|

Lidhja e kombeve dhe çështja shqiptare

Nga Brahim Avdyli

Brahim Avdyli

 

Lidhja e kombeve dhe çështja shqiptare

Punim Shkencor

Zvicra është një vend karakteristik, i cili ka 40‘000 km2 dhe mbi 700 liqene të madhësisë së ndryshme. Ajo karakterizohet me alpe të larta e të pasura me kullosa, kurora e të cilave shtrihet në drejtimin verilindje dhe jugperëndim. Alpet zvicerane shquhen me bukurinë, vazhdimësinë dhe lartësinë e majave. Ky shtet ka 7 milionë banorë, ku rreth mbi 2 milionë janë të huaj, apo 35 për qind të popullsisë, që në pjesën më të madhe i nënshtrohet shtetëzimit, d.m.th. asimilimit. Një pjesë të madhe të tyre e përbëjnë shqiptarët, të cilët, deri në vitin 1990-1999 kanë qenë të regjistruar me kombësi të shteteve të krijuara me dhunë në kurrizin e tyre dhe më vonë kanë arritur të regjistrohen si shqiptarë, respektivisht si kosovarë. Aty merren edhe emigrantët e Maqedonisë, që janë kryesisht shqiptarë.

Zyrtarisht, mendohet se në Zvicër banojnë 250.000 banorë shqiptarë nga Kosova. Prej tyre, rreth 50.000 e kanë marrë shtetësinë zvicerane, në 15 vitet e fundit. Nëse del nëpër rrugë ku shëtisin banorët, rrjedhimisht çdo i dyti apo i treti të flet shqip. Kjo të jep përshtypjen se ke të bësh me një gjysmë milioni shqiptar apo më tepër, që d.m.th. se numrin e shqiptarëve në Zvicër statistikisht e ke gjysmë për gjysmë të zvogëluar.

Rreth zanafillës së pranisë së shqiptarëve në Zvicër nuk kemi ndonjë studim të mirëfilltë historik, sepse kanë qenë të zënë kryesisht nga lufta e pandërprerë me shovinizmin grek, bullgar, serbo-jugosllav e rus. Studimet zvicerane i shlyejnë shqiptarët nga Zvicra para vitit 1960. Disa „studiues“ nuk e njohin historinë, gjeografinë, antropologjinë dhe shkencat e tjera, pa marrë parasysh se kishte historianë të vërtetë zviceranë, që shkruanin në të kaluarën për shqiptaret dhe që udhëtonin nëpër Shqipëri. Këta „studiues“ ndjekin në studimet e tyre deklaratat shtetërore zvicerane dhe bëjnë të njëjtën gjë me zvogëlimin e numrit të tyre.

Por, një gjë do ta pranojmë, sado që deri vonë nuk e thonë ata: shqiptarët kanë qenë të pranishëm në Zvicër që nga periudha e pushtimit iliro-romak. Mjaftojmë të shëtisim nëpër tërë trevën malore, sidomos në Graubynden, do të gjejmë fjalë, fjali, mënyra dhe mjete të jetës ilire, të cilat, edhe sot tingëllojnë shqip. Në fund të shekullit 19, Fridrich Stolz e mbron tezën, se gjuha rete ishte ilire, si dhe Livius nga Padova deklaronte se gjuha rete është e ngjashme me gjuhën etruske (d.m.th toske). Retija është edhe sot e ndjeshme në Zvicër. Është Räter Prima (e Madhe) dhe Räter Sekunda (e vogël). Kështu, Retija e Vogël është fshat afër Prizrenit, në Kosovë. Retija Prima dhe Retija Sekunda sundoheshin nga Diokleciani ilir (dardan), nga vitet 280-305 të epokës së re. [1] Për Retët në Kantonin Graubünden të Zvicrës, të autorëve Ingrid R. Metzer dhe Paul Gleirscher, „Die Räter“, citohet Pitioni, sipas veprës së Ludwig Paulit „Gjurmët e një populli“, të vitit 1940, ku thuhet: „Kur flitet për Retët e asaj periudhe, duhet të jemi të qartë se këtu ka të bëjë shkëlqyeshëm për Ilirët, krahas të cilëve Keltët, ndoshta edhe Etruskët, e luanin një rol modest. [2]

