|

MAGJIA E BUTRINTIT TË LASHTË

Nga: Iliaz Bobaj

Dergoi: Aleko Likaj

Sa herë marr rrugën për të vizituar Butrintin,më duket sikur shkoj për të parë një tragjedi të lashtë.  Më është bërë zakon të ulem në shkallaret e gurta të amfiteatrit të lashtë dhe të udhëtoj me imagjinatën  time nëpër rrugët e historisë së këtij qyteti mijravjeçar. Qetohem mes natyrës,që i ka dhënë atij vendi gjithshka të bukur që mund t’i jipte,ndërsa dora e njeriut artin e ndërtimit deri në madhështi. I ngritur mbi një kodër me blerim të harlisur, ai kufizohet prej gadishullit të Ksamilit në perëndim, prej liqenit me të njëjtin emër në veri, (në lashtësi quhej liqeni i Pelodesit ose i Zanave), në lindje prej kanalit, që e ndan nga prapatoka,në jug prej kanalit dhe fushës,duke formuar një gadishull me bukuri të rrallë, me një kendvështrim të gjerë veri-lindje-jug,deri tej, në fushën e Vrinës, (në lashtësi quhej fusha e Kestrinës). Nuk e di kush e ka ndërruar këtë emër kaq të bukur Kestrina, për ta kthyer në një emër të rëndomtë Vrinë ?! Është e qartë,nuk ka bërë gjë tjetër,veçse ”një vrimë në ujë”.

Dhe nuk është rasti i vetëm. Shumë emra të lashtë janë lënë në harresë dhe askush nuk kujtohet për ta.Disa janë zëvëndësuar me ca emra të rëndomtë ose me emra të huaj, të cilët i kanë lënë pushtuesit gjatë sundimit të tyre. Jo rrallë flitet shumë për këtë temë, por çuditërisht bëhet pak ose aspak. Ndërmend më kalojnë emra historianësh,udhëtarësh, shkrimtarësh, kronikanësh, të cilët duket se janë vënë në garë gjatë shekujve,se cili prej tyre të shkruajë më shumë për Butrintin, për historinë dhe kulturën e tij të lashtë, për lulëzimin dhe rrënimin e tij. Pas tyre edhe emra strategësh të njohur, pushtues dhe barbarë, të cilët e kanë parë atë si një pikë tepër të rëndësishme strategjike,vend plaçkitjeje dhe shkatërrimi. Lulëzimi i Butrintit të lashtë ishte i tillë, që ndillte lakminë e etur të të tjerëve.Sidomos të romakëve. Prandaj edhe sulmet kundër tij,jo vetëm ishin të vazhdueshme dhe të njëpasnjëshme, duke mos e lënë atë të merrte frymë,por ishin edhe shkatërruese deri në barbarizëm.

Teukri i Kizikut risjell në skenë legjendën e lashtë,sipas së cilës, Eneu, dhëndërri i Priamit, duke lundruar nga Troja, për në perëndim,bëri fli një ka në hyrjen e tij në shtetin e Epirit. Kau i plagosur çau detin, hyri në një gji,doli në bregun e një toke, ku ra dhe ngordhi. Pikërisht vendit ku ngordhi kau, ai i vuri emrin Buthroto. Kjo legjendë e rrallë ka ardhur gojë më gojë deri në ditët tona. Por është  legjenda e Butrintit ajo që sjell një fakt shumë të rëndësishëm: atë që Butrinti nuk është koloni greke. Ndryshe legjenda nuk mund t’u atribuohej trojanëve, armiqve të grekëve, (nga vet grekët).

Në disa enciklopedi Butrinti përcaktohet si koloni ose ngujim grek. Në ndonjë tjetër si koloni ose ngujim romak. Por edhe ky përcaktim tregon indirekt autoktoninë e tij të lashtë ilire. Sidoqoftë janë të gjitha vetëm  gojëdhëna ose mbështeten mbi gojëdhëna. Rëndësi ka që ai ka qenë dhe është një pasuri e madhe kombëtare shqiptare, e trashëguar brez pas brezi si e tillë, por edhe një pasuri e madhe botërore. Dhe do të mbetet i tillë.

