|

Lamtumirë nga Nju Jorku, PANO TAÇI

Nga Kozeta Zylo

Djathtas i ndjeri PANO TACI dhe shkrimtari i mirënjohur z.Pandeli Koci

 

E ndjej nga larg, 9 male kaptuar me oqeanin në mes, që kafe “Europa” do të heshti gjatë nga mungesa e të qeshurës tënde të shkujdesur, kishje të qeshur poeti.  Sa larg janë të tjerët nga e qeshura tënde, Poet!  Edhe pse brenda kishje mijëra dhimbje, persëri në çdo ind të tyre çelnin sythe mirësie.  Për gjysmë shekulli të kishin kyçur fjalën brenda në kafaz, brenda kangjellave të zeza, por sytë e tu kuvendonin me bilbilin që ulej me këngë vaji mbi një degëz qershize përreth. 

Poeti ja kthente me grykë nën zë dhe përcillte hallet e dertet qysh i ri mbi kitaren e tij poetike.  

            E hodhi pushkën në krah për Lirinë, pa iu dridhur qerpiku përballë fashizmit.  Ai u rrit me ninullën e gjyshit që iku larg, larg si shumë të tjerë dhe që vazhdojnë të ikin papushim…  Gjyshi plot kulturë i la në ninëzën e syrit dashurinë e përmallshme dhe u bashkua me Nolin në Boston, të cilët janë pranë e pranë në varrezë, gjer në përjetësi.  Sa herë shkoja në Tiranë do ta takoja poetin lirik së bashku me botuesin e mirënjohur z.Spiro Dede të cilët ishin miq prej kohësh, dhe Panoja sa vinte nxirrte nga xhepat copa letra të zhubravitura dhe fillonte të lexonte, në fakt nuk lexonte ai interpretonte si një aktor i lindur poezi të shkruara mjeshtërisht nga mendja e tij. 

Poezitë e tij si këngë prekëse dhe të ëmbla hidheshin si dallgë ndër ne dhe bëheshin ura miqësie ku kuvendonim pambarim.  Ishin më së shumti poezi për ne të ikurit që shkonin me një kafe të ëmbël poetike, me një poet që thinjat mbi krye i dukeshin si vargje të kaltra!

Ndërsa gishtat tanë si lexues digjeshin nga shfletimi i fletëve të zjarrta të librave që na dhuronte me aq mirësi.  Kurse metaforat pushtonin hapësirën e trurit me brengat dhe fatin e një poeti që ja nxirosën jetën, por vështrimi i tij diellor zbardhte muzgun e qullosur në gri.

Ti ike, ike poet, largësia s’më la të vendosja një lulëkuqe mbi Pegasin tënd, (motorrin e vjetër që e mbajte gjer në fund të jetës).  Ti fluturoje si erë hipur mbi të dhe thinjat të dukeshin si degë ulliri nëpër re të bardha.  Le ta çojnë në Muze Pegasin tënd, se të marrët, grykësit e Atdheut si fantazma të shekujve s’të dhanë qoftë dhe një copë strehë, ku të kthehej si një pelegrinazh për lexuesit e shumtë që të respektonin dhe të donin çiltërsisht.

            Drama tënde nuk ka fund, ajo kullon dhimbje.  Të ndan nga biri i vetëm çmendurisht, ndaj ndoshta, ndoshta ike me një curilë loti të ngrirë kallkan në faqe, që kthehet në qefin të bardhe për brengën.  Liria tënde e kaltër lindi nga dhimbjet, si bijëza e Hënës nazike, që asnjë nyje litari s’të mbyti dot…në mbrëmjet shurdhane…

Por ti poet je kudo, je pas zërit të vargut lirik, erotik, dashurisë njerëzore si edhe për romët të sjellë në poezinë: O Zot më bëj kurbat”: Romi bën hapa ta marrë/ T‘i puthë gjinjtë pas një gëmushe/ Ata gjinj për ç‘kanë nektar/ E nishani i asaj gushe/ Oh, o Zot, më bëj kurbat/ si gaxho nuk jam qibar/ them se do të jem me fat/ kur romen për shpirt ta marr…

