NDJESI NGA “DORELA¨, LIBËR PËR “MJALTIN E MJALTIT”
(Me autor Prof. Murat Gecaj, publicist e studiues)
Nga: Belantina Venari
arkitekte e poete-Elbasan

Nga e djathta: M.Gecaj, Dorela e B.Venari, në një përurim librash (Tiranë, qershor 2012)
Në librin ¨Dorela¨ (Tiranë, 2012), nga prof.Murat Gecaj, publicist dhe studiues i njohur, shihet një shkrirje midis poetikës së letërsisë dhe poetikës së publicistikës letrare. Është një formë e veçantë e hartimit të këtij libri, kushtuar një njeriu shumë të dashur, që është mbesa e profesorit dhe që e ka emrin melodioz, të harmonizuar nga tre nota muzikore: Do-Re-La.
Gjuha e thjeshtë e përdorur, narracioni kronologjik, detajet, ngjarjet reale të treguara këndshëm dhe në rrjedhën e tyre natyrore, e lënë të lirë lexuesin të mbushet me emocine të brendshme, që lindin spontanisht, ko me qëllim në vetëvete dhe pa u diktuar nga autori.
Përmes librit, njihemi edhe me fragmete reale të familjes, prindërve e gjyshërve. Çdo rrëfenjë është një pjesë plot ngjyra e një mozaiku të mrekullueshëm të një portreti familjar, i thurur aq bukur dhe me bosht qendror bukuroshen e vogël Dorela, që të bën për vete me sytë e mëdhenj e të shndritshëm, me botën e saj të pasur fëminore, me dashurinë e madhe që e karakterizon. Ajo të tregon me pasion përmes librit: për lodrat e saj, për macen e saj te vogel “Kiti”, për shoqet e saj, për kushërinjtë, për familjarët, për vëllain e saj më të madh Deivisin, për gjyshe Katian, për prindërit, për Babushin etj.
Bota e kësaj vogëlusheje, siç na paraqitet në këtë libër, të mrekullon për vlerat që përcon te të gjithë fëmijët dhe të rriturit, pasi të rrëmben me rrëfenjat njëra pas tjetrës. Aty do të kuptojmë më mirë se bota plot dashamirësi e fëmijeve ka aq shumë vlera për të përcjellë. Do të thoja pa frikë qëështë një shembull i mirë për çdo të rritur, që për arsye të ndryshme është shkëputur nga bota e mrekullive të vogla dhe të detajeve, që të zbukurojnë ekzistencën tonë.

Kopertinat e librit
Ndodhitë e përditshme na rezultojnë një udhërrefyes i dyfishtë, si për fëmijët, por edhe për të rriturit. Aty fëmijët mësojnë që duhet ta duan mjedisin shoqëror, ku shkojnë (kopshtin ose shkollën), ta njohin historinë e tij, të krijojnë raporte të mira me edukatoren ose mësuesen, me shokët dhe shoqet, ta shfrytëzojnë me ftytshmëri kohën e tyre, si për lojrat e mësimet. (“Kopshti im, me emrin e madh ¨Nënë Tereza¨, ¨Nuk harrohet Festa e Abetares¨ etj.)
Në këtë libër dëshmohet se fëmijët i duan dhe janë shumë të lidhur me kafshët, sikurse dhe kafshët tregohen të dashura me fëmijët. Kafshët janë një pjesë e rëndësishme e jetës sonë dhe raporti i Dorelës me kafshët, sidomos me macen e saj të dashur Kiti, është një thirrje e fortë për përkujdesjen ndaj tyre. Po kështu, nënvizohet dëshira për ta njohur më shumë botën e tyre, gjë që rrjedhimisht të çon në njohjen e vetë natyrës (¨Mbresa, në kopshtin zoologjik¨,¨ “Një ndodhi me macen veshprerë, Kiti¨, ¨Çfarë e kanë njëra-tjetrën, këto?¨).
Formimi kulturor i fëmijëve është i një rëndësie te vecantë, që rrënjosë te ata një kulturë të gjërë, themele të një qytetari të denjë, për sot dhe për të ardhmen. Kjo detyrë, përveç punës së palodhur të prindërve, gjyshërve e shkollës (e cila është thelbësore në edukimin, por edhe në shoqërizimin e fëmijëve), zgjerohet më tej nga vendet, që ata vizitojnë (¨Numra tërheqës, në cirkun e Metropolit¨, ¨Në Teatrin Kombëtar për fëmijë¨, ¨Përsëri bashkë në cirk¨). Por, mbi të gjitha, kjo arrihet nga lidhja e ngushtë, që fëmijët duhet të kenë me librin. Kështu, edhe pse shumë e vogël në moshë, Dorela ka një bibliotekë të vetën dhe, madje, shpesh merr pjesë me Babushin e saj (gjyshin) në ngjarje të ndryshme, që kanë si tematikë të parë librin. Dashuria e kësaj vogëlusheje për librin është një thirrje e hapur për fëmijët, dhe jo vetëm, që ata ta duan librin dhe të lexojnë, të lexojnë e të lexojnë gjithnjë….(¨Ju tregoj për biblotekën time¨, ¨Shoket e Babushit¨).