Jo pak faqe të kryeveprës së Virgjilit,”Eneidës”, i kushtohen Butrintit. Edhe ngjarjet e ”Andromakës” së Rasinit,zhvillohen në Butrint. Thonë se në amfiteatrin që kam përpara syve, në lashtësi janë luajtur kryevepra botërore. Edhe tragjeditë e Eskilit të madh janë luajtur aty.

Janë dhënë shfaqje të ndryshme, janë zhvilluar lojrat e njohura të Butrintit. Për Butrintin flet Polibi, i cili, përmend faktin se ai,ashtu si edhe Finiqi, kryeqendra e Epirit të lashtë, pësoi fatin e 70 qyteteve të Epirit,u shkatërrua nga romakët në vitin 146 para erës së re.

Në vitin 44 para erës së re, Butrinti ishte një nga depot kryesore të Jul Qesarit,(100-44 para erës së re). Qyteti i lashtë përmendet më vonë nga Gjergj Qiprioti dhe Arseni i Korfuzit, (876-953), veçanërisht për pjellorinë e tokës përreth dhe pasurinë e liqenit të tij me midhje dhe peshq. E përmend në ”Qitapin Rozherin”, udhërrëfyesi i tregtarëve mesjetarë, si një qytet jo fort të madh, por të populluar mirë dhe me shumë dyqane. Në Mesjetë ai përmendet si shesh lufte në shkrimet e Ana Komnenës, Gulielmit të Puljes dhe ciklin e dëgjuar të Rolandit.

Tashmë kishin perënduar kohët e tij të arta. Lulëzimi i madh kishte mbetur pas. Për të mos u kthyer më kurrë. Butrinti i famshëm vazhdonte të vuante tragjedinë e tij të gjatë, të pafund. Lulëzimin e tij të madh, e kishin varrosur pushtuesit e huaj. Ai kaloi dorë më dorë, nga romakët, tek grekët, Bizanti, anzhuinët, venecianët, francezët, derisa u mor nga Ali Pashë Tepelena, i cili, në vitin 1807 ndërtoi edhe kështjellën në grykëderdhjen e Vivarit.

Sa shumë pushtues kanë kaluar nëpër trojet tona,duke shkatërruar gjithshka me vlerë, që kemi krijuar! Sa shumë egërsi për të shkatërruar një qytet të vetëm! Amfiteatri 1500 vendësh, paraqet një ndërtim të lidhur mjaft mirë me mjedisin përreth, sidomos me shpatijen e pjerrët. Skena në formë U-je, vendi i orkestrës dhe mjediset e aktorëve zbukuroheshin me shtatore të ndryshme. Bazamentet e tyre janë aty edhe sot.

Ndërtimet e tij me vlera të rralla, të cilat, edhe pse një pjesë edhe të dëmtuara, (shumica edhe të grabitura),kanë një bukuri magjepsëse dhe vlera të pashoqe. Këtë bukuri magjepsëse dhe vlerë të pashoqe, Butrintit ia jap gjithshka që ka patur,gjithshka që ka mbetur prej madhështisë së tij.

Blloqet e gurëve të mëdhenj 4-5 tonësh, të latuar dhe të puthitur mjeshtërisht,janë vënë aty që në epokën e gurit dhe të periudhës së parë të hekurit.

Janë prej guri të zakonshëm gëlqerorë, të sjellë prej Gadishullit të Ksamilit, i pasur me blloqe guri të tillë. Muret shkojnë paralel me shëtitoren e lashtë, në krahun tjetër të së cilës derdhet kanali i Vivarit. Është një nga mjediset më të bukur dhe më tërheqës për turistët vendas dhe të huaj.

