|

Misionari i shqiptarizmit: ARBEN KONDI

Misionari i shqiptarizmit: ARBEN KONDI.

Shkrimtari bashkëkohor që ecën në gjurmët e Rilindasve
Ka vite që në masivin e blertë të letërsisë shqiptare hijeshon këndshëm krijimtaria e Arben Kondit. Arbeni është një autor i heshtur, fjalëpak e punëshumë. Me poezinë, essetë udhë përshkruese, romanet e tij ai po shënon arritje të lakmueshme në letërsinë tonë e sidomos në atë historike. Kjo arritje vihet re jo vetëm nga tematika që trajton, por edhe nga cilësia e tyre, që e ngjit këtë autor denjësisht përkrah autorëve më të shquar shqiptarë.

            Në përvjetorin e 100 të pavarësisë së shqiptarëve, Arben Kondi befason. Kjo jo thjesht sepse ai sapo ka nxjerrë nga shtypi romanin e tij më të ri “Tmerri”, me motive nga genocidi serb ndaj shqiptarëve të Kosovës, por sepse ai, si rrallë kush paraqitet para lexuesit shqiptar me veprën e tij të zgjedhur me titullin domëthënës “KOSOVË E ÇAMËRI”.
            Arben Kondi është një shkrimtar që militon çdo ditë për shërimin e plagëve të kombit shqiptar, duke prodhuar njëkohësisht një letërsi të veçantë bashkëkohore. Dhe pikërisht sot, kur shumë shkrimtarë, intelektualë apo njerëz të thjeshtë, e kanë humbur busullën e orientimit tek besimi ndaj jetës, kur njerëzit shajnë më shumë se çdo herë realitetin ku jetojmë, Arben Kondi ka vendosur të ndezë një qiri, në vend që të shajë errësirën e mbetur. Gjatë gjithë jetës së tij publike ai nuk është shfaqur asnjëherë si spekullator i frazave pa adresë, por gjithmonë ka ngulmuar të qëmtojë dëborën e stinës për të hapur një rrugë të re, drejt së vërtetës dhe shpresës.
            Botimi i veprës së tij të zgjedhur, më shumë se sa një kërkesë personale e tij, është para së gjithash një nevojë e lexuesve të sotëm, për të rikthyer në vëmendje pasqyrën, ku ata të shohin vetveten. Prej njëzetë librave të shkruar deri tani, Arben Kondi ka përzgjedhur tetë gjithsej. Në të është përfshirë pjesa më e rëndësishme e romaneve, një pjesë e publiçistikës letrare, tregime si dhe më shumë se njëqind poezi nga krijimtaria e tij në vite. Natyrisht në këtë përzgjedhje të kujdeshme nuk kishin se si të mos zinin vend kryesor vepra të tilla të mirënjohura të autorit si “Rikthim në Çamëri”, “Vrasja e dytë e Marko Boçarit”, “Shqiptarovrasësi Napeolon Zerva”, “Barbarët”, “Djaj në veladon” si dhe romani më i fundit “Tmerri”.
            Mbi të gjitha librat e Kondit janë gurë kilometrazhi të historisë sonë kombëtare, ku ai në fakt u tregon udhën zhvillimeve të ardhshme. Ai ka shitur më shumë se 50 mijë kopje, duke u bërë në këtë mënyrë një ndikues i drejtpërdrejtë i jetës së 50 mijë njerëzve, pa llogaritur këtu faktin se libri kalon dorë më dorë. Në këtë mënyrë, ai është bërë njëkohësisht edhe një kontributor i zhvillimeve shoqërore në vendin tonë edhe në të gjitha trojet që banohen sot prej shqiptarëve. Sot, kur një parti politike thërret në mitingje militantët e vet, nuk ndodh ose ndodh shumë rrallë, që të mblidhen në shesh 50 mijë vetë, por Arben Kondi i ka thirrur ata para librarive të tij për t’u dhënë kumtin e paqes njerëzore dhe optimizmit.
            Arben Kondi është një poet, një tregimtar dhe një romancier i talentuar. Veç ne do të dëshironim ta nisnim vështrimin e veprës së tij me atë që konsiderohet si artileria e rëndë e letërsisë. Pra me romanin. Megjithëse në mesmoshë, Arbeni ka shkruar plotë shtatë të tillë. Kështu, kur marrim në analizë librin e tij, “Vrasja e dytë e Marko Boçarit”, del qartë se duke shtjelluar historinë e një patrioti të flaktë shqiptar si Marko Boçari, Kondi u flet bashkëkohësve të tij dhe brezave të ardhshëm, nëpërmjet shembullit të këtij gjigandi. Marko Boçari mbetet simbol i krahinës së Sulit dhe i gjithë Çamërisë, i të gjithë atyre që lirinë e kanë gjënë më të shtrenjtë
            Romani i Arben Kondit “Vrasja e dytë e Marko Boçarit” trajton një periudhë të mëvonshme, pas vrasjes së Boçarit, periudhën e viteve 50, të shekullit XIX-të. Autori ka zgjedhur këtë periudhë historike, në mënyrë që këmbana e Marko Boçarit të bjerë sot, për ata që kanë veshë, ndërsa shpata e tij të vringëllijë për ata që kanë zemër.
