe duke I djegur e zhdukur në mënyra të ndryshme. Megjithatë, edhe në Kosovë po shihet se krimet nuk mund të fshehen.

Këtë e ka vërtetuar edhe zbulimi i rreth 550 varrezave masive dhe i qindra e mijëra varreve individuale me trupat e dekompozuar e skeletet e viktimave të kriminelëve serbë që po vazhdojnë të gjenden nëpër vise të ndryshme të Kosovës. Vërtet, shumë prej tryre nuk po arrijnë të identifikohen, por, megjithatë, në saje të ndonjë pjese të veshmbathjes së mbetur, të mjeshtërisë së ekipeve profesionale për ekspertizë e identifikim të viktimave, por edhe në bazë të informacioneve të familjarëve të viktimave të likuiduara ose të zhdukura në periudhën e luftës - janë zbuluar krimet e kriminelët. Varreza masive janë zbuluar kudo në Kosovë, në varreza publike të qyteteve e të fshatrave, por edhe në gropa e humnera në fusha e male, në puse uji e furra të gëlqerës, në krematoriume të improvizuara e objekte të fabrikave e të uzinave.

SPASTRIMI ETNIK

Populli i Kosovës, krahas torturave, vrasjeve, ekzekutimeve, masakrave, rrënimeve, djegieve e plaçkitjeve të shtëpive e  të pasurisë së tij, përjetoi edhe dëbimin me dhunë, zhvendosjen dhe deportimin masiv nga vatrat e veta dhe pastrimin etnik të Kosovës – masën më të rreptë të gjenocidit serb mbi shqiptarët. Sipas një studimi “Arratia e Shqiptarëve Etnik nga Kosova Mars – Maj 1999” të bërë nga Shoqata Amerikane për Përparimin e Shkencës AAAS që drejtonte zëvendësdrejtori Patrick Ball, vërshimi i refugjatëve nga Kosova u krye në tri faza krejt të dallueshme. Në fillim të çdo faze, rrjedha e refugjatëve ishte relativisht e pakët.

Më pas numri i refugjatëve që largoheshin nga Kosova gjatë mesit të fazës arrinte një pikë relativisht të lartë (një kulm, një grup kulm ose një nivel të lartë konstant), para se të zvogëlohej në fund të fazës. Gjatë fazës së parë (24 mars – 6 prill 1999) shumica e refugjatëve erdhën nga Kosova perëndimore dhe jugperëndimore. Në fazën e dytë (7-23 prill) shumica e refugjatëve lanë shtëpitë e tyre në bashkitë në veri dhe në qendër të Kosovës. Gjatë fazës së fundit (24 prill – 11 maj), refugjatët erdhën kryesisht nga bashkitë e Kosovës perëndimore dhe jugore.[21]

 

DHUNIMET

Gjatë luftës së përgjakshme në Kosovë 1998 – 1999, janë dhunar e vrarë mizorisht mijëra femra shqiptare. Në një raport për krimet dhe gjenocidin serb në Kosovë, të publikuar nga OSBE në maj të vitit 1999, thuhet se janë grumbulluar mbi 1400 dëshmi për krime lufte e dhunime në Kosovë. Dëshmitë janë grumbulluar nga gratë dhe vajzat e reja shqiptare, të cilat rrëfejnë për veten e tyre (anonime) apo për shoqet e tyre dhe të afërmet që kanë përjetuar dhunimin nga pjesëtarët e forcave serbe. Rrëfimet janë shumë tronditëse dhe skajshmërisht të dhimbshme.

Ndërkaq, në një raport të Fondit Ndërkombëtar të OKB-së për Popujt e Rrezikuar (FNUAP) i publikuar më 25 maj 1999, në Gjenevë, ndër të tjera thuhet: “Ushtarët serbë për çdo ditë ngarkonin me kamionë nga 30-50 femra të reja shqiptare, të cilat i dërgonin në drejtime të panjohura, ku i dhunonin për disa ditë me radhë në ndërtesa ushtarake apo vendbanime të tjera të ushtarëve serbë. – Nëse ato refuzonin marrëdhëniet seksuale me ushtarët dhe eprorët serbë, i vrisnin ose i digjnin në prezencën e të tjerave, për t’i frikësuar dhe nënshtruar më lehtë femrat tjera”.

