|

KUJTOJMË PEDAGOGUN E POETIN MARK GURAKUQI

Nga: Prof. Murat Gecaj

Publicist e studiues-Tiranë

KUJTOJMË  PEDAGOGUN  E  POETIN  MARK GURAKUQI

(Veprimtari e bukur në Gjimnazin “Q.Stafa” të kryeqytetit)

Tashmë, janë bërë traditë e bukur dhe mbresëlënëse veprimtaritë, që organizohen në Gjimnazin “Qemal Stafa” të Tiranës, kushtuar jetës dhe veprimtarisë së ish-mësuesve dhe drejtuesve të kësaj vatre kaq të njohur drite e diturie, me rrezatim të madh jo vetëm në kryeqytet, por në tërë Shqipërinë. Kësaj radhe, me kujdesin e mësueses së pasionuar në fushën e traditave atdhetare, Shpresa Bejo e të drejtorisë së këtij Gjimnazi, u organiuzua një veprimtari e bukur, në nderim të ish-mësuesit të kësaj shkolle të mesme, pedagogut e poetit të paharruar, Mark Gurakuqi (2 nëntor 1922-16 shtator 1970). Ishin të pranishëm familjarë e ish-studentë të tij dhe mësues e maturantë, si dhe nga Drejtoria Arsimore e kryeqytetit.

Mësues e nxënës u dorëzojnë familjarëve, portretin e M.Gurakuqit

Veprimtaria u çel nga drejtoresha e Gjimnazit, Elsa Dedndreaj. Pastaj u shfaq një dokumentar i pasur, i përgatitur nga mësuesit dhe nxënësit e kësaj shkolle. Përmes tij janë pasqyruar bukur disa nga  aspektet e jetës dhe veprimtarisë arsimore, pedagogjike e krijuese të Mark Gurakuqit, i cili u nda nga jeta në moshë të re. Njëra pas tjetrës, disa maturante sollën dëshmi e të dhëna të shumta nga jeta e përkushtuar e tij, në shërbim të Atdheut, arsmit tonë kombëtar e letërsisë shqiptare. Ndër të tjera, u paraqit edhe dorëshkrimi i një biografie të pasur kushtuar atij dhe familjaëvë ua dorëzuan një portret, të pedagogut e poetit M.Gurakuqi.

Një kujtim, në Muzeun e Gjimnazit “Q.Stafa”

Mbresëlënëse ishin edhe kujtimet, që sollën, me nderim e respekt të veçantë,  ish-studentët e Mark Gurakuqit në bankat e Fakultetit Histori-Filologji të Universitetit të Tiranës, Koçi Petriti e Murat Gecaj. Gjatë tërë veprimtarisë, me fjalët e saj, ishte e pranishme edhe mësuesja Sh.Bejo. Në emër të familjes, i përshëndeti gjithë të pranishmit, Nikolin Gurakuqi.

Pastaj, ata bënë një vizitë në Muzeun e pasur të këtij Gjimnazi, i cili ka hyrë në 87-vjetorin e themelimit të tij. Përmes fotove, dokumenteve dhe objekteve të ndryshme, dilte qartë në pah veprimtaria e përkushtuar e Mark Gurakuqit dhe e sa e sa kolegëve të tjerë të tij ndër vite, e drejtuesve dhe e nxënësve, që kanë ndikuar fuqishëm` në tërë jetën e Atdheut tonë.

Tiranë, 18 shkurt 2012



Related posts

Një lajm që e tronditi botën
MIRËNJOHJE PËR PERSONALITETIN E LETRAVE SHQIPE, ADRIATIK KA...
FUQIA E FRIKËS
Lirika në poezinë popullore beratase

Leave a Reply





Archive