            Në epiqendër të romanit është figura e Marko Boçarit, pavarësisht se ai nuk është i pranishëm në betejat e viteve 50, të shekullit XIX. Por Marko Boçari, me bëmat e tij të përmasave europiane lëviz si frymë, si shpirt në mbarë veprën. Me këtë roman, Arben Kondi ua rikthen plotësisht shqiptarëve Markon. Ja si e skicon ai portretin e heroit. “I hijshëm e fisnik si ai. Ballëlart e krenar. Brazduar si me parmënd. Me dete, liqene, qiej lirie brenda syve të kaltërt. Hundë skalitur e vetull harkuar. Mustaqe dëndur, ngritur pakëz lart në vijëzën ndarëse mes buzëve të plota. Mjekër rrumbullakët, ku një gropëz e vogël i stolis bukur qendrën. Leshra derdhur që i zbrisnin hyjnisht pas shpatullave burrërore”.
            Libri i Kondit i përfshin të gjitha skenat dhe prapaskenat e shovinizmit të egër grek. Personazhet e dikurshme marrin një tingëllim të mprehtë aktual. Në këtë libër, me sytë e përfytyrimit të vet, lexuesi shikon edhe personazhet e ditëve që jetojmë. Atje, nëpërmjet gjetjeve mjeshtërore, shikojmë jo vetë konsujt e hershëm si Rosetos, por edhe konsujt e sotëm të Greqisë si Ikonomus, etj të cilët ende nuk kanë hequr dorë nga ëndrrat shoviniste ndaj Shqipërisë. Atje shikojmë edhe politikanët servilë, të mbytur në rryshfete, që shkelin dinjitetin e identitetit tonë kombëtar.
            Me një gjuhë të zhdërvjellët e plot kolorit autori na jep artistikisht, një periudhë të lavdishme të popullit tonë, atë të mos nënshtrimit ndaj armiqve: qoftë këta turq apo grekë. Shkrimtari Arben Kondi ka mundur të skalisë karaktere njerëzish, por edhe mjedise ku veprojnë këto karaktere. Japim një pjesëz nga libri, për të ndjerë lexuesi dorën mjeshtërore të këtij autori. Rosetos, konsulli grek, duke bërë një vizitë në pazarin e Prevezës, ndalet para fustanellës së shqiptarëve:
             “Gishtërinjtë po trazonin mantelin e qëndisur anëve me gajtanë të kuq. Ai iu shket shpatullave shqiptarëve deri në gjunjë. Pastaj preku jelekët: të jashtmin dhe të brendshmin. Që të dy prej kadifeje në ngjyrë të kuqe ose vishnje. Qëndisur me fije ari. I jashtmi pa mëngë. I plotë. Një lloj xhamadani. Fanella e bardhë që vishet në mish bie në sy pak. E qëndisur me molinera të ndryshme në pjesën e hapur të gjoksit. Në mes shtrëngonte rripi i trashë prej lëkure ku ngjeshen armët. Zakonisht ato janë kobure të gjata si dhe shpata. Të punuara artistikisht me argjend. Konsulli mori në dorë njërën prej kobureve. E vështroi me kujdes. Pastaj e la në vend. Ja dhe fustanella e famshme. E bardhë si pambuku nga bëhej. Kallcat të gjata. Çorapet prej leshi të punuara me dorë. Në ngjyra të ndryshme. Ja dhe opingat e zeza prej lëkure të fortë bualli. Në majat e tyre si zjarre të vogla iu digjen xhufkat e kuqe”.
            Konsulli grek tronditet kur sheh se fustanella, që vishnin bashkëatdhetarët e tij, ishte një imitim i keq i fustanellës shqiptare. Atë e trondit gjithashtu edhe pamja që pa në pazarin e Prevezës. Në ballë të djepit të fëmijëve ishin gdhendur dy nga figurat më të shquara të popullit tonë: Gjergj Kastriot Skënderbeu dhe Marko Boçari.
            Autori ka mundur të skalisë me mjeshtëri edhe ato figura që ishin vënë në shërbim të Perandorisë Osmane, apo ishin pjesë e asaj perandorie. I tillë ishte Ismail Pasha, Valiu i Epirit dhe i Shqipërisë. Ai ishte njeri dinak dhe tinëzar. Kërkonte që t’u shmangej betejave dhe kurdiste plane, për mënyrën si të vinte përballë njëri-tjetrit shqiptarët dhe grekët. Nga kjo përleshje mes tyre, Valiu i Epirit nuk do të dëmtohej, duke rezervuar kështu forca për betejat e ardhme.
            Me nota të errëta, si vetë shpirti i tyre, është përshkruar në këtë roman edhe ministri i luftës, Hashid Pasha dhe ai i spiunëve, Mensur Pasha, që bënin pjesë në oborrin e Vezirit të Janinës. Të dy këta njerëz shpirtvegjël e mizorë, ishin ata që ndihmuan Valiun, Ismail Pasha, në këtë masakër makabre, që kryen mbi trojet shqiptare, në trojet e Çamërisë. Si për ironi të fatit e gjitha kjo kishte ndodhur kur Perandoria Osmane kishte për Vezir të Madh një shqiptar, Mustafa Arnautin. Nëpërmjet kësaj figure, autori përcjell mesazhin e madh. Në asnjë mënyrë apo rrethanë, mos u vër në shërbim të pushtuesit, të dashakeqit të atdheut tënd. Vjen një ditë dhe kontributi yt për llogari të armikut a dashakeqit do të kthehet kundër teje, kundër njerëzve të tu, kundër atdheut tënd.
