|

RAVGIME NËPËR KRITIKËN E LETËRSISË SONË PËR FËMIJË

Nga Sazan Goliku (Pandeli Koçi)
15 Prill 2011

Pandeli Koçi

Biografia: Sazan Goliku

Nga Aleko Likaj

Sazan Goliku është pseudonimi letrar i shkrimtarit dhe kritikut Pandeli Koçi. Ai u lind në qytetin e Vlorës ne vitin 1942. Ka studiuar për Gjuhë e Letërsi Shqipe dhe më pas ka punuar në gazeta si dhe në shtypin letrar të kohës. Në fund të vitevet 60 – të  ka filluar punën si redaktor i poezisë në Shtëpinë Botuese “Naim Frashëri”. Pandeli Koçi është redaktori i shumë poetëve nga kosova të cilët janë botuar në atë kohë në Shqipëri. Pastaj ka punuar në administratën e Kuvendit të Shqipërisë deri sa doli në pension. Prej shumë vitesh ka qenë edhe pedagog i jashtëm në Fakultetin Filologjik të Tiranës Eshtë autor i shumë librave me poezi, dhe për fëmijë, romaneve, novelave e tregimeve, si dhe me kritikë letrare. Eshtë aktualisht presidenti i Shqoqatës Mbarëkombëtare të Shkrimtarëve për fëmijë e të rrinj. Jeton në Tiranë

 

RAVGIME NËPËR KRITIKËN E LETËRSISË SONË PËR FËMIJË

Kritika letrare, si shoqëruese e përhershme e letërsisë  artistike, ka nxjerr në dritë vlerat dhe antivlerat, ka analizuar e interpretuar tekstet e veprat nga këndvështrime estetike të ndryshme në kohë e vende të ndryshme, duke qenë herë lavdëruese dhe herë goditëse, herë gjykatëse e drejtë dhe e thellë, herë teklamuese. Gjithsesi koha ka qenë ajo, e cila ka treguar sa afër  ose larg të vërtetës, sa subjektive ose objektive ka qenë kritika letrare si pjesë e shkencës së letërsisë. “Ambicja e vetme e kritikës asht vetë ideali i veprimevet: siguria, përsosmënija, fryti i tyne. – ka shkruar kritiku i përkushtuar Arshi Pipa. – Kritika asht matja, asht pesha (kupto: peshorja) e nji prodhimi spiritual, asht shkurt bota e vlerave.” (“Shkëndija”, Tiranë, 1941, nr.2-3, fq.59-61)

E kushtëzuar nga zhvillimet  e letërsisë shqipe për fëmijë e të rinj, edhe kritika për këtë degë ekzistenciale të letërsisë shqipe, e kultivuar pothuajse kudo në hapësirat  shqiptare dhe ngulimet nëpër botë, ka pasur ngritjet, uljet, zbrazëtitë e deformimet e pashmangshme si vetë letërsia që ajo e ka objekt të saj. “Nëse kritika – shkruan me të drejtë Sylejman Syla – është në një farë dore vetëdije e letërsisë, atëherë kritika e kritikës duhet të jetë vetëdije e kritikës.” (Për kritikën, R. 1982, fq.7) Por kjo vetëdije e kritikës, duke qenë pjesë e pashkëputur e vetëdijes kolektive e një bashkësie, në kushte e rrethana të veçanta politike (nën diktaturë e nën pushtim), ekonomike (në varfëri të skajshme dhe në mungesë të institucioneve të posaçme) dhe vendore (mendësitë provinciale) zbehet, tjetërsohet ose zhduket përkohësisht, për t’u ripërtërirë edhe në një shkallë më të lartë në kushte e rrethana më të favorshme. Ky nuk është një parashikim idealist, por domosdoshmëri dialektike.

Ashtu si e gjithë letërsia shqipe është një dhe e pandarë në të tëra trevat ku lëvrohet, edhe letërsia shqipe për fëmijë është e tillë. Por në krahët e letërsisë sonë, të cilat janë kushtëzuar nga sistemet, rrethanat e mjedisi ku shkrimtarët kanë qenë të detyruar të krijojnë, është e kuptueshme që edhe kritika letrare u  kushtëzua nga këta faktorë, si pjesë e kulturës së një vendi.

Vetëm pas Luftës së Dytë Botërore letërsia për fëmijë në Republikën e Shqipërisë dhe në hapësirat shqiptare në Kosovë, Maqedoni, Mal i Zi e Luginë të Preshevës (më poshtë për lehtësi do të përdorim toponimin Kosovë) do të zhvillohej në sasi e cilësi dhe, si pasojë, edhe kritika letrare e studimet e thelluara për të.

