|

Mitrush Kuteli, shkrimtari i përjetshëm

20 Prill 2011
Nga Roland Gjoza | New York

Roland Gjoza

Biografia: Roland Gjoza

Nga Aleko Likaj

Eshtë lindur në Tiranë në familjen e një mjeku. Librin e parë me poezi e ka botuar që në bangat e shkollës së mesme. Pas studimeve ne degën Gjuhë-Letërsi në Universitetin e Tiranës ka punuar si mësues per disa vjet në zonat e Pukës në veri. Pastaj në Kinostudion “Shqipëria e Re” si skenarist ku është autor i shumë filmave artistik e dekumentar. Pas rênies së komunizmit, për disa vite ka punuar edhe ne RTSH me tê njëjtin profesion. ka shkruar shumë libra me poezi, tregime e ese.
Prej disa vitesh jeton me familjen si emigrant tashmë në Nju Jork.

Mitrush Kuteli, shkrimtari i përjetshëm 

Nga Roland Gjoza 

Shënime nga udhëtimet në memorie, III. 

 

       Roland Gjoza në një rrëfim gjithë jetë na sjell pranë aromën e letërsisë së Mitrush Kutelit, dhe historinë e mënjanimit të veprës dhe të personit të tij.

Dhe diçka e panjohur: Çfarë ka lexuar Gjoza në dosjen e hollë të Paskos në Ministrinë e Brendshme? Tentativa për vetëvrasje në burg dhe ditët e fundit 

          Nuk e di ç’më kishte shkrepur të merresha me shkrimtarët minorë të viteve 30-të. Aty përfshihej dhe Mitrush Kuteli. Prej tij, pikërisht prej Kutelit e zgjodha atë temë. S’ke për të marrë notë të mirë, më tha profesori i letërsisë së huaj, nuk ke shumë të dhëna për ta, s’ke ç’thua. 

       Pra, Kuteli përfshihej te shkrimtarët minorë. Kjo më habiste, madje më trondiste fund e majë, më dukej si një keqkuptim i qëllimshëm. Ashtu ishte. Hiq dorë nga kjo temë, ose të paktën me Mitrush Kutelin mos u merr, ai ka qenë ushtar në armatën e Urdhrit të Hekurt. Ç’ishte ky Urdhër i Hekurt? Dhe këtë ma thonte fare hapur një profesor i dëgjuar i gramatikës historike. Ai mbahej hijerëndë, të ngelte në klasë, udhëtonte shumë jashtë. 

         Vetëm një profesor më buzëqeshi dhe më ra supeve: Mitrush Kuteli është më i madhi, për këtë shkak është i dënuar. Ka atë cenin në biografi, që është i sqaruar njëfarësoj. Po vazhdon të harrohet padrejtësisht. Ky ishte Nasho Jorgaqi që e vuante ndëshkimin e madh të Mitrush Kutelit. 

         Atalanta Pasko, vajza e tij, një pinjolle e denjë e estetikës së tij në kuadrin filmik, (ishte mjeshtre montazhi dhe regjisorët “grindeshin” për ta patur në filmin e tyre) i ngjante të atit, nuk donte të dukej. 

          Unë e hetoja në rastet kur më lidhte puna me të; një fytyrë e imët me hir aristokratik, një ndrojtje diskrete, një humbje me dashje për të mos rënë në sy, një arratisje edhe kur flitej për të, që zërat të binin në vesh të shurdhër, sepse ajo ishte vërtet një nxitje, po veç e pyetjeve pa përgjigje. Atalanta, i thoja, babai yt më pëlqen shumë. 

        Po pse? Ishte një pyetje sapak sfiduese, po edhe e mençur, sepse ajo kërkonte të dinte atë që s’dinte vetë. E shikoja në sy, më lidhej gjuha, kuptoja me njëfarë paniku se idetë e mija për të i kisha të pasistemuara. 

