|

NJË KOPËSHT FËMIJËSH, KU MËSON SHUMË…

( “Regina Margherita”, në qytetin Asti të Italisë )

Nga: MURAT GECAJ

1

1.

Sigurisht,  të gjithë e dinë se puna me të vegjëlit është e bukur, por edhe që të sjell mjaft shqetësime e pyetje, të cilat kërkojnë zgjidhje e përgjigje konkrete. Me ndjenjat e prindit e gjyshit, por dhe publicistit, që jam marrë vite të tëra me shkrime kushtuar atyre në Shqipëri, po sillja shumë gjëra në kujtesë, kur kaluam nëpër rrugën “Xhuzeppe Bokka”. Pastaj hymë në mjediset e kopshtit të fëmijëve “Regina Margherita”, në qytetin Asti të Italisë, i cili është një gjysëm ore larg nga Torino. Për atë, më kishte folur më parë edhe  punonjësja e atij institucioni parashkollor, Lorena Sulejmani. Por, sigurisht, ndryshe ishte ta vizitoje vetë dhe ta shihje atë nga afër.

Sapo hymë në mjediset e atij kopshti, bashkë me Altinin, na përshëndeti e na uroi mirëseardhjen sekretarja, Katerina Balla. Ndërsa me buzëqeshje e mirësjellje, shenjë dalluese kjo e italianëve, na priti në zyrën e saj, drejtoresha, Suora Rita Rabino. “Në fillim dëshiroj t’ua tregoj mjediset e kopshtit tonë”,-foli ajo, me çiltersi e na  udhëhoqi, e para. Tërë sy e veshë, mundohesha të regjistroja çdo gjë në kujtesë. Ndërkaq, m’u kujtuan edhe kopshtet e fëmijëve, që kisha vizituar disa vite më parë, me një grup mësuesish të Selenicës së Vlorës, në qytetet Noçera e Korbara të Salernos, një krahinë jugore italiane.

Sigurisht, edhe kësaj here vëreja se kudo në kopësht kishte rregull e pastërti. Po kështu, në korridore e klasa dhe mjedise të tjera, pamë mjete të shumta e shprehëse figurative. Ndër të tjerat, drejtoresha na foli edhe për punën e përkushtuar të mesueseve të grupeve të ndryshme të fëmijëve. Vetë kishin përgatitur afishe,  vizatime dhe mjete figurative të bukura, tërheqëse  dhe edukuese për të vegjëlit. Ndër to, bënin në sy ato për stinët e vitit, përmes të cilave u jepnin njohuri të shumta fëmijëve, për natyrën e mjedisin.

Përballë nesh na doli një fjetore interesante, që nuk e kisha parë ndonjëherë. Aty flinin fëmijët më të vegjël. Po krevatat e tyre ishin mjaft të ulët, sa të dukej se takoheshin në dysheme! Duke e kuptuar kërshërinë time, një punonjëse e shërbimit  sqaroi: “Krevatat janë kaq të ulët, sipas një vendimi nga organet tona eprore, për arsye që mos të ndodhë  që fëmijët të rrezohen, në kohën e gjumit”. E pamë edhe guzhinën, ku  përgatiteshin  ushqime të bollshme dhe të shijëshme për fëmijët.

Duke e vijuar vizitën tonë, në një klasë gjetëm një grup fëmijësh, të cilët e dëgjonin me vëmendje të përqendruar shpjegimin e një burri. Ai u fliste të vegjëlve për kompjuterin dhe në sallë kishte disa të tillë. Kjo gjë më bëri përshtypje dhe u interesova të dija se cili ishte ai person, pasi i tërë kolektivi tjetër ishin femra. Kureshtjen ma shuan, kur më treguan se ai ishte z. Pantarolo, prindi i një fëmije në atë kopësht. Dy herë në javë, ai vinte aty vullnetarisht e u fliste të vegjëlve për komjuterin dhe ua mësonte veprimet e thjeshta me të. Kur dolëm në korridor, takuam një grup tjetër fëmijësh, të cilët do të shkonin edhe ata në atë sallë të kompjuterave.

2.

