|

NISMËTARË TË SHKOLLËS SHQIPE TË PRIZRENIT

Nga: Prof. Murat Gecaj

publicist e studiues-Tiranë

Prof. Murat Gecaj

Në një përvjetor të shënuar:

Për idealin e lartë kombëtar

                   (  “Mësuesi i Popullit “ Mati Logoreci )

 

Është shkruar disa herë, sidomos në shtypin tonë pedagogjik, në gazetën “Mësuesi” e në “Revistën Pedagogjikë” të Tiranë dhe në gazetën “Shkëndija” të Prishtinës etj., për figurën e ndritur të “Mësuesit të Popullit”, Mati Logoreci. Ishte ai, që i pari  i hapi dyert e shkollës shqipe të Prezrenit, më 1 maj 1889, e cila është dhe e para për tërë Kosovën. Meritat kryesore të tij përmblidhen në motivacionin e dekorimit, me titullin e lartë “Mësues i Popullit”:

“Patriot i shquar për çlirimin kombëtar, mësues i talentuar dhe përhapës i mësimit të gjuhës shqipe ne Kosovë dhe në trevat e tjera shqiptare;themelues i shkollës kombëtare të Prizrenit;lëvrues i gjuhës shqipe dhe autor i shumë teksteve mësimore;pjesëmarrës në Kongresin e Manastirit, në dritën e  flakët të atdhedashurisë e bukurinë jetëdhënëse të virtyteve kombëtare  shqiptare”.

Misionin e vet të mësimdhënësit e vijoi në Shkup dhe,më vonë,për 8 vjet rresht shërbeu në Shkodër,por edhe në Tiranë.

Po për figurën e nderuar të Mati Logorecit u shkrua  dhe në gjallje të tij. Kështu,prof. Karl Gurakuqi botoi një artikull me titull: “Mati Logoreci, 70 vjeç”, në gazetën “Drita”,më l0 shkurt l937.Kështu dhe revista “Shkolla Shqiptare” (Nr.34,shkurt l940) publikoi një shkrim, kushtuar jetës dhe veprimtarisë  atdhetare e arsimore të  M.Logorecit.Aty flitej për “zellin e palodhur e vetëmohimin shembullor,që flakëruan te i nderuari z.Mati Logoreci,gjatë gjithë jetës së vet,për përparimin e arsimit kombëtar e për pasurimin e gjuhës shqipe”.

Mjaft domethënëse janë edhe fjalët,që ka shkruar për të Karl Gurakuqi: “Jeta e tij është më shumë se mësuesi;është apostullatë,është heroizëm…Ushqente në zemër diçka të madhërishme,një ideal të lartë,një qëllim të shenjtë : ngjalljen e ndiesive atdhetare,në një kohë rreziku e tiranie.Këtë ideal u përpoq, me të gjitha fuqitë, t’ia shtjerë në shpirt rinisë shqiptare,me fjalë e me vepra”.

Mati Logoreci

x   x   x

Kur njihesh me jetën e këtij atdhetari e mësuesi veteran,dallon menjëherë se një nga fushat më të dashura,ku ai dha ndihmesën e vet të vyer,ishte gjuha amtare,pra shqipja.Ashtu siç theksonte prof.K.Gurakuqi,dëshira më e flakët e tij ishte lulëzimi i gjuhës,për të cilën bisedonte kudo: në shtëpi,në shoqëri,në rrugë etj.Logoreci shkruante:

“Qytetërimi,përparimi e lulëzimi i një populli matet mbas zhdërvillimit të gjuhës: sa më tepër kjo rritet e begatohet,aq më shumë do të thotë se populli ka vajtur përpara: në dije,në begati e në mirësi” ( Rev. “Agimi”,nr.4,l921).