Komisionerja e OKB për të Drejtat e Njeriut, Mery Robinson, në raportin e saj përkitazi me dhunimet që kanë kryer forcat serbe gjatë luftës në Kosovë thotë: “Dhunimet e femrave shqiptare në shumë qendra të Kosovës janë kryer kryesisht nga paramilitarët e Arkanit dhe nga policët shtetërorë serbë”.[22]

Ekspertja e Human Rights Watch-it, Martina Vandenberg, në raportin prej 37 faqesh të HRW-së, të publikuar më 21 mars 2000, ku përshkruhen rastet e dhunimeve të femrave në Kosovë, në bazë të dëshmive të shumta konstaton se “forcat e armatosura të Jugosllavisë dhe të Serbisë janë përgjegjëse direkte për dhunimin sistematik të grave dhe të vajzave shqiptare në Kosovë gjatë sulmeve ajrore të NATO-s”. Në shumicën dërmuese të rasteve, viktimat, para se të ekzekutoheshin, ishin objekt i shfrimit shtazarak, i rrahjeve, i torturave nga më të egrat, i dhunimit seksual, i fyerjeve dhe i poshtërimit moral e pastaj edhe i ekzekutimit e masakrimit në format më barbare. Përveç femrave të dhunuara dhe atyre të vrara ekziston edhe një numër i madh i atyre që konsiderohen të zhdukura.

Viktimat e dhunimit kanë të përbashkët një histori të njëjtë tronditëse dhe shumë të dhimbshme dhe të gjitha së bashku përbëjnë një kategori shumë fatkeqe të viktimave. Të mbijetuarat dëshmojnë se një numër i vajzave shqiptare që konsiderohen të zhdukura, pas përdhunimit janë dërguar në Serbi. Pas dhunimit, vajzat e reja i transferonin në Serbi. Ushtarakët serbë kishin ngritur një infrastrukturë të tërë për të siguruar gjahun e seksit për taborët e Arkanit. Kjo e vërtetë tronditëse që vjen nga rrëfimet e viktimave të barbarisë së shfrenuar serbe në Kosovë është një tragjedi më vete.

Në të gjitha dëshmitë e viktimave të dhunës seksuale në Kosovë, veçohet fakti që asnjë prej vajzave të çuara forcërisht në Serbi gjatë ditëve të luftës në Kosovës, nuk është rikthyer pranë familjes. Ka të dhëna se bashkë me përfundimin e operacioneve të NATO-s, që gjunjëzoi përfundimisht ushtrinë kriminale të Millosheviqit, pjesa më e madhe e tyre u zhdukën e u vranë në kushte misterioze. Gjithsesi, deri më sot, asnjë organizëm ndërkombëtar nuk është interesuar për të nisur hulumtimin rreth fatit të këtyre vajzave që kanë humbur pa adresë. Janë vetëm familjarët e tyre që rendin e rendin pa shpresë për të mësuar diçka për atë që ka ndodhur me to.

Rrëfimet e atyre që përjetuan tmerrin janë tronditëse: Ne që jemi dhunuar dhe sot vuajmë jemi morali dhe pamorali i të gjithë kosovarëve! Edhe kur jemi në mesin e të gjallëve, ne, sërish ndjehemi të vdekura! Edhe kur ecim rrugës, e ndjejmë peshën e dhunimit, e shohim atë në sytë e njerëzve, të cilët, ndoshta, kurrë nuk do të mund ta imagjinojnë se çfarë kemi përjetuar. Ne jemi plaga e çdo njeriu, vuajtja dhe mungesa e çdo fëmije. Edhe kur njerëzit qeshin, pa kujtuar fare se ne ekzistojmë, ne mendojmë se ata qeshin dhe tallen me tragjedinë tonë. Edhe kur lotojnë, shajnë e pështyjnë edhe atëherë ne jemi pjesa më e dhembshme dhe më tragjike… Ne sot jemi të braktisura, dhe pesha e çdo gjëje që po ndërtohet në Kosovë rëndon mbi ne! Ne jemi gjaku, pluhuri dhe pështyma e djeshme, e sotme dhe e nesërme e Kosovës andaj dikush duhet ta ngre zërin për ne.