Në çdo hap që hedh të duket sikur do të të shfaqet para syve Orfeu me harpën e tij në dorë, duke kërkuar Euridikën e humbur. Është mjedisi përrallor ai që të krijon ndjesi të tilla. Pasuria ndërtimore e Butrintit, edhe pse ai është një rrënojë e lashtë dhe shumica e ngrehinave janë të dëmtuara dhe vlerat të vjedhura,mbetet e jashtëzakonshme.

Vlerat kulturore që mbart Butrinti, janë majime të kulturës sonë të lashtësisë. Amfiteatrin në shpatijen e kodrës e rrethojnë dy tempuj të lashtë, njeri në veri, mbi kryet e tij, kurse tjetri në jug, nën këmbët e tij.Blatimet e shumta për Asklepin, tregojnë se këta tempuj i përkisnin atij. Asklepi ishte hyu i mjekësisë, por edhe hyu i mbrojtjes së qytetit. Këtu mbizotëron mozaiku bardhezi, me dekoracione gjeometrike. Ndërtesat e banjave publike, si ato pranë Baptisterit, ashtu edhe ato pranë kanalit, (të dyja iu përkasin shekujve l-ll-të), janë sipas parametrave më të përparuar të asaj kohe, gjë që shpërfaq nivelin e zhvillimit aty. Edhe mozaikët shumëngjyrësh,me motive gjeometrike, dëshmojnë për një teknikë të lartë të punimit të tij.

Ky ndërtim i shekullit të ll-të,është nga më të arrirët. Ndërtesa e gjimnazit shërbente për stërvitjen trupore të rinisë së qytetit. Baseni në mes të oborrit,tri miket rrethore, dyshemeja e veshur me ripa mermeri shumëngjyrësh, që krijojnë vizatime të hijshme gjeometrike, janë disa nga pikëvështrimet më tërheqëse dhe më të rëndësishme.

Qendra kulturore,e përbërë: nga shëtitorja, dy tempujt dhe teatri, kanë një ”ngjeshje”, duke e shfrytëzuar tërësisht mjedisin natyror. Është kjo qendër,e cila zë vendin qendror në trajtimin arkitekturor dhe ndërtimor të qytetit të lashtë. Banesa me peristil, që  i takon shekullit të ll-të,është shtruar me pllaka guri.

Tempulli i Eskulapit,(shek.l-ll-të),ka një ndërtim mjeshtëror,duke kombinuar gurin me tullën e kuqe. Edhe ndërtimet e kultit:Bazilika e Akropolit,Bazilika e Madhe,Baptisteri, (vendi i pagëzimit), i cili është një nga monumentet më me vlerë,(jo vetëm për ne,por për gjithë Mesdheun), i periudhës paleokristiane të  shekullit të lV-t,shquhen për ndërtimin e tyre mjeshtëror, për mozaikun e tyre me ngjyra të kufizuara, (e kuqe, e zezë,e bardhë), por tejet të arrirë dhe për gjurmët e pikturës murale. Pema e Eukaristisë, një vazo me bisqe rrushi,dy zogj të vegjël e mbi ta dy palloj, është një nga pjesët më të hijshme të Baptisterit, përballë hyrjes së tij kryesore.

Krejt i veçantë është edhe Nimfeu, (shek ll-të),ku ndërtimi me tullë,arrin majat e mjeshtërisë. Ndërtime të kësaj cilësie mund të gjesh në ngrehinat më të bukura të asaj kohe. Në afërsi të Portës së Luanit,gjendet Pusi i Nimfave, (shek. lV-t para erës së re). Ai pusi i famshëm, rreth pesë metra i thellë, i cili u kushtohej Nimfave. Trajtën e plotë e mori në shekullin e l-rë, kur u mbulua me qemer dhe u pikturua. Është pusi që ngjall kërshërinë e veçantë të turistëve. Edhe shenjat e litarëve,të lëna mbi mermer, janë aty edhe sot e kësaj dite.Këtë mjedis të lashtë e plotësojnë Porta e Liqenit dhe Porta me Kulla, (shek lV-lll-të), të cilat ndodhen midis blloqeve të mëdhenj të gurëve,të puthitur dhe të latuar me mjeshtëri.Për ta ”mbyllur” ”Porta e Luanit”, (shek. lV para erës së re). Po të shtosh këtu edhe ujësjellësin e mrekullueshën, (një ndërtim  i shekullit të parë, i cili harkonte mbi Kanalin e Vivarit dhe hynte në qytet,duke sjellë ujë nga burimet e Xarës ), plotësohet cikli i ndërtimeve të lashtësisë së tij. Muri rrethues,rreth 2,5 km i gjatë, i cili i takon shek.të lV-t,mban brenda rrethojës së tij ndërtimet më të rëndësishme të kultit: Baptisterin, Kishën me planimetri qendrore dhe Bazilikën.