Rëndësi të veçantë i kushtonte ai pastrëtisë së gjuhës amtare ,ruajtjes së saj nga fjalët e huaja të panevojshme.Në biseda me të rinjtë,ai u drejtohej:

“Po, o djalë, duhet pastruar gjuha nga fjalët e huaja;fjalët e rralla duhen përgjithësuar;kemi gjuhë shumë të bukur e të pasur. Por duhet punuar e kjo barrë,më tepër se kurkuj,u bie të rinjve…”(Gaz.”Drita”,l0 shkurt,l937).

x   x   x

 

Mati Logoreci ishte i vetëdijshëm se përparimi i shkollës shqipe do të arrihej vetëm atëherë,kur të siguroheshin tekste sa më të mira,në ndihmë të nxënësve e mësuesve. Prandaj iu përkushtua kësaj pune me zell e aftësi. Dëshmitë për këtë gjë janë të shumta.Për këtë, tregon edhe skedari i Bibliotekës Kombëtare, në Tiranë. Aty mësojmë se gjenden, në fondet e kësaj Biblioteke, edhe këto tekste të Logorecit: “Abetar”( botim i Drejtorisë së Përgjithshme të Arsimit),”Libri i mësuesit për përdorim t’Abetarit” dhe “Plotësimi i Abetarit”;”Ndodhina historie të moçme (Shkodër,l9ll, me 201 faqe), “Historia e  përgjithshme” (Shkodër,l924),”Historia e përgjithshme” (Shkodër,l925),”Lexime për moshën e njomë”( botim i Ministrisë së Arsimit,Tiranë,l934) etj.

Për ndihmësën e çmuar të Logorecit, me tekstet e veta shkollore,flet dhe shtypi i kohës.Në njoftimin e fletores së përjavshme, “Brezi i Ri”( Shkodër,nr.8,l924), lexojmë edhe këto radhë: “Na u dërgua në zyrë “Historia e Përgjithshme”(bleni I),me autor z.Mati Logoreci,botuar në “Shtypshkroinjën e Zojës së Papërlyeme”.Përmban 301 faqe,me format të rregullt.Lënda përfshin popujt e lindjes dhe grekët.Gjuha,që përdor autori,është e kulluar,me një stil të rrjedhshëm…Literatura shqipe,me këtë vepër,fiton një libër të çmuar dhe djalëria mund të përfitojë mjaft prej mësimeve të tija…Përgëzojmë autorin,që i dha këtë vepër të bukur literaturës së  varfër shqipe.Tash presim edhe pjesët e tjera të historisë dhe shumë vepra të tjera,prej penës së tij”.

x   x   x

Shkruajmë për Mati Logorecin dhe nuk mund të lemë pa përmendur një sferë të rëndësishme të veprimtarisë së tij: punën publicistike të tij. Kujdes të posaçëm tregoi në nxjerrjen e gazetës, me titullin “Dashamiri”.Aty vetë botoi artikuj për çeshtje të ndryshme dhe tërhoqi rreth saj pena të tilla të forta,si Luigj Gurakuqin etj.Logoreci bashkëpunoi edhe me shtypin pedagogjik,si me revistat “Shkolla e Re”,”Edukata e Re”,”Afrimi” etj.Në to trajtoi çeshtje të mësimdhënies,të edukatës së fëmijëve në shkollë e jashtë saj.

Po ndalemi kryesisht në ndihmesën,që ai dha në daljen e funksionimin,për rreth 6 muaj radhazi,në Tiranë,të gazetës së përditshme,me emrin kuptimplotë,”Drita”.Në kryeartikullin e parë të saj nënvizohej:

” E para e punës,t heksojmë që,  prej shtyllave të kësaj fletoreje,të ndriçohet dhe të forcohet ideja e një bashkimi të fortë kombëtar”.

Në periudhën që ishte drejtor e pronar Mati Logoreci,në këtë gazetë u trajtuan mjaft probleme të mprehta të ditës,si: politike,shoqërore,ekonomike etj.Vetë Logoreci shkroi për këto tema,sidomos për çeshtje të ndryshme të arsimit,kulturës,gjuhës amtare etj.