        Kam një baxhanak orëndreqës, i thashë duke përdorur një metaforë, gjyshi më kishte lënë kujtim një sahat, ia çova për ta parë, ai më tha se ishte i rrallë, tejet i shtrenjtë, i gjithi flori. E ruaj edhe sot si një relike të përjetshme, shpresoj t’ia le trashëgim vajzës. Po pse? përsëriti ajo pyetjen.

         Sepse ai e rigjeti gjuhën. Ajo qeshi me njëfarë djallëzie, ose ashtu m’u duk, më tha se shiu kishte pushuar dhe iku. “Xha Brahua i Shkumbanores” , “Vjeshta e Xheladin Beut”… të paktën t’ia kisha përmendur si tituj, po pse iku ashtu? 

       Nuk e kuptova kurrë. Edhe në temën e diplomës kisha marrë tetë, jo dhjetë, siç shpresoja, sepse kisha ngritur lart vlerat e Mitrush Kutelit, madje kisha guxuar të theksoja se, siç kishin dalë nga “Manteli” i Gogolit shkrimtarët e mëdhenj rusë, po ashtu kishin dalë prej “Vjeshta e Xheladin Beut” shkrimtarët e mëdhenj shqiptarë. 

        E kisha tepruar? Jo, aspak, po të mendosh se ai kishte krijuar kryeveprën, një nga majat e pakta të letërsisë shqipe, “Tat Tanushin”.

Pandi, i biri, mbante çelësin e sëndukut ku ishin dorëshkrimet e shkrimtarit. Do të dalin, Roland, nuk janë pak, ke për të parë së shpejti një kryevepër. (E kishte fjalën për Tat Tanushin). 

        Pinim kafe në këmbë dhe ai, tejet i qetë dhe i dashur, gati i pafjalë, më shpjegonte shkurt me një emocion si të fshehur, pa e përmbajtur një lot në sy, se babai kishte ikur thuajse i detyruar.

        E bija e tij, Atalanta bënte pyetjen: Po pse? ndoshta e tejmahnitur me një prozë që vuante një dënim dhe ende nuk po i shpalleshin vlerat, po përkundrazi, lihej pothuaj kinse në harresë. 

          Ajo, nga bijë e djegur për babanë, që e la të vogël, kishte kaluar në lexuese, nga lexuese në kritike, nga kritike në një Akademi që e kishte emrin Mitrush Kuteli. Në këtë Akademi i kishte mbetur të bënte punën e ruajtëses së përkorë dhe ishte bërë e mbyllur, skrupuloze, sapak nervoze, adhuruese brenda saj dhe gati armike jashtë saj, përtej, me botën e heshtjes. 

        Dhe unë naivi, ai gjytyrymi i 8-ës në diplomë, i paralajmëruar për humbjen, po i pabindur prej inkurajimit që më jepte zëri i dytë besnik, nuk u hyja shkaqeve përse Kuteli, ky shkrimtar i madh mbahej ende në karantinë. Sapo që dikush si puna ime i afrohej dhe madje guxonte ta nxirrte prej andej, ndëshkohej. 

         Ishte leximi i Tat Tanushit (në botim “E madhe është gjëma e mëkatit”) që më bëri të interesohem për fatin e jashtëzakonshë m të këtij shkrimtari. Ç’kishte ndodhur? I kishin shkuar një ditë në shtëpi dhe i patën thënë: Në emër të popullit je i arrestuar! S’kishte ironi dhe cinizëm më të hidhur t’i thoje një shkrimtari të madh se, populli, pra, personazhet e librave të tij, të gatuar prej dashurisë, qenë ngritur të lidhnin autorin e tyre, po prej dashurisë. 

        Se kështu u tha, gjithçka bëhej që ai të pastrohej nga e kaluara e errët dhe gabimet e rënda që i kishin kushtuar atdheut të punës mjaft telashe me vëllezërit jugosllavë. Kishte qenë aleat me gjermanët dhe armik i tyre, pastaj armik i jugosllavëve. Asgjë s’merrja vesh. 