            Të përkundërta me këto figura të përçudnuara na jepen personazhet e luftëtarëve shqiptarë. Autori, figurat e njohura historike i ka paraqitur në një mjedis konkret, në marrëdhënie mes njerëzve, duke zbuluar jo vetëm trimërinë e tyre të pashoqe, por edhe shpirtin e tyre të bardhë, mirësinë dhe dashurinë që karakterzon shqiptarin. Çaparenjtë që përshkruhen me aq dashuri në roman janë një nga fiset më të dëgjuara të Çamërisë. Në konakët e Çaparenjëve, në një ditë gëzimi, siç ishte ajo kur familjes i shtohej një pushkë në vatër, mblidhen disa nga figurat më të njohura të trevave shqiptare. Autori është munduar që të japë të veçantën për gjithsecilin prej tyre.
            Personazhi i Halit Frashërit (babait të Adylit, Samiut, Naimit) është dhënë me nota të ngrohta. Ajo është karakterizuar si figura e njeriut që manifeston e mbart dashurinë për vendin e tij. Fjalët e zjarrta zënë vend në atë bisedë pranë vatrës së Çaparenjëve, si gurët e qoshes në një ndërtesë. Çelo Picari, figura popullore e shekullit të XIX, simboli i trimërisë dhe shpirtit luftëtar, ngjall me fjalën e tij besim dhe shpresë, i nxit për të mos ndenjur duarkryq përballë rrezikut që i kanosej. Ibrahim Dino, dhëndri i Çaparenjve, është karakterizuar për durimin, zgjuarsinë e tij, për fjalën e mënçur që e karakterizonte, duke na dhënë kështu disa nga tiparet më të arrira të vetë çamëve, që në këtë rast ishin në epiqendër të luftës që po e kanoste nga politika e perandorisë dhe synimet e shovinistëve grekë.
            Çaparenjtë, që mund të indetifikohen me vetë krenarinë e çamëve, shpalosen nëpërmjet plakut të Çaparenjve, Hasan Çaparit. Simbol i mikpritjes së shqiptarit dhe i dashurisë për vendin dhe brezat e rinj, ai shpalos para mysafirëve që kishin ardhur në oxhakun e tij, atë platformë politike të shqiptarëve, për të cilën u sakrifikuan në përpjekjet e përgjakshme me Portën e Lartë në vitin 1847 e më tej.
            Një figurë mjaft interesante, është ajo e kryeministrit shqiptar në qeverinë greke, Kiço Xhavellës si dhe ajo e Teodor Grivës. Të dy këto personazhe, autori i këtij romani, i ka skalitur duke na dhënë karaktere të të njëjtit trung, që ndryshojnë mjaft nga njëri-tjetri. Këtë skalitje karakteresh, autori e ka realizuar duke vënë në sfond të njëjtën figurë. Kjo ishte figura e Marko Boçarit. Mënyra se si e shihnin këtë figurë të madhe të lirisë, Teodor Griva dhe Kiço Xhavella, jep edhe karakterin e tyre të kundërt me njëri-tjetrin. Teodor Griva i largohet moçalit të tradhëtisë, ku do ta fuste rruga që kishte nisur. Fotot Xhavella zhytet në të, madje pas vetes ka tërhequr edhe të birin.
            Teodor Griva tërhiqet nga shtabi i luftës, i një lufte të padrejtë, që kishte nisur ndaj trojeve shqiptare. U tërhoq sepse ua dinte mirë qëllimet shovinistëve që shfaqeshin me inicialet E.T.M. (Epir, Tesali, Maqedoni). Lufta që kishte nisur, nuk ishte si lufta e kapedanit të madh suliot, Marko Boçari, që e derdhi gjakun për lirinë dhe pavarësinë e Greqisë, por edhe të atdheut të tij, Shqipërisë. Ajo qe luftë pushtuese. Theksojmë se Teodor Griva është pinjoll i Bue Shpatajve të njohur të Epirit dhe të Çamërisë.
Si pena e një mjeshtri të dashuruar aq shumë pas atdheut, dora e Arben Kondit shket lirshëm në mbarë hapësirën etnike shqiptare. Pas “Vrasjes së dytë të Marko Boçarit”, romani “Barbarët” i botuar në fillimet e viteve 2000 na shpie nga jugu i Shqipërisë në veriun e saj, pra në Kosovë. Ky libër është një katalog me fotografi ngjethëse lufte dhe shprese për ngjarjet tragjike të fundshekullit të shkuar. Në vepër jepen me mjeshtëri personazhe të ndryshëm që patën ndikim të fuqishëm si në luftën e po ashtu edhe në dipllomacinë e asaj periudhe.
