|

PIKËPAMJET E LASGUSH PORADECIT PËR POEZINË TË SHPREHURA NË KRIJIMTARINË E TIJ

Nga: Sulejman Mehazi

* Pjesë nga punimi shkencor i magjistraturës

Sulejman Mehazi

FUQIA E ARTIT POETIK LASGUSHIAN

Poezia për Lasgush Poradecin është produkt njerëzor i një bote tjetërfare nga realja, natyrorja që shpreh një kumtim, shpresë dhe mbresë për botën që nuk i përkasim, botë e brendshme nga e cila s’kemi mbirë, në të cilën jemi flakur, kjo tregon se poezia për Lasgushin është nostalgji, kujtesë, ëndërr, mall, etje, varfëri, mall, dashuri, llaftari, harmoni, përsosje. Për të gjitha këto poeti na bën me dije se poezia i takon intuitës, imagjinatës, moralit, frymëzimit, zemrës, shpirtit, dashurisë, dritës, përjetësisë që i takojnë të njëjtit lloj  gjenealogjik të esencës së krijimit.

Poezia për poetin është dërgimtare mjaft e duruar që e pranojnë shpirtrat e fuqishëm prometheik të cilët nga zemrat e tyre nxjerrin zjarr, nga zjarri dritë dhe nga drita, përjetësi [1], se vetëm këta janë shpëtimtarët të vizionuar dhe të harmonizuar. Pra, arti poetik në kuptimin e plotë të fjalës është cilësi, vlerë dhe dhuratë natyrore e shpirtërore; në poezi, melodi, pikturë, artistët gjenden ballë për ballë me fshehtësitë e quajtura cilësi, vlerë me kuptime e pamje metafizike të fjalës; sepse kjo pamje, ky komunikim bëhet njohuri mbi botën e brendshme shpirtërore, sikurse shkenca që ka njohuri mbi natyrën fizike të jashtme. Poeti me të drejtë ka konstatuar se definicioni i artit është ligj shpirtëror e hyjnor i cili përcaktohet nga frymëzimi që i dedikohet lumturisë së vërtetë njerëzore. ”…Prandaj misioni i artit është të na japë kënaqësi estetike që qëndron përmbi të gjitha këto mizerje të jetës. Këndojmë një poezi, shikojmë një pikturë, dëgjojmë një simfoni dhe kënaqemi! Jeta na ëmbëlsohet, na bëhet e dashur,e bukur…”[2]. Kjo kënaqje nuk krijohet me anë të qasjes së intelektit, analizës, vëzhgimit, eksperimentit dhe përvojës së jashtme që është një shumë e sendeve të dukura me sy të rëndomtë, por tjetër lloj, është kredhje në brendinë e poetit, në skutat dhe fshehtësitë me të thella shpirtërore, këto fshehtësi intuitive, imagjinative poeti i parandien, por nëpërmjet shqisave shpirtërore siç janë: shqetësimet, përjetimet, dashuritë, vuajtjet dhe aspak s’ka të bëjë me njohjen racionale.

Vepra poetike, artistike për poetin Lasgush Poradecin nuk është punë ekipore, por ajo është e lidhur me personalitetin e artistit, si krijim, siç thotë Michelangelo si bërje të njeriut dhe është fryt i shpirtit poetik. Frymëzimi poetik në shpirtin e poetit si vepër e palindur përfaqëson në vetvete një forcë spontane, që bëhet bartëse e zanafillës krijuese që më pas mbin dhe rron tek poeti sikurse pema në dhe, e cila i rrëmben atij lëngjet që i nevojiten njeriut ”…Prandaj do të ishte plotësisht në vend të përfytyronim procesin e krijimtarisë si një farë qenie e gjallë që mbin në shpirtin e artistit…”[3]. Krijimet poetike janë përplot shenja dhe simbole që i vërejnë vetëm poetët e mirëfilltë, sepse këto me kënaqësi të madhe flasin për totemin bimë, kafshë, shpenzë, yje, qiej, njeri, shpirt dhe dukuritë natyrore të cilët i detyrojnë të bëjnë rite dhe vallëzime magjike e mistike. Poezia për poetin është ndërmjetësuese e përjetësisë duke ngadhënjyer fatin e njeriut me ndihmën e fjalës së bukur poetike. Në themel të artit poetik qëndron uniteti i stërlashtë, sepse dramat poetike dhe tragjeditë e vogla të poetit janë për nga origjina bashkë me krijimin e njeriut të parë. Origjina e valleve dhe pikturave poetike, e ritualeve metrike e ritmike, e yjeve kozmike na duken se janë të lashta më shumë se vet njeriu. Kështu që nëse bëjmë një krahasim ndërmjet Valles së yjve, Yllit të zemrës sipas harmonisë strukturore e sistemore ndaj zogjve, dherit, zemrës së dashuruar, vdekjes dhe përjetësisë ndaj krijimit të botës dallime s’ka, sepse këto lojëra të lashta vallëzuese në të vërtetë janë përzierje e këngës, valles, dherit, dashurisë, jetës, vdekjes, përjetësisë të cilët paraqesin simbolikisht ngjarje metafizike nëpër të cilat kalojnë krah për krahë me jetën dhe vdekjen, e për nga lashtësia, për nga tema të gjitha këto formojnë diç të përbashkët me artin dhe poezinë në veçanti. Sikurse bota që na rrethon me shenjat e pamjet e pafundme që flet dhe korrespondon me anë të shenjave, figurave, metaforave, ashtu edhe struktura e poezisë së Lasgushit që prej këngës kryesore dhe udhëheqëse “Zog’ i qiejve” e me bashkimin harmonik të cikleve krijon konceptin e veprës metaforë dhe me këtë radhitje harmonike krahasohet me Bodëlerin dhe librin e tij “Lulet e së keqes” (Lulet e ligësisë). Kulti i gjuhës poetike, i dashurisë, jetës, vdekjes, përjetësisë, i flamurit, lundrës, anijes, Nositit të cilët janë simbole të idealit shkrihen me kulte biblike, e miteve pelazgjike-ilire, fjalës dhe magjisë së lashtë të vedave, të frymës danteske.