Duke u marrë me çeshtje të kohës,të tërheq vëmendjen edhe një artikull i Mati Logorecit me titull:” Socializëm e komunizëm”( gazeta “Drita”,më 25.l2.l936).Ndër të tjera,aty ai shkruante:

“Të kuqtë,socialistë e komunistë,luftën e madhe e kanë kundër kapitalistëve,atyre që kanë përmbledhur pasuri të mëdha…Ata duan të ndryshojnë gjendjen e sotme të botës: të parët,socialistët-ligjërisht,kurse komunistët-ligjë e pa ligjë,me tym e me zjarr,me luftë e gjak”. Logoreci e përfundonte kështu mendimin për çeshtjen,që trajtonte:

“Komunizmi është një utopi,dmth se nuk ka kurrë për ta çuar në vend programin e vet,pse(është) kundra natyre;ai nuk njeh lirinë vetjake,nuk njeh pasurinë e fituar me të drejtë,me mund e me djersë të ballit.Ka për të vijuar në Rusi,po për disa kohë;por kjo do të bjerë poshtë,sikurse i ndodhi para l00 e sa vjetësh”.

I mbyllim këto radhë me parashikimin e mësipërm të Mati Logorecit, duke shprehur mendimin se, me gjithë botimet e shkrimet kushtuar atij, meriton studime më të gjera e më të thelluara. Pra, nderim të thellë edhe për themeluesin e shkollës shqipe të Prizrenit, qytetit  të ngjarjeve të mëdha historike mbarëkombëtare !

         2. Veprimtar i njohur i arsimit në Kosovë

                       ( Mësuesi  veteran,  Lazër Lumezi )

Bashkëpunëtorët e brezat e nxënësve, me prindërit e tyre në Kosovë, ruajtën kujtime të paharruara për një ndër mësuesit e parë të shkollës shqipe të Prizrenit, Lazëer Lumezin. Po kështu, për atë është shkruar shpesh  në shtyp ( në Shqipëri e në Kosovë) dhe  dëshmojnë mjaft dokumente arkivore. Në to dëshmohet se ai lindi në qytetin e Prizrenit, më l5 shkurt l870, në një familje zejtarësh të varfër, por me tradita atdhetare. Në vendlindje kreu shkollën fillore 6-klasëshe dhe më pas i vijoi studimet si autodidakt dhe punoi me pasion për t’u bërë mësues i shkollës shqipe, edukator i brezit të ri.

Me kërkesat këmbëngulëse të popullit arsimdashës të  qytetit të Prizrenit, u bë e mundur që, më 1 maj l889, të çelej edhe aty shkolla  shqipe. Siç e përmendëm më lart, mësues i parë i saj u caktua Mati Logoreci. Djaloshi i zgjuar Lazër Lumezi i rrinte pranë atij e  mesuesve të tjerë dhe dëshironte të përfitonte nga profesioni i tyre, mësuesia. Kështu,që në fillim u gjend përkrah  Logorecit në shkollën shqipe, që u çel aty. Ai dinte turqisht, serbokroatisht dhe italisht, gjë që e lehtësoi për të shfletuar literaturëne nevojshme pedagogjike. Pas dy vitesh, Lumezi u bë mësues i klasës së parë e të dytë, ndërsa klasën e tretë e të katërt dhe drejtimin e shkollës i kishte M.Logoreci.

Lazër Lumezi

Në fillim, dy kolegët e patën të vështirë në shkollën e Prizrenit, sidomos për tekste. Por morën libra, që nga Shkodra dhe për klasën e parë shfrytëzuan abetaren e G.Venusit, e cila ishte botuar në Bukuresht, më l880. Lumezi mbajti lidhje të ngushta me prindërit, që të forconte dashurinë e nxënësve për librin e shkollën dhe që t’i brumoste ata me idetë atdhetare.

Punën e mësuesve nuk e shihnin me sy të mirë autoritetet osmane.Më l897,kur kishte shpërthyer një revoltë e atdhetarëve tanë në Prizren, Lazër Lumezi shpëtoi nga arrestimi dhe e kundërshtoi mësimin e turqishtes në shkollë.Po kështu, ishte kundër synimeve austro-hungareze, të cilët kërkonin ta kishin shkollën nën mbikqyrjen e tyre.