Po të marrim toponimet e vendbanimeve të Zvicrës, shohim se ata janë ilirë. Wohlen, qytet i njohur në Zvicrën, do të thotë „vonë lenë=Dielli“, që është një dukuri e rrallë natyrore, se dielli shihet pas orës 13 në këtë qytet. Zuricum (Cyrih) do të thotë Zürich, ndërsa Turikum, do të thotë Turia. Fshati Turia, është sot fshat në Kosovën Lindore. Reuss (Rojs)=ruaj, që do të thotë se liqeni i Luzernit ruante nga kulshedra e Pilatusit (pyellit të Atit), sipas legjendës së Kantonit të Luzernit, ndërsa Burimi quhet burimi i ujit edhe sot në shqip. Në Graubünden, mali Albanatscha do të thotë Albana, kurse fshati dhe banja shëruese Alvanen do të thotë Albanën. Koria/Kori (Chur) reliefi është i tillë guror, ndërsa Bever (bie/bën verë) do të thotë se Dielli nxenë shumë në këtë vendbanim. St. Moritz (San Murezzan) ka një shpjegim në shqipe, Shën Murtezan. Nga gjuha Rete do të gjejmë mjaft fjalë që kanë kuptim në shqipen e sotme. Fjala dret, do të thotë drejt; sgiarba= zgrabit; spuandar=shpërndaj; nata gmir= nata gdhinë; parabla=përralla, pallavra; paja=paqë, a; deces=dekje, vdekje; cufor= çoj forcë, japë forcë, ngushëlloj; bun per= bëj petë; shliar/liar=lidhë; kanton=katund, fshat; etj. [3])

Kur të marrin kontaktet e para zvicerano-shqiptare në shqyrtim, vlen të përmenden ato të shekullit XV, sado që duket e pabesueshme. Në të gjitha simbolet e Kantoneve të para zvicerane që përbëjnë Konfederatën Zvicerane, shohim se flamujt e këtyre kantoneve kishin shqiponjën dykrerëshe, që ishte simbol i bashkimit në luftë për liri të vëllezërve të parë shqiptar (pellazg, ilirë): gegëve dhe toskëve (gigantët, që jetonin në malet e larta-alpeve shqiptare dhe toskanëve, që jetonin në bregdete dhe liqene). Gigantët kanë jetuar nëpër Alpe (Shqipëri, Zvicër dhe Austri) dhe kanë ruajtur këtë lidhje të fortë vëllazërore me toskanët, nga të cilët kanë shkuar nëpër dete dhe liqene dhe është krijuar psh. Toscana në Itali.

Shqiptarët (gegët dhe toskët) kanë ardhur në Zvicër, që në kohët më të lashta. Kështu e kanë ruajtur simbolin shqiptar, shqiponjën me dy krerë, të shtrirë në fushën e gjatë të betejës, të mbuluar me gjak, kuq si gjaku i bijve të rënë në betejat e mëdha për liri. Ata kanë dalë me flamujt e shteteve të tjera, si psh. të Greqisë, të Turqisë, të Bullgarisë, të Maqedonisë dhe të Kosovës, si simbole shtetërore, që janë shumë pak të tyre. Por, në kujtesën e tyre ka mbetur i pandryshuar flamuri me shqiponjën dykrerëshe dhe fushën e kuqe, pa marrë parasysh simbolet e sistemeve politike, fetare apo shtetërore që ka marrë  gjatë shekujve. Shqipëria ka fituar vonë një shtet të vogël. Shqiptarët e kanë ruajtur flamurin e tyre në gji, që prej shqiptarit të parë. Për të janë vrarë me nder, me krenari. Këtë flamur e kanë bartur në të gjitha ngjarjet e mëdha të popujve tjerë, sidomos në krijimin e Konfederatës Zvicerane. Ne i gjejmë këto në Basel, në Rathaus (Shtëpi e Luftës), që është një nga shtëpitë më të veçanta në çdo komunë, të gdhendura në xham në vitet 1519/20 nga Antoni Glaser,[4] në të cilat shihen simbolet kombëtare shqiptare, si psh. në Cyrih, Bern, Lucern, Friburg, Soloturn, Cug, Shvic, Shafhausen, Uri, Untervalden, Gllarus dhe Apencel, përpos Bazellit dhe Sakt Gallen ku shihen simbolet fetare. Viti 1519 ishte vit kur kishte kaluar në tjetër jetë Skënderbeu (1468) që kishte ndikuar shumë për mbajtjen gjallë të tendencës së bashkimit të Zvicrës, krahas ruajtjes së ndenjës famëmadhe të pavarësisë së kombit shqiptar nga sunduesit otoman. Pas vdekjes së tij, familjes dhe luftëtarëve të Skënderbeut në tokat shqiptare iu bë e pamundur të jetojnë. Ata emigruan në Itali dhe disa prej tyre në trevat e ndryshme të Zvicrës. Prej këtu e shohim se simboli shqiptar ka mbijetuar edhe në Zvicër në themelimin e tij si shtet.