Në Republikën e Shqipërisë ky zhvillim i paguante haraçin e madh ideologjisë e politikës së partisë-shtet. Metoda ushtarake e realizmit socialist, e mbështetur mbi të ashtuquajturën estetikë marksiste-leniniste, e përqafuar nga shkrimtarët, kritikët e studiuesit, duhej të përshkonte si pe i kuq të gjithë krijimtarinë letrare e artistike. Në darën e pamëshirshme të diktaturës staliniste-enveriste është e vështirë të pohosh nëse krijuesit e asaj kohe ishin të bindur apo ishin të detyruar të shkruanin e të trumbetonin sipas recetave të përpikëta zyrtare. Ata të pakët , që hezituan sadopak ose shprehën ndonjë ide ose alternativë disi ndryshe nga metoda e direktivat zyrtare, dihet si përfunduan.

Ja një pohim tipik nga nje studiues në vitin 1975: “Shkrimtarët … i dhanë letërsisë për fëmijë frymën e re, përpjekjen për ta trajtuar temën e Luftës në dritën e problemeve dhe të detyrave aktuale, duke e lidhur me temën e kohës, zgjeruan tematikën me karakter politik e shoqëror, forcuan tendenciozitetin  militant,  ndihmuan në krijimin e heroit pozitiv në letërsinë për fëmijë dhe, mbi të gjitha, bën përpjekje të dukshme për thellimin e realizmit socialist.” ( “Probleme të traditës dhe të aktualitetit në letërsinë tonë për fëmijë”, T. 1976, fq.96”). Si rrjedhim kritika përfundonte në një analizë e koment të njëanshëm vetëm për përmbajtjen dhe idetë e tekstit letrar. Në fund të shkrimit flitej për ndonjë tipar të veprës dhe për vlerat artistike me një gjuhë e terma steriotipe e shabllone.

Por për të demonstruar edhe një lloji fryme kritike, e cila “do të çonte edhe më përpara letërsinë”, partia-shteti lejonte edhe vërejtje e kritika të pjesshme me formula të tilla si: ndonjë të metë, deri–diku, shfaqje të rralla, vihet re edhe, disa poezi vuajnë etj. Por ne studimet e kritikat gjejmë edhe si ky pasazh: “Megjithëkëtë, në prozën e kësaj periudhe nuk ka variacion subjektesh dhe kompozicioni, ka deri-diku një farë uniformiteti, skematizmi. Ende mbizotëron karakteri deklarativ, patetik dhe agjitativ-publicistikë në tregimet dhe vjershat.” (Idem) Kaq mund të thoshte në atë kohë ky studiues i përkushtuar (që unë do ta quaja të guximshëm). Ai nuk mund të deklaronte të vërtetën sa të hidhur, aq dhe të rrezikshme: Pikërisht këto dobësi e të meta janë pasojë e drejtpërdrejtë e zbatimit të detyruar të normave dragoniane të realizmit socialist, e censurës dhe e vetëcensurës.

Por do të ishte nihilist çdo vlerësim e gjykim i njëanshëm për letërsinë dhe kritikën letrare të krijuar nën diktaturë. Letërsia si e tillë, e cila i shpëtoi në një mënyrë ose tjetrën molepsjes ideologjike, edhe në saje të talentit dhe të aftësive krijuese të shkrimtarëve të vërtetë, luajti një rol të rëndësishëm në edukimin estetik, kombëtar e moral të brezave të tërë të fëmijëve, duke dhënë edhe kënaqësitë e nevojshme artistike. Kritika letrare (me gjithë kufizimet e saj teorike e metodologjike) u kultivua nëpër organet e ndryshme të shtypit, në radhë të parë nga vetë shkrimtarët për fëmijë dhe nga kritikë, pedagogë, gazetarë. Këmbëzinat e saj te vendosura nga personalitete të tilla në fushën e letrave si Bedri Dedja, Odhise Grillo, Ramazan Cadri, Astrit Bishqemi, Xhahid Bushati, Tasim Gjokutaj, Muharrem Xhaxho, Hamit Boriçi etj. janë vlera të qendrueshme dhe ndihmesa të pamohueshme në ngritjen dhe ecurinë e letërsisë sonë për fëmijë.

