|

Nga dita e shpalljes së pavarësisë së Kosovës në Prishtinë

Reportazh nga Kozeta Zavalani

Nga dita e shpalljes së pavarësisë së Kosovës në Prishtinë 

 kosov207624_1016138360624_8444_n

Mëngjesi i shkurtit ishte i ftohtë, me qiell të pastër, si mendimet dhe shpirti i cdo shqiptari, që priste shpalljen e pavarësisë së Kosovës. E kishim pritur aq shumë sa na dukej si ëndërr. Ishim një grup grash intelektuale e artiste, perfaqësuese të Fondacionit Mbarëkombëtar “Nermin Vlora Falaski”që udhëtuam drejt Kosovës. Furgonin na e solli nga Vlora kryetare e Fondacionit, gazetarja Zenepe Luka, sikur të donte që të kishte vazhdimësinë e 1912 edhe pavarësia e Kosovës. Ishte shofer Nesti, me të cilin kishim udhëtuar në Ulqin, ku zhvilluam Kuvendin e V-të Mbarëkombëtar të Gruas se Shquar Shqiptare. Në krye u vendosën Artistet e Merituara kryesuar nga më e moshuara Besa Imami dhe më pas Esma Agolli e Roza Anagnosti, që vijuan me Artistet e Popullit Tinka Kurti e Margatita Xhepa, pasuar nga ish zëvëndës kyetare e Kuvendit Makbule Ceco, Doktore e Shkencave Afërdita Stefani, Mjeshtre e Madhe Edit Mihali dhe në fund unë, që vëzhgoja gjithcka. Gëzimi ndriste në fytyrat tona pasuar me vargjet nga kënga që dilte nga kasetofoni i makines:”Vallja kosovare më morri me vete/ Si një fluturim mbi fusha male e dete/ Shaminë e qëndisim me ëndërra të bardha/ Të lodrojë Prishtina, Vlora e Tirana…”Jane pikërisht këto qytete ku më tepër se kudo ndihej festimi i Pavarësisë, që simbolizon fundin e një torture të gjatë e të përgjakshme për Kosovën.

Rruga e gjatë drejt mbrritjes

Rruga është e gjatë dhe e vështirë, por ne jemi optimiste se së shpejti do të përfundojë rruga e re dhe më shpësh do ta bëjmë këtë rrugë. Ndërsa lemë në të djathtë malin e Gjallicës të mbuluar nga bora hyjmë në Kukës dhe ndalojmë në Restorantin me të njëjtin emër të malit “Gjallica” me pronar Avni e Milka Palushi, ku takojmë gazetarin e vjetër Zylfi Tola. Ai ka qënë shefi i Zenepes, kur filloji detyrën e parë si gazetare në këtë zonë, 35 vjet përpara, ndaj edhe nuk e refuzuam të trokisnim gotat me të, duke u ngrohur me rakinë e kumbullës, që zona e quan “shlivovicë”

-Zenepja ishte e re dhe e bukur, por shpatën e kritikës e kishte të fortë, nuk pyeste për askënd, së bashku më sekretaren e komitetit Nazmije Pogën, duke shkuar në Shishtavec, Golaj e në të gjithë zonën…..Po provoni pak rraki nga e jona- thotë ai, duke treguar historinë e një miku nga Kosova, që kur mbërriti në Kukës i tmerruar nga përndjekja e Serbeve, pasi piu një gotë nga kjo rraki tha:”Tani nuk ia kam me friken shkjaut sërb”…..Ne i dhamë të drejtë sepse në vazhdim rruga nuk na u duk aq e vështirë dhe e ftohtë sa në fillim, ndoshta edhe sepse ishim drejt mbrritjes…

Në “Kodrën e Diellit” në shtëpinë e deputetes Flora Brovina

Në mbrëmje mbrritëm në Prishtinë e cila na priti me fjolla bore. Nuk kishte si të ndodhte ndryshe sepse Kosova ka dasmën e saj, ndaj duhej të vishtë fustanin e bardhë nusëror të borës. Kudo ndihej atmosfera festive; të gjitha lokalet e banesat janë stolisur me flamuj e simbole kombëtare, po kështu edhe veturat, që shëtisin nëpër rrugët e ngarkuara më brohoritje e muzikë. Vecanërisht kjo atmosferë festive ndihej në shtëpinë e heroines Flora Brovina, simbolit të qëndresës së gruas shqiptare.Ajo banon tek “Kodra e Diellit”ndaj edhe vetë rrëzaton si diëll, fjalëmbël e fytyrë qeshur, rrezaton mirësi, ndihmë e dashuri.