Trevat shqiptare sot

Kontaktet e para të Zvicrës dhe të shqiptarëve datojnë nga viti 1431. Është i njohur Koncili i Bazelit i të njëjtit vit, në të cilin është debatuar për çështjet kishtare. Në këtë Koncil të Baselit ishte ftuar nga Shqipëria Andeas von Krim, për diskutim, që është i njohur me emrin e tij Adrea Zamometisch, dhe kishte jetuar në Granea të Shqipërisë, si ipeshk i atij vendi. Mendimtarë të ndryshëm konsiderojnë se mbiemri i tij vjen nga Camaj apo Camemetisch. Ka lindur në Nin në vitin 1420 dhe ka vdekur në Bazel, në vitin 1484.[5] Kur ipeshkëv katolik nga Shqipëria ftohet në Bazel, kjo do të thotë se ky vend njihej nga Zvicra. Është shumë i njohur botimi i Bazelit, i veprës së Marin Barletit „Rrethimi i Shkodrës“ (De obsidione Scodransi) më 1556, në gjuhë latine, një vit pas botimit të „Mesharit“ të Gjon Buzukut, më 1555, që praktikohej shumë te shqiptarët që jetonin jashtë Shqipërisë, prej nga ishte Marin Barleti, humanisti i madh shqiptar. Kjo është një dëshmi e fortë që kishte populli zviceran për popullin dhe kulturën shqiptare.[6]

Shqiptarët qenë themeluesit e Italisë, të Perandorisë Bizantine dhe pranuan si gjuhë zyrtare gjuhën latine. Gjuha latine ishte një gjuhë artificiale që nuk jetoi si gjuhë e folur kohë të gjatë. Konsiderohej se përdorej dhe shkruhej gjuha shqipe me alfabet të saj. Deri më sot nuk kanë mbetur njohuri që dokumentojnë shkrimin e kësaj gjuhe, deri në formulën e pagëzimit, më 8 nëntor 1462, nga Pal Engjëlli, në Kishën e Shenjtë të Trinisë në Mat të Shqipërisë. Gjuha shqipe, në formën e shkruar, përdorej më parë. Vështirësitë më të mëdha në këtë kohë qenë mungesa e shtypshkronjave në Shqipëri. Ajo ishte  e përfshirë në luftën mijëvjeçare për të mbijetuar nga luftërat e pashkëputura të fqinjëve të tij grabitqarë e shovinistë serbë, grekë e bullgarë, krahas armikut kryesor kombëtar të tij, Perandorisë Osmane, që bënin ata për ta shkombëtarizuar, shpopulluar dhe shkatërruar kombin shqiptar nga trojet e tyre autoktone. Nuk kemi mundësi të ndjekim gjatë kësaj kohe dramatike udhëtimet nëpër botë, veçanërisht në Zvicër, ku i gjejmë herë pas here në kulmet e jetës së shtetit zviceranë. Po marrin nga kjo disa shembuj më të njohur.

Liqeni i Raperswilit, në Zvicër

Familja Curti (Kurti) ka dhënë disa personalitete të njohura. Ajo ka ardhur nga Milanoja, si familje e madhe shqiptare, në vitin 1665. Zvicrës ia ka dhuruar disa personalitete të njohura: Dr. med. Franz Josef Curti (1737-1818) ka qenë Kryeplak i fundit i Rapersvilit, Basil Ferdinand Curti (1804-1888), ka qenë Deputet i Vendit (i Landit), Dr. med. Ferdinand Curti (1826-1921)[7]) ka qenë Deputet i Vendit (Landamann); Teodor Curti (1848-1914) ka qenë Deputet i Kuvendit Kombëtar, Deputet i Vendit dhe publicist; Franz Kurti (1854-1898), kompozitor; Dr. h.c. Franz Karl Curti (1880- 1948), Pater Naker O.S.B; Dr. iur. Alfons Curti (1882-1957) Kryetar i Komunës së Kishës dhe i Komunës së Vendit dhe Prof. Merle Curti (1897-1996) historian. Sheshi i Rapersvilit pranë liqenit mbanë titullin „Sheshi Kurti“, nën Kalanë e Rapersvilit, ku janë zhvilluar luftërat nga vendasit kundër tyre. Familja Curti (Kurti) ka qenë familje e njohur e Rapersvilit. Kështu ndodhë edhe me shqiptarët e tjerë. Rruga më e  mirë që ta mbërrijmë Zvicrën është Italia dhe Austria. Ne duhet t’i shohim me kujdes këto rrugë. Shqiptarët kanë qenë shumë të njohur në botë, por nuk janë të njohur si shqiptarë.