        Vetëm diçka të mjegullt dija qysh nga ajo kohë kur, unë, një student i vitit të fundit të Gjuhë – Letërsisë me temën time të diplomës doja t’i hiqja Mitrush Kutelit cilësorin ideologjik që e klasifikonte shkrimtar minor.

       Jeta ikën shpejt dhe moda flakërin si fushqetë marramendëse nga mëngjesi në mbrëmje dhe ti pret që ajo të shuhet, po ajo është e përjetshme për fatin e talenteve të vegjël.

      Sërish humbi shkrimtari im i dashur, s’përmendej asnjëherë, nuk botohej, veç rrallë, gazetat dhe TV-të mbusheshin ngjeshur me politikë, politikë dhe sërish politikë. Sikur demokracia të kishte ardhur vetëm për politikën. 

       Shpërtheu me fanfarë festive, me një reminishencë topash lufte raca e politikanëve që u shumua kaq shumë, sa shtëpitë tona u bënë të vockla dhe ne u shndërruam në thërrime, ndërsa hapësirat jetike i pushtoi madhërishëm si piramidat e Gizës, Parlamenti, Kryeministria, Presidenca. 

       Në këtë atmosferë tejet mbytëse për artin e papërfillur unë mendoja e mendoja me vuajtje për shkrimtarin tim të dashur. Sa herë shkoja në Pogradec dhe xhiroja dokumentarë pyesja për shtëpinë e tij. 

      Ajo e Lasgushit ishte shitur për një krodhe bukë, ndërsa ajo e Mitrushit nuk gjendej, megjithëse unë u enda për kohë e kohë të gjata në kalldrëmet e qytetit të vjetër në kërkim të një shtëpie tipike pogradecare që kishte këmbë dhe bariste me një shkop sokakëve ku molloisnin plaka me të zeza. Ai pak qëndroi në shtëpi se ishte i ikur. 

        Bukuresht. Student në Ekonomi. Atje zuri brumët e atyre plakave të sokakëve, e atij liqeri blu me koran e belushkë, e atyre maleve me borë, e atij malli të ngrysur, e udhëve vetmitare me nga një diell në cergë e hëne të fjetur në gjurmët ajrore të nositit, me kisha ku dylli i qirinjve në kalldrëmet e plasura vinte nga çdo shtëpi. 

        Brumi erdhi e u fry, u poq e doli, po ai e dinte se nënë Elena me nam për brumërat e saj ishte ku e ku me të, prandaj s’u ndje, po sa herë kthehej në qytetin me ujë, i vinte veshin kallëzimeve, si shqiptoheshin, ç’lezet u kish akcila fjalë, se edhe fjala kishte shpirt dhe shpirti i fjalës duhej kuptuar, po me vuajtje e me durim, veç ngaherë me dëshirë e punë që të pajtohej kallëpi i shpirtit me fjalën e sokakut. 

        Këtë bëri dhe fare s’u ndje gjer në mbyllje të qepallës me vetëdijen se nënë Elena ishte ku e ku me të. Janë ato plaka sot e nesër s’reshtin së dali para portave herë me petë të tëhollura hollë nëpër duar, herë me kaçamakun e miturakut qepur pas fustanit të zi pahitur me pak mielli.

        Ato s’dinë asgjë se si mund të jenë aq tërheqëse për një që kthehet me qillota e kapelle xhentëllmeni nga Bukureshti. Ai i shikon e u thotë ta përsëritin atë fjalë që shqiptuan, po ato si të llastuara e të gabuara përsëritin gjestet e vajzërisë, aq i ëmbël e miklues është ai zë.

        Flasin e flasin dhe s’e kuptojnë si ai djalë aq i pashëm e i urtë, u vë veshin llomotitjes së tyre që del prej asaj goje të vënë, si i shkëlqejnë sytë e u përhin atë djaloshin tebdil të asaj kohe që u mori mendjen e iku në mërgim. 