Pjesë interesante e vizitës sonë ishin shpjegimet, që na bënë më pas, drejtoresha Suora Rabina dhe sekretarja e kopshtit të fëmijëve ose azilit, siç e quajnë atje. Ky institucion parashkollor është çelur, për herë të parë, në vitin 1891. Gjithësej, tani këtu janë 5 grupe, me nga 26  fëmijë secili. Atyre u shërbejnë 7 mësuese e 5 veta të personelit ndihmës, nga të cilat 4 janë emigrante shqiptare, më banim në atë qytet. President i kopshtit është Stefano Sappa dhe për atë kujdesen pesë administratorë. Ndërsa për plotësimin e nevojave të ndryshme, që i dalin kopshtit, drejtoria paraqet projekte përkatëse në komunë dhe aty i shqyrtojnë ato me përparësi. Për kopshtin ndihmon me financimet e saj edhe banka “Casa di Risparmio di Asti”.

Koha e qëndrimit të fëmijëve  në mjediset e kopshtit është 12 orë. Sigurisht, zhvillohet mësim, sipas programit, por kryesore janë veprimtaritë e lira dhe lojërat e ndyshme, që organizohen me kujdes. Sidomos me raste festash, përgatiten dhe jepen shfaqje të bukura artistike, me këngë e recitime etj, të cilat i ndjekin edhe prindërit. Synimi kryesor i tërë kësaj pune pedagogjike është që, sipas programit të miratuar, fëmijët të marrin njohuri, shprehi e shkathtësi të mjaftueshme, të sakta e të qëndrueshme për jetën dhe të edukohen për të qenë qytetarë të ardhshëm, sa më të ditur dhe të edukuar.

Tërë personeli mësimdhënës e ndihmës i kopshtit e kanë arsimin dhe përgatitjen e dukur, pedagogjike e metodike. Megjithatë, për këtë qëllim tregohet kujdes gjithëvjetor, duke marrë pjesë edhe në veprimtaritë kualifikuese, që kryhen në bazë rajoni.  Drejtoresha u ndodh pak “ngusht”, kur i kërkova të më jepte emrat e mësueseve më të dalluara, në punën me fëmijët e këtij kopshti. Megjithatë, ajo më përmendi këta emra:  Monika Konkas, Mikela Barrello,  Xhovana e Françeska. Ndërsa nga pesoneli ndihmës janë:  Rabina Rita, Lindita Hotaj, Zahide Shahini e Brunilda Skënderi. Por nuk mund të lë pa shënuar këtu as emrat e disa vogëlushëve, të cilët na rrethuan plot dashuri e sinqeritet: Gaia, Juli, Matteo, Alice, Roberta, Filippo, Sara,Giosue, Sofia, Mario…

3.

E lashë për në fund një fakt, që m’u duk interesant, nga jeta e këtij kopshti. Ndërsa ne jemi mësuar të dëgjojmë dhe lexojmë, se fëmijët  ndahen sipas grupmoshave, pra 3-4-5-6 vjeçarë, aty të gjithë fëmijët janë së bashku. Ata ndahen vetëm në raste të veçanta, kur marrin pjesë në ndonjë veprimtari, që lidhet posaçërisht me moshën e tyre. Shpjegimin e arsyetimin për këtë gjë ma e bënë, se kështu fëmijët e ndiejnë më tepër ndihmën dhe kujdesin e njëri-tjetrit, si për të vetëshërbyer e tjerë. Ndërsa, në tërësi, e gjithë puna mësimore-edukative në kopësht synon që t’i mësojë fëmijët për të qenë të barabartë. Prandaj mësueset dhe personeli shërbyes u rrinë atyre sa më pranë, “zbresin” kështu në nivelin e tyre, me fjalë e veprime, bashkëbisedojnë dhe i shoqërojnë kudo ata, me dashuri e respekt prindëror.

Pra, mendimi i parë, që të vjen, kur e viziton kopshtin e fëmijëve “Regina Margherita”, në qytetin Asti të Italisë, është se aty ke se çfarë të mësosh, për punën dhe jetën e organizuar me të vegjëlit.

Tiranë, 15 janar 2013



Related posts

Historia e dy këngëve të dy luftërave çlirimtare
ISLAM (TAHIR) SPAHIU I LUMËS-TRIBUN I POPULLIT
Aty ku mungon dashuria, lëshon rrënjë mjerimi,skamja,ndarja,...
Liburnia.Liburnët ,të parët tanë !

Leave a Reply





Archive