Deri në vitin 2004, janë evidentuar 46 vetëvrasje të femrave të përdhunuara gjatë luftës, që kanë ndodhur si pasojë e krizave nervore e psikike.  Ekspertët e Tribunalit të Hagës qysh gjatë ditëve të luftës u prononcuan se aktet e dhunës seksuale trajtohen në kuadër të juridiksionit të ICTY-së (Tribunali Ndërkombëtar për Krime Lufte në ish-Jugosllavi) dhe se aktet e dhunimit specifikohen si krime kundër njerëzimit, gjenocid, shkelje të ligjeve të luftës, torturë, etj., duke potencuar se Tribunali i Hagës e ka zgjeruar juridiksionin e vet për hetimin e abuzimeve seksuale të kryera nga forcat e armatosura serbe mbi popullatën civile shqiptare gjatë luftës në Kosovë. Por, ashtu siç nuk u trajtuan në mënyrën e duhur gjenocidi e krimet e tmerrshme që kryen forcat shtetërore ushtarakopolicore e paramilitare serbe në mënyrë të organizuar kundër popullsisë shqiptare në Kosovë, edhe për dhunimet e mijëra femrave shqiptare, ndonëse konsiderohen krime kundër njerëzimit, deri më tani askush nuk është përgjigjur para drejtësisë.[23]



[1] Lexo Deklaratën e grupit të Kontaktit për Kosovën http://pashtriku.beepworld.de/files/Rugova_2008/Foto/deklarategrupittkontaktitprkosovn.htm

[2] KMDLNJ – Krimet e luftës në Kosovë 1998 – 1999 (Monografi 1) fq. 46 – 48

[3] Fitnete Ramosaj – Krimet serbe në Kosovë, Pa apologji -2 , Prishtinë, fq. 82.

[4] Koha ditore, 27. 07. 1998

[5] Nga raporti i KMDLNJ për vitin 1998

[6] Nga raporti i KMDLNJ për vitin 1998

[7] Nga raporti i KMDLNJ për vitin 1998

[8] Revista: Metafora poetike, Nr. 1, 1/2005

[9] Nga raporti i KMDLNJ për vitin 1998

[10] Human Rights Watch: Trupat e viktimave – dëshmi të qarta të kasaphanës, “Koha Ditore”, 30.9.1998; Human Rights Watch, Një javë e terrorit në Drenicë, shkurt 1999; Human Rights Watch, NËN PUSHTETIN E URDHRAVE – Krimet e luftës në Kosovë, tetor 2002, f. 52; KMLDNJ – Prishtinë, Raport mbi shkeljen e të drejtave dhe lirive të njeriut në Kosovë gjatë muajit shtator 1998; KMDLNJ, Raport mbi shkeljen e të drejtave dhe të lirive të njeriut në Kosovë gjatë vitit 1998; Qendra për Informim e Kosovës, Informatori ditor nr. 2198 D, Prishtinë, 1 tetor 1998, etj. Fitnete Ramosaj – Krimet serbe në Kosovë, Pa apologji – 2, Prishtinë, fq. 194-195

[11] Raport i  KMDLNJ’së – 1999

[12] Raport i  KMDLNJ’së – 1999

[13] Besim Muhadri – Zëri, 29 janar 2004

[14] http://www.icty.org/x/cases/slobodan_milosevic/ind/sq/011029.pdf

[15] Mr. Kadrush Radogoshi: Gjakova në shtratin e Prokrustit serb – www.pashtriku.org

[16] Raporti i KMDLNJ – 1999

[17] Fetnete Ramosaj: Krimet serbe në Kosovë – Pa apologji, Me fakte kundër shpifjeve, Fokusi, Prishtinë 2005

[18] Fitnete Ramosaj – Krimet serbe në Kosovë, Pa apologji – 2, Prishtinë, fq. 203-205

[19] Nga Raporti i KMDLNJ – 1999

[20] KMDLNJ – Monografi 1, Krimet e Luftës në Kosovë 1998 – 1999, Fq. 48 – 56

[21] Më gjerësisht lexoni Raportin “Arratia e Shqiptarëve Etnik nga Kosova Mars – Maj 1999”

[22] Shih gazetën e përditshme shqiptare të Shkupit, “Fakti”, 12 maj 1999, f. 4; KMDLNJ: Dhunimi plagë që vështirë shërohet, pun. i cit., Prishtinë, 20 prill 2000; Jehona Shyti, Dhunimet si krime kundër njerëzimit, art. i cit. E përditshmja “Flaka” e Shkupit, e datës 24 maj 1999; Raport i KMDLNJ-së, Dhunimi plagë që vështirë shërohet… E përditshmja “Fakti” e Shkupit, e datës 26 maj 1999; KMDLNJ, Dhunimi plagë që vështirë shërohet…; J. Shyti, Dhunimet si krime kundër