       Kështu iknin djemtë, po ky ishte ndryshe, veç u zgjonte kujtime të moçme me atë afrim dhe mahnitje që tregonte, po dhe i zhgënjente sapak, se ai s’kërkonte atë që ato pandehnin, peng i mbetur hidhur prej motmotit, po luste fjalën e tyre, atë rrëfimin popullor, thurur me penj të artë. 

       Secila prej plakave kishte ndonjë xhevahir për të nxjerrë dhe ai u ofronte një guaskë që e mbante në pëllëmbe të dorës dhe kur ato mbaronin ai mbyllte kapakët e asaj guaske vezulluese e shkonte, ikte i bekuari dhe ai në kurbet. Po s’qe si të tjerët, jo, qe ndryshe, u merrte fjalën, ja, kaq. 

        Ata, mavritë, ata të tjerët, të merrnin zemrën dhe hiç, s’u bëhej ta kthenin. Plakat e sokakëve s’e kuptonin, korbat, që zemrën e paskeshin patur te fjala dhe vjedhësi pat qenë ai i Paskove, ai që e mbanin për deli djalë. 

       Kështu kish ngjarë me Mitrushin, kishte patur shtëpi të gjitha shtëpitë me sokak të Pogradecit ku dilnin plakat me të zeza. Po këtë nuk e tha. S’kish si ta thoshte. E pse ta thoshte kur s’ia kaloi e s’ia kaloi dot Elenës. E pati dhe ai një më të madhe se veten. 

        Po t’ia thonin Elenës këtë thagmë, ajo do të qeshte me gaz e s’do të pushonte së qeshuri, se s’do t’i besohej kurrsesi të ishte më e madhe se Mitrush Kuteli i librave të shtypur e të lidhur që kishin nga pas dhe atë çmimin sa një buke dyzeçe, se aq kushtonte një libër i trashë sa Xinxifillua. E, sa e koklavitur kjo puna e librit! E shkruan dhe ke brenda jetën e tjetrit treguar nga një tjetër.

       Ai Xheladin Beu aty në sokak në ndajnatë ndanë liqenit bëri këmbë nga goja e mëmë Jorgjicës e u shtua prej ndrikullë Anës, që e pat dëgjuar nga e veja e Paput, po edhe ajo se kish patur me tamam, se e veja e furrxhiut, Kulja, e dinte ndryshe fundin e beut dhe e rrëfeu, po u kundërshtua me bubutimë nga mëmë Sofika, që qëronte patate në sokak dhe nuk mënoi të përshkruante natën e parë të beut me Sheqeren dumbushqerre më parë se ai të binte në jatak me atë të brydhtën virgjëreshë, çupkë e bardhë borë, e plotë, pa fare naze e zjarr të ndezur, krejt e pa vënë dorë, si ajo kukulla e mbyllur në kuti. 

        Një version rrëzonte tjetrin, po të gjithë ishin art i pasitur, krrunde plot, guriçka e barishte, po ama miell, miell nga ai lloj që bëhet bashbakllavaja e dasmave dhe ato bukët me zemër brenda që i jepeshin pa gdhirë bashkë me një copë kartë atij tebdilit allafrënga që nisej sërish për kurbet. 

       E dija këtë ecejake të Mitrushit nëpër portat me llamburitje të dridhshme liqeri, nëpër portat e drunjta me shkurre trëndafilash e kalldrëmet me kisha të vogla dhe më vinte të thërrisja: o, po ku është shtëpia e Mitrushit? 

      Askush s’ta tregon, sikur harresa të jetë shtrirë prej zakonit dhe mbi shtëpinë e tij të lindjes. Kjo duket kaq poetike sa s’ke ç’mëson më tepër. Po veç një gjë duhet të dimë, se ai mori stilin e të rrëfyerit të sokakëve. Mund ta quajmë stili i sokakëve. 