Ky është grupimi i parë i ndërtimeve në Butrint:ai i ndërtimeve të hershme. Këto janë jo vetëm ndërtime të lashtësisë,por edhe të vet Butrintit të lashtë, janë pjesa autoktone e tij. Të gjithë ndërtimet apo plotësimet e tjerë,i takojnë një grupimi të dytë:atij të Mesjetës.

Kështjellla Mesjetare,Kulla pranë kanalit të Vivarit, Kryekulla e Kështjellës Mesjetare,Kisha Mesjetare, plotësimi i Bazilikës Paleokristiane,ballina e Portës së Luanit, janë grupimi i dytë i ndërtimeve në Butrint:ai mesjetar. Nuk është vetëm koha dhe teknika e ndërtimit që i ndan këto dy grupime ndërtimesh. Është edhe autorësia e tyre. Grupi i parë është ndërtuar nga dora e banorëve të lashtë të Butrintit,kurse i dyti,kryesisht nga pushtuesit e huaj,(shumica dërrmuese e tyre janë kështjella dhe kulla), thjesht për interesat e tyre ushtarake dhe strategjike në këtë pikë.

Natyrisht kohëndërtimi i tyre i ndan edhe në vlerat historike dhe arkeologjike që mbartin ato. Butrintin do kohë për ta vizituar. Më shumë kohë për të ndjerë bukuritë e tij dhe gjithë jetën për t’i kuptuar  vlerën dhe për t’i ndjerë madhështinë. Butrinti është magjik. Të mban të lidhur pas vetes, të tërheq deri në harrim.

Në çdo anë që të hedhësh sytë,vendi të shpërfaq një bukuri të papërsëritëshme. Çdo pëllëmbë vendi aty, të duket sikur mbart me vete një legjendë të lashtë. Butrinti është i tërë histori, legjendë, tragjedi. Butrinti është i gjithë art. Harta origjinale e kohës së lulëzimit të tij, ta sjell Butrintin e lashtë ashtu siç ishte atëherë. I ngjan një pikture.

Planimetria e tij i ngjan një qyteti modern,ku gjithshka është vënë në vendin e vet. Veprat e kultit,ato shoqërore dhe ngrehinat e banimit,kanë një kombinim të cilin nuk e gjen në asnjë vend tjetër. Kjo hartë është një dokument shumë i rëndësishëm historik,e cila hedh dritë mbi zhvillimin e Butrintit të lashtë, por që edhe të ndihmon në studimin dhe evidentimin e vlerave të tij historike-kulturore.

*   *   *

Edhe Butrinti,ashtu si edhe qendrat e tjera të lashtësisë së vendit tonë,ka qenë objekt shkatërrimi dhe rrëmbimi vlerash kulturore. Kryesisht nga të huajt. Nuk dihet se sa objekte janë grabitur aty. Dihet vetëm që atdhetarë të shquar kanë vënë të gjitha forcat për të mbrojtur pasurinë tonë kulturore të Butrintit. Dihen edhe ato vlera që kanë mbetur dhe janë në duart e shtetit tonë, si pasuri e ligjshme e tij.