-Mirëse erdhët!Do të qëndroni këtu tek unë, të gjitha, sepse dua t’ju kem sa më pranë në këtë festë të madhe. Festa është kur e ndjen vetë dhe unë sot e ndjeva këtë, qysh me ardhjen tuaj.- thotë Flora, qe kishte dale të na priste buzëgaz së toku me bashkëshortin Hajri Begu, një burrë fisnik, që ka kontribuar për këtë ditë. Pasi na gostiti Flora u ul përballë nesh dhe filloi të na pyeste e të na tregonte për momente të vështira e të gëzushme të jetës së saj. Kujtoi ditën kur e arestuan pa asnjë arsye, qëndresën në burgjet e Sërbisë, deri në momentin kur u takuam së bashku, pasi doli nga burgu. Edhe atë natë e kemi gdhirë në shtëpinë e saj duke biseduar, derisa zbardhi mëngjesi. Takohemi edhe me djemtë; Uranikun dhe Yllin, madje edhe me vogëlushin Orik, që e ka bërë Florën gjyshe të lumtur. Pastaj me buzëqeshjen karakteristike qëndrim serioz e të lumtur, ajo flet si deputete e Kuvendit të Kosovës:

-Pavarësia na gjen në një moment të mirë të pajtimit kombëtar dhe partive me njëra tjetrën, gjë që ndikon mjaft mirë tek masat e gjera të popullit, që me padurim e kanë pritur këtë ditë. Mbi të gjitha ne gratë që përfaqesohemi prej 36 vetash në Kuvend, kemi relacione mjaft të mira me njëra tjetrën, pavarësisht nga spektri i partive që përfaqësojmë. Shpallja e pavarësisë shënon fundin e shpërbërjes së ish jugosllavisë dhe ne na duhet shumë punë për hartimin e kushtetutës së qeverisë se rë të Kosovës. Për këtë dua të bashkëpunojmë edhe me gratë e Shqipërisë, për ruajtjen e gjuhes së pastër shqipe dhe vlerave të traditës shqiptare. Më pëlqen shumë etnografia, ndaj duhet të ripërtërijmë vlerat e veshjeve popullore, p.sh.Kosova ka 22 lloje veshjesh të grave që u përkasin krahinave të ndryshme, për të cilat duhet punuar bashkarisht, sepse përbejnë artin popullor, që ka vlera të pavdekshme…Pastaj diskutuam deri vonë për mundësitë konkrete të ndihmës ndaj qendres së fëmijve që ajo drejton, grave të traumatizuara nga lufta, atyra të papuna, etj…Ndërkohë në cel ular i vinin urime të shumta nga gratë në vende të ndryshme të botës, madje e dhe nga Sërbia.

Me miq muslimanë nga Mitrovica që kanë miqësi me priftin e Belgjikës

Në mëngjes kishin ardhur për të festuar me ne në Prishtinë edhe miqtë nga Mitrovica; Esmaja e Fatmiri, të cilët janë strehuar në shtëpinë e Zenepes në Vlorë. Dhe jo pak por plot 21 vetë, që nga babai i Fatmirit, që është nipi i Isa Boletinit, vëllezërve e motrës së bashku me fëmijët e tyre deri tek Arberesha e porsalindur. Unë kisha dëshirë që të shkonim edhe në Mitrovicë, por nuk shkuam për shkak të protestave të sebëve që jetojnë aty, ndaj dëgjoja me vëmendje gjithcka prej gojës së tyre.