       E mori me vete në Bukuresht, se atje nis të shkruajë prozë, pikërisht ditën që e veshën ushtar, merreni me mend, një student i thirrur me urdhër ushtar në armatën e Urdhrit të Hekurt të mbretit rumun, që për fatin e tij të mbrapshtë ishte e inkuadruar si aleate në ushtrinë gjermane. E çfarë pastaj? Ai luftonte për Rumaninë dhe s’i interesonin aleancat. 

       Këto i mësova në arkivin e Ministrisë së Brendshme. Një dosje e hollë, ku më tërhoqën vëmendjen tre fakte. Në kohën e pushtimit gjerman Mitrushi punonte në bankë. Kundërshtoi grabitjen e arit dhe u përndoq për t’u vrarë. 

         Tema e diplomës që kishte mbrojtur në Bukuresht për doktoraturë në Financë ishte rreth 400 faqe. Në kohën e Partisë së Punës ishte kategorikisht kundër që dinari jugosllav të shkëmbehej me ar. 

       Në qeli, krejt i paqartë për motivet e akuzës, ose më mirë krejt i bindur për absurditetin dhe keqkuptimin, në rrethanat e asaj kohe kur ai që futej në burg merrte më qafë familjen, preu damarët e duarve që të vdiste. 

       Këtë e bëri që të shpëtonte gruan dhe fëmijët nga turpi, poshtërimi, ndalimi i të drejtave, arsimimi, uria, e ardhmja e errët. Ndërkohë që bënte vetëvrasjen e sigurtë, një nga rojat i solli ushqimin një orë përpara, ngaqë atë ditë ishte festë, dhe ai nuk bëri sikur s’e vuri re qëndrimin e tij të çuditshëm: i ulur në gjunjë, i mbledhur kruspull, i verdhë dyllë në fytyrë e me sytë lart, ndoshta duke lëshuar një lutje të fundit drejt atij tavani të qelbur për t’ia përcjellë qiellit. 

       Rëndom në këto raste njeriu që po ikën bëhet i ngjashëm me frikën që na pushton herë-herë kur vdekja na vjen si parandjenjë. Ndoshta kjo arsye mund të qe njëra nga ato nxitje vullnetare që e kaplojnë njeriun për veten, po në raste të tilla për tjetrin. Ky keqkuptim nganjëherë është shpëtimtar. Roja e pikasi me vërejtje dhe zbuloi gjakun që i rridhte poshtë. 

       Mitrushi shpëtoi. Po asgjë nuk ndryshoi, mendimi i parë i vetëvrasjes veçse u shty në kohë.

         Atë e lanë të përkthente, vetëm të përkthente dhe urdhri i pashpallur ishte të mos shkruante e botonte libra origjinalë, veç rrallë e në kohë oportune.

        Proza e tij shkëlqente në sënduk, ai ishte i vetëdijshëm se prej librave që kishte botuar para çlirimit po ushqehej një aradhë e tërë shkrimtarësh. Heshtja për këtej nga vetja, pak zhurmë andej nga përkthimi ku ai dilte me emrin e vet, Dhimitër Pasko, si për t’iu thënë se aty ishte i vërteti.Gjysma reale e sëndukut u mbyll me kyç dhe kyçi iu dha djalit. Merre, bir, ndonjë ditë hape dhe kujdes, shumë gjëra ndoshta nuk janë thënë mirë, kanë nevojë dhe për një dorë… Unë e di si po iki pa i parë vetë… po jam i sëmurë … dhe… Këtë të fundit nuk ia tha. 