Dihet gjithashtu,që grabitjet më të mëdha aty i ka bërë arkeologu italian Luixhi Ugolini,i cili në vitet 1926-38, duke shfrytëzuar marrëveshjen midis Shqipërisë dhe Italisë,për të bërë gërrmime arkeologjike në Butrint,ai, si drejtues i këtyre punimeve,grabiti në masë vlera të mëdha kulturore të Butrintit,duke i kaluar direkt nëpërmjet detit në vendin e tij. Ugolini,më së shumti punoi në dy drejtime, (të dyja të dëmshme për ne): në grabitjen e vlerave dhe në përligjjen e idesë së ”romanita-së”,  perandorisë së pafund romake.Ai e trajtoi Butrintin si një pronë të kësaj perandorie.

Veçse historia flet me fakte. Kanë qenë romakët ata, që i kanë patur halë në sy trojet ilire. Luftrat iliro-romake zgjatën rreth njëqind vjet. Romakët ishin pushtues të egër, deri në barbarizëm. Pasi hodhën legjione të pafundme kundër trojeve ilire, ata e nënështruan atë me egërsi. Nata e pushtimit romak ishte veçanërisht e zezë, e gjatë. Popullsia ilire u masakrua si pakkush. Edhe tokat iu morën forcërisht dhe iu dhanë komandantëve dhe ushtarëve romakë. Ilirët u bënë skllevër ose u shtynë nëpër male. Qytetet,ku shpërfaqej kultura e lashtë ilire, u rrafshuan.

Kryesisht u dogjën.Kultura e lashtë romake,në Iliri po shfaqte antikulturën e saj. Aq sa qytete të veçantë, të cilët rezistuan më tepër pas luftës së tretë iliro-romake, siç ishte Halikranon, ( i cili tregoi forcën organizuese dhe qëndresën burrërore të Prasajbëve,të prirë nga udhëheqësi i tyre i njohur, Nikanori), në afërsi të Butrintit,  jo vetëm u dogjën dhe u shkatërruan përfundimisht,por edhe u pluguan në themele nga forcat e hekurta romake.

Barbarizmi nuk ka ku shkon më tej.

Askush nuk e di se sa vlera të Butrintit të lashtë u rrëmbyen dhe u çuan në Itali.Ato u maskuan,ashtu siç maskohet një vlerë e grabitur.Bëhet fjalë për vlera të mëdha kombëtare.Veçse nuk mundën të maskonin Kokën e Apollonit, e njohur me emrin Dea e Butrintit. Është një kryevepër e shkollës së Praksitelit. Shteti  ynë këmbënguli dhe ajo fatmirësisht u kthye në atdhe. Tani rri si zonjë e rëndë në Muzeun tonë Kombëtar. Por vetëm kaq.Veprat e tjera të grabitura mbetën në mërgim.Të habit fakti që shteti ynë u mjaftua me kaq.

Nuk besoj se është në nderin e muzeve të pasur italianë,të atyre muzeve,të cilët mbajnë me dinjitet veprat e ndritura e të famshme bijve të tyre,(një pjesë të të cilave i kam parë nga afër në muzetë italianë dhe jam mrekulluat me to), të mbajnë edhe vlera të grabitura të kombit shqiptar.

Aq sa nuk e besoj se është në nderin e shtetit tonë të heshtë,për të kërkuar atë që është pronë e ligjshme e tij, aq më tepër për një pronë të rrëmbyer,të grabitur. Ashtu siç po hesht për shpatën dhe përkrenaren e heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastriotit-Skënderbeut,armët e të cilit ndodhen ende në Muzeun e Vjenës. Cilado qoftë rruga që kanë ndjekur pas vdekjes së heroit tonë kombëtar,ato kanë qenë, janë dhe do të jenë vlera madhore të kombit tonë. Nuk e besoj se ato ia shtojnë famën Austrisë,me të cilën nuk kanë asnjë lidhje.