-Jetojmë matanë urës Ibër, në kufi me sërbët, ndaj edhe nuk festuam sic duhej, për të mos provokuar sërbët, por ata gjithsesi nuk mbetën pa bërë protesta. Le të bëjnë por pavarësisë nuk kanë cfarë ti bëjnë. Ajo u kye tani. – thonë ata me një krenari të ligjshme që u ndit në fytyra.-Të shpresojmë që qeveria e re do të punojë më tepër për të ndihmuar banorët në nevojë, sepse qeveria sërbe investon shumë për të blerë shtëpitë e djegura të shqiptarëve me cmime shumë të shtrenjta, me qëllim që të kenë zotërim sa më të madh të trojeve në Mitrovice. E kjo nuk është e mira dhe ka përmbysur gjendjen e banorëve tanë. Ka familje që para lufte bukë nuk kanë pasur e tani kanë vila me gjithë të mirat deri edhe pishina në katin e peste dhe shumë të tjerë që kanë pasur gjithcka, sot nuk kanë as bukë të hanë, ndaj duhen ndihmuar…

Me sjellejen e tyre ata kanë bërë miq të shumtë nëpër botë si priftin Herman De Wulf në Lokerer të Belgjikës, që i ka ndihmuar shumë gjatë emigrimit 15 mujor. Madje ai dhe familja e tij i ka uruar edhe per festen e pavarësisë së Kosovës.Ndaaj të gjitha së bashku ia marrim këngës:” Erdhi dita e pavarësisë”.-O tokë e mbjellë me plumba, o burra shekujve rënë për liri, zgjohuni e gëzoni bashke me ne, Atdheu i shqipeve gëzon… Sot ka festë Kosova, gëzim i madh në zemrat tona-

Në Prishtina Media Center

Hoteli “Grand” në zemër të Prishtinës ishte kthyer në qendrën ndërkombëtarë të medias, ku ishin akomoduar qindra gazetarë nga vendi dhe bota. Me vështirësi, duke carë turmën e njerëzve u ngjita në katin e dytë, bëra akreditimin me median e ndoqa konferencat e shtypit. Zëdhënësi Veton Elshani njoftoi se nuk ka pasur asnjë incident nga festimet e banorëve të ardhur nga vise të ndryshme të Kosovës në Prishtinë…Një polifoni labe ndihet jashtë nga një grup, që kanë ardhur enkas për të përshëndetur, të ndjekur nga turma njerëzish, që brohorasin pa pyetur për acarin e ftohtë…

Në sallën e medias u njohëm me vizionin e ri të flamurit të shtetit të ri të Kosovës, dhe firmosjen e dekraratës së pavarësisë, ndoqem edhe konferencën për shtyp të presidentit Fatmir Sejdiu, Kryetarit të Kuvendit Jakup Krasniqi e kryeministrit Hashim Thaci, i cili theksoi:”Është një përgjegjësi, e cila iu është garantuar qeverive që nga momenti kur njerzit filluan të marrin frymë lirshëm. Është përgjegjësia jonë që pas pavarësisë ta bëjmë jetën ë qytetarëve tanë shumë më të mirë se më parë.”

U takova me mjaft kolegë të mediave shqiptare, thuajse të gjithë janë këtu në qendren e medias në Prishtinë. Rudina Xhunga, gazetarja që perfaqëson femrën model në median profesioniste, ka ardhur shumë herë në Kosovë, por si ndihet në këtë ditë të vecantë? – e pyes dhe ajo më përgjigjet:.

-Eshtë një ditë dhe një gëzim i vecantë, sa nuk po arrij ta besoj akoma. Jam si e tulatur dhe të gjithë festojnë. E kam dashur pa e njohur Kosovën, pastaj e njoha dhe kam qënë pjesë modeste për të ardhur tëk kjo ëndërr. Tani që erdhi e kjo ëndërr u bë realitet nuk po mendoj më, mos bashkohem me grupin e cinikëve skeptikë, por te gëzoj me gjithë të gëzuarit dhe kaq mjafton.

Emocione nga grate artiste e intelektuale

Persëri me gratë e shquara nga Shqipëria për të marrë përshtypjet e tyre nga ky moment i vecantë. Ato ishin vërtet të emocionuara. Disa prej tyre kishin provuar edhe tortën e pavarësisë me shijen më të ëmbël në botë.