            Në këtë këndvështrim mbetet tipike figura e realizuar artistikisht e gazetares së mirënjohur amerikane Kristiane Amanpur. Peripecitë e saj sa të rrezikshme e po aq edhe dinjitoze që nga Beogradi, Dubrovniku e deri në Prishtinë na ndjekin që nga fillimi e deri në mbarimin e librit. Ajo na shfaqet jo vetëm si një profesioniste e nivelit të lartë, por edhe si një grua e dashuruar që i rrit më tej vlerën një emri të njohur të politikës së atëhershme amerikane siç qe zëdhënësi i  departamentit të shtetit amerikan Xhejms Rubini. Ky i fundit është i shoqi i gazetares së mirënjohur. Eshtë pikërisht linja e tyre ajo që i jep jo vetëm lirizmin e domosdoshëm romanit, por në të njëjtën kohë, linja e çiftit Rubin vulos emocionalisht vetë konceptin amerikan dhe atë perëndimor ndaj lirisë së Kosovës e të mbarë njerëzimit.
            Në roman ndesh edhe emrat e Hashim Thaçi, Ollbrajt, Klinton, etj, etj. Udhëheqësi i UÇK-së trajtohet ngrohtë e me simpati nga autori. Ai shikohet prej tij si simboli i luftës për lirinë i një populli të robëruar. Veçse jo vetëm Hashim Thaçi, por edhe personazhe të tjerë të romanit vështrohen me admirim nga autori. Tipik mbetet këtu luftëtari Agim që jo vetëm i ka vënë gjoksin lirisë së atdheut, por në emër të kësaj lirie i është masakruar nga barbarët serbë e gjithë familja e tij. Ndërkohë që barbarizmi është vërtet i pacak në roman. Ai ecën dora dorës me vetë bëmat e personazhet serbe. Në mënyrë të veçantë ai bëhet tejet drithërues në fund të librit, kur faqet e tij na zbulojnë se edhe vetë hoteli “Grand” i Prishtinës as më pak e as më shumë ka qenë thjesht një çerdhe krimi, ky vriteshin e masakroheshin me dhjetra e qindra shqiptarë. Kriminelët e Arkanit lëvrijnë si çakej të uritur atje e në të gjithë veprën. Po kështu me gjuhë zjarri shprehen edhe personalitetet më të lartë të Serbisë së atëhershme siç është rasti i Milutinovoçit.
            Ky libër të trondit me të vërtetat e tij. Romani “Barbarët” është një enciklopedi e paraqitjes së të vërtetave politiko-ushtarake me data historike konkrete, duke përfshirë në të tryezat politike e deri tek betejat e luftës në terren. Gjithashtu romani “Barbarët” është dëshmi i asaj që triumfi i Perëndimit ndaj Serbisë u arrit edhe si pasojë e mbështetjes serioze që ju bë NATO-s nga UÇK-ja në terren, pra në frontin e luftës. Ky fakt i rëndësishëm dritëson bukur në roman. Ai konfirmohet nga vetë komandanti i NATO-s Klark, nga vetë sekretari amerikan i mbrojtjes Kohen, si dhe nga personazhi kryesor i librit Xhejms Rubin. Ai Të vjen keq që ky libër nuk mundi të realizohej film prej regjizorit të njohur shqiptaro-amerikan Sten Dragoti, sipas idesë së një grupi shqiptarësh të Amerikës.
            Ndërsa në librin “Djaj nën veladon”, mes tisit të letërsisë, Kondi akuzon hapur tentativat e vazhdueshme të qarqeve shovene greke, për të zaptuar fronin e kulteve fetare në Shqipëri, në emër të ëndrrës së vjetër të Vorio-Epirit. Forma artistike e romanit, ndërthurja mjeshtërore e personazheve kryesore (Kozma Etolianit dhe Janollatosit) na zbulon qartë qëllimin djallëzor të tyre si dhe të politikës së shtetit grek në të njëjtën kohë për helenizimin e jugut të Shqipërisë. Në libër paraqiten një sërë personazh real të fesë e politikës duke përfshirë këtu Serafinin, Micotaqisin e deri tek Nikolla Gejxhi. Arben Kondi ju çjerr maskën buzëqeshjes së tyre duke ju nxjerr sheshit thikën apo kamën e përgjakur në shekuj.
            Autori përshkruan me vërtetësi të padiskutueshme të gjitha parpaskenat që po vazhdojnë t’i bëhen kombit tonë, nga njerëz të fshehur poshtë veladonëve të zinj. Natyrisht, në qendër të këtyre prapaskenave është kryepeshkopi grek, Anastas Janullatos, i cili e ka kthyer kishën ortodokse në një bunker krimi duke arritur deri aty sa të hedhë baltë edhe mbi figura madhore të kombit tonë siç është ajo e Fan Stilian Nolit. Në roman Noli është antiteza e Janollatosit. Ai shfaqet aq natyrshëm nëpërmjet ëndrrës. Fisnik, intelektual i kalibrit të lartë e po aq edhe atdhetar. Me shqetësimet ndaj ofensivës greke në jugun e Shqipërisë, Kondi e sjell Fan Nolin të gjallë e me vërtetësi deri në ditët tona. Ballafaqimi i tij me Janollatosin është tepër emocional. Noli edhe sot e kësaj dite mbetet simboli i klerikut të dëshiruar prej të gjithë shqiptarëve ortodoksë e jo ortodoksë qofshin ata. Ky libër, në formë kronike, i bën apel politikës shqiptare që të pastrojë veladonët e kishës nga agjentët e Asfalisë greke, të cilët janë pa moral dhe pa fe, por të brumosur me synimin shovinist për realizimin e ëndrrës së vjertër të MEGALAIDESË.