Në Kosovë, pas Luftës Dytë Botërore, edhe pse nën pushtim, pati ecuri, zhvillim e gjallërim të letërsisë për fëmijë, pra dhe të kritikës letrare e të studimeve për të. Duke përjashtuar frymën e detyruar propagandistike të disa krijimeve dhe ndalimin e frymës atdhetare, për të ngritur e ushqyer parrullën demagogjike të “bashkim-vëllazërimit”, shkrimtarët për fëmijë, por dhe për të rritur, hodhën hapa të pandërprerë, duke kapërcyer nga njëri dhjetëvjeçar në tjetrin dobësitë e kuptueshme të çdo fillimi dhe të metat e natyrshme të çdo zhvillimi. Revistat “Jeta e Re”, “Përparimi” e “Jehona”, gazetat “Fjala”, “Flaka e Vëllazërimit”, “Zëri” etj. kanë hapur dyert edhe për recensionet, artikujt e shënimet kritikë për letërsinë për fëmijë, çka e nxiti mendimin kritik, së pari te mësuesit e pedagogët, dhe pastaj ky mendim u lëvrua në thellësi e në gjerësi nga kritikë e studiues. “Gjatë kësaj periudhe dyzetvjeçare – shkruante më 1986 Ibrahim Rugova, – kritika shqiptare në përgjithësi pati një zhvillim të dukshëm, sa që sot mund të themi se është ngritur si degë e rëndësishme e studimeve shqiptare. Kështu do konstatuar  se kjo sot ka një autonomitet të vetin  në forcim e sipër, çfarë flet se është bërë e aftë ta vështrojë letërsinë në rrafsh të konsiderueshëm kritik e teorik dhe të komunikojë në planin e jashtëm.” (Refuzimi estetik, P. 1987, fq.285) Këto konstatime vlejnë edhe për kritikën e letërsisë për fëmijë. Duhet theksuar fakti që në Kosovë kanë ngjyer penën në kritikën letrare për letërsinë për fëmijë gati të gjithë shkrimtarët, kritikët, studiuesit, pedagogët e  krahut verilindor, duke nxitur autorët, duke vënë në dukje edhe dobësitë, duke sugjeruar shtigje e rrugë të reja që në hapat e saj të parë.  Nuk mund të harrohen shkrimet problemore e artikujt kritikë edhe për letërsinë për fëmijë të Hasan Mekulit, Vehap Shitës, Ali Aliut, Agim Vincës, Faik Shkodrës, Sabri Hamitit, të cilët kanë dhënë ndihmesa me ndikim të dukshëm. Por artikujt kritikë e problemorë të shkrimtarëve për fëmijë si Vehbi Kikaj, Qamil Batalli, Agim Deva, Ymer Elshani, Hasan Hasani, Fejzi Bojku, Shyqri Galica etj. e kanë mbajtur gjallë në vazhdimësi  interesimin e shqetësimin për ecurinë e kësaj letërsie, për edukimin estetik e human të nxënësve të të gjitha moshave. Librat studimorë e monografitë e Agim Devës, Faik Shkodrës, Xhevat Sylës, Preng Buxhalës analizojnë në gjerësi e thellësi me parametra shkencorë vlerat, problemet, tiparet e individualiteteve krijuese në fushën e letërsisë sonë për fëmijë.

Kushtet e krijimit dhe kërkesat e reja të kohës pas përmbysjes së diktaturës në Republikën e Shqipërisë dhe gjendjes tejet të vështirë të institucioneve kulturore e arsimore në Kosovë e Maqedoni sollën një situatë kaosi  e çoroditjeje edhe në fushat e krijimtarisë letrare e artistike, pra dhe të kritikës letrare.

Me keqardhje duhet të pranojmë se jo vetëm para vitit 1990 (çka është e kuptueshme), po edhe më pas ne Tiranë ende nuk po u qasen krijimeve letrare për fëmijë për t’i analizuar e interpretuar në bazë të metodave të njohura bashkëkohore si semiotike, strukturaliste, psikoanalitike etj. Por edhe në shkrimet kritike në Prishtinë pak është pasur parasysh  kërkesa se “kritika duhet të mbështetet dhe të ketë si qëllim hulumtimi e vlerësimi planin konotativ të veprës”, theksuar nga Ibrahim Rugova te “Strategjia e kuptimit”.