Roza Anagnosti-Artiste e merituar-Porsa shijova tortën madhështore dhe jam jashtëzakonisht e emocionuar dhe e gëzuar që jam në Prishtinë në këtë ditë të madhërishme.Kujtoj sot ato gra të mrekullushme që krijuan shkollën e parë shqipe dhe unë jam e lumtur qe kam marrë pjesë në filmin “Mësonjtorja” ku kam interpretuar rolin e mësuese Dafinës. Vetëm gëzim kam sot e urime të gjithëve.

Margarita Xhepa-Artiste e Popullit-Fjalët e mia janë shumë pak për të treguar gëzimin e madh të mirëpritur, që vjen nga thellësia e viteve dhe e zemrës sime.Një ëndër e bukur që i ka udhëhequr vazhdimisht shqiptarët, që i kanë dhënë shumë botës dhe ajo na ka shumë borxhe ne dhe ky është një borxh i vogël që po u japin shqiptarëve. Jam shumë e lumtur që këtë gëzim po e mar këtu në Prishtinë mes shqiptarëve të një gjuhe të një gjaku e të një flamuri e të një bese.

Tinka Kurti-Artiste e Popullit, mbështjellë më një flamur-Është kënaqësi e jashtëzakonshme dhe unë nuk e kam menduar, se do të jetoj për të parë këtë ditë të mbarë e të mrekullueshme. Dua të përshëndes shqiptarët kudo ku janë ne të gjithë botën,në këtë ditë me borë të bardhë, që është simbol i bardhësisë e mirësisë.

-Esma Agolli- Artiste e Merituar-Jam jashtëzakonisht e lumtur që kam ardhur sot në Prishtinë për të festuar pavarësinë ë shumëpritur të Kosovës. Kemi derdhur shumë gjak për këtë ditë dhe shumë trimëri e lotë për këtë tokë martire.Sot është vërtet një mot i ftohtë, por dielli i lirisë e pavarësisë që ka shperthyer në zemrat e gjithë shqiptarëve, do të shkrijnë njëherë e përgjithmonë dimrin e gjatë.

Besa Imami-Artiste e Merituar- Unë jam nga Gjakova, dhe kam gëzim të dyfishtë. Me thënë të drejtën po më mbysim lotët nga gezimi që kam në zemër, sepse kur u nisa nga Tirana për të ardhur këtu, të afërmit e mi më thanë:”Shko tek vorret e prindërve dhe u thuaj-Cohuni o të dashur, që keni vdekur prej dorës gjakatare të Sërbit, të shihni shpalljen e pavarësisë së Kosovës së bukur.” Megjithëse e sëmurë u cova dhe erdha ngritur prej zërit të brendshmëm të shpirtit tim dhe prej varreve të të parëve të mi në Gjakovë e në Shqipëri. Dhe jam e lumtur qe këtu është me punë si gazetar edhe djali im, Artur Zheji, që shpalos mendimet, idetë e zërin e tij, sepse janë qindra vite luftë e përpjekje për këtë ditë dhe bota duhet ta mësojë. E gëzofshim të gjithë.

Për Prof. Dr. Afërdita Stefani është hera e parë që ka shkelur në Prishtinë dhe ka ardhur me këmbë të mbarë, si ndiheni?

-Ashtu si çdo shqiptar që jeton momentin historic të pavarësisë. Një epokë e re për Kosovën dhe për të gjithë shqiptarët, kudo që janë, që do të sjellë mbarësi. Jam me fat sepse po e shijoj me gjithë shpirt pavarësinë e Kosovës, e cila do të lerë mbrapa historinë e përgjakur dhe do të sjellë mbarësi.

Mjeshtre e madhe Edit Mihali-Dua të them se unë në Kosovë kam qënë për herë të parë menjëherë pas clirimit të saj, me një koncert në kinoteatrin e Prishtinës. Me që vija për herë të parë emocionet kanë qenë të jashtëzakonshme, sepse për herë të parë vija përballë një spektatori artdashës dhe të dëshiruar, për të dëgjuar atmosfërën që vinte nga Shqipëria. Sot kam fatin të jem në ditën e pavarësisë dhe më mungon aftësia e të shprehurit të asaj që unë ndjej në këtë ditë të madhe. Akoma më duket si ëndër. Ajo sakrificë e familjes Jashari apo Haradinaj nuk shkoi kot, sepse ishte shpresa për gëzimin që provojmë sot.

