|

Lasgush Poradeci për poezinë

Nga: Sulejman Mehazi

Lasgush Poradeci

Studim

2.3.ZOG` I QIEJVE, SUBLIMIM I FRYMËZIMIT TOKËSOR ME ATË QIELLOR

Të studiohet dhe të analizohet në tërësi poezia e Lasgush Poradecit, është pothuajse e pamundur, e sidomos mjaft provokative është poezia hyrëse Zog i Qiejve si poezi parafjalë, që unë do ta quaja si në vend të kryefjalës, krye poezisë apo krye strukturës poetike, apo një krye poetike të re, e veçantë nga të tjerat. Më shkurt një poezi stradë e re  në letërsinë tonë moderne. Pse themi kështu? Themi kështu sepse qysh në hapat e para të kësaj poezie udhëheqëse para nesh dalin vargmale të larta, nëse më lejohet kështu të shprehem, me rrugë të cilës aspak nuk i duket fundi poetik. Me kësi lloj tipash poezish kanë me siguri problem”…edhe ata që e krijojnë, edhe ata që e recitojnë, edhe ata që e dëgjojnë poezinë; pra të gjithë-edhe poeti, edhe rapsodi a aktori, edhe kritika letrare, përshkohet nga ajo forcë e padukshme, nga ai korrent hyjnor, i cili ta kujton forcën magnetike…”[1].

Thënë shkurt, është mjaft rëndë të bëhet përkufizimi i një përvoje të brendshme që i kapërcen jo vetëm kufijtë e filozofisë, psikologjisë, artit, por edhe të eternitetit, ezoterikës religjioze që shihet sipas temave, figurave dhe metaforave të reja dhe të befasishme. ”…Me Lasgush Poradecin ka hyrë në letërsinë shqipe koncepti poet i vështirë, koncept që është përcjellë që nga lindja e veprës së këtij poeti dhe deri në ditët e sotme…”[2].

2.3.1.      Shpalimi i unit poetik

Që në fillim të poezisë  Zog’ i Qiejve Lasgushi shpreh thelbin e botëkuptimit të tij poetik.

Këng’ e lasht’ e vjershërisë më pëlqeu aq fare pak…

Do t’j`a marr që sot e tutje si bilbil parëverak,

Që nga fund’ i vetëvetes do këndoj një mall të ri:

                  Brenda tufës së junapit që mbleron me kaq stoli,,[3]

Poeti, që në këto vargje të para trason një rrugë të vetën individuale e origjinale të frymëzimit poetik. Ky shpalim poetik në aspektin e plotë të fjalës e ka kuptimin e kapjes, mbajtjes, përkapjes apo mbështjelljes së frymëzimit dhe krijimit poetik nga vetvetja, vendstrehimi, dhe njëkohësisht shmangie, frenim i dëshirave apo frymëzimit nga pasionet e mëparshme. Vargun, Lasgush Poradeci e koncepton si shprehje të forcës shpirtërore të kontrolluar, për të vendosur marrëdhënie midis ndjenjave, mendimeve si dhe midis kuptimeve dhe përjetimeve poetike. Ky shpalim poetik për poetin është forcë që do përgatit fushën për pranimin dhe kapjen e rrugës poetike e artistike të mallit të ri,apo të një poezie të re, por me një kundërshtim të butë të këngës së lashtë. Ky shpalim poetik i Lasgush Poradecit na bën të kuptojmë figurën apo metaforën e aftësisë për të dalluar këngën e lashtë të vjershërimit, me këngën që do të ja nis nga vetvetja, nga vendi i shenjtë i frymëzimit poetik siç është Junapi.

Pra, ç’është junapi sipas poetit?

Junapi është metaforë e frymëzimit poetik, që i mundësohet vetëm prej këtij vendi që mbleron me kaq stoli, me këngën e vet t’i falet Zotit apo frymëzimit të vet, për të komunikuar me qiellin, e për t’u bërë Zog i lartësive më të mëdha qiellore poetike. “…Vetëm brenda kësaj vjershe, të cilën poeti e ka vënë në ballë të veprës së vet poetike, dalin nocionet, figurat dhe temat qendrore të gjithë poezisë së tij: Këngë pleqërishte: Mall i ri: Bukuri llaftari; Dashuria: kënga e durimit; Përjetësia; Vaji i zemrës; Vdekja. Përderisa Bodëleri hyn në librin e vet Lulet e ligësisë me një vjershë kushtuar lexuesit, Lasgushi hyn në vallet e veta poetike me një vjershë kushtuar krijuesit…”[4].

Po cilat janë këto nocione, figura dhe tema qendrore në këtë vjershë?

Njëri ndër studiuesit e poetit Sabri Hamiti thotë se ”…në vargjet e lexuara në fillim dalin dy nocione-figura-tema të poezisë së Lasgushit: Kënga e lashtë/ Malli i ri, të cilat po u eksplikuan brenda kësaj kënge dhe në gjithë veprën poetike në tërësi, dalin në lidhje të fortë të ndermjetvetshme, dhe jo në kundërshti, duke u përjashtuar njëra me tjetrën…”[5]. Ne mendojmë se përveç këtyre nocioneve, figurave dhe temave: Këng’ e lasht’/ Mall i ri, ekzistojnë edhe nocione të tjera sepse siç shihet që nga fillimi i vargjeve e deri në fund të vargjeve të poezisë, Zogu i Qiejve orvatet të vendos lidhje me thelbin dhe qëllimin e tij për të gjetur rrugën e afrimit deri tek qëllimi i frymëzimit, deri tek Zoti i frymëzimit poetik. Sa kanë rëndësi katër vargjet e para me nocionin e Këng` e lasht`/mall të ri, aq kanë rëndësi bile edhe më shumë katër vargjet e fundit me nocionet: Që nga bota njerëzore / ndrit-e në përjetësi.