A kemi reminishenca të parimeve të realizmit socialist? Do të ishte metafizike po të pohohej e kundërta. Në Tiranë, nëse në kritikën letrare për të rriturit mund të thuhet se nuk ka një bazë teorike e metodologjike  të vetme, si pasojë e rënies së metodës zyrtare të realizmit socialist, kritika letrare për fëmijë vijoi pak a shumë (edhe pse e çideologjizuar) mbi ato kritere të rutinizuara teorike. Pra, ka ardhur koha për një kritik letrare të rinovuar. Ky është imperativi i domosdoshmërisë për ndryshime.

Te disa autorë artikujsh kritikë ka keqkuptim për kritikën letrare. Ata e shohin atë vetëm si pasqyrim të anëve negative të krijimit letrar ose si lavdërim të vlerave. Sindroma e epiteteve hiperbolike, e krahasimeve banale ose e përshkrimeve zbukuruese  vjen ose nga shije të diskutueshme artistike, ose nga fryma e një shoqërie të sëmurë, ose nga karakteri komercial i reklamës. Por edhe nihilizmi, denigrimi, injorimi i vlerave në emër të  “objektivitetit”, ose të gjoja një “kritike të guximshme”, “moderniste”, “realiste” etj. nuk të çon asgjëkundi. Eshtë si hedhje e pështymës sipër që të bie në fytyrë. “Nuk kemi asnjë shkrimtar dhe studiues, -thotë botuesja e poetja R. Petro – që të ketë bërë diçka të mirë për fëmijët. Ata mund të kapin tema të ditës, por nuk i japin në mënyrë të afërt, natyrale për fëmijët. Ose ata arrijnë deri aty sa bëhen qesharakë.” (Gazeta “Albania”, janar 2009).

Ka kritikë që e trajtojnë veprën letrare të shkëputur nga konteksti bashkohor i letërsisë në kohë e hapësirë. Kështu mungon shqyrtimi i veprës letrare në raport me veprat e tjera të shkrimtarit, për të parë ecurinë e krijimtarisë së tij, ashtu siç mungon edhe shqyrtimi i një vepre të një autori në raport me vepra të tjera të atij zhanri të autorëve të tjerë bashkëkohor. Pra, na mungon kritika  e studimet në rrafshin krahasues.

Barazizmi i vlerave artistike të veprave për fëmijë është një sëmundje që ka prekur mjaft artikuj e studime. Në artikuj të ndryshëm për vepra të ndryshme, të cilat kanë tiparee vlera të ndryshme, shkruhet po me ato përcaktime, u vishen po ato karakteristika, formulohen po ato mendime shabllone, pra nuk dalin qartë e dukshëm veçoritë stilistike dhe niveli i këtij ose atij shkrimtari. Kjo çon në nivelimin infantil të vlerave artistike të krijuesve. Por me njohje më të thelluar të tekstit dhe me synime serioze e të përgjegjshme kjo sëmundje mund të shmanget, sidomos në studimet monografike.

Nuk mund të jetë ndihmesë reale njëanshmëria e komentimit të krijimit letrar. Në Tiranë janë botuar me shumicë artikuj  që vlerësojnë vetëm autorin e librit në rrafshin moral, etik, politik etj. ose analizojnë vetëm idetë, tematikën, mesazhet të shkëputura artificialisht nga realizimi artistik i tyre, duke rënë rëndomë në sociologjizëm vulgar.

Sa e ka kritika letrare objekt të shqyrtimit të saj smilarin? A janë analizuar tiparet dhe veçoritë e stilit të shkrimtarëve me vlera? Nisur nga shkalla ime e njohjes, vërej se jemi ende në hapat e para, pa mohuar arritjet e deritashme.

Kritika letrare për letërsinë për fëmijë në Republikën e Shqipërisë nuk e ka vënë theksin sa e si duhet mbi varfërinë  figurative dhe monotoninë metrike edhe në poezinë e autorëve me emër. Varfëria figurative e figurat klishe kanë sjellë prozaizmin, ndërsa  monotonia metrike e ka bejtizuar një pjesë të poezisë, ia ka zbehur efektin estetik dhe emocional. Kritika në Kosovë nuk i ka prekur e trajtuar mangësitë e dobësitë metrike të poezisë për fëmijë, të cilat kanë ardhur nga mungesa dhe nënvlerësimi i labor limae. Dhe dihet, elementet metrike nuk janë thjesht teknike, por komponentë përbërës në instrumentalizimin e vargjeve dhe të harmonisë akustike, kaq të nevojshme për perceptimin sa më të këndshëm të poezisë nga fëmijët. Kritika ka mbyllur shpesh herë sytë përpara faktit që në një pjesë të konsiderueshme të prozës së shkurtër dhe të gjatë duket mungesa e fantazisë, humori është i thatë, për të mos thënë inekzistent, aventura kufizohet brenda caqeve të një subjekti të rëndomtë, pa të papritura e befasi që e bëjnë leximin tërheqës e frymëzues.