Makbule Ceco-ish deputete – Ishte një ëndërr e kahershme, pasi unë në Kosovë kam ardhur që në 1999-tën dhe kemi bërë takimin e parë me autoritet shqiptare të ngritura pas clirimit të Kosovës. Situata e sotme është pak e ngjajshme me përjashtim të vecorisë që ëndrra e 1912-tës u realizua më 2008. Ky eveniment është pika kulminante e realizimit të ëmdrrës së popullit shqiptar dhe të nënave e gruas shqiptare, që në parlamentin kosovar përfaqësohet me 36 gra intelektuale qe do ti japin zhvillim Kosovës, prej të cilave dihet të marrim shëmbull edhe ne. Jemi krenare që ne kemi bujtur në shtëpinë e simbolit të gruas shqiptare Flora Brovina, që tashmë edhe me të tjera politikane, pas pavarësisë do të rezatojnë edhe më tepër, për të mirën e kombit.

Intervista të ndryshme

Pranë meje afrohen edhe plot të tjerë, që i bashkohen gëzimit të madh si Isa Koka nga Istogu i Pejës, që është mbështjellë me flamurin kombëtar. Teksa më vendos shallin e kuq me shqiponjën dykrenore me mbishkrimin Kosova, thotë:

–Jam ish i burgosur politik, sot qytetar i lirë me bashkëshorten nga mbishkodra, nga Kemlendi. i kam kaluar të gjithë kalvarin e vuajtjeve në burgje e internime, por sot jam i lirë e i fal të gjithë, sepse kështu më ka mësuar At Zef Pëllumbi, që e kam pas bashkëvuajtës. Jam shumë i emocionuar sepse këtu sot është Vlora e 1912 dhe unë e dua Shqipërinë e dua Kosovën. Kisha frikë se ndoshta nuk e mbrrija këtë ditë, por ja ku jam sot e flas edhe në emër të familjes sime, bashkëshortes Katerina, vajzave Merita, Helena e Blerina, e djalit të vetëm, që Zoti ma dhuroi pas burgut, Fatriun. Populli thotë:”Kush është i zoti e vret frikën me pushkën e vet!” E une e vrava frikën me ndihmën e shokut të gjimnazit Ibrahim Rugova, që me luftën paqësore sensibilizoi gjithë opinionin botëror për njohjen e Kosovës, ashtu si edhe Sali Berisha kur ishte president, që i dha e po i jep shumë Kosovës. Sepse pushteti lind nga vota e lirë dhe mbrohet me votën e lirë…Ta gëzojmë të gjithe këtë ditë.

-Unë jam Sadri Hadërgjonaj gazetar e themelues i emosioneve të RT Sarajeve. Kam filmuar e kam shkruar për ata që kanë manifestuar në këtë shesh, për të sjellë këtë ditë dhe ua kam përcjellë botës, për ta mësuar se kush jemi ne. Jemi mirënjohës për të gjithë ata që na mbështetën nëpër botë dhe dashtë Zoti të hyjmë edhe në familjen e madhe evropiane se e meritojmë.

Prof.Dr. Skënder Kodra, kryetar i Akademisë shqiptaro-amerikane, i ardhur nga New Jorku thotë: -Jam i sigurt në përkrahjen botërore, ndaj më vjen keq për Koshtunicën e popullin e mencur sërb, që nuk e kuptojnë politikën homogjene sërbe. Duhej që ata të na uronin për shtetin e ri të Kosovës. Jam i gëzuar për urimet e kryeministrit të Shqipërisë, sepse e kam mik personal, që kur kam punuar në spitalet e Tiranës dhe e përshëndës. Dua të theksoj se bota nuk duhet të ketë frikë nga shqiptarët, por ti përkrahë ata.