Nëse për Austrinë janë të rëndësishme për të pasuruar muzetë e saj,për ne janë të shenjta.Aq më tepër që ato janë e vetmja gjë origjinale që na ka mbetur nga heroi ynë kombëtar. Kaq besoj se është e lehtë për ta kuptuar. Historia e dhimbshme e Butrintit vazhdon më tej.Përsëri dhunime vlerash,shkatërrime,grabitje. Këtë herë nga vet shqiptarët. Trazirat e vitit 1997, krijuan sërish atë mjegullën e nevojshme,për të shirë sipas qejfit spekullantët e veprave të artit. Njerzit e rrugës nuk e lanë të qetë as Butrintin e lashtë. Muzeu i tij tashmë kishte mbetur në mëshirë të fatit. Pa asnjë roje, pa asnjë përkujdesje.U grabitën përsëri vlera. Nga ato që ishin nxjerrë me mundim të madh dhe ishin ekspozuar për të shpërfaqur para vizitorëve vendas dhe të huaj kulturën tonë të lashtë kombëtare. Dhe u shitën për pesë lekë të vendet fqinjë,kryesisht në Greqi.Këtë herë fajtori i vërtetë ishte shteti ynë,krejt i paaftë për të mbrojtur vlerat tona kulturore kombëtare.Kujdesi i tij i vonuar i mëvonshëm, bëri që disa prej këtyre vlerave,të riatdhesoheshin,(mesa kam lexuar në shtyp tri shtatore të lashta nga Greqia).

Të tjerat ende kërkohen.Kërkohen,kur ato i kishim në muzetë tanë dhe mund t’i mbronim për bukuri ?! Dhe nuk dihet sesa prej tyre do të rikthehen.Veçse një gjë është krejt e sigurtë:të gjitha nuk do të kthehen kurrë.

Ne,humbësit e përjetshëm,vazhdojmë të humbasim ende nga vlerat tona kulturore kombëtare…

Ndërsa po i mbyllja faqet e këtij libri,një lajm i gëzuar më bëri të ndjeja një kënaqësi ë veçantë: dy futbollistët e mirënjohur të ekipit tonë kombëtar, Igli Tare dhe Lorik Cana, kanë paguar shumën prej njëzetmijë eurosh, për t’u kthyer në atdhe busti i njohur i Asklepit, vjedhur në Muzeun e Butrintit në prill të vitit 1991. Veprim fisnik, domosdo. Ç’t'i bësh,ja që duhet të paguajmë për të riatdhesuar ato që deri dje i kishim në shtëpinë tonë dhe që i lamë si mall pa zot të marrin rrugët e botës !

*   *   *

Po çfarë është zbuluar nga Butrinti i lashtë?

Veç ngrehinave që përmendëm më lart,në Butrint janë zbuluar edhe një sërë objektesh të rëndësishëm, kryesisht shtatore mermeri. Nëse në krye të tyre qëndron me dinjitet Dea e Butrintit, ajo nuk është e vetme. Vlera të tjera janë monedha e Butrintit, e shek.të l-rë, (vetëm qytetet e mëdhenj prisnin monedha), e cila, veç interesit si monedhë,ka edhe një interes të veçantë, se paraqet ujësjellësin e Butrintit të lashtë ).Interes paraqet edhe një herme e shek.l-rë,punuar sipas një modeli arkaik,shtatoret e perëndeshave dhe ato të femrave, të veshur me hilton dhe kolpos,shtatorja e Herkulanës së Madhe, e shek l-rë,shtatoret e mermerit e shek ll-të, shtatorja e Dionisit të ri dhe ajo e Apollonit, kokë perëndie,portreti i Agripes, shek.l-rë, kokë gruaje,busti i Ahtinoit, shek ll-të, shtatorja e ushtarakut,punuar nga skulptori Sosikles,portret vajze,mozaikë të ndryshëm etj.

Të gjitha këto punime të një mjeshtërie të lartë të shkollës antike në mermer,(natyrisht përveç mozaikut). Amforat korintike,që i takojnë shek lV-Vl -të dhe kapitelet korintikë të po kësaj periudhe,veç të tjerash, shpërfaqin edhe nivelin e tregtisë që zhvillonte ky qytet i fuqishëm me qytetet fqinjë grekë dhe me brigjet e Mesdheut.Flota tregtare ilire ishte shumë e njohur në Mesdhe. Ashtu siç ishte e njohur mjeshtëria e tyre ndërtimore,prodhim i së cilës është edhe Butrinti i lashtë.