Shenja e Familjes Kurti

 

Më me rëndësi është femra shqiptare. Kushte më të mira për botimin e librave dhe për shkollim kishte Elena (Helena) Gjika, e njohur me emrin e autorësisë, Dora d’Istria. Ka lindur më 22 janar 1828 në Bukuresht, si bijë e Princit Mihail Gjika, mbesë e Princit të Mirditës Gregor Gjika, një familje e njohur aristokratësh shqiptar. I ungji i saj, Grigor IV, ishte Dukë i Vllahisë. Ata kishin shkuar nga Mirdita në Maqedoni, për në Rumani. Fatlumturisht, Helena Gjika ka pasur fatin e madh të marrë një edukatë të fortë familjare dhe një shkollim të mirë në Bukuresht,Vjenë, Venedik, Dresden, Berlin e St. Petërsburg.

Përveç gjuhës rumune dhe shqiptare, ajo mësoi mirë greqishten e vjetër e të re, italisht, frëngjisht, gjermanisht, anglisht dhe rusisht. Ka bërë në publicitet të jashtëzakonshëm në veprat e saj anë e mbanë Evropës, në Rumani, në Greqi, në Austri, në Gjermani, Britani e Madhe, Belgjikë, Francë, Itali dhe në Zvicër. Ajo luftoi me këmbëngulje për barazinë e femrës dhe burrit si dhe për pavarësinë dhe njohjen e kombit shqiptar në Ballkan. Libri i saj „Kombësia shqiptare sipas këngëve popullore“, botuar 1866 në revistën letrare „Revue des duex mondes“, luajti mjaft rol të madh në lëvizjen kombëtare shqiptare të periudhës së Rilindjes Kombëtare.

 

Një pllakatë e ngjitur në mur për pjesëtarët e njohur të familjes

Për familjen Gjika, Helena Gjika ka shkruar një histori të gjatë prej 455 faqesh, „Shqiptarët në Rumani. Historia e Princërve Gjika në shekujt e 17-të, 18-të e 19-të“, të botuar 1873, në Firencë të Italisë [8]). Në Zvicër ka jetuar prej vitit 1855, pas ndarjes nga Princi rus, Aleksander Koltsov-Masalski, deri në vdekjen e saj në Florenz të Italisë, më 1882. Në Zvicër ajo ka publikuar 10 libra të saj, nga të cilat vlen të përmendim librat „Zvicra gjermane dhe ngjitja e Mënhit“, Paris 1856, në gjuhën frënge dhe „Zvicra gjermane dhe ngjitja e Mënhit“, Cyrih 1858, në gjuhën gjermane; „Zvicra, një pioniere e Reformimit apo Zvicra gjermane“, Londër 1858; „Zvicra gjermane. Vendi, populli dhe historia“, Cyrih 1860 (3 pjesë); „Një rrëfim i udhëtimit. Kujtime nga Zvicra italiane“, Paris 1861, etj. Ajo është e para femër që ngjiti vargmalet e Alpeve të Bernit, majën më të lartë të saj, Jungfraujoh, të Mënhit (lartësia 4107 m), si femër shqiptare, të cilën ajo e shtroi në veprën vijuese „Zvicra gjermane dhe ngjitja e Mënhit“, më 1858, një vit pas ngjitjes së saj më 1857, në bjeshkët e larta të Alpeve të Bernit. Ka shkruar për Zvicrën gjermane, franceze, italiane dhe retoromane, të cilat i ka njohur mirë.