Në Prizren me një prej firmëtarëve të pergamenit të Pavarësisë

Një flamur kombëtar i përmasave të mëdha, i quajtur “Flamuri i Pavarësisë”, në gjatësi prej 3 kilometrash shpalosej me rastin e festës së madhe në Prizren. që është simbolikë e luftës heroike të trimit legjendar Adem Jashari.Ky flamur mbahej nga 1878 marshues, që simbolizojnë vitin e mbajtjes së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Në Kompleksin Monumental të Lidhjes së Prizrenit ku na priti përgjegjësi Parim Kosova, u takuam me njerin prej firmëtarëve të Dokumentit të Pavarësisë, deputetin e Kuvendit te Kosovës Zafir Berisha, që thotë:-Jam i gëzuar që përfaqësoj njërin prej nënëshkruesve të deklaratës së Pavarësisë së Kosovës. Sipas alfabetit jam nga fundi në renditje dhe me qe nuk kishte vend ne fletë kam firmosur në një vend të vecantë në krye.Kam qenë me zemër në Prizren, pasi i përkas gjeneratës që u sakrifikua për Kosovën e lirë e të pavarur.I përkas familjes me tre vëllezër në burg e unë i përjashtuar nga shkolla e Kosova. Jam kthyer nga Frankfurti me thirrjen e Adem JasharitIdhe jam mobilizuar me forcat e UCK-së, duke kontribuar për shpëtimin e Prizrenit.Si kryengritës rebel tre vjet ka vzhduar protestat për vendosjen e bustit të komandantit Xhevat Berisha në qendër të Prizrenit, i cili u realizua vetëm me ndërhyrjen e UNMIK-ut. Edhe ne vendosëm lule para bustit të tij madje dikush na fotografoi…Aty erdhi e me takoi edhe miku nga Krusha Sahit Osmani, i cili donte që të qëndronim atë natë mysafirë tek ai, por ne këmbëngulëm për tu kthyer.Pastaj Kryetari Berisha na shoqëroi 5 km në dalje të Prizrenit, deri në Vlashnjë, që është toponimi i tretë më i vjetër në botë. Ai na gostiti me specialitete të zonës në lokalin “Kështjella”pronë e tij.Megjithëse nuk është arkitekt gjithcka e ka projektuar vetë. –Nga shpirti jam tradicional- thotë ai- dhe mendova se para se të bësh politikë duhet të kesh garanci ekonomike, ndaj fillimisht iu fura biznesit privat e pastaj politikës. Mendoj se me djem të tillë energjikë të guximshëm dhe të pasur financiarisht e shpirtërisht, do të ecë përpara Kosova, jo si disa nga deputetet tanë që i hyjne politikes për tu pasuruar…

Kalimi i kufirit pa viza dhe kthimi në Tiranë

Moti ishte i ngrohtë, ashtu si zemrat e bizëqeshjet tona.Me pikën kufitare të Morinës, na pritën dy policë që shtrënguan duart me ne duke na uruar. Nuk kishte asnje kerkesë për vizë në pasaportë. Për herë të parë kaluam kufirin pa asnjë vonesë. Rrugës nuk kemi parë kurë kaq shume flamuj të kuq, që valaviteshin krenarë nga ndertesa e rruge te ndryshme. Ne po ktheheshim fitimtare, pasi Kosova ishte shpallur shteti me i ri në botë i pavarur dhe demokratik dhe ishte njohur nga mjaft shtete ne botë, kryesuar nga miku më i madh SHBA. Të Tiranë ndahemi me njera tjetren, duke përsëritur parrullat që ishin vendosur gjithandej në Prishtinë:”Bacë, U kry!”Na takojne dhe na urojnë, shumë na kanë zili, pasi jo kushdo ishte prezent me ne aty në Prishtinë, në ato ditë historike, që nuk do te harrohen kurrë, sepse u bë realitet ëndërra 100 vjeçare e shqiptarëve që sakrifikuan shumë për të, ndaj këto momentë le të mbeten të gdhëndura edhe në shkrimin tim.

Pershendetje, Kozeta Zavalani



Related posts

President historik?!
Ipatiti B dhe C: Transmetimi dhe sëmundjet seksuale
Autoritetet turke mirëpresin hapjen e Konsullatës së Përgjit...
“ DRINI POETIK” NË VËSHTRIMIN E POETESHËS DHE GAZETARES SKOC...

Leave a Reply





Archive