|

Mësonjëtorja e Parë Shqipe e Korçës

Xhelal Zejneli 

Xhelal Zejneli

7 Marsi – Dita e Mësuesit

Duke e parë të pamundur futjen e gjuhës shqipe në shkollat e huaja, Komiteti Kombëtar i Korçës, i themeluar në vitin 1886, një vit më vonë, përkatësisht në fillim të vitit 1887 vendosi të krijonte shkolla shqipe të veçanta, të pavarura nga shkollat që administroheshin nga silogu grekoman. Ndërsa patriotët e Korçës dhe të Bukureshtit po përpiqeshin të siguronin pajisje, librat mësimorë dhe lokalin për shkollën, ideologu i Rilindjes Kombëtare Shqiptare – Sami Frashëri dhe bilbili i gjuhës sonë – Naim Frashëri, pas kërkesave të reja që i paraqitën qeverisë turke, shkëputën prej saj lejen në emrin e Pandeli Sotirit për çeljen e një shkolle private shqipe në Korçë.

Pas një lufte këmbëngulëse gati dyvjeçare, më 7 mars 1887 u çel në Korçë shkolla e parë kombëtare dhe laike shqiptare, drejtor i së cilës ishte Pandeli Sotiri. Si lokal për shkollën shërbeu shtëpia e dhuruar nga patrioti i mërguar korçar Mandi Tërpo.

Çelja e shkollës shqipe të Korçës ishte një ngjarje e shënuar dhe një fitore për gjithë Lëvizjen Kombëtare Shqiptare. Ajo ishte kurorëzimi i përpjekjeve të përbashkëta të organizatave patriotike të të mërguarve shqiptarë dhe të patriotëve brenda vendit. Mësonjëtorja e Parë Shqipe e Korçës nuk varej dhe nuk financohej prej asnjë shteti apo shoqërie të huaj. Ajo u hap, u financua dhe u mbrojt nga populli dhe na shoqëritë shqiptare të mërgimit.

Dita e përurimit të saj u kthye në një ditë feste. Të nesërmen e kësaj ngjarjeje, më 8 mars 1887 Thimi Marko i shkruante Visar Dodanit në Bukuresht: “Dëshira jonë u mbarua; shkolla shqipe u hap, druri që mbollëm këtu e dy vjet, sot lulëzoi dhe dha pemë të ëmbla. Përpjekjet e faqezinjve grekomanë dështuan.”

Qysh ditën e parë në këtë shkollë u regjistruan 35 nxënës. Numri i tyre erdhi duke u rritur dhe në vitin e dytë arriti në 200. Ajo ishte një shkollë fillore, me fizionomi të plotë kombëtare e laike, ku të gjitha mësimet jepeshin në gjuhën shqipe. U hap në kushte të pushtimit osman me nismën e një grupi rilindësish dhe me përkrahjen e masave patriotike korçare dhe atyre të mërgimit. Mësimi jepej falas për nxënësit meshkuj e femra të çdo lloj besimi fetar apo shtrese shoqërore. Nxënësit mësonin shkrim e këndim, gjuhë shqipe, gramatikë shqipe, aritmetikë, gjeografi dhe historinë e botës e të Shqipërisë etj. Drejtuesit e saj ishin veprimtarë të shquar të arsimit kombëtar. Turqishtja mësohej si gjuhë e huaj, më vonë u fut edhe frëngjishtja. Si tekste mësimore përdoreshin ato që ishin përgatitur nga Naimi e Samiu dhe që ishin shtypur e dërguar falas nga kolonia shqiptare e Bukureshtit. Mësonjëtorja e Korçës u bë qendër e përhapjes së shkrimit e të këndimit të gjuhës shqipe edhe për të rriturit. Ajo ishte gjithashtu qendër e përhapjes së ideve kombëtare shqiptare. Duke qenë shkollë e përbashkët për fëmijët e besimeve të ndryshme, ajo ndihmonte bashkimin e shqiptarëve pavarësisht nga feja dhe ngrinte tek ata ndërgjegjen kombëtare. Përveç Pandeli Sotirit që qe drejtori i parë i kësaj shkolle, në të punuan si drejtorë e mësues edhe atdhetarë të tjerë të shquar si Thanas Sina, Petro Nini Luarasi, Nuçi Naçi, etj.