Nga tokat shqiptare dhe si pasojë e rrethanave të ndryshme kanë ardhur pjesa më e njohur shqiptarësh, përkohësisht apo më gjatë, si psh. Naim Frashëri, Sami Frashëri, Mid‘hat Frashëri, Anton Zako çajupi, Leonik Tomeo, Lazër Shanto, Pol Adhamidhi, Gjergj Kokali, Ajet Libohova, Ali Këlcyra, Ismail Qemali, Fan Noli, Luigj Gurakuqi, Faik Konica, Dervish Hima, Mustafa Kruja, Eqrem Bej Vlora, Visar Dodani, Aleksandër Moisiu, Dr. Mihal Turtulli, e shumë të tjerë. Qysh në atë kohë Sami Frashëri ia prezantoi Mit‘hat Frashërit modelin e bashkëjetesës dhe të paqes së Zvicrës për Shqipërinë. Naim Frashëri nuk kishte qenë në Baden të Austrisë, por në Baden të Zvicës për shërim, ndërsa 10 vite kishte shërbyer si prift në kishë Lazër Shantoja, në La Motte, të Zvicrës.[9]

Anton Zako çajupi erdhi për të studiuar drejtësinë, në Gjenevë, Zvicër, në vitin 1887. Pas përfundimit të studimeve të drejtësisë, më 24 tetor 1892 mbeti edhe në vonë, gjë që e shohim në dokumentet zvicerane dhe shqiptare. Nga vepra e tij poetike, „Baba Tomori“ dhe në prozat e tij „Besa-Besë“ dhe „Mysafirët e çajupit“ e kuptojmë si kishte qenë jeta e tij në Zvicër. Ishte i martuar me zviceranen që e dashuroi në mënyrë të denjë, e cila vdiq në vitin 1892, duke ia lindur djalin e vetëm, Stefanin, për të cilin shohim si digjet shpirti i poetit kombëtar shqiptar këtu e deri në Egjipt. Ishte një nga shqiptarët më të organizuar në lëvizjen patriotike shqiptare për liri, pavarësi dhe të drejtat e legjitime, në Konferencës së Paqes në Paris, përmes Memorandumit të Egjiptit, që bashkë me patriotët shqiptarë ia dërguan opinionit ndërkombëtar.

Aleksandër Moisiu ka vdekur në Zvicër më 22 mars 1935 dhe është varrosur në varrezat e Morkotës, mbi liqenin e Luganos, në Zvicër, ku kamë qenë në Simpoziumin Ndërkombëtar për Aleksandër Moisiun, të organizuar nga shoku im i lëvizjes studentore në demonstratat e vitit 1981, gjatë studimeve në vitin 1979/80, Sylë Mujaj,[10] apo ta vizitoj me nxënësit shqiptarë të shkollës së teatrit dhe të filmit, nga Cyrihu, në vitin 2004, që shkruan për ne Dashnim Hebibi, gazetar i „Botës Sot“, një reportazh të veçantë.[11]

Nga Italia ka pasur shumë arbëreshë të ardhur në Zvicër. Një pjesë është inkuadruar në kishat katolike romake dhe një pjesë në jetën private dhe shoqërore të  Zvicrës. Vlen të përmendim shkrimtarin arbëresh, Xhysepe Gangale (Guiseppe Gangale), i lindur në vitin 1897 dhe i vdekur në vitin 1978. Ka mbështetur me të madhe të kaluarën retoromane të Zvicrës dhe veprimtarinë ndër shqiptarët, që ka mbetur në analet e historisë .[12]

Në Tiçino ka mjaftë arbëreshë. Ndër ta, ndonjëri është mjek. Dr. Giancarlo Politta, në Gordola të Tiçinos, nuk e di shqipen letrare, por nga pak „arbëresh“, që është një dialekt i vjetër i shqipes letrare. Para shtëpisë, ndodhet e ngrirë në dru statuja e luftëtarit të madh shqiptar, Giorgo Castriotto (Skënderbeut). Të parët e tij e dinin mirë shqipen. Me ndjenja të forta për kombin shqiptar kanë qenë gatuar të gjithë luftëtarët e Skënderbeut.

Sa u përket gazetave shqipe në të kaluarën, vlen të përmendim 4-5 tituj shqip mes të viteve 1903-1936. Në Rumani dhe në Itali, kur kanë dalë gazetat shqiptare, nëpër to kanë vepruar kolonitë shqiptare mbi 100.000 shqiptarë. Në Zvicër kanë dalë në këtë kohë gazetat e njohura, „Shqipëria-l’Albanie“ (1903-1906), në Gjenevë; „Shqipëria-Albanie“ (1915-1916), në Losanë; „Liria kombëtare-La liberté Nationale“ (1925-1935), në Gjenevë dhe „Biblioteka: Zëri i Shqipërisë- La Voix de l’Albanie (1935-1936). Po në këtë kohë kanë dalë një varg veprash të njohura për shqiptarët, si psh. vepra e atdhetarit kombëtar Mit’hat Frashëri (pseudonimi Lumo Skendo), „Les Albanais chez eux et à l’étranger“, Lausanne 1919 dhe autori i njohur shqiptar, Krist Maloki „Leksikon der Frau“, në Zürich [13].