Duke lexuar këto vargje menjëherë të vjen ndërmend Frederiko Garcia Lorka, një nga poetët më të mëdhenj të Spanjës në shekullin e XX-të, i cili ciganet i quante mjellma të zeshkëta që notonin në liqen…dhe më tej: Ç’janë puthjet e përflakura ti s’e di/ Puthjet e përziera me heshtje të thellë nate/ Dhe me zhurmën e turbullt të ujit që rri.
Ndaj ai pohon se një vend që s’ka cigane s’ka liri!

Edhe në poezinë “Eja mike” autori shkruan: Sa herë vjen çapkëni prill/ çapkëne më bëhet shpresa/ brezin nga mesi ia zgjidh/ malit, t’ia bëj rëkeza/ Bredhi si qiri argjendi/ na rri nën tyl të mjergullës/ prill çapkëni, lisin çmendi/ kur gjirin ia puth pjergullës/.  

            Poeti s’u pajtua kurrë me të keqen, ai luftoi gjer në fund me vargun e tij aq tronditës si në poezinë “Ik e jak”: Ju them: me ç’di, unë kam vdekur/ Po që të vij te ju kam frikë/ Se do më tallni për ç’jam përpjekur/ Që të gjallin, Lëkurëdjallin/ S’e bëra mik.

            Poeti ndihet pas melodise së ujit të burimeve, dashurisë së gjyshit aq atdhetar i ndjeri Zoto Taci, ish bashkëpunëtor i Nolit, që tani janë duke u përqafuar në krahët e bardhë të njeri-tjetrit si shpirtra të moçëm me etje 70 vjetësh pa u parë…

Dhe papritur duke ardhur në imagjinatën time më kujtohen vargjet në poezinë “Tu mirë mbec, mëma ime”, me motiv arbëresh botuar në librin “Metafora e Diellit” nga poeti i shquar i Kombit, Agim Shehu.  Dhe ja disa nga ato:  “Plugu i drujtë i varkës/ çante me pikëllimë/ të kaltrën fushë të detit/ këngët e refugjatëve/ mbi ujë hapte puhija/.  Pëlhura mbi katarte/ fryhej nga kujet, zhurmat/ të bardha si flamurë/ shpalosur nëpër erë/  Kështu të parët tanë/ nga brigjet e Himarës/ për nën kurorë të ullinjve/ me një dafinë malli/ qafuar nëpër xhepe/ mërguan përtej detit.  Duke e lexuar këtë poezi zgjohet malli i fjetur në sa e sa breza këtej dhe matanë detit…

Me siguri kur mbylle sytë përgjithmonë në spital, vetëtimthi mbi ballin tënd fisnik si me magji do jetë shkruajtur “LIRIA”, si lule bozhur Kosove, që ta preknin dhe ndjenin njerëzit në përcjellen me nderime për në atë botë, se në botën e gjallë të vdekurit të kishin lidhur fizikisht me zinxhirë pranë arkëmotit të tyre, por jo shpirtin tënd, ngase ai fitoi pavdekesinë, përjetësisht.

Lamtumirë POET!

Midis të ndjerit Pano Tacit dhe studjuesit të mirënjohur z.Behar Gjoka

Majtas: z.Spiro Dede, i ndjeri Pano Taci, akademiku Xhevair Spahiu, shkrimtari i mirënjohur Pirro Loli dhe Qemal Zylo

15 qershor, 2012

Staten Island , New York



Related posts

RRAHIN ZEMRAT ARBËRORE
TRE ATDHETARË TË SHQUAR, DEKOROHEN ME TITUJT E LARTË “NDER...
VEPRIMTARI E SHOQATËS SË ARSIMTARËVE TË SHQIPËRISË
MËRGATA FESTON DITËLINDJEN E 93-të TË MARK KRASNIQIT

Leave a Reply





Archive