PËRJETËSIA E LASGUSH PORADECIT, NJOHJE INTUITIVE POETIKE
Nga: Sulejman Mehazi

Lasgushi
Nuk e di në është ambicioze apo modeste studimi im për të folur mbi ciklin “ Vallja e përjetësisë” dhe “Zemra e përjetësisë” të Lasgush Poradecit. Pikësëpari. Pikësëpari, përjetësia kuptohet si problem i madh filozofik që ka të bëjë me kohën, me realitetin e botës së jashtme dhe të njohjes; mirëpo përjetësia zë edhe një kuptim dytësor, sepse nuk ka të bëjë aq me filozofinë sesa me poezinë dhe teologjinë.Para se te themi ç’është përjetësia do të shënojme vargjet e para të poezisë “Përjetësija” të ciklit “Zemra e përjetësisë”:
Jam sot,
Si vjet,
Si mot,
Si përgjithënjë.[1]
Sipas këtyre vargjeve shihet dhe vërehet se përjetësia ka të bëjë me kohën si problem thelbësor metafizikë. Pra, përjetësia nuk është vetëm e sotmja, përkundrazi, ajo është e të gjitha të djeshmeve tona, e gjithë e shkuara, ajo e shkuar që s’dihet se kur ka filluar dhe e gjithë e ardhmja mjaft e frikshme dhe e pa sigurtë ndonëse nuk ka ardhur ende, por megjithatë ekziston. E çështë përjetësia? Përjetësia sipas poetit është kur në një çast bashkohen mrekullisht tri kohët kryesore në një.. Plotini thotë: “Ekzistojnë tri kohë, e të trija janë të tashme”[2] “Jam sot” është e tashmja aktuale e përjetësisë, momenti në të cilën është duke folur poeti, “Si vjet,”është e tashmja e së shkuarës, që mund të quhet kujtesë, dhe e tashmja e së ardhmes”Si mot” që mund të kuptohet si shpresë apo frikë poetike.”Si përgjithnjë” koha është imazhi i lëvizshëm i përjetësisë, që do të thotë se koha burimin dhe rrjedhjen e ka nga përjetësia, nga një qenie e përjetshme dhe kjo qenie e përjetshme më vonë do të projektohet në “trupin” fizik, në “zemrën” që shijon dhe “shpirtin “ e frymëzuar.. Përjetësia kuptohet si rrjedhshmëri e vazhdueshme dhe e pakrahasueshme gjendjesh ku secila kohë paralajmëron atë që vjen dhe përmban atë që ka ikur. Asnjëra prej tri kohëve nuk mbaron, por ndërthuret me njëra tjetrën. Kjo ndërthurje poetike ka për qëllim rrokjen, përkapjen dhe përjetimin e absolutes që është metafizikë e lashtë arketipe universale e cila pranon realitetin e përjetësisë si esenciale për ekzistencën dhe është psikologji poetike e cila në trup, në zemër dhe në shpirt gjen diçka të ngjashme, po bile identike me realitetin e përjetësisë. “Në trup jam,/Në zemër’ e shpirtin t’ënd.” Po të krahasojmë mënyrat e ndryshme të përkufizimit të trupi real dhe konceptimit të përjetësisë, gjegjësisht të pavdekshmërisë do të hasim dy mënyra të njohjes.E para është ardhja dhe hyrja e përjetësisë në trup, në zemër dhe shpirt:
“Kur jam në trupin t’ënd.
Jam domosdo”
Kur jam në zemër t’ënde,
Jam vetiu
Kur jam në shpirtin t’ënd
Jam domosdo”[3]
Kurse e dyta dalja e përjetësisë nga trupi,zemra dhe shpirti:”Dhe jashtë trupit t’ënd prej vetvetiu”; “Dhe jasht zemrës s’ate domosdo:”, “ Dhe jasht shpirtit t’ënd prej vetvetiu:”
E para varet nga këndvështrimi i simboleve të përdorura siç janë: trupi,zemra dhe shpirti, ndërsa e dyta nuk varet nga asnjë këndvështrim dhe nuk mbështetet në simbole të caktuara. Këndvështrimi i parë poetik përbën frymën poetike filozofike të paraqitura në historinë e mendimit filozofik dhe është relative, gjersa këndvështrimi i dytë përbën trashëgimin poetike të gjithëmbarshme metafizike “Jam domosdo”, “Jam vetiu”.Përjetësia për poetin në fillim është”Lëndë-e thjeshtë, lënd’ujem” [4]është rrjedhshmëri e vazhdueshme dhe e pakrahasueshme gjendjesh ku secila paralajmëron atë që vjen dhe përmban atë që ka ikur. Asnjëra perej tyre nuk fillon dhe nuk mbaron, por të ndërlidhura dhe të ndërthurura njëra me tjetrën sipas rrjedhës së vendit(hapësirës) dhe kohës:
“Marr të rëndët që përdhe.
Marr të fellët nënë dhe.