Shqiptarët, edhe pse të padeklaruar, kanë qenë një numër i konsiderueshëm. Ismail Qemaili, Luigj Gurakuqi, Faik Konica, Fan S. Noli, Dervish Hima kanë qenë personalitete të njohura shqiptare që bënë çmos për njohjen dhe pavarësinë e shqiptareve. Bajram Curri, ka qëndruar në Zvicër 2 javë në bisedime me kryetarin e njohur të botës politike, Presidentin amerikan, Vilsonin. Shqipëria, ajo pjesë që shpëtoi nëpër kthetrat e përgjakura të fqinjëve te saj me gjakun e madh shqiptar, është njohur si shtet i pavarur më 1912, ndërsa me punën diplomatike shqiptare në vitin 1920 është e pranuar në Lidhjen e Kombeve. Atë kohë, Fan Stilian Noli ishte kthyer në Zvicër, në Gjenevë, ka merr pjesë në organizatën e Lidhjes së Kombeve, ku i rrëzon të gjithë kundërshtarët e tij ballkanas në mënyrën më mjeshtërore dhe me buzë në gaz, me fjalimet e ngjeshura oratorike. Deri në vitin 1921 ndodhet në Zvicër, pastaj kthehet në Shqipëri. Në këtë kohë janë drejtuar mjaft letra politike, protesta e memorandume të pandërprera.

Në vitin 1915 Faik Konica takohet me Mit’hat dhe Mehdi Frashërin dhe boton në gjuhën frënge traktatin „L’Allemagne e l’Albanie (Gjermania dhe Shqipëria), ku fshikullon padrejtësinë e diplomacisë gjermane për ndarjen e Shqipërisë midis grekëve dhe sllavëve. Më 1916 detyrohet të largohet nga Zvicra, për shkak se austriakët e shikojnë si të dyshimtë për qëndrimin akuzues ndaj Austrisë dhe Gjermanisë.

Marrëdhëniet diplomatike me shtetin e Zvicrës janë vendosur që nga angazhimi i shqiptarëve për lirinë dhe pavarësinë e tokave tona nga Perandoria Osmane. Në këtë kohë Ballkanin e përfshinë një lëvizje e popujve për pavarësinë e tyre, pra edhe të shqiptarëve. Në jetën tonë, ka pasur një shpërthim të gjithanshëm të fqinjëve më të afërt me dhunë, krime dhe ndjekje. Ndonëse jemi të vonuar me organizimin e rezistencës sonë, nuk i kemi menduar dinakëritë dhe thellësinë dhe zgjerimin e krimeve nacionale. Atëherë, nuk kemi pasur mekanizma të mbrohemi nga dhuna e shfrenuar e fqinjëve tanë.

Përpjekjet e para diplomatike nuk mund të quhen ato kontakte të individëve shqiptarë të natyrës tjetër. Në Zvicër, ka pasur udhëtime e qëndrime të individëve të ndryshëm, që prej kohës së pavarësisë dhe krijimin e Konfederatës Zvicerane. 500 vjet ka zgjatur sundimi osman mbi tokat shqiptare, të shumtën i përcjellë me kryengritje kombëtare, deri në Lidhjen e Prizrenit, më 1878. Rilindja Kombëtare me aktet e veta largpamëse është prioritare për zhvillimin e kontakteve ndërkombëtare.

Në Periudhën Osmane ka pasur udhëtime të shtetasve të perandorisë së tyre, që kanë qenë edhe shqiptar, por nuk u dihet kombësia. Ndër më të pasurit, ka pasur ndonjë që ka kryer shkollë në Zvicër, sepse Zvicra ishte më e njohura dhe kishte pedagogë me renome anë e përtej shtetit. Anton Zako çajupi, ka kryer Fakultetin e Drejtësisë në Universitetin e Gjenevës, në vitin 1892. Ai është personalitet intelektual i Rilindjes Kombëtare të Shqiptarëve që ngritet në Zvicër. Pra, marrëdhënie të rregullta diplomatike mund të merren ato marrëdhënie në prag të pavarësisë së Shqipërisë dhe Konfederatës së Zvicrës.