Pastaj ”…kërkimi i disa fjalëve-tema që e provojnë prirjen e autorit për të evokuar kuptime të stërlashta të fjalëve shqipe do të lejonte të kuptohej shkalla e vërtetë e teprimit me “frymën hermetike” dhe “errësirën mistike” të poezisë së Lasgushit…”[4]. Për këtë frymë hermetike dhe errësim mistik flet edhe Agim Vinca në librin e tij “Orët e poezisë” ai has se ”…në lirikat evropiane të shek. 20-të”, hasen dy tendenca kryesore (dominante) poetike:

-       tendencat e poezisë së hapur, tribunale, të angazhuar me problemet shoqërore, politike dhe morale të kohës dhe

-       tendenca e poezisë së mbyllur, laboratorike, të preokupuar me idenë e bukurisë absolute transhistorike…”[5]. Derisa tendenca e parë e hapur me probleme shoqërore i takon Migjenit, ndërsa tendenca e dytë e mbyllur me idenë e bukurisë absolute i talon L. Poradecit, njësoj siç ishin në Francë Rembo, Malarme, Vërleni, Rilke e Bodëleri. Pasi thelbi apo ideja e bukurisë është e fshehur me simbolin, e thelbi i simbolit është e vërteta e fshehtë rreth e përqark prej të pavërtetave. Për ta gjetur të vërtetën e fshehur të bukurisë poeti krijon  figura riprodhuese në mendjen e tij siç janë imazhet, pikturat, muzikat, lëvizjet poetike, drama të vogla dhe vallëzime ritmike mistike me lloj-lloj ngjyrëra topografike, kozmogonike, kostumografike tradicionale popullore shqiptare. “…Poeti arriti të shprehë poetikisht një sistem të tërë poetik, korrelativ dhe koherent në të gjitha hallkat përbërëse të tij. Racional dhe ndjesor, piktural dhe muzikor, onirik dhe real, mjeshtër fin i fjalës shqipe, filozof dhe folklorik, pejsazhist dhe dramatik. Poradeci krijon kështu një nga veprat më komplete dhe më komplekse në letërsinë shqipe…”[6].

 


[1]     Lasgush Poradeci, Korrespondencë Lasgush Poradeci – Mitrush Kuteli, vepra IV, ShB “AlbPAPER”, Tiranë, 2010, D-lui Dimitrie Pasco, Poradec, 29 mars 1930, fq. 29.

[2]     Petraq Kolevica, Lasgushi më ka thënë…, ShB “8 Nëntori”, Tiranë, 1992. fq. 70.
[3]     Carl Gustav Jung, Mbi letërsinë dhe artet, Psikologjia analitike dhe krijimtaria poetiko-artistike, ”Fan Noli” Tiranë. Fq.85. Titulli origjinal: Carl Gustav Jung, Selected Works, I, 1998.

[4]     Shaban Sinani, Për letërsinë shqipe të shekullit të 20- të,”Naimi” Tiranë, 2010, fq. 50.

[5]     Agim Vinca, Orët e poezisë, Dy tendenca të poezisë moderne. Rilindja, Prishtinë,1990, fq.66.

[6]     Luan Topçiu, Tekstualizimi dhe stili, mbi veprën poetike të Lasgush Poradecit, Bukuresht, 2ooo. fq.231. Sqarim- ky citat i marrë nuk është në këtë libër, këto citate i gjeta me të njëjtin titull të librit në google: Luan Topçiu, Tekstualizimi dhe stili ( mbi poezinë e Lasgush Poradecit), IX. L. Poradeci dhe ligjërimi modern i poezisë shqipe, fq.112-115. Redakor: Neli Naço, Lektor: Vangjo F. Gusho, 2000,fq. 114.



Related posts

SHIU VRASTAR
ME E BUKURA NUSE
Gojëdhenë nga të vjetrit
DEMIR KRASNIQI KËNGËTAR DHE KRIJUES I NGULITUR NË ZEMËR TË P...

Leave a Reply





Archive