[23] Raport i KMDLNJ-së, Dëshmi të hidhura: Masakrimi i familjeve – skenar i zhbërjes së qenies shqiptare, punim i cituar; Luljeta Selimi, Rrëfime tronditëse – femrat e dhunuara gjatë luftës…, vep. e cit. / KMDLNJ, Dëshmi të hidhura: Masakrimi i familjeve – skenar i zhbërjes së qenies shqiptare, pun. i cit.; Luljeta Selimi, Rrëfime tronditëse – femrat e dhunuara gjatë luftës së Kosovës, vep. e cit. / KMDLNJ, Dhunimi plagë që vështirë shërohet, pun. i cit. / Luljeta Selimi, Dosja e dhunimit: “Vajzat e reja, pas aktit barbar i çonin në Serbi”, botuar te pashtriku.org, më 23 dhjetor 2007./ Luljeta Selimi, Rrëfime tronditëse – femrat e dhunuara gjatë luftës…, vep. e cit. / Intervistë e Riza Lahit me Luljeta Selimin: “Unë Dragan Spasiq jam njeriu që me dorën time kam prerë fytin e 50 shqiptarëve!”, gusht 2004. Shih linkun pashtriku.org.

Nga: http://www.beepworld.de/members/pashtriku/krimet_kosove_9899.htm



Related posts

Shqipëria dhe Kosova për integrimin në strukturat Europiane
MARRËVESHJET EDITA - STEFANOVIQ, ANTIKUSHTETUESE DHE ANTIJ...
GJENERALI I LUFTËS DHE HEROI I PAQËS FATMIR LIMAJ ME SHOK U ...
Hoxhaj: Zgjedhjet e 3 nëntorit, vendimtare për integrimin e...

2 Comments for “Krimet e pandëshkuara në Kosovë”

  1. xheme thotë:

    Nuk besoj se ky shtet kriminel (serbia ) do ta marr ndonjeher denimin per krimet e kryera ne Kosove, dhe nje nga arsyet mendoj une eshte se jemi te prirur te harrojm shpejt, sidomos lidershipi qe perton ta prish imigjin prej nje demokrati falso dhe moderimit te tij evropian.

  2. laura thotë:

    O turpi ju mbuloft ! Te gjithe qe po mundohen me e promovue vehten si do fare Gerxhaliu(mjekoligjor) do far Gjetaj tani doli ky Dellova etj.shoqata gjoja per krime te luftes ! Ju te gjithe po e beni punen e shkieve dhe miqve te tyre Europjan me dije ose pa dije! Mos po ju prishi edhe juve redaksi ndonje interes me kte teme! Vetem po ju pyes juve lexues te qmuar se qka kish bere serbia po ti kishte mbi 15.000 te vrare dhe 77.000 te sakatosur(invalid) nga regjimi terrorsit serb ! E qka bem ne per kto vitktima shqiptare qe nuk dihet qeshte bere me ta deri sa kane dhene shpirt(tek disa individ si jane sjellur para se ti vrajne sidomos femrat e reja)? Ne emer te shtetit heshtin ,ne emer te shtetit promovohen individet e caktuar ne emre te viktimave shqiptare(tani Kosovare!).Sa e sa kongrese,simpoziume e takime te ndryshme kombetare e nderkombetare do te kishte organizuar Beogeradi po te ishin viktimat e nacionalitetit serb? Sa takime kombetare e nderkombetare ka mbajtur si fare Gergjaliu si mjekoligjor( i cili edhe deri me 15 000 euro ju ka marrur shiptareve qe kane patur para si familjes Ismaili mne motiv se do te ju gjeje kryefamiljarin!).Sa takime ,sa simpoziume,konferenca akongrese te mjekoligjoreve organizoje ky njeri? Cili ishte relacioni shoqeror me antroplogun e UNMIK-it H.P.Barybar dhe pse i perjashtoji 3 mjekoligjor shqiptar se gjoja publikuan nje sekret shteteror kur vidhte kockat e viktimave shqiptare ai far baraybar(mik i DelPontes dhe D.Martyt?.Tani ka qaen koha te gjithe te sitemohen se si jane vrare dhe te kompenzohen damet jo materjale e te shendrrohen ne lek e jo ne ndihma per familjaret.Nese kemi parasysh se si po kompenzohen damet ne aksidente te komunikacionit nga kompanit e sigurimeve Tona ne Kosove, Serbia duhet te i kompenzoje(se paku) 85 miljard euro)e ,ndersa per demet ekonomike duhet bilanse tjera.

Leave a Reply





Archive