Gjithashtu ato shpërfaqin edhe ndikimet e shkollës antike greko-romake. Edhe vet Dea e Butrintit,ose Koka e Apollonit,është një kryevepër e shkollës së Praksitelit,arkitektit të famshëm grek të lashtësisë,autorit të ”Hermesit”,veprës së tij madhore, të cilën e kam parë nga afër në muzeun e Olimpias së lashtë.Ndikimet e huaja në kulturën e Butrintit të lashtë,janë krejt të natyrshme,aq më tepër që ai është pjesë e kësaj lashtësie dhe ndodhej ndërmjet dy qytetërimeve të mëdhenj të lashtësisë:grek dhe romak. Edhe këto ndikime janë pjesë e qytetërimit të tij të lashtë.Butrinti i lashtë mbart kulturën e epokës së vet. Të gjitha këto nuk janë pak.Veçse duhen ruajtur dhe mirëmbajtur si një pasuri e çmuar kombëtare.

*   *   *

Në planin e interesimit për të,Butrinti nuk ka asnjë krahasim me Finiqin e ”vdekur” dhe të lënë pas dore.Për Butrintin ka patur përherë interes.Vitet e fundit edhe interes të veçantë.Edhe nga ne,edhe nga bota.Bile nga bota më shumë. Interesimi për të,ka qenë jashtëzakonisht i madh,i veçantë.Ashtu siç është edhe vet Butrinti.Përfshirja e tij në listën e njëqind monumenteve më të rëndësishëm botërorë të lashtësisë dhe si pasuri botërore,që mbrohet nga UNESKO, e ka vënë atë në një rang me vlerat më të mëdha të trashëgimisë kulturore botërore. Jo vetëm kaq.I gjithë Gadishulli i Ksamilit,duke filluar nga muri i Demës,në veri të gadishullit,me një sipërfaqe prej 29 kilometrash katrorë, është shpallur park kombëtar.Veç qytetit antik,këtu përfshihen dhe rivlerësohen për rëndësinë dhe vlerat e tyre edhe monumente të tjerë të trashëgimisë sonë kulturore,që janë në një zonë afër tij,si Kështjella e Ali Pashë Tepelenës,

në grykëderdhje të Vivarit,kështjella tjetër trikendore po e Ali Pashë Tepelenës në anëlindje të kanalit, Kaliroi në Xarrë,(një vendbanim i lashtë deri në periudhën veneciane),fusha e Vrinës,me një numër objektesh të kohës së lulëzimit romak etj.Parku Kombëtar i Butrintit ka fituar statusin e parqeve Ramsar.I gjithë projekti i  Parkut Kombëtar të Butrintit po zbatohet sipas standarteve të Organizatës Ndërkombëtare të Ruajtjes,(Ramsar,Eurosite,IUCN).

Është një projekt serioz,i cili integron për herë të parë në Shqipëri çështje të forcimit institucional,planifikimit të territorit dhe modernizimit të infrakstrukturës publike.Është hartuar edhe plani i manazhimit të këtij parku. Fondacioni ”Butrinti”,me qendër në Londër,ka plot shtatëmbëdhjetë vjet që funksionon,duke siguruar mbështetjen financiare dhe teknike të gërrmimeve dhe restaurimeve.Ky është një bashkëpunim midis arkeologëve shqiptarë dhe atyre të huaj,i cili ka sjellë disa përfundime shumë të rëndësishme.Parashikohej që njëzet vjet pas krijimit të këtij fondacioni,numri i vizitorëve në Butrint të arrinte në 100.000 vetë.Por ky numër u rrit aq sa nuk pritej. Vitin e kaluar ai ishte gati 150.000 vetë,vendas dhe të huaj.Dhe vazhdon të shtohet me shpejtësi të madhe, duke dalë jashtë çdo parashikimi.Është ky interesim i madh për Butrintin magjik ai që ka sensibilizuar së tepërmi edhe opinionin ndërkombëtar dhe atë vendas.Janë bërë mbi dhjetë botime për gërrmimet dhe arritjet e viteve të fundit,të shoqëruara edhe me ilustrime fotografike.Përfitimet e para janë të ndjeshme.