          Po veç miqve me një gjysmë zëri. Ai ishte vërtet shumë i sëmurë, më tepër prej heshtjes e harrimit. I përkorë dhe skrupuloz si për vete dhe në përkthim: “Shpirtra të vdekur” e “Tregimet e Petërburgut” të Gogolit, “Rruga e Mundimeve” trilogji të Aleksej Tolstoit, “Kujtimet e një gjahtari” të Turgenievit, “Tregimet” e Gorkit, “Vërshimet e lumenjve” të Paustovskit, “Zotërinjtë Golloviove” të Shçedrinit, e shumë e shumë të tjerë për të siguruar bukën e gojës në një vetmi e izolim prej murgu. Nuk duhej as të shfaqej.

       Në një kohë kur asgjë s’po ecte në familjen e tij, po vetëm pengesa e kufizime pafund, ai e kuptoi me intuitën e shkrimtarit të madh se qenia e tij ende e gjallë, ishte pengesë e pakapërcyeshme për fëmijët. 

       Merreni me mend çfarë tragjedie: një njeri kaq i ditur, një shkrimtar i përjetshëm, një shpirt i vuajtur gjeniu, i detyruar të jetojë në harrim dhe i pëshpëritur të ikte e të humbte në harrim të harrimit, pra, i përfolur kaq shumë për ekzistencën e tij fizike, merrte sinjale e mbushej me parandjenja se në këmbim të familjes, të një dritëze për ta, duhej të sakrifikohej përfundimisht. A mund të besohet? Kurrsesi. Po sigurisht që besohet. Ky antagonizëm i përçudshëm ishte vetë koha. 

       E di dhe berberi i tij, Faja i Broduejt, i asaj rrugës që kishte një pikë te Xingoni dhe një pikë tjetër te këndi i pazarit të vjetër. Aty vërtiteshim në ditët e tij të fundit. 

       Faja e dinte, se atij i hapeshin të gjithë, ishte një burrë i madh i bukur si ato personazhet e “Tre shokë”, të Remarkut, shumë i trishtuar, shumë i sëmurë, më tha se më linte peng flokët e fundit. Kur le flokët, le fuqinë. Duhet të largohem përgjithmonë, Faje. Faja nuk fliste, shprehja e fytyrës së tij shprehte shumë, sipas gjendjes, ajo ishte ngushëlluese, ironike, dashamirëse, po gjithmonë besnike. Nuk më la bakshish. Ishte hera e parë që nuk më la bakshish. E kishte humbur. E kuptova që s’do ta shihja më. Po unë nuk e dija rëndësinë e tij, po veç e ndieja se më ngjallte shumë respekt. 

Pastaj Faja më kishte treguar diçka tjetër që më bëri përshtypje: Faje, më tha, po ecja në rrugën time, ra errësira dhe dola, frymëmarrja po më mundonte, isha shumë i trishtuar, kur një njeri ndaloi, më ndoqi dhe më pëshpëriti: Akoma gjallë je ti? Dhe skërmiti dhëmbët. Turpi ishte gjëja e parë që ndjeva, ai më vriste më shumë, turpi. Është viti 2010-të, kaloj nëpër Nju Jork me tren, me autobus, me makinë, më këmbë, Mitrush Kuteli është shkrimtari që më vjen më pranë, e ndjej më shumë, them me bindje të plotë se ai më tepër se kudo ndjehet dhe shijohet plot e përplot në mërgim. Nuk di si ta shpjegoj, ndoshta kjo ndodh nga malli, se ai është shkrimtari i përjetshëm që di të përshkruajë mrekullisht Shqipërinë e përjetshme, për të cilën ne nganjëherë na zë frika se mos e harrojmë. | Prishtina Press

*Dërguar nga Z. Aleko Likaj



Related posts

KËNGA ËSHTË ARTI I SHPIRTIT, ART TË CILIN NJERËZIT E DUAN DH...
NE, U TAKUAM ME NEXHMIJE PAGARUSHËN
Ferid Murati nobelisti me prejardhje shqiptare
Poetika e Agollit, madhështia tronditëse e thjeshtëisë

Leave a Reply





Archive