Në fillimin e shekullit të kaluar nisën të përmirësoheshin kushtet në shkollën e Prizrenit. U ndërtua një lokal i ri dhe u siguruan libra për nxënësit, me ndihmën e poetit patriot Ndre Mjeda. Po ndodhi ajo, që nuk dëshirohej. Nga kontradiktat, që kishte Mati Logoreci me konsullin  austriak në Prizren, autoritetet    zyrtare e  detyruan        atë  të largohej nga shkolla. Kështu, drejtimi i shkollës së Prizrenit i mbeti Lazër Lumezit, që pati  më pas edhe dy bashkëpunëtorë. Më vonë, ai çeli në atë qytet dhe një shkollë mbrëmjeje për të rriturit dhe u dallua në klubin atdhetar aty, sidomos për lidhjen me klubin “Bashkimi” të Manastirit.

Lazër Lumezi shërbeu në shkollën shqipe të Prizrenit, deri në vitin l93l, pra më shumë se 40 vjet. Synimi i tij kryesor ishte edukimi i brezit të ri me dashurinë për dije, për popullin e varfër e Atdheun dhe urrejtjen për çdo pushtues e armiqtë e tjerë.

x    x    x

Në një njoftim me titull “Letër nga Kosova” (gazeta “Bashkimi”, l3.3.l9l0), ndër të tjera, shkruhej për shkollën e Prizrenit, e cila drejtohej nga Mati Logoreci:

“Në vilajetin e Kosovës gjinden shkolla katolike,që tash sa vjet japin mësimet në gjuhën shqipe. Në Prizren është një shkollë, me tre mësues, e cila përparon bukur mirë. Ashtu Shkupi, Ferizaj ,Gjakova e Peja kanë mësojtoret e veta, ndër të cilat mësohet thjesht shqip”.

Mësuesi i shkollës shqipe të Kolesjanit, në rrethin e Kukësit, Riza Spahiu,  e ka kujtuar me respekt mësuesin e tij të parë. “Në Prizren u njoha me mësuesin e shkollës shqipe të atjeshme, Lazër Lumezin,- ka shkruar ai, ndër të tjera,- i cili me shumë qejf ma mësoi alfabetin shqip, të Shoqërisë së Stambollit. Më jepte detyra të përditshmë, më kontrollonte dhe më pajisi me libra të ndryshme në gjuhën amtare. Kështu, kur mbarova shkollën e mesme, (më l9l0,-shënimi im,M.G.) mësova fare mirë edhe këndimin, shkrimin dhe aritmetikën, në gjuhën tonë amtare”.

Lazër Lumezi vdiq më 23 gusht të vitit l941. Në shkrimin e botuar në gazetën “Kosova”(datë 23.l0.l941), me titull “Lazër Lumezi” dhe nënshkruar me pseudonimin “Jehu i Sharit”, bëhej një vlerësim i lartë për jetën dhe veprimtarinë e gjatë arsimore të këtij atdhetari. Autori, ish-nxënës i tij, jepte të dhëna për përkushtimin e Lazër Lumezit, mësues i shqipes në Prizren. Ja disa radhë:

“Deka e këtij plaku shqiptar më ka prekë ç’mos kurrë. Kujtojsha se do ta shifsha prapë,se do t’flitsha me te shqip e për Shqypni…Po bahen mbi dhjetë vjet, që pata fatin me qenë në shkollën e tij në Prizren. Ishim nja 40 fëmijë, të tanë shqiptarë dhe shkolla ishte në nji shtëpi dykatesh, afër katedrales katolike”.

Pastaj autori tregonte se, në Prizren, u bënë përpjekje që në shkollë të mësohej vetëm në gjuhën serbe. Por mësuesi Lazër Lumezi u kujdes që mësimi të bëhej vetëm shqip:

“Po mjeshtër Lumezi ishte tepër burrë e atdhetar e s’ngrehej mbas rrymës shkombëtarizuese. Jo vetëm kaq, por pat guximin e jashtëzakonshëm me ba çka tjerët as me e mendue nuk ishin të zotët…Na mësonte si këndohej e shkruhej ajo gjuhë që, mbi të gjitha, na kishte hije kur flitshim…Atëherë, nuk më bante fort përshtypje kah m’u dukte gja jo ma e natyrshme, me këndue e me shkrue njeriu në gjuhë, që ia ka folë gjyshi e katragjyshi…”. Dhe e përfundonte kështu, këtë përkushtim për mësuesin e tij të paharruar:

