|

NUK JE VETËM I VETVETËS

Nga Ali Podrimja
26 Mars 2011
Fjalimi Nga Z. Ali Podrimja Në Athinë Gjatë Takimit Poetik “Harta E Grisur”

Z. Ali Podrimja gjatë fjalimit në mbledhjen poetike për promovimin "Harta e Grisur" Athinë

Athinë, Greqi – Krijuesi ka punë me magjinë dhe me të menduarit. Përkushtimi i njëmendtë ngrit atë në individualitet. Megjithatë ekzistojnë gjëra që nuk mund të vësh dorë se je i pari, që merresh me këtë apo atë çështje. Përpjekjet për origjinalitet janë sizifiane. Bota është harxhuar shumë dhe aq shumë është eksploatuar gjuha sa njeriu dridhet kur tenton të lërë diçka në letrën e bardhë.

Rreth motivit të labirinthit ishte diskutuar gjatë kush kë e ka imituar. Kafka apo Borhesi. Ndikimi për e rreth labirinthit te këta dy kolosë ishte nga një i tretë, sofisti i lashtësisë greke, Zenon. Gilles Lapouge, në një tekst të tij rreth këtij problemi te shkrimtarët e nderuar, e shihte te degëzimi i ideve.

Borhesi mbështet idenë se shkrimtari krijon pasardhësin e vet. Do të thotë se ne jetojmë dhe e lexojmë jetën në variante.

Për përkimet mes krijuesëve kisha dëgjuar. Do përmend dy poetë gjeniale: Lasgush Poradecin dhe Emineskun: kanë ndonjë afri idesh, motivesh, simbolesh formash; fjalë karakteristike nga leksiku, por nuk bën të pranohet rrënimi i gjeniut shkaku i ambicieve të ca liliputanëve, që artin e jetën e shihnin nga një dritare e zymtë.

Qarku letrar i Prishtinës, siç ka zënë të thuhet e që ishin ndeshur me Realizmin socialist. Në vitin 1971 botuan një tekst problemor “Vox clamantis in diserto”. Qëndrimin e tyre e kishin dëshmuar dhe në krijimtari. Arsyet pse nuk e pranonin ishte se nuk mund ta pranonin një artikulim të dështuar, as doktrinat ideologjike, ku imazhi shqiptar ishte mjaft pikëllues. Pra mungonte letërsia e mirëfilltë.

Buzë plazhit të Ilirisë më projektoheshin vitet e 60-ta. Në poezinë shqipe hetoheshin përkimet me poezinë spanjolle, sidomos me Lorkën e Maçadën, po edhe me ca poetë europianë, posaçërisht prania e Aragonit. Përkimet megjithatë luajten rol në afrimin e kulturave dhe popujve. Ca motive nga lashtësia sot e gjithë ditën trajtohen në mënyrë të vet si te shqiptarët, ashtu dhe te grekët e sllavët, edhe pse murimi pranohet si yni. Kujtojeni Urën e Shenjtë, Rozafatin…

Rasti i Lasgushit me Emineskun dhe zhurma rreth përkimeve të tyre bëhet edhe për arsye të tjera. Krijuesi i formatit të Lasgushit pengon ata që janë nën hijen e tij, ndërsa degëzimet e tij në poetikën shqiptare sa vijnë e shtrihen. Geni i tij është i një gjeniu, jo i ndonjë matrapazi që ngritjen e sheh në rrënimin e vlerës. Nga leksiku i shqipes voli maksimumin dhe pasardhësve ua tregoi udhën; se fjala është ajo që bën çudira në ngrehinën e poezisë. Nëse Eminesku paska shkruar për gjeniun krijues, liqenin apo për ndonjë motiv nga lashtësia hinduse, bën të shkruajnë dhe të tjerët. Gjeniu mbështet avancimin e ideve, e mesazheve; elaborimin e vazhdueshëm të motiveve e formave, dhe mbetet ajo që është më e arritshmja.

Në përkime, megjithatë, ekzistojnë nuanca të theksuara që dallojnë krijuesit. Eminesku me përkushtim rumun dhe universal me art, disi kështu thoshte Tudor Argjezi. Ndërsa Lasgushi është diç tjetër, latues i vargut dhe më ëndërrimtar; ka një artikulim të veçantë për probleme njerëzore e artin, mbetet një bashkëkohës. Edhe pse dy poetë përkojnë në ca poezi, janë individualitete të veçanta e të paarritshëm.