Disa kritika, madje edhe recensione, edhe për letërsine për fëmijë, sidomos të disa autorëve të rinj, karakterizohen nga konfuzioni, pasaktësia e termave dhe e shprehjeve dhe inkosekuenca logjike, çka i bën shkrimet e tyre të paqartë e të pakuptueshëm jo vetëm për lexuesin e thjeshtë, por edhe për mësuesit, pedagogët dhe specialistët e kësaj lamie. Kundër kësaj prirjeje nuk do të jap ndonjë argument tjetër veç këtij të Ezra Paund-it: “Sugjeroj që t’i hedhim të gjithë kritikët që përdorin terma të mjegullta, nga që janë tepër injorantë për të pasur një mendim; por edhe kritikët që përdorin terma të mjegullta për të fshehur mendimin e tyre… Letra e parë e besimit, që duhet kërkuar prej kritikëve , është ideografi i tij për të mirën, pra ideografi i asaj që ai e konsideron shkrim të vlefshëm dhe, pa tjetër, ideografin e tij për të gjitha termat e tij të përgjithshëm.”

Si shkrimtarët për fëmijë, edhe kritikët që i qasen kësaj letërsie, janë të vetëdijshëm për veçoritë psikologjike të kësaj letërsie. Ashtu siç kanë në konsideratë dallimet se kujt moshe të të vegjëlve i drejtohet shkrimtari, ashtu duhet të mos harrohet dukuria sa psikologjike aq dhe antropologjike: Akslerimi (përshpejtimi) i aftësive perceptuese dhe e aftësive përthithëse të fëmijëve të sotëm, kur teknika, elektronika, mjetet e informimit e të komunikimit kanë ndryshuar rrënjësisht këta 50 vjetët e fundit më tepër se ndryshimet e bëra në shekuj. Këta faktorë kanë ndikuar e ndikojnë dukshëm sidomos të fëmijët. Pra, edhe letërsia artistike për ta nuk mund të jetë aq “fëminore”, aq e thjeshtëzuar, aq naive si dikur.

Eshtë e kuptueshme që kritika letrare nuk mund t’i qaset çdo krijimi ose libri që botohet. Përzgjedhja mund të quhet puna fillestare e kritikut. Kritika e heshtjes për ata libra pa vlera ose mediokër, që vazhdojnë të botohen dhe që vërshojnë legalisht e ilegalisht nëpër shkolla e institucione për të vegjëlit ose i shohim kryelart  në stendat e librarive dhe të shop-trotuarëve, është  “dënim” i natyrshëm. Por heshtja e kritikës ndaj dukurive negative, që duken haptazi në letërsinë për fëmijë, e nxit këtë skarcitet e kiç letrar që botohet e tregtohet thjesht për biznes. Libra të tillë u sjellin neveri lexuesve të vegjël ndaj letërsisë artistike, por edhe ndikon në shijet e tyre estetike. Pra, është detyrë e kritikës profesionale të flasë edhe për këtë kategori librash, për ta pasur parasysh mësuesit dhe prindërit dëmin që sjellin.

Situata e vështirë që po kalojnë kritika dhe studimet letrare shqiptare, për të mos përmendur fjalën e dhimbshme krizë, ka tri shkaqe bazë: E para, mungesa e përgatitjes së duhur dhe të gjithanshme teorike e metodologjike; e dyta, fryma e mjedisi provincial që kritikën letrare nuk e pranon si dukuri normale, po si goditje, injorim ose nënvlerësim të veprës dhe së pari të vetë autorit, çka e frenon kritikun, i cili jeton brenda këtij katundi letrar; e treta, mungesa gati e plotë e nxitjes dhe e përkrahjes së autorëve që kanë dijet, vullnetin e pasionin për t’u marrë me kritikën letrare. As institucionet shkencore e kulturore, as shtypi nuk janë të interesuar për një kritikë profesionale, konstruktive e serioze, siç e meriton letërsia artistike për fëmijë. Nga kjo situatë nxjerr krye një problem ekzistencial: Si po zhvillohet procesi i aktivizimit e i formimit të kritikëve të rinj? Kush e si duhet kujdesur e ndihmuar për përgatitjen e tyre profesionale e shkencore? Pa dyshim, në radhë të parë një rol themelor duhet të promovojnë universitetet tona, po edhe jashtë vendit. Punimet për mbrojtje diplome, master dhe doktoratura do ishte njëra nga rrugët e profilizimit në studimet për letërsinë për fëmijë.