Parku kombëtar i Butrintit është me resurse të drejtpërdrejta me dobi kombëtare dhe veçanërisht të banorëve vendas.Ai ka nxitur artizanatin me drejtim turistik,të cilin e financon CIPS,një organizëm ndërkombëtar italian.Ky park kombëtar ka gjetur donatorë dhe, falë interesimit për të dhe për Butrintin,CIPS ka ndërtuar shkolla të reja në fshatrat e Vrinës,Xarrës dhe Ksamilit.Është ky organizëm,i cili ka financuar edhe çeljen e sezonit turistik në Ksamil. Butrinti nuk është vetëm një minierë e pashterrshme kulture,por edhe një minierë e pashterrshme fitimi,

sidomos për banorët e zonës përreth.U takon atyre,më shumë se kujtdo tjetër,që të përkujdesen për të si askush tjetër.Mbrojtja e tij dhe e pasurive të tjera kulturore kombëtare,duhet të bëhet pjesë e kulturës së gjithkujt,detyrë e gjithkujt,ndërgjegje e gjithkujt.Pasi është pasuri e gjithkujt prej nesh.

*   *   *

Falë këtij interesimi të madh për të,edhe zbulimet në Butrintin e lashtë,kanë ecur patur një ecuri të mbarë. Thesarët e tij të pazbuluar janë të pallogartishëm,por rëndësi ka që punohet për zbulimin e tyre. Disa ekspedita të organizuara vitet e fundit,sidomos pas vitit 2000,kanë qenë më të organizuarat, më të plotat,më seriozet,me pjesmarrje arkeologësh nga Shqipëria, Kosova, SHBA, Anglia,Greqia,Franca, deri në 70 vetë.Edhe me studentë të degës së arkeologjisë.

Zbulimet e këtyre ekspeditave janë të tilla,që duhen vlerësuar dhe nxitur. Në vilën romake u zbulua mozaiku i saj dhe një monogram,(dedikim),shkruar në mozaik,që flet për nivelin e lartë ekonomik,arkitekturor dhe  kulturor të tij në kohën romake.Janë gjetur disa monedha të

vjetra,njera prej të cilave paraqet interes të veçantë.Është një monedhë argjendi, e prerë në Butrint, e cila ka të gdhendur kokën e një demi me nënëshkrimin BUTROTOS.

Gërrmimet në qendrën administrative të Butrintit,zbuluan elementë të administratës publike.

Në vitin 2001 u zbulua shtatorja ”Burri me togë”,me përmasa mbi natyrore,(mbi 2 metra e lartë), e cila është edhe zbulimi i parë i një shtatoreje të plotë,pas zbulimeve të Ugolinit. Në Butrint funksionon edhe shkolla verore me studentë,për përfitim përvoje. Zbulimet vazhdojnë.Me siguri ato do na nxjerrin nga nëntoka e Butrintit të lashtë dhe e zonës përreth tij vlera të tjera të mëdha. Ndoshta edhe befasuese.

Edhe përkujdesja për të dhe vlerat e tij të rralla,është shumë më e madhe se më parë.



Related posts

HITO LABI LEKDUSHIT-NË VENDLINDJE
ARSIMI SHQIPTAR NË MAQEDONI – SHKALLA TRONDITËSE E DEGRADIMI...
KRIJUESIT SHQIPTARË NË MËRGATË ME PRURJE TË REJA NË LETRAT ...
NJË FESTË E RRALLË NË SHËNAVLASH

Leave a Reply





Archive