Kërkesa e parë shqiptare drejtuar Zvicrës për njohjen e pavarësisë së shpallur më 28 nëntor 1912 është nga Qeveria e Vlorës, diplomati Ismail Qemaili, i cili, ka qenë në këtë shtet. Ai iu drejtohet të gjitha shteteve të njohura të Evropës dhe të botës për njohjen e pavarësisë së Shqipërisë, me të gjitha pjesët e tokës sonë. Kërkesa e Ismail Qemalit është kërkesë e parë e qeverisë së parë shqiptare, sado që kjo qeveri ishte krijuar në maj të vitit 1912, në Junik të Gjakovës, në Kuvendin e Junikut, e cila kishte si mbështetëse 13 viset e Kosovës dhe të Malësisë, në të cilën fisi i Morinës jepte kontributin e saj, ku ishin marrë pjesë një numër i denjë shqiptarësh me renome, si p.sh. Hasan Prishtina, Bajram Curri, Isa Boletini, Azem Galica, Zefi i Vogël, Zog Avdyli[14] etj.

As Qeveria e Vlorës nuk ka jetë të gjatë. Kërkesën e dytë për njohjen e Mbretërisë së re, të krijuar në Shqipëri, e ka bërë me 06.05.1914 Vilhelm von Vid. Në këtë letër ai njofton se ka marrë fronin e Mbretit të Shqipërisë dhe kërkon njohjen e Mbretërisë së Shqipërisë. Kjo ndikon në Parlamentin Zviceran për njohjen e Shqipërisë. Zvicra interesohet të marrë informacione përmes përfaqësive diplomatike të Romës dhe të Vjenës rreth kësaj çështje. Ministria e Punëve të Jashtme e Zvicrës merr nga përfaqësia diplomatike në Vjenë një rekomandim që mos ngutet me njohjen e Mbretërisë së Shqipërisë, e cila ishte në „situatë lufte“. Një kërkesë e ngjashme i ishte dërguar Austro-Hungarisë, por qeveria e këtij shteti e konsideronte jo stabil dhe mbreti Vilhelm von Vid së shpejti do të jetë i detyruar të ikë shpejt nga vendi.

Me shpërthimin e Luftës së Parë Botërore, Shqipëria okupohet nga trupat italiane, bullgare, serbe, greke dhe nga fuqitë e qendrës Evropiane, Austro-Hungarisë e Gjermanisë. Kjo ishte një kohë e zezë për shqiptarët. Me përfundimin e Luftës së Parë Botërore u ndanë dhe u copëtuan me dhunë edhe njëherë tokat shqiptare. Dy të tretat e tokave tona  mbetën nën kthetrat e shovinistëve grekë, bullgarë, malazezëve dhe serbë. Mbretëria Serbo-Kroato-Malazeze okupoi me dhunë pjesë të madhe të tokave shqiptare.

Kërkesa e tretë drejtuar shtetit zviceran i drejtohet më 21.01.1921 nga Fan S. Noli, diplomat i njohur i Shqipërisë. Ajo ju drejtohet Ministrisë së Punëve të Jashtme të Zvicrës nga delegacioni shqiptar në Hotelin Metropol të Gjenevës, të nënshkruar nga Fan S. Noli së bashku me një memorandum të nënshkruar nga i njëjti, në të cilat njoftohej se Shqipëria ishte njohur nga shtetet e tjera të Evropës dhe Ballkanit. Ministri i Punëve të Jashtme të Zvicrës falënderon delegacionin për këto njoftime për njohjen e pavarësisë dhe me 25.01.1921 u shkruan përfaqësive diplomatike të Zvicrës që ta njoftonin Ministrinë e Punëve të Jashtme të Zvicrës se a e kishin njohur hap pas hapi pavarësinë e Shqipërisë me kufijtë e tij të vitit 1913, që e kishte njoftuar delegacioni shqiptar në Zvicër, kur ishte mbajtur Konferenca e Londrës, në të cilat ato ishin akredituar. Në këtë këmbim shkresash zyrtare ka një këmbim shkresash dhe raportesh të përfaqësive të diplomacisë nga Belgjika, Britania e Madhe, Franca, Rumania, Spanja dhe Austria. Nga marrja e detyrës së konsullit shqiptar në Vjenë, me 22.12.1921, përfaqësia e diplomatike e Zvicrës në Vjenë, i drejtohet me një shkresë si qëndronin raportet e Shqipërisë me Zvicrën.