Që nga bota njerëzore, ku këndoj me shpirtin plot,

Prit-e, prit! Se po t’afrohet Zog’ i Qiejve, o Zot!

Fal-i Këngëtor- finoshit Gas të Thjeshtë mun në gji:

Posi lot në reze djelli ndrit-e në Përjetësi![6]

Zogu që nga bota e dherit, që nga bota njerëzore, që nga kënga e lashtë pleqërishte, që me shpirtin plotë dhe të përmalluar të Poradecit dhe stinëve të vitit, që me gjuhën e zjarrtë të Naim Frashërit, janë nocione kushtore për t’iu afruar Zogu i Qiejve Zotit. Por, ky bagazh shpirtëror nuk është i mjaftueshëm, zogu është i detyruar për të pritur e pritur, për t’iu afruar lartësive qiellore, sepse duhet shtuar edhe dashuria për të hyrë në Vallen e Yjve. Prej valles së yjve duhet zgjedhur yllin e zemrës. Vetëm me anë të zemrës shprehet dashuria, sepse vetëm në këtë mënyrë Zoti do ta Fal si Këngëtor- finosh dhe do t’i Fal Gas të Thjeshtë mun në gji, dhe si lot i pastër i rezes së diellit do ta ndrit në Përjetësi. Zogu i qiellit siç shihet qartë shpalon unin e tij poetik, e cila është  forcë që përgatit fushën për pranimin dhe kapjen e frymëzimit.

Pra, ky shpalim është njëra ndër karakteristiket kryesore që poezinë e Lasgush Poradecit e dallon nga kënga e lashtë e vjershërisë. Po këtu na del një arsye dhe mendim tjetër për të dalluar poezinë moderne nga ajo më e përparshmja romantike. Shpalimi i tij poetik është një nga themelet me të cilin njihet poezia e Lasgushit, me ndihmën e së cilës mund të bëhen analiza dhe sinteza në përjetimin e botës së brendshme  dhe të jashtme. Pra, sipas poezisë Zog’ i Qiejve e Lasgush Poradecit fusha e shpalimit është bota e Dherit fizike, “Ti vajton me zë të fshehur, se një zjarr kupton në gji: / Dheut! Ah dheut të përtëritur sot i falesh përsëri”, ndërsa vendbanimi i saj është zemra e frymëzuar me dashuri. “E kështu ti qan pa reshtur bukuritë-e dashuritë,” ose “Pa pushim të del nga zemra vaj’ i tingullit të mjerë;”.

Këto mendime i vërteton edhe Lasgush Poradeci në letrën 4. 8. 1938 dërguar Mitrush Kuteli duke thënë se “… gjith ata yj zemër- bardhësisht të ndritur bëjnë vëngjill për të m’u pasqyruar në qendër të zemrës, gjith ajo frymë e Zotit shentërisht sublime buçet e këndon sëbrëndi vetëvetes së saj dyke përshkruar qjellin dhe yjtë dhe varrin dhe zemrën time, dhe për të m’a pajtuar trupin dhe lëndën e përgjithëshme, shpirtin me frymën e përjetëshme, trupin-dhe-shpirtin me përgjithësinë-dhe-përjetësinë. Ndaj zotëron Gaz’ i Thjeshtë në imperiumin e vet…[7]

Sipas Zog’ i QiejveDheri i Zogut është bota e jashtme fizike prej ku poeti e merr inspirimin, ndërsa vendbanimi i frymëzimit është zemra. Shpalimi i unit poetik, për Zogun e Qiejve është aftësi dhe bazë krijuese, për të krijuar dritë largpamësie që zogu e ka vendosur në zemrën e tij, për ta sprovuar, nxitur, vetmohuar dhe inkuadruar në rrugën e vështirë poetike , në grada të larta qiellore.

Zemra, konsiderohet si epiqendër e natyrës njerëzore dhe përfaqëson substancën ndritëse të realitetit qenësor tek njerëzit. Në aspektin figurativ dhe kuptimor do të thotë, kthim i diçkaje nga njëra në anën tjetër, nga një gjendje në gjendje tjetër: “Ti këndon, o zog i pastër, ti këndon, këndon përherë, / pa pushim të del nga zemra vaj’ e tingullit të mjerë”. Zemra e Zogut herë është brenda junapit, herë tek zoti, herë në liqere e detëra, herë në qiell, por herë në gjendje të gëzuar, e herë në gjendje të mjeruar, herë ze qan nër fletë, herë dridhet me një zë pa shëmbëllim, herë flet, herë i lutet Zotitit të vet.



[1]     Agim Vinca, Kurs i teorive letrare, Libri shkollor, Prishtinë, 2002. fq. 34.

[2]     Luan Topçiu, Tekstualizimi dhe stili, mbi veprën poetike të Lasgush Poradecit, Bukuresht, 2000, fq. 3.

[3]     Lasgush Poradeci, Poezia, vepra I, ShB ”albPAPER”, Tiranë, 2009. fq. 15.

[4]     Lasgush Poradeci, Vdekja e Nositit, “Rilindja”, Prishtinë, 1978. fq. 9.

[5]     Po aty, fq. 7.

[6]     Po aty, fq.17.

[7]     Lasgush Poradeci, Korrespondencë Lasgush Poradeci – Mitrush Kuteli, vepra IV, ShB “albPAPER”, Tiranë, 2010, fq.103, 104.



Related posts

NJË TAKSI PËR MACEN TIME
Kanarina po këndon
Poezi nga Valentina Llapri
IK-JA

Leave a Reply





Archive