|

Poezi të zgjedhura nga Ismail Rexhepi

Përzgjodhi për Prishtina Press: Ismail Rexhepi

Ismail Rexhepi

Cikël Poetik

Unë fle në sytë tu, i imi je Ti!

Nga: Kristina Rrasi

Kristina Rrasi

Ofshamë në thirrje më shterrë zë
Melodi e vals në valle me ty
Natë e ditë i bëj një.

Zgjohem si flladi te ti vijë
Në qerpikun tim rrinë si shkëndi
Vec ëndrra më flet sa larg jeTi!

Syrin se mbylli kurrë dhe kotem
Mbi vetull e mbajë hënën e re
Nvëzhgim të pres ty e gëzuar përlotem.

Rojë të bëhem
E yllit tim shkëndi,
Me flakën time të shpirtit
Akullnajë slë të na ngrijë,
…Ethet ti ndezë në dashuri.

Ty shpirti im
Të pres unë ty,
Dua ta shkruaj emrin tënd
Ta kalitë në shpirtë ta praroj në flori
Ta thrras në melodi
Ta shkruaj në çdo lis me dashuri
Me ngjyra ylberi ta qëndis
I imi je Ti!

Në këngën time më shterrë zë
Të thrras të thrras,
Natë e ditë më bëhet një!

 

Ricat në ballin tënd urata ime

Nga: Linditë Ramushi

Linditë Ramushi

Argjilë e butë trupi im
I njomë si shkop i dushkut të pranverës
Thyhet përthyhet nëpër duart tua
Hukama jote më mbron nga marazet.

E kur zbret dora ime mbi ballë
Aty bën vend një ricë e zezë si kafe e pjekur
Uratë imja të ta shoh tek prek mbi sycka
Ballit të ngritur që i bën hije.

Ricat në ballin tënd bien pa dashje
E unë s’i heq
I sodis
Si vallja kur lozet fryen fustani kur hidhet hapi
Ashtu ngrihet vetulla mbi qerpik.

E uratë imja rica mbi ballin tënd mos të ik
Kur mbulohet nga borë e sivjeme
Ngrohtësia mbetet në grushtin e dorës time
Që e lëshoj sa hapet
Për ta prek shushurimen e flokëve.

 

KËPUTA ZINXHIRËT

Nga: Drit Syri  (Syriha Ademovi)

Syriha Ademovi

 

ga malli i pritjes
ia këputa zinxhrët zemrës
të vij tek ti.
Për një çast
fryma m’u ndal,
ashtu siç ndalen akrepat
kur bien një e mbi një.
Pa pritë
ndala pranë qiellit
të zemrës tënde
të ndez një qiri,
një qiri të vetëm,
dhe të përshkoj përtej
dritës së tij
frymën time.
Kur qerpikët, në heshtje,
shterruar nga lotët e mallit,
do mbyllen,
atëherë heshtja do të thyhet:

Puthjen do të prek, përmalluar.

 

SE TË KAM ATDHE, KOSOVË

Nga: Sabit Rrustemi

Sabit Rrustemi

 

Në secilën pore të trupit tënd
një gjurmë kam lënë

diku hapin tim të vogël
gjurin e vrarë
bërrylat e gërvishur

diku hundë e buzë troshitur
dhe në mend s’më ka shkuar
për të të fyer
a për t’u hidhëruar

jam ngritur e kam ecur

diku një pemë kam mbjellur
një arë kam lëruar
farë kam hedhur
dhe lule kam mbjellur
e një ëndërr
ma t’bukurën ëndërr kam ëndërruar
nën hijen e saj

dhe mendjesh s’kam fluturuar

trupit tënd jam katrithur
përpjetëzave
tatëpjetëzave

e sa herë jam shpërblyer
jam ndëshkuar

po nuk jam zbrapsur

as kur më kanë dëbuar
shpresash nuk jam thyer
drejt gjirit tënd
kam vrapuar
jam kthyer
si i eturi për ujë

nën hije të një therre jam mbështetur
kulla të reja kam projektuar
e rrugë
prej nga do vinte
ajo e ëndërrta ime
dhe qiejt kam trazuar prej gëzimit
duke fshirrë rrëketë e thella ttë gjakut
të pikëllimit

për ta shijuar një buzëqeshje të çiltër
agujve të lirisë
duke i shtrirë krahët horizontit
dritaret e dashurisë

se nën dhe e mbi dhe
të kam vetëm ty
imi atdhe.

SI DRIN, SI GJUHË SHQIPE

Nga: Sinan Kerpaci

Sinan Kerpaci

 

Ti rrjedh si lumë
dhe unë s`të ndaj
në Drin të Zi ,
dhe Drin të Bardhë.
Se ti rrjedh vetëm
si NJE lumë
në këtë shekull.

O , Drin i Bardhë!
O , Drin i Zi!
O , vetëm Drin
që rrjedh,
qe rrjedh nga shkëmbi :
as gegërisht,
as toskërisht
po shqipërisht
si Gjuhë Shqipe.

Dhe kur të bëjmë
ndonjë pritë
ti rrjedh në tela
shpërthen në dritë:
bëhesh Migjen,
bëhesh Naim.
As toskërisht,
as gegërisht
po Abetare Shqipe.

Vetëm Migjen,
vetëm Naim :
NJE poezi.
Më jep kuptim
në vendin tim,
ne vendin tënd
ku rrjedh një Drin.

As toskërisht,
as gegërisht
po shqipërisht.

Vetëm si LUME ,
vetëm si NJE ,
vetëm si DRIN .

Që nis e rrjedh
e merr një emër
nga një burim
që quhet ZEMER:
as gegërisht,
as toskërisht
po Gjuhë Shqipe.

Edhe kur unë
te ngre një pritë
ti si përherë
kthehesh në dritë:
në vendin tim,
në vendin e një Drini
që rrjedh shqip.

O Lumë , o Lumë ,
që shkon në det ,
jo si them unë ,
po si di vetë :
as gegërisht,
as toskërisht
po SHQIPERISHT.

O lumi yt ,
o lumi im ,
jemi për lumë
e ti s`na mbyt ,
ujin ma sjell
deri në fyt
e gojën ma le jashtë
që të marr frymë
se ti nuk di
që të bësh keq,
se ti bën dritë.

Ti je një lum
që na flet shqip.



Related posts

VASHAVE SHQIPTARE
DODONA
Poezi nga Beqir Cikaqi
“Fyelli magjik” nga Mocartit

Leave a Reply





Archive