            Që poshtë veladonit, ai, Anastas Janollatosi si dikur babai i tij shpirtëror Kozma Etoliani, bashkë me shpurën e servilëve dhe agjentëve që e ndjek nga pas, flasin për Zotin, por në fakt thurrin plane për Vorio-Epirin duke i ngulur kamën pas shpine Shqipërisë. Libri ngjall emocione të forta dhe rrëfen me imtësi se ata që kërkojnë të shfaqen si engjëj të ortodoksizmit, në fakt janë disa mashtrues bastardë, të cilët duhen larguar një orë e më parë nga Shqipëria jonë.
            Në librin tjetër të tij, me titullin “Shqiptarovrasësi Napolon Zerva”, Arben Kondi na paraqet Çamërinë e tij në çastet më tragjike të saj, pra gjatë genocidit të mes vitit 1944. Në këtë kohë, kryekrimineli ende i padënuar i njerëzimit Napoleon Zerva i mbështetur fuqishëm prej Athinës kuislinge arkivoi vrasjet më barbare ndaj shqiptarëve të jugut. Nuk mund të gjendet asnjë krahasim nga historia njerëzore, ose mund të gjenden shumë pak të tillë, (Hitleri dhe Millosheviçi) që të krahasohen me gjeneralin e zi Napoleon Zerva. Porsi një bisturi e mprehtë, pena e Kondit i bën autopsi të plotë karakterit të gjeneralit të zi, që si një gemblist i pacak hidhet sa në prehrin e italianëve, gjermanëve apo edhe të britanikëve gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ndërkohë që me pafytyrësinë më të madhe, dhe sipas parimit të mirënjohur shpif shpif se diçka do të mbetet si e vërtetë, ai akuzon këtë popullësi të pafajshme si bashkëpunëtore të pushtuesit. Saktë e thotë autori kur shënon se Hadi (perandoria e vdekjes) ka zënë vend në shpirtin e tij.
            Tepër tërheqëse në roman mbetet figura e Spiro Çallukës, avokatit të nderuar çam ortodoks që dha jetën për lirinë e Çamërisë. Spiro Çalluka mbetet simbol tipik i vargut monumental të Pashko Vasos se “Feja e shqiptarit është shqiptaria”, por njëkohësisht edhe i rezistencës çame. Me interes dhe guxim krijues në vepër është dhënë edhe linja e nacionalistëve të njohur çamë si ajo e vëllezërve Dino (prej oxhakut të madh të Dinejve të Çamërisë) që për fat të keq edhe sot e kësaj dite historiografia shqiptare vazhdon t’i anatemojë ata njësoj siç bënte dje diktatura komuniste, tok me studjuesit grekë.
            Ky roman i realizuar jashtëzakonisht mirë nga ana profesionale, është tepër drithërues dhe prekës, por edhe frymëzues për kohën tonë në ndreqjen e padrejtësive historike. Një zë, një kumbim i tillë i fuqishëm, nuk mund të jetë aspak utopik nëse do marrim parasysh situatën e sotme në Kosovë. Vallë a nuk mbetet simetrik genocidi i Camërisë me atë të Kosovës?! Sigurisht që po. Ato janë lumenj gjaku i së njëjtës formulë, pavarësisht diferencës në kohë e konjukturave të ndryshme politike ndërkombëtare.
            Ndërsa “Rikthimi në Çamëri” është një këmbanë shprese, se një ditë toka e të parëve tanë do të buisë përsëri nga trëndafilat e banorëve të vet autoktonë, ku gjyshërit e baballarët e tyre u pushkatuan ose u dëbuan me dhunë nga vatrat prindërore. Jo më kot ky libër, brenda dymbëdhjetë vjetësh, pa pasur aspak nevojën e zhurmimeve marramëndese të shtypit apo të mediave ka njohur plot gjashtë botime. Duke qënë i përkthyer edhe në gjuhën angleze, ai është pritur me këmbët e para si nga historianët e po ashtu edhe nga politikanët e lartë grekë. Madje edhe nga ndonjë historian  minoritar, që dikur hiqej më shqiptar se vetë shqiptarët, kurse sot çuditërisht na është bërë më grek se edhe vetë grekët.
            “Rikthim në Çamëri” është historia e ditëve të sotme të Çamërisë martire. Është historia që fshihet ende prej ligësisë së shovizmit grek. Si rrallë kush, libri “Rikthim në  Çamëri”, nëpërmjet një udhëpërshkrimi drithërues që i bëhet Çamërisë së sotme që nga Preveza e deri në Filat faktikon mahnitshëm që tharmi çam jo vetëm nuk ka humbur aspak në Çamërinë mitike siç trumbeton me të madhe politika greke, por ai vazhdon të dominoje atje fuqishëm. Në Çamëri, që nga Filati e deri në Prevezë jetojnë në shumicë sivëllezërit tanë çamë ortodoksë. Politika apo historiografia greke nuk mund t’i mbulojë ata si në varr, sepse mbi të gjitha mes tyre gjallon e flitet çamërishtja apo gjuha e perëndive siç e cilësonte atë arvanitasi i madh Aristidh Kola. Këtë gjuhë e flasin sot të gjithë në Çamëri, që nga ai plaku mbi tetëdhjetë vjeçar e deri tek ai fëmija dy apo tri vjeçar që sapo ka nisur të hedhë këmbët nëpër dhe. Për fat të keq edhe sot e kësaj dite, këtij populli me rrënjë në prejhistori i mohon prej shovinizmit fashist grek të drejta më elementare të njerëzimit siç janë arsimimi në gjuhën amtare, shtypi, mediat, etj.