Mihal Eminesku

Rreth origjinës së Emineskut ka supozime të ndryshme. Quhej Mihal Eminoviç. Sufiksi viç nuk është karakteristik për rumunët e më së paku parashtesa emin. Në një shkrim të vetin Mitrush Kuteli thoshte se ky më së paku është rumun edhe pse kritika kishte zënë ta quante: Eminesku është Rumania. Nder i tillë nuk mbahet mend se i është bërë ndonjë krijuesi. Kjo është çështje rumune. Por mbiemri i tij Eminoviç mundëson t’i kërkohet origjina në Dardani. Kuteli e kishte zbritur në hapësirën shqiptare. Ekziston mundësia se shqiptarët mërgonin dhe shumë nga ta bënin emër në mjedisin e ri. Ndërrimi i mbiemrit ndodhi se: i dukej Eminesku më bukur, një lirim nga sufiksi që përkujtonte të kaluarën e tij ndoshta.

Pa marrë parasysh, është i anës sonë apo puro rumun, Eminesku nga leukonia e mediokërve përjetoi sharje të mëdha. Kjo ndodhi shkaku i xhelozisë dhe famës së tij që gëzonte jo vetëm në Rumani. Përndjekja vazhdoi derisa e çmenden. Dy vjet pas Rumania humb njërin nga poetët më të mëdhenj.

Dhe tek i dëgjoja shqirrjet rreth gjenialitetit të Lasgushit, buzë plazhit të Ilirisë, më kishte rrëmbyer valë deti dhe gati i ngjaja Martin Idnit të Xhek Londonit. Thellë isha zhytur. Nuk doja të dëgjoja paçavure mediokrësh rreth një vlere kombëtare. Gjërat vazhdonin t’i shikonin nga dritarja e tyre tepër e vogël. Ndërmjet të këtyre dy poetëve megjithatë ka diçka që i afron: identiteti.

Rrënime vlerash ndodhën dhe te fqinjët veriorë. Vitet e 60-ta lanë zymtësi të rëndë në kulturën serbe. Poetin e estetin e njohur Branko Milkoviç, i cili kishte fituar famë me veprën e tij, kopeja e mediokërve e solli para aktit të rëndë: vetëvrasja. Ishte shpërngulur nga Beogradi dhe mendonte se në mjedisin e ri do gjente qetësi, por ndodhi më e rënda. Në mëngjes herët me një litar ia kishte mësyrë parkut të madh të Zagrebit dhe me një cigare në gojë, pas dy orësh e kishin gjetur të varur. Ylli i tij ndrit dhe tani, por mediokrit nuk dëgjohen më.

Polemikë e rëndë kishte ndodhur dhe rreth origjinalitetit të librit me tregime Varreza e Boris Davidoviçit, e D. Kishit. E akuzonin se në tregime ca fragmente kishte inkuadruar nga një libër rus. Në të vërtetë, lexuesve Kishi u shpaloste shtetin totalitar që kishte shkaktuar tragjedi të mëdha njerëzore. Ishin pra inserte nga një botë e vdekur.

Ngjashëm mund të thuhet edhe për Kadarenë, shkrimtarit me famë, i cili ka merituar të nderohet me çmimin Nobel para disa emrave. Para se ta shkruante Kadareja romanin Dimri i vetmisë së madhe i ishte dashur të lexonte tërë një arkiv me dokumente dhe të gjitha procesverbalet e Konferencës së Moskës, ku ndodhi çarja mes shtetit shqiptar dhe Bllokut Lindor. Në një vepër ku hijon historia nuk trillohen gjërat. Këtë mediokrit nuk e kanë të qartë. Kadareja ia kishte ofruar lexuesit kohën e morbiditetit ballkanas, atë errësirën e imazhit shqiptar.

Mario Vargas Losa

Mario Vargas Losa thotë se me përcaktimin për ndërrime fillon dhe qytetërimi i vërtetë. Disidenti Adem Demaçi, fitues i Shpërblimit “Saharov”, apelonte në ruajtjen e paqes, që ishte dhe pajtim kombëtar. Hasmëritë na sollën shpesh buzë varrit. Motoja e tij: jo atyre që rrudhin gishtin, por atyre që zgjasin dorën e pajtimit, ishte sinjal ndaj së keqes që kanosej. Ndërrimet vështirë të ndodhnin pa ndërrimin e mentalitetit. Ato që ndodhnin në hapësirë ishin të dhembshme e tragjike. Në pyetje nuk ishte vetëm ekzistenca e një populli.

Para teje vështirë të ngrihet mjegulla. Pakëz gjë sheh se çfarë ndodh atje poshtë. Prapë merr të lexosh “Tunelin” e Sabatos. Dikush ta kujton se e keqja nuk mundet me të keqen. Lirohu pra nese mundesh nga mentaliteti. Kjo përshtypje lexohet apo dëgjohet për ndonjë kronikë të zezë. Më tmerron ajo që e shoh e nuk është plagë. Vazhdoj të bindem se gjendem diku në tunel dhe kjo varet nga unë kur do ta lë.