Kërkesa e katërt kishte ardhur me 30.01.1922, kur sekretariati i Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve ia adreson një letër qeverisë së Zvicrës si kërkesë për njohjen de jure të Shqipërisë, drejtuar nga Ministri i Përkohshëm i Punëve të Jashtme, e cila thirret në Konferencën e Ambasadorëve të Parisit, më 09.11.1921. Qeveria e Zvicrës i drejtohet me një letër përfaqësive të saj në gjithë botën që ta njoftojnë se cilat do të ishin qëndrimet e shteteve ku ato qenë akretiduara si përfaqësi diplomatike lidhur me çështjet e pavarësisë së Shqipërisë, në të cilën ishin të kyçura qeveritë e Italisë, Japonisë, Francës, Britanisë, Gjermanisë dhe Austrisë. Kërkesa e fundit nga i njëjti sekretariat i Lidhjes së Kombeve, i datës 24.02.1922, e cila kërkon që qeveria e Zvicrës ta njohë Shqipërinë si shtet të pavarur. Qeveria dhe Ministria e Punëve të Jashtme e Zvicrës e vlerësuan si kohë të përshtatshme për njohjen e pavarësisë së Shqipërisë, kështu që Ministria e Punëve të Jashtme të Zvicrës ia drejton Qeverise së Zvicrës një shkresë për njohjen e Shqipërisë si „shtet të pavarur“, me 01.03.1922, gjë që fatbardhësisht pason.

çështja shqiptare hyn pas një periudhe te gjatë luftimesh, ndjekjesh, përpjekjesh të pandalura për shkatërrimin kombëtar e fetar. Qeveritë shqiptare ndërrohen e humbin shpejt nga ndjekjet e armiqve tanë. Kombi shqiptar, megjithatë me një çerek të tokave shqiptare të shpallura si të pavarura, ec përpara për ta mbajtur gjallë ndenjën e fortë kombëtare. | Prishtina Press

 


[1] Prof. Vasfi Beqiri, „Retija- përkthime dhe përshtatje në shqip“, vepër e pabotuar, arkivi personal i autorit.

[2] Ingrid R. Metzer, Paul Gleirscher, „Die Räter“, Verlagsanstalt Athesia, Bozen 1992, faqe 727.

[3] W. Oechsli, Die älteste Geschichte Graubunden, cituar sipas përkthimit dhe përshtatjes së Prof. Vasfi Beqirit, arkivi personal i autorit.

[4] Hans Peter Treischler & CO, „Abenteuer Schweiz/Geschichte in Jahrhundertschritten“, Dreizehte Buchgabe des Migros-Genossenschafts-Bundes, Limmatdruck AG, Spreitenbach 1991, f. 122-123.

[5] Albert Ramaj, Shqiptarët në Zvicër prej vitit 1431 deri më 1940, Gazeta „Albsuisse“, Nr. 001, janar 2008.

[6] Artikulli i cituar më poshtë.

[7] „Medizin im Linthgebiet/100 Jahre Medizinische Verein von Linthgebiet“, Botim i botuesve, Rapperswil- Jona 2002

[8] Robert Elsie, Histori e letërsisë shqiptare, botim i dytë, Dukagjini, Pejë, 2001, f. 143.

[9] Albert Ramaj, vep. e cit..

[10] Shih „Qëndresën“, Nr. 10-11, mars-prill 1994, Eksluzive: Intervistë e Bujar Skendos me Sylë Mujajn, „Simpoziumi ndërkombëtar është sprovë e madhe për ne“ dhe skica ime për Aleksandër Moisiun.

[11] Dashnim Hebibi, „Askush nuk vdiç aq shpesh dhe aq mrekullisht bukur në skenë sa Moisiu“, Bota Sot, 22 mars 2004.

[12] Albert Ramaj, artikulli i cituar.

[13] Cituar sipas Albert Ramajt, artikulli i cituar, që nuk dihet shtëpia botuese dhe viti i botimit.

[14] Kësaj qeverie nuk i kushtohet sa duhet rëndësi, në të cilën ka marrë pjesë edhe vëllai i babagjyshit tim.



Related posts

Te padukshimit e shoqërisë
Greqia dhe fqinjët e saj shqiptarë
Ministri i FSK-së Agim Çeku merr pjesë në konferencën rajona...
Daorsët -Ata ishim ne !

Leave a Reply





Archive