Një pjesë e autorëve të kësaj letërsie, të kënaqur me suksesin tregtar të librave të tyre, nuk u intereson një gjykim sa më objektiv i kritikës në publik. Mund të duket narcizëm i skajshëm, por vitet e fundit vihet re një dukuri e tillë: Disa shkrimtarë për fëmijë natyrshëm kërkojnë të shkruhen për librat e tyre recensione e artikuj kritik, por vetëm lavdërues. Atyre u duket se u cenohet sado pak emri e “lavdia” dhe ai mekanizëm që disa kanë ngritur për bisnesine librave të tyre nëpër shkolla e rrugë të tjera. Por  askujt nuk iu prek emri dhe vlera tërsore e veprës kur Agim Deva radhiti emrat e mjaft shkrimtarëve të njohur e të pak të njohur, duke theksuar se në shumë vjersha e poema “në vend të vlerave, në realitet kemi antivlera: mendimi shpesh del i paseleksionuar, përsëriten tablotë e figurat e njëjta, shfrytëzohen mënyrat klasike të shprehjes…” (“Poezia shqipe për fëmijë”, P. 1982, fq. 324). Ky ishte vetëm një rast. Por  shkrimet kritike, qoftë dhe “të hidhur” me siguri luajnë rolin e vet në ngritjen e përgjegjësisë artistike të shkrimtarëve dhe frenojnë ngutjen për të botuar çdo gjë që u del nga dora.

Gjithëherë kritika letrare është kritikuar. Së pari, nga ata  autorë që nuk e pranojnë dhe nuk gëlltisin dot hidhësinë e saj; së dyti, nga ata  që mendojnë se vlerat e tyre artistike janë më të mëdha nga sa u jep kritika; së treti, nga ata me ndjenjë të lartë përgjegjësie artistike e qytetare, të cilët kërkojnë realisht e sinqerisht nivele përherë në rritje të kritikës. Ata janë kundër karakterit denigrues të kritikës, kundër subjektivizmit të skajshëm të saj, kundër hakmarrjeve jashtëletrare, kundër kritikës dilentanteske, tregtare, hipokrite ose himnizuese. Këto aspirata janë të domosdoshme si bar shërues kundër dukurive negative që janë të pashmangshme në realitetin tonë letrar e jashtëletrar.

Veç shqyrtimit të krijimtarisë aktuale, një nga detyrat imediate të kritikës dhe studimeve tona të letërsisë për fëmijë është pa dyshim rivlerësimi e i veprave të së kaluarës së afërt, si një proces i pandërprerë në kohë, që shoshit nga pozita përherë e më objektive, me metoda bashkëkohore dhe komplekse, me synime estetike më të sofistikuara. Një tjetër arsye për vlerësim e rivlerësim është edhe fakti se disa shkrimtarë, për një shkak ose një tjetër, edhe pse kanë pasur vlera, janë lënë në hije, janë injoruar ose kritikuar nga pozita ose tendenca politike.

Nuk mund t’i shmangem tundimit, për t’i mbyllur këta rreshta me mendimet e kritikut të shquar të shekullit 19-të, Hipolit Ten: “Detyra ime e vetme është t’u paraqesë faktet dhe t’u tregoj se si janë prodhuar ato. Metoda moderne që unë kërkoj të ndjekë, dhe që ka filluar të përdoret te të gjitha shkencat morale, ka të bëjë me vlerësimin e veprimtarisë njerëzore, dhe në veçanti, me vlerësimin e veprave të artit si fakte dhe prodhime, veçoritë dhe shkaqet e të cilave duhen kërkuar dhe treguar: asgjë më tepër. Në këtë pikëpamje shkenca as dënon, as fal; ajo konstaton e shtjellon…ajo ka dashamirësi për të gjitha format e artit dhe për të gjitha shkollat, edhe për ato që duken të përkundërta.” (H. Taine, Filozofia e artit, Tiranë, 2004, fq 22). | Prishtina Press

_____________________

Dërguar nga Z. Aleko Likaj



Related posts

Dinjitozë shekullorë pranë vatrës Evropiane
Si ndërtohet shteti i shëndetshëm ?
Poezi
Urim..!

Leave a Reply





Archive