Përpara ke një monstro të së keqës. E lexon: nuk bën të përsëritet. U lë mesazhin brezave. Autobiografia e krijuesit është dhe autobiografi e popullit. Këtë e heton se nuk je më vetëm i vetvetës.

Ngritet dhe problem i së ardhmës. Nga frika e së kaluarës vështirë të parafytyrosh të nesermen. Libri kombëtar vazhdon të shkruhet. Problemi tjetër: kur të kryhet libri, e ardhmja do jetë ajo e ëndërruara?

Vrasja e një intelektuali na kujton se e zeza mund të gjejë dhe ty, apo thirrjet: koka – vota. E sheh se gjendesh në tunel. Fije drite nuk di a sheh. Ndërrimet për të cilat flet Mario Vargas Losa vështirë të pranohen shkaku i sedrës. Njeriu ynë ndryshe predikon e ndryshe vepron. E sheh se edhe në atë që ke besuar, ta thotë një hipokrit. Të vjen të vjellësh e të pajtohesh, se mentaliteti është i tillë, vështirë të ndodhin ndërrimet. Ndoshta këtë do e kuptojmë se vrasjet janë një tjetër robëri: dyshimi.

Mihal Shehu

Misteri i vrasjës së Mehmet Shehut: i vetëvrarë apo i vrarë, mbetet çështje e ndërgjegjës së shtetit ideologjik. Në librat e të birit, Bashkim Shehut vështirë t’i bihet në gjurmë. Turpin ua la atyre që e bënë krimin dhe tragjedinë familjare e depersonalizoi: diktatura nuk rrënoi vetëm majat e veta. Ishte një farë asgjësimi i vetvetës, i cili na përsëritet shpesh se ne vetë kontribuonim në të keqën. Pse të vritemi? Pastrimi ideologjik në veprat e Bashkim Shehut lexohet, para së gjithash, si dramë kombëtare, dhe si flakje e së keqës për ndërrim.

Faik Koncën e çmuan më shumë të huajt. Shteti ideologjik e kishte përzënë, të themi nga të gjitha trojet tona, mbasi vështirë pranonte “enciklopedinë që ecën” (Gyom). Frikësohej se guximi i tij qytetar mos bëhej lektyrë e të menduarit tonë. Duke parë se ku rrëshqasim, pajtohem edhe me sjelljet e fjalorin e tij, megjithëse nuk e kishte derdhur tërë vrerin. I kishte lënë shqiptarët të bëjnë gjumë të rehatshëm në një kohë kur lypsej një vetëdijësim më i madh. Si duket, ne mungojmë vazhdimisht kur nuk duhet.

Fjalët e mëdha janë zbraztësi. Dëgjohen edhe në letërsi, edhe në politikë, edhe në fjalorin e përditshmërisë. Është mirë të distancohen se mbjellin shpesh fatkeqësi. Kur i dëgjoj më kujtohet një bekri: më mirë të më ruajë Zoti se robi, thoshte, bile Zoti e di kur duhet me të të ik.

Mund ta priste festën pa i marrë erë rakisë. Shpesh kishte shaluar qen varresh. Kishte hedhur anash reçeta e këshilla mjekësh. Vend kishte zënë mes miqve: gotë pas gote. Dikur u kishte kërkuar falje për çdo të keqe nëse u kishte bërë. Në një vend më solem të sallës ishte shtrirë dhe kishte dhënë shpirt. Miqtë ia kishin vënë te koka shishën me raki dhe një gotë. Ishte ndarë nga të gjallët, i përbuzur nga injoranca, një qejfli i pashoq i boemisë shqiptare, që nuk kishte pranuar të jetojë gjysmë i vdekur e gjysmë i gjallë…

'Tuneli' Nga Ernest Sabato

Prapë fillon ta lexosh “Tunelin” e Sabatos, arbëreshit të urtë, i bindur se gjendesh diku aty. Dëgjon ndonjë klithmë dhe nuk i përgjigjesh. Nuk pranon ta ndërpresësh leximin, se nuk ke fuqi të ndërrosh asgjë. Por ndërrimet janë të domosdoshme për akcilin popull se shpiejnë përpara. Andaj të pajtohemi me poetrokerin Peter Gabriel: Çfarëdo që bëni nuk mund e ndalni lindjën e ardhshme.

Politika është art që mashtron. Vokacioni im është diçka tjetër, nuk më lejon të ndëshkoj njeriun. Brenda mundësive ndihmoj proceset që vën diçka në levizje. Babai im më thoshte nuk është mirë të përzihesh në zanatin e primitivëve se dhuna nuk nderon askend e më së pakti atë që e shkakton. Bën të mbetet liria “vetëm në librat shkollorë” pyet –poeti roker, Jim Morrison. Një pyetje të tillë bën t’i përgjigjen ballkanasit. Ndërsa Europa rropatet të shuajë hasmëritë mes popujve e shteteve dhe liria të dalë nga librat e të bëhet realitet i të gjithëve. Kësaj iniciative bën t’i bashkohen ata që e duan lirinë, e që nuk frikësohen nga pavarësia e akcilit popull, apo ta modifikojnë edhe më dhunën? De fakto formimi i shteteve nacionale vonon, askush nuk pranon të bën koncesione. Me përfundimin e marrëzisë në Gadishullin tonë nuk do të mbyllet liria në libra. Tek atëhere do fillojë bashkëpunimi e respekti mes shteteve e popujve të liruar nga ankthi: se dikush u rri mbi kokë dhe ua kërcënon lirinë e sovranitetin, pra në pyetje është paqja jonë.

Pavarësia e Kosovës nuk e frikëson njeriun e mençur, i tmerron “disejnerët e krimit”, siç do të thoshte një poet, Roger Ëaters, ata që nuk mund të heqin dorë nga hegjemonizmi e nacionalizmi i verbër: të rrënohet çdo gjë që nuk është i gjakut tim. Pavarësia mund të frikësojë dhe ndonjë profiter vendor, se në kaosin kombëtar e rajonal sheh ngritjën e vet.

Çështje mbetet mbrojtja e pakicave e që dëshmon për etikën e shteteve që i marrin në mbrojtje. Në lagjën time në Gjakovë nazistët kishin tubuar dhjetra hebrenjë në fund të Luftës së Dytë Botërore: pritnin t’i bartnin në veri, e që fqinjët veriorë me trena kafshësh i përcillnin për në Aushvic, numri i të cilëve nuk dihej. Qyteti im gjendej mes dilemave. Një ushtarak iu kishte drejtuar atyre, që gjendeshin në mbrojtjën e të gjorëve: Zotërinj këta nuk janë minj, por njerëz.

Ballkani nuk bën të zgjohet mbi vare e gjak, që shpie te një katastrofë njerëzore. Përcjell masmediat dhe në shumë tekste që has, kam bindjen se vrasësit janë lodhur; se kohë e çizmës ikën dhe ballkanasit duan të ndërtojnë secili shtëpinë në mënyrë të vet. Kjo është inkurajuese, se popujt krijojnë mozaikun e tyre shpirtëror, si dhe të etniteteve. Qeniesore është se rajoni ynë nuk pranon të mbesë bisht i askujt. Ballkanasit hargjuan dhe të paktën fuqi që e kishin për të ekzistuar.

Pranimi i sovranitetit dhe ekzistencës mes shteteve është fitore e të gjithëve; pavarësia e akcilit popull shpie te pavarësia dhe shpëtimi nga ankthi makbethian. Me pushimin e smirës dhe gjakderdhjeve popujt do vlerësohen e respektohen përmes kulturës dhe vlerave nacionale. Krenohem që ballkanasit dhanë krijues të mëdhenj; t’i kujtojmë Homerin, Eskilin, Aristotelin, pastaj Herodotin i cili thoshte: të hapësirës sonë janë dy popujt më të vjetër Helenët dhe Ilirët. Në momentin e pikërishëm kjo duket utopi, por njeriun duhet ta gëzojë liria, përndryshe na pret ndonjë humnerë e re.

Shkaktari i hasmërive qëndron te krijimi i vonshëm i shteteve nacionale dhe gëllabëruesit që bënin çmos të shtrihen në dëm të tjerit. Po qe se lirohemi nga kjo çmenduri njerëzore, nuk do të frikësohet kush nga pavarësia e tjetrit, se liria bëhet realitet.

Kavafisi, poet im i respektuar, “njëri nga lirikët më të mëdhenj të parnasit neogrek”, siç thotë Kostas Varnalis, ndryshe do shihte zgjimin e popujve dhe të shteteve me atë buzqeshjen e tij të hidhur në buzë. | Prishtina Press

Z. Ali Podrimja



Related posts

SHPËTIMI I KOSOVËS ËSHTË SHQIPËRIA, JO SERBIA!
Hoxhaj kërkon nga Ban Ki Moon të ushtroj presion mbi Serbinë...
Festohet 83-vjetori i themelimit të Mbretërisë së Arabisë Sa...
Nga dita e shpalljes së pavarësisë së Kosovës në Prishtinë

1 Comment for “NUK JE VETËM I VETVETËS”

  1. Apostol Duka thotë:

    Ky nuk eshte thjesht nje diskutim ne nje takim te zakonshem te poeteve te Ballkanit, por nje ese e jashtezakonshme, unike ne llojin e vet do te thosha. Eshte e qarte: Vetem nje gjeni i letrave si Ali Podrimja mund te flse keshtu…

Leave a Reply





Archive