“Por se s’mujta me e pasë mësues për ndoj’ kohë të gjatë. Mbas disa muejsh e pushuen nga puna e ne vend të tij na e prunë nji shkinë…E mjeshtrin shqiptar e qajshim me lotë…Tash përherë e ma fort e kuptoj madhështinë ideale të këtij Shqyptari Kosovar, që na mbet’ gjithnji mjeshtër i gjallë dhe shembull i rrallë për t’u ndjekë pa frigë”.

 

x    x   x

 

Mësuesi atdhetar Lazër Lumezi është i njohur edhe mbledhës folklori, etnograf, vjershëtor për fëmijë dhe autor pjesësh teatrore. Me vlerë të veçantë janë botimet e tij në ndihmë të  shkollës shqipe, të periudhës kur jetoi e punoi, botime që kanë interes të veçantë, sidomos nga ana pedagogjike. Kuptohet, krijimtarinë për fëmijë ose atë teatrore i kishte, në radhë të parë, për nxënësit e mesuesit.

Librat pedagogjikë të Lumezit janë: “Abetare shqip”,”Për ata që duen të mësojnë gjuhën shqipe”,”Libri i punës” dhe “Mësime punëdore prej mësuesve nëpër shkolla fillore”. Punimi i tij i fundit, me l80 faqe, mbeti dorshkrim. Ai është një manual metodik dhe dëshmon për përvojën e  gjatë, mbi 40-vjeçare, të këtij mësuesi dhe edukatori të pasionuar, e cila është e dobishme të njihet nga mësuesit e rinj.

Studiuesit dhe ata, që e kanë njohur nga afër, kanë theksuar se Lazër Lumezi ose Lazër Shkollari, siç e quanin me nderim e respect në gjallje të tij, ishte një edukator i rrallë dhe i talentuar, I cili dallohej për taktin e tij pedagogjik, në marrëdhëniet që kishte vendosur me nxënësit dhe prindërit e tyre. Veçanërisht, tregonte kujdes për mësimin e gjuhës amtare dhe të historisë së Kombit tonë, gjë për të cilën armiqtë na kanë penguar vazhdimisht. Si metodist i shkollës fillore, arriti të shquhej me punën praktike këmbëngulëse dhe studimet në gjuhët, që zotëronte.

Këto radhë  për Lazër Lumezin po i mbyllim  me diçka nga parathënja e tij, në librin origjinal: “Mësime të përditshme”. Aty  pohonte, me domethënie:

“Për katërdhet’ vjet rresht kam punuem mësues në shkollë fillore të Prizrenit, në të cilën shkollë të tanë mësimet janë dhanë në gjuhë amtare…Gati krejt mësimet, që kam dhanun,  në dy klasët e para, i kam pas ruejtun. E tash, që jam në pushim, po m’duket me arsye me i përmbledhun këto mësime me nji libër, e me ua falun, sidomos, miqve të rinj”.

Ai la një vepër e një kujtim, që nuk do të shlyhet asnjëherë, në historinë e shkollës shqipe dhe të arsimit tonë kombëtar.

 

Tiranë, 1 maj 2012 



Related posts

Mitrush Kuteli, shkrimtari i përjetshëm
Kompleksi i mosdijes si pengesë e zhvillimit intelektual të ...
PAK NGA HISTORIKU I QYTETIT TË VLORËS
Shqiptarët e Shtutgardit me rrethinë votojnë për Dr.Stefan ...

1 Comment for “NISMËTARË TË SHKOLLËS SHQIPE TË PRIZRENIT”

  1. Petro Luarasi thotë:

    Urime studjuesit te perkushtuar ndaj vlerave mbarekombetare Prof. Murat Gecaj, i cili e ka te shtrenjte çdo pellembe te trojeve shqiptare dhe gjykon si rilindas, mbi nje platforme perbashkuese pa dallim feje e krahine.

Leave a Reply





Archive