            “Rikthimi në Çamëri” na jep rastin  të ceknim edhe një vlerë tjetër të letërsisë së Kondit, që ka të bëjë me gjuhën. Çamërishtja që përdor ai hera – herës e bën më tërheqëse këtë krijimtari. Duket sikur në këtë libër pranë çdo metafore çel një trëndafil dhe pranë çdo dhimbjeje shfaqet një dritë shprese. Ai ngjall shpresë tek çdo lexues që e merr në duar atë.
            Endrra e veçantë e Benit, është që të shkojë në Çamëri për të qëndruar gjatë. Atë e tërheq kushtrimi i të parëve. Të gjithë ne që e njohim, e kuptojmë fare mirë, se, po t’i jepet mundësia për ta bërë këtë gjë, atëherë së shpejti do të presim një kryevepër tjetër nga pena brilante që është mprehur prej kohësh në shpirtin e shkrimtarit, për vendlindjen e të parëve. Por deri tani, vepra e shkrimtarit është ndaluar të qarkullojë në trojet çame, për shkak të frymëzimit patriotik që reflektohet në to.
            Natyrisht, e lamë disi për në fund analizën e librit “Tmerri”, i cili sapo është botuar nga shkrimtari Arben Kondi. Arsyeja nuk është thjeshtë kronologjike, por ka të bëjë me faktin se ky libër përbën një nga kulminacionet e krijimtarisë së tij. Pena e Arben Kondit ka marrë formën e një peneli fin që afron jo vetëm pejsazhe mahnitëse, por edhe portrete e karaktere me një botë e psikollogji të qartë. Stili i tij është i konsiliduar. Fraza e shkurtër e gjithë nerv e bën Kondin sa origjinal e po aq të dallueshëm prej shkrimtarëvë të tjerë. Figuracioni që përdor është shumë ngjyrësh. Dialogu plastik. Gjuha si elementi kyç i letërsisë rrjedh si një rrëfimi emocious pranë vatrës zë zjarrit në dimër. Kurse në krijimtarinë e tij më të mirë gjuha gurgullon porsi një ujvare pranverore. Pa zënë në gojë këtu përsëri elementin dialektor për të cilin folëm diçka më lart.
            Të hysh në “Ferrin” e Dantes është ndofta më e lehtë se sa të hysh në “Tmerrin” e shkrimtarit shqiptar, Arben Kondi. Ky roman jo vetëm të trondit me rrëfimin e të vërtetave tragjike të luftës serbe kundër Kosovës, por në të njëjtën kohë tingëllon edhe një apel për paqen. Duke lexuar rresht pas rreshti lexuesi e kupton se romani “Tmerri” është vazhdë e perlave që prodhon mjeshtëria e tij artistike.
            Libri i Kondit ka një kompozicion të përsorur. Ai e ngre perden e fillimit me një familje mikse në prag të shkatërrimit. Francezja Natali dë For është figura qëndrore e romanit. Jeta e solli që si në një ngërç ajo të mbetet brënda kurthit të shovinizmit serb. Pikërisht këtu zë fill tragjedia apo tmerri i peripecive të saj.
Ajo është e bindur se po përjeton ditët më të tmerrshme të jetës së saj. Lufton me të gjitha forcat për të mbrojtur familjen. Shpesh herë ngre zërin, kundërshton barbarinë. Po vetëm kaq. Më tej ajo nuk ka fuqi të ndikojë, të tjetërsojë sado pak frymën mizore të nacionalizmit serb e bashkë me të edhe atë të burrit të saj. Pas kësaj tok me të birin detyrohet ta braktis atë. Në këtë këndvështrim, gjatë ecurisë kohore të romanit ngjethës, ajo përfundon edhe vetë në kollonat biblike të shqiptarëve. Tashmë ndiqet nga i shoqi për t’u vrarë. Ajo ka parë dhe di shumë.
            Natalia paraqitet mes një fisnikërie brilante. Ajo shfaqet me përmasat e një humanizmi tipik francez e në të njëjtën kohë perëndimor. Ajo është gruaja e një intelektuali serb, që quhet Zllatko Iviç. Duke qënë i ushqyer prej hegjemonizmit ekstrem, ai tjetërsohet gradualisht dhe e ndërton karrierën e tij të re ushtarake mbi principet e urrejtjes dhe krimit ndaj shqiptarëve. Ai është përfaqësuesi tipik i një sistemi agresiv që nuk njeh cak. Piku i këtij tmerri arrihet me përdhunimet ndaj femrave shqiptare. Ligësia serbe arrin të kapërcejë ferrin kurr një ushtar serb i thotë një shqiptareje. “Do të flemë bashkë sonte. Sepse ti do të më shtosh racën. Ti do pjellësh djem serbë si unë, që nesër do t’i vrasin sërish shqiptarët”. Në këtë batak zhytet edhe vetë i shoqi i Natalisë. Dhe ashtu si në portretet figurative, kur e rëndësishme është nxjerrja e karakterit të objektit, edhe Arben Kondi, nëpërmjet penës së tij zbulon thellësitë e mëndësisë serbe që është helmuar aq keq prej pilulave të antishqiptarizmit. Në këto puse të errët fshihet selia e planeve tinzare për shfarrosjen e shqiptarëve. Pra, pjesë e kësaj zeznaje është edhe i shoqi i Natalisë, Zllatko Iviç.