Përveç vlerave e mesazheve tjera, që ky libër përcjell, janë edhe ndienjat e atdhedashurisë, që duhet të ketë çdo fëmijë e i rritur, për të qenë një qytetar i denjë i këtij vendi. (¨Në kryeqytetin tonë, për Festen e Pavarësisë¨ dhe recitimi për Nënë Terezën).
Temat e prekura në libër janë gjithëpërfshirëse, por kryesore janë raportet ndërnjerëzore. Mbresë të veçantë të lë skica ¨Një kartolinë e rrallë urimi¨, ku Dorela me zemrën e saj të madhe dhe me pastërtinë shpirtërore, u bën gjyshërve të saj një dhuratë të pazëvendësueshme. Kjo është një kartolinë urimi për Ndërrimin e Viteve:
“E dashur Nënë,/ kam dy llafe për të thënë,/ do ta lexosh me ëmbëlsi,/ të uron mbesa jote Dorelë:/ Gëzuar Vitin e Ri,/ Rrofsh e qofsh, sa do vetë!/ Dhe Babushin nuk e lë mënjanë, /e uroj, se edhe atë e kam xhan!”.
Këtë kartolinë, me një vlerë të veçantë emocionuese, Dorela ua jep gjyshërve, duke u thënë: ¨Unë nuk kam para, që t’u blej ndonjë dhuratë. Solla vetëm këtë kartolinë, që ua kam shkruar me zemrën time të vogël!¨ Pa lekë dhe kjo mbesë e dashur bëri një dhuratë të paharrueshme, me zemër të vogël, por mbartëse e një dashurie shumë të madhe!
Do të ishte arritja më e madhe për secilin nga ne, që ta mbajmë sa më gjallë, “fëmijën”, që kemi brenda vetes. Ky libër është një “leksion” i hapur për çdo të rritur, që merret me fëmijët, për të njohur sa më shumë psikologjinë e tyre, botën e tyre të mrekullueshme e të pasur. Kështu, do ta ndiejnë se e kanë për detyrë që t’i ndihmojnë ata në kultivimin e vlerave, në miredukim, në dashurinë për njerëzit që i rrethojnë, për t’u rritur të bukur në shpirt, si Dorela.
Ndër të tjera, ravizohet raporti i Dorelës me gjyshin e saj, i cili është aq i thjeshtë në dukje, por madhështor në dashurinë më të veçantë, midis gjyshit dhe mbesës. Lidhja e tyre duket shumë e afërt, për nga koha që kalojnë sëbashku, vendet që vizitojnë të dy, dialogjet e shumta dhe “ëmbëlsohen” nga mënyra sesi e quajnë njëri-tjetrin me përkëledhi. Kështu, Dorela i thërret gjyshit: “Babush” dhe ky ia kthen mbesës: “Dorala-kaçurela”.
Eshte e njohur lidhja e fortë, që krijohet midis gjyshërve dhe nipërve e mbesave, ku dhe vetë prof.Murat Gecaj e shpreh aq bukur, duke i çmuar ata me shprehjen popullore, ¨Mjalti i mjaltit¨. Dhe, me këtë botim, autori i ka “ëmbëlsuar” të gjithë lexuesit, të vegjël e të rritur, pasi është një libër që përfshin jo vetëm fëmijet, por edhe prindërit dhe, pa diskutim, gjyshërit.
Libri, për të cilin shkrova këto pak radhë, është aq real, aq konkret, aq i prekshëm, sa të duket sikur je duke parë një album fotografish. Aty personazhet gjallojnë me jetën e tyre të përditshme, me rrjedhën e së zakonshmes dhe faqe pas faqeje jeton me ta, familjarizohesh e duket sikur i njeh prej kohësh.
Ju falënderojmë, prof. Murat Gecaj, që me këtë botim na bëtë të kuptojmë më mirë se bukuria e jetës qendron edhe në detajet e vogla e të thjështa në dukje, të një dite të zakonshme me fëmijët!
17 qershor 2012
|
|
Tweet |


