|

Qeveria e Kosovës miratoi buxhetin për vitin 2012

www.mef-rks.org

Me 28 Tetor 2011, në mbledhjen e radhës të Qeverisë së Republikës së Kosovës të udhëhequr nga Kryeministri Hashim Thaçi, u miratua Buxheti i Republikës së Kosovës për vitin 2012.

Kryeministri Thaçi gjatë fjalës së tij duke falënderuar  ministrin Hamza për punën e shkëlqyer për hartimin me kujdes të këtij buxheti tha se buxheti është dëshmia më e qartë se kjo Qeveri është në shërbim të qytetarëve të saj dhe ky buxhet është për një zhvillim ekonomik të Kosovës, për zbutjen e papunësisë  si dhe integrimin evropian të Kosovës”. Kryeministri më tutje potencoi se përderisa vendet tjera janë prekur nga kriza, Kosova nuk ka përjetuar ngecje, por ka pasur përparime dhe zhvillime”.

Ndërsa, ministri i Financave Bedri Hamza gjatë prezantimit të Buxhetit para Kabinetit Qeveritar tha se edhe përkundër faktit që gjatë hartimit të buxhetit për këtë vit jemi  ballafaquar me sfida të shumta, ne kemi qenë të udhëhequr nga disa parime kryesore që kanë të bëjnë me ruajtjen e qëndrueshmërisë fiskale, sigurimin e financimit të plotë, ruajtjen e rezervës fiskale në nivel të mjaftueshëm, adresimin e barrierave për avancim të konkurrencës së sektorit privat si dhe mbi të gjitha duke adresuar të gjitha këto çështje ne kemi arritur të ruajmë nivelin e ulët të borxhit publik në mënyrë që veprimet tona që jemi duke i ndërmarrë sot të mos na e rrezikojnë  zhvillimin tonë  në të ardhmen dhe për këtë ky buxhet reflekton fuqinë e Kosovës si shtet, si dhe është i harmonizuar në bazë të marrëveshjeve me FMN-në”.

Më  tutje ministri Hamza theksoi se të hyrat e rregullta buxhetore për vitin 2012 janë parashikuar të jenë në vlerë prej €1,361 milionë, apo rreth 4.0% më të larta sesa të hyrat e rregullta për vitin 2011. Nga këto të hyra, Doganat e Kosovës pritet që të grumbullojnë €860 milionë, ndërsa të hyrat nga tatimet vendore pritet të arrijnë vlerën prej €285 milionë. Është inkurajues fakti, që të hyrat vendore dhe ato nga kufiri parashihet të performojnë kënaqshëm, kryesisht si rezultat i rritjes së vazhdueshme të efikasitetit të institucioneve përgjegjëse për mbledhjen e të hyrave.  Përpos këtyre të hyrave të rregullta dhe të  burimeve tjera  të të hyrave, pritet që të trashëgojmë edhe një bilanc pozitiv bankar  prej mbi 120 milionë euro nga ky vit, çka do të përdoret si burim shtesë i financimit “.

Buxheti i  rregullt për vitin 2012 është në vlerë prej 1,520 milionë eurove, që paraqet një rritje prej rreth 7.6% krahasuar me buxhetin e projektuar për vitin 2011. Ngjashëm me vitet tjera pjesë e shpenzimeve të përgjithshme të Qeverisë janë edhe pagesa e interesit për huamarrje në vlerë prej 13 milionë euro si dhe kredia e planifikuar për ndërmarrje publike në vlerë prej 15 milionë euro, duke e ngritur vlerën e përgjithshme të shpenzimeve të Qeverisë për vitin 2012 në 1,533 milionë euro. Një buxhet i tillë i  ofron Kosovës, një stimulim shtesë që do të rezulton me një rritje të parashikuar ekonomike prej rreth 5.0% në vitin 2012.

Ndërsa sa i përket shpenzimeve, ministri Hamza tha se  shpenzimet për paga dhe mëditje janë në vlerë prej 407 milionë euro, shifër kjo që paraqet një ngritje prej 5.4% në krahasim me vitin 2011, për subvencione dhe transfere kap vlerën prej 284 milionë euro, vlerë e cila nëse krahasohet me vitin paraprak shënon një ngritje prej 4.4%,  shpenzimet për mallra dhe shërbime janë paraparë të jenë në nivelin prej 198 milionë euro, shifër e cila përfaqëson një ngritje prej 5.9% në krahasim me vitin paraprak, me qëllim të sigurimit të shërbimeve kualitative dhe të vazhdueshme publike.

Sikurse  vitet e kaluara, edhe draft buxheti për vitin 2012, ruan nivelin e lartë të shpenzimeve kapitale, me pjesëmarrje prej rreth 40.5% në buxhetin e tërësishëm, ku mund të themi se kemi nivelin më të lartë të pjesëmarrjes krahasuar me shtetet e regjionit ku kjo pjesëmarrje sillet në rreth 15%.

Shpenzimet kapitale janë parapare të jenë 616 milionë euro, shifër e cila përfaqëson një ngritje prej afro 15% në krahasim me vitin 2011. Kjo ngritje e theksuar në këtë kategori të shpenzimeve reflekton kryesisht vazhdimin e projektit të autostradës e cila përfshinë shumën prej rreth 296 milionë euro  apo rreth 50% të kësaj kategorie të buxhetit. Ndërsa, vlera tjetër prej rreth 320 milionë euro, nga kjo kategori e shpenzimeve  shënon një rritje prej mbi 11%  dhe është dedikuar për implementimin e projekteve tjera kapitale.

Nga: Ministria e Financave, Kosovë



Related posts

Krimet e Serbisë dhe Bashkimi Europian
Vrasja e Remzi Salihut incident dhe fërkim i shkeljeve të li...
Sllavët e Maqedonisë, mes frikës dhe shpresës
BE vazhdon ta përkrah Kosovën

Leave a Reply





Archive