            Ndërkohë, libri i Arben Kondit, i ndërtuar me një pjekuri të lartë artistike, të fut në kurthin e kompozicionit të tij, që në faqet e para, duke të mbajtur emocionalisht të mbërthyer deri në faqen e fundit të tij. Aq të vërteta janë këto, saqë kur ti lexon rresht pas rreshti pejsazhet e këtij libri, të duket vetja se je duke përjetuar edhe vetë ankthet e djegieve, të vrasjeve, të tërbimeve serbe, apo lotët e kosovarëve të viktimizuar, të nënave dhe grave, të fëmijëve dhe pleqve. Dhe kur mbaron faqen e fundit të romanit-epope, të duket sikur edhe vetë, sapo ke dalë nga lufta. Dhe ashtu, si çdo njeri që del nga lufta, prapa teje mbeten kujtimet e dhimbshme për viktimat e saj, si edhe urrejtja e pashembullt për kriminelët dhe shovinistët serbë, që e shkaktuan atë.
 Pikërisht për këto që thamë e për shumë të tjera që ne nuk i thamë dot, por që ju do ti gjeni nëpër faqet e këtij libri riktheksojmë sërish me bindje se libri më i ri i Arben Kondit shënon një majë të re në krijimtarinë e tij. “Tmerri” do shquhet vazhdimisht në letërsinë shqipe.
Arben Kondi është i veçantë edhe në fushën poetike. Vargjet, metaforat, epitetet e tij, kapin rekorde të gjetjeve letrare dhe ku ai vetë ndihet si një menaxher i tokës me qiellin. Sepse në poezinë shqiptare, vargjet që ka shkruar në vite, i kanë afruar atij fronin e princit poetik.
Në poezitë e Arben Kondit, spikat malli për vatrën e tij, stërgjyshore. Janë poezi të shkruara edhe në mërgim. Mbi to nuk mbizotëron pesimizmi i një njeriu pa rrugëdalje. Përkundrazi. Nota optimizmi e karakterizojnë poezitë e shkruara atje. Gjykoj se kjo është veçori e njerëzve që dinë të gjejnë rrugëdalje edhe në kushte të vështira. Atje, në mërgim autori gjen kohë për të shkruar poezi për Mirelën, emrin e së cilës e ka përmendur më shumë se gjithshka në botë dhe ky është:
“Rrugëtim i gjatë muzikor, / Që nisi e do të mbarojë/ Veçse me puthje”. (Arben Kondi “Kosovë e Çamëri”, Mirelës fq. 62). Ndërsa për Arbërin, djalin e tij, nëse do të ishte treguar vërtet diçka më i kujdeshëm, ai me siguri që do të kishte  projektuar edhe vëllimin e nëntë të veprës së tij të zgjedhur. Aq shumë poezi dhe prozë i ka kushtuar ai Arbërit. Thënë ndryshe, boshti i poezisë së tij mbetet binomi domethënës familje-atdhe apo atdhe-familje.
Autori është i malluar për çdo pëllëmbë të trojeve të tij, por në veçanti për Tiranën: “I malluar shëtis/ Paramuzgjeve dhe pasmuzgjeve të Tiranës. / Jam i malluar për qytetin tim të lindjes…”
Por, ndërsa ecën me mendje e me zemër në qytetin e tij të lindjes, gjen aty edhe: Paramuzgjet e pasmuzgjet e Durrësit, Vlorës, Sarandës/ Me diellin e tyre të përflakur, / Që digjet brenda gjoksit tim” (f.86).
Tek poezia “Për lirinë”, me një frymëzim të thellë na ofron mrekullitë që na jep liria, sidomos kur ajo ka munguar për një kohë të gjatë, siç ka ndodhur fatkeqësisht me popullin tonë.
Por: “Ja që edhe në këtë fundshekulli të përgjakur/ Si në një perëndim të lodhur e të vonuar dielli/ Ende u krijokan çaste të një paqeje hyjnore…(f. 14)”
Poezia e Arben Kondit, është poezi e mesazheve të mëdha kombëtare. Aty është shpirti luftarak i një populli, që kurrë nuk u mposht. Në poezinë e tij i gjen bashkë shqetësimet e shqiptarëve, pavarësisht se ku jetojnë. Kosova nuk ka shqetësuar vetëm shqiptarët që banojnë në territorin e Kosovës, por edhe ata të Maqedonisë dhe të Malit të Zi. Për të ndihet i shqetësuar shqiptari i Çamërisë dhe ai i Shqipërisë. Ashtu siç janë të shqetësuar të gjithë shqiptarët edhe për çështjen çame. Popujt ecin përpara drejt progresit dhe përparimit, duke ngritur ura atje ku më parë ka patur pengesa për të kaluar. Këto ura nuk ngrihen lehtë:
“Urat e lirisë / Ngrihen mbi kohëra, / të betonuara rëndë me gjak e kocka…” (Arben Kondi, “Kosovë e Çamëri” Urat e lirisë, fq 7).
