|

Suksesi në punët e pavarura (Mësimdhënie)

Nga: Bashkim Saliasi

Bashkim Saliasi

-Suksesi në punët e pavarura varet nga mënyra se si i trajton mësuesi dhe serioziteti me të cilën i kryen nxënësi-    

Futja e formave të reja në punët e pavarura në veprimtarinë mësimore të nxënësve, ka marrë një përparsi në shkollat tona. Suksesi i arritjeve varet nga mënyra se si i trajton mësuesi dhe nga serioziteti me të cilën nxënësi do t’i kryej detyrat e ngarkuara.

Përgatitja e nxënësve për jetën është e lidhur ngushtë edhe me aftësimin e tyre në mënyrë të pavarur. Punë të pavarura dhe detyra jepen brenda orës së mësimit dhe jashtë saj me afat të gjatë.

Detyrat që jepen në klasë brenda orës së mësimit janë bazë e zgjidhjes së detyrave, që jepen për në shtëpi në funksion të thellimit të njohurive. Midis punëve së pavarura që jepet në klasë dhe asaj të shtëpisë, ekziston një lidhje reciproke, e cila ndihmon në formimin e një teknike në përvetësimin e njërës apo tjetrës metodë nga ana e nxënësit, për të zgjidhur detyra të pavarura.

Suksesi në zgjidhjen e punëve të pavarura varet nga puna sistematike që bënë mësuesi brenda orës së mësimit. Detyra dhe punë të pavarura nuk jepen vetëm në lëndën e matematikës, gjuhës, leximit, por edhe në lëndën e kimisë, dhe biologjisë, fizikës, historisë, gjeografisë etj.

Në formimin shkencor të nxënësit nuk jep ndikimin e vet vetëm lënda e matematikës, por edhe kimia, fizika, biologjia shkenca të cilat zgjerojnë diapazonin e nxënësit dhe krijojnë mundësi të zgjidh lehtësisht detyra të pavarura në të gjitha lëndët, që përmendëm më lartë.

Brenda orës së mësimit në orën e biologjisë dhe të kimisë jepen detyra praktike eksperimentale si punë laboratori, eksperimente hulumtuese frontale ose ballore etj. Por brenda orë së mësimit në biologji jepen detyra të pavarura si zgjidhje hipotezash, emërtime skicash, plotësime të figurave memece, shpjegimi i fjalëve kyçe etj.

Eksperienca e viteve, që është grumbulluar në arsimin shqiptar, mundëson gjetjen e rrugëve të reja, në zbatimin e detyrave të pavarura në lëndë të ndryshme mësimore. Përgatitja e nxënësve për të zgjidhur në mënyrë të pavarur detyrat e ngarkuara, i aftëson ata, që të punojnë në mënyrë individuale dhe krijuese në jetë.

Lënda e biologjisë mësohet nga nxënësit dhe bëhet interesante kur shoqërohet me zgjerimin e njohurive nga literature bashkëkohore e zbulimeve shkencore. Detyrat dhe punët e pavarura, me të cilat i kam ngarkuar nxënësit e mi, në lëndën e biologjisë së klasës së VI-të dhe të VII-të, kanë synuar në zgjidhjen e një sërë problemesh në funksion të temave e linjave të ndryshme.

Punët e pavarura synojnë në realizimin e objektivave të afërta dhe të largëta. Të ngarkosh nxënësit me detyra dhe punë të pavarura, është njëra anë e punës së mësuesit, por ajo që ka më shumë rëndësi, është kontrolli i vazhdueshëm