Çelja e shkollës kombëtare të Korçës ngjalli entuziazëm ndër atdhetarët e mbarë vendit dhe u bë nxitje për çeljen e shkollave të tjera në krahina të ndryshme të Shqipërisë. Disa javë më vonë u çelën shkolla shqipe në Pogradec me mësues Koço Sotirin (i vëllai i Pandeli Sotirit), në Rekë e Ohër dhe u bënë përgatitje për të tilla shkolla në Elbasan, Leskovik,  Ersekë, etj. Shkrimi shqip filloi të mësohej edhe në mjaft fshatra.

Komitetit Kombëtar të Korçës filluan t’i vinin nga krahina të ndryshme të Shqipërisë, bashkë me përgëzimet edhe kërkesa të shumta për t’u dërguar tekste shkollore që të përhapnin mësimin e shqipes qoftë në shkollë, qoftë jashtë saj.

Po në këtë kohë u themelua në Korçë Shoqëria e Mësimit Shqip në krye me Alo Dishnicën. Kjo shoqëri kishte si detyrë kryesore të organizonte e të drejtonte veprimtarinë e aktivistëve, të shpërndarë në krahina të ndryshme të Shqipërisë, për mbajtjen e shkollave të çelura, për hapjen e shkollave të reja shqipe, për grumbullimin e fondeve dhe për shtypjen e teksteve shkollore.

Kundër shkollës shqipe të Korçës shpërthyen valë të furishme kundërshtimi nga qarqet antishqiptare greke si dhe nga autoritetet osmane. Propaganda fetare, shpifjet, shantazhet, frikësimet dhe shtrëngimet kundër mësuesve, nxënësve, prindërve dhe përkrahësve të shkollës kombëtare shqipe, qenë mjetet e zakonshme të agjenturave greke dhe të autoriteteve osmane. Viktimë e këtij reaksioni antishqiptar ra dhe vetë drejtori i shkollës së Korçës, Pandeli Sotiri, i cili u vra më 1891 në Stamboll nga agjentët grekomanë. Por, atdhetarët shqiptarë, mbarë populli shqiptar, të etshëm për dritë e dituri, kurrë nuk u përulën para trysnisë së forcave obskurantiste mesjetare që synonin t’i mbanin shqiptarët në errësirë.

Një kontribut të ri e të çmuar për shkollën shqipe solli familja e qiriazëve, veçanërisht Gjerasim Qiriazi dhe motra e tij Sevasti Qiriazi. Këta të dy, të ndihmuar nga i madhi Naim, i cili ndërhyri që t’u jepej leja nga qeveria osmane, në vitin 1891 çelën në Korçë shkollën e parë shqipe për vajza, me mësueset e para Sevasti Qiriazi, Fanka Efthimi, Polikseni Luarasi dhe Parashqevi Qiriazi.

Mësonjëtorja e Parë Shqipe e Korçës veproi 15 vjet, duke përballuar vështirësitë e pengesat e nxjerra nga autoritetet osmane dhe nga disa klerikë antikombëtarë. Në prag të shekullit XX ajo u bë me gjashtë klasa. Shumica e atyre që mbaruan këtë shkollë, u bënë veprimtarë të shquar të lëvizjes për çlirimin kombëtar, në rrugën tonë të pandalur drejt integrimit në familjen perëndimore.

Prej vitit 1960, 7 Marsi festohet si ditë e mësuesve dhe e nxënësve, si përkujtim i themelimit të Mësonjëtores së Parë Shqipe të Korçës. Në këtë festë vlerësohen traditat më të mira të shkollës kombëtare shqipe, të figurës së nderuar të mësuesit dhe të gjithë punonjësve të arsimit, si edukatorë të brezit të ri, si veprimtarë dhe ndërtues aktivë të një shoqërie të përparuar. Kjo ditë festohet me nderim çdo vit në të gjitha trojet shqiptare në Ballkan.

Festohet pra në Shqipëri, në Kosovë, në Kosovën lindore (Preshevë, Bujanovc, Medvegjë), në Maqedoni, në Mal të Zi dhe ndër çamë. E feston diaspora shqiptare në Evropë, në SHBA etj.



Related posts

FOTOGRAFIA E KABINETIT TË ISMAIL QEMALIT NË PËRVJETORIN E PA...
Qendra Kulturore Shqiptare në Shtutgard festoi Pavarësinë e ...
"DORUNTINA" ZËDHËNSJA MË E FUQISHME E FËMIJËVE TAN...
THEMELUESIT E FONDACIONIT PLAVË-GUCI (1994 - 2014)

Leave a Reply





Archive