“Një urë të tillë ngriti Kosova. Një urë e tillë mund ta nxirrte Kosovën nga robëria në brigjet e lirisë”.
Një vend të veçantë zënë, në poezitë e këtij autori ato kushtuar Kosovës dhe Çamërisë, ku spikatin poezitë : “Mbi Kosovë”,  “Barbarët”, “Mitrovica”, “Prishtina 1999”, “Çamëria”, “Çamëria, atmëmëdheu im”, “Në Gumenicë”, “Detit të Çamërisë”, “Në Paramithi”, “Në Margëlliç”, “Në Pargë”, “Në gji të Prevezës”, “Kalimthi në Janinë” apo poezitë kushtuar trevave të tjera shqiptare : “Në Tetovë”, “Ulqin 2006”, “Plavë e Guci”, “ Oh…rit”, “Shqipëria në mes”, e shumë të tjera.
            Pra, Arben Kondi është një rrëfyes brilant, që beson tek jeta dhe është optimist për ndreqjen e gabimeve historike. Ai e rrëfen tragjedinë, por nuk qan. I bën të tjerët të rënkojnë, por gjithashtu u ngjall shpresë dhe besim. Ai e ka shprehur qartë magjinë e vet edhe në rreshtat e librave që ka shkruar, duke e reshtuar veten tek shkrimtarët që nuk kërkojnë mëshirë, por drejtësi. Sipas tij, për ndreqjen e gabimeve historike duhet të mobilizohen të gjithë politikanët shqiptarë, përfaqësues te jetës civile, apo njerëzit e thjeshtë. Duke hedhur arsenalin e fakteve, ai u thotë edhe ndërkombëtarëve: Tragjedinë e keni nën këmbët tuaja, prandaj nuk mund ta kapërceni atë, por duhet ta zgjidhni.
            Kjo frymë mbizotëron edhe në prozën e tij të shkurtër apo në tregimet që shkruan. Edhe në to lejtmotivi Kosovë e Çamëri mbetet emocionues. Për të faktikuar këtë të vërtetë do të mjaftonte të përmendja vetëm tri tregime të tij. Pikërisht atë me titull “Ikja” me motive nga jeta e shqiptarëve të Kosovës, “Zhelani” me motive nga jeta e shqiptarëve të Çamërisë sot në Greqi, si dhe “Atmëmdhetari” me motive nga jeta e shqiptarëve të Iliridës. Natyrisht në prozë e Arben Kondit nuk mund të mungojë as edhe motivet nga Lugina e Preshevës apo ajo shqiptarëve në Mal të Zi. E kështu, pak para fundit të analizës sonë do të dëshironim të ngrinim një pyetje fare të natyrshme. Një krijimtari e tillë a nuk i jep të drejtë shkrimtarit Arben Kondi që të jetojë prej përmbi dhjetë vjetësh si një shqiptar i Shqipërisë etnike? Përgjigjja vjen vetiu po.
            Ndërkohë, Arben Kondi është edhe një gazetar me eksperiencë të gjatë. Mbi një çerek shekulli më parë, ai ka përgatitur për Radio Tiranën emisionin “Radio revista letraro-artistike”. Angazhimi i tij gazetaresk nuk ka pushuar as edhe gjatë viteve të emigrimit. Për këtë do mjaftonte të kujtonim se ai tok me familjen e tij është krijuesi i së parës gazetë shqiptare në Australinë e largët që nisi me gjashtëmbëdhjetë faqe dhe përfundoi me tridhjetë e dy të tilla. Në dy vjetët e fundit ajo u botua me emrin e heroit tonë kombëtar “Skënderbeg”.
            Kurse në emisionet televizive, në mbarë hapësirën etnike shqiptare, e në mënyrë të veçantë në stacionin NTV të Tiranës, kur ai ka folur për Çamërinë, audienca televizive ka qenë e madhe.       Beni ka inspiruar vazhdimisht nëpërmjet këtyre emisioneve për të sensibilizuar qytetarët e thjeshtë në thelbin e zgjidhjes. Sipas tij, pa zgjidhjen e çështjes kosovare dhe çame, nuk mund të ketë qetësi në Ballkan. Dhe koha që po kalon nuk bën gjë tjetër, veçse vërteton postulatet e hedhura nga shkrimtari ynë në bisedat publike, televizive, apo në takimet e përditshme me njerëzit. Eshtë i padyshimtë fakti, se çështja e Çamërisë një ditë do të zgjidhet. Dhe atëherë, Arben Kondi, ashtu si edhe më parë, nuk do t’i bjerë gjoksit për të kërkuar dekorata në lidhje me kontributin e tij të paçmuar. Atëhere, kur çështja e Çamërisë do të zgjidhet, ai ashtu si edhe më parë, do të vazhdojë të kontribuojë për aktin final të shqiptarizmit, bashkimin tonë kombëtar.
                                                NURI DRAGOJ
                                                                  Studiues


Related posts

ME MBESËN DORELË, NË TIRANËN FESTIVE TË 99-VJETORIT TË PAVAR...
Carla Antoniotti: Adoleshencë, identitet dhe botë virtuale
SHKB "SALI Çekaj" përkujtoi Deklaratën Kushtetuese...
THEMELUESIT E FONDACIONIT PLAVË-GUCI (1994 - 2014)

Leave a Reply





Archive