Marr e jap përjetësi”
Këto vargje kanë për qëllim rrokjen dhe përjetimin e apsollutes dhe është metafizikë e lashtë dhe universale e cila pranon përjetësinë, për Lasgush Poradecin është etikë dhe estetikë e artit poetik, që si cak të fundit paraqet pranimin e një realiteti imanent dhe transedent dhe është emërtuar “Përjetësija” Përjetësia është botë harmonike e arketipe sepse këtë poeti e shpreh me anë të “Lënda dhe jetës”, “Fryma dhe qëllimi”,”Ndjenja dhe njeriu” dhe “Njeriu dhe Zoti”. Përjetësia tek Lasgush Poradeci manifestohet si tërësi universale, kulturore,poetike, ose thënë ndryshe si vlerë ontologjike, etike dhe estetike. Realiteti poetik i përjetësisë për poetin bëhet më i rëndësishëm kur depërton më thellë në ekzistencën dhe zhvillimin e njeriut si dhe në ngritjen e evoluimit të vetëdijes. Në realitet këto përmasa janë aspekte të kozmosit dhe aspekte të vet qenies së poetit, prandaj edhe ben harmonizimin e tyre mes vete. Pas harmonizimit vihet deri te pëlqimi dhe në fund te bashkimi(shkrirja), gjegjësisht gjendet në përqafim të simpatisë kosmike si rezulltat i vetëdijes kosmike. Lasgush Poradeci me anë të poezisë”Përjetësija” shpreh prirjen më të lartë të njohjes së jetës prej së cilës burojnë veprat e vërteta të artit, poezisë e filozofisë. Këtë njohje të lartë e zbulon me anë të vullnetit dhe njohjes intuitive.Njohja intuitive dhe frymëzimi intuitiv ndryshon dukshëm nga njohja e talentit, sepse talenti poetik mendon më shpejt e më saktësisht se të tjerët, ndërsa poeti me anë të intuitës kap një botë të ndryshme nga ajo e poetëve të tjerë, sepse ai vrojton më thellësisht se të tjerët dhe përjetësia në mendjen e tij paraqitet në mënyrë më objektive, më e pastër dhe më e qartë. Me anë të këtij cikli të “Përjetësisë”poeti kupton se krijimi i tij do të ekzistojë vetëm me ndihmën e përjetësisë. Në këtë nivel të gjitha krijimet konsiderohen si reflektime dhe shenja të përjetësisë këtë e shpreh në vargjet në vijim:
“Në mal,që mendjen ty t’a çqetson,
Në hon, që mendjen ty t’a turbullon,
Në det, që mëndjen ty t’a llaftaron,
Në qjell, që mëndjen ty t’a qjellëson,
Në djellë,mëndjen që t’a djellëson,
Në botë, mëndjen që t’a botëson”[5]
Se poti ka përdorur intuitën e vërejmë në çdo varg “që mendjen ty” do të kuptojmë se intuita është më shumë intelektuala sesa ndiesore(sensuale). Intuita është zbuluese dhe thelbi i vërtetë i vet figurave të përjetësisë. E gjithë njohja e thellë e përjetësisë i ka rrënjët te kuptimi intuitiv i gjerave.
Në kuptimin gjuhësor bashkim do të thotë:tubim,mbledhje apo shumësi, kurse përjashtësi e ka kuptimin e largimit, ndarjes ,kurse përmbrendësia e ka kuptimin e nënbashkësisë.
“Nër shteg-bashkimi,që ti s’di sesi,
Bashkohesh brënda me përjashtësi,
Bashkohesh jashta me përmbrendësi,
Bashkohesh-ritesh-me-
Në këtë “shteg – bashkimi”poeti përjeton se vetja dhe krijimi poetik ekziston vetëm me ndihmën e përjetësisë, në këtë gjendje bëhet një harmonizim bashkues i universit duke i konsideruar si reflektime dhe shenja të qenësisë së përjetësisë.Pra, shikimi i gjithësisë me këto sy dhe jetësimi i përjetësisë për poetin është thelbi i kësaj gjendje intuitive shpirtërore.”Bashkimi brënda me përjashtësi” dhe “Bashkimi jashta me përmbrendësi” e ka kuptimin gjithësisë-universit që është për poetin një libër i bashkuar me përjashtësi objektive-materiale dhe përmbrendësi subjektive-metafizike të përbërë nga përjetësia, të gjitha këto janë simbole në kuptim të përjetësisë. Shikimi i të përgjithshmes në të veçantën për poetin është mendim themelor intuitiv, sepse poeti normal njeh në veçanti dhe vetë të veçantën si të tillë.Poeti krijimtarinë poetike e sheh si vepër përjetësore , e kupton se simbolet e ndryshme mbrenda universit paraqiten si pasojë e reflektimit të llojllojshëm të përjetësisë dhe këtë llojllojshmëri e kupton si njëshmëri vlerash të përjetshme.Njohja poetike e gjërave i përket poetit, kurse bashkimi merret me personalitetin e poetit, për të qenë më i qartë do të themi se çështjet e përfituara me veprat e poetit janë ndarje, ndërsa ajo që vjen prej përjetësisë quhet bashkim.Pra, bashkimi i poetit me përjetësinë do të thotë ndarje prej veprave jashtë përjetësisë dhe kjo ndarje prej të tjerëve është bashkim me përjetësinë, verifikimi i krijimtarisë poetike është derë e ndarjes, ndërsa verifikimi i përjetësisë është vlerë, cilesi dhe bashkim. Për poetin dhe për të gjithë ne koha është e vazhdueshme:”Jam sot si vjet, / jam mot si përgjitënjë”, sepse ajo ka dalë nga përjetësia dhe do të kthehet përsëri aty, “tërë universi i krijesave don të kthehet në atë burimin e përjetshëm që është jokohor, as i mëparshëm e as i mëvënshëm, por që është jashtë kohe”[6]
[1] Lasgush Poradeci, Poezia, vepra I, Përjetësia, “albPAPER”, Tiranë, fq. 215.
[2] Jorges Luis Borges, Pavdekësia dhe ligjërata të tjera. “afërdita” Tiranë,2000.fq. 68.
[3] Po aty, Përjetësija, fq. 215; 217.
[4] Po aty, Lënda dhe jeta, fq.119
[5] Po aty, Përjetësija,fq.217.
[6] Jorge Luis Borges, Pavdeksia dhe ligjërata të tjera.”aferdita”, Tiranë,fq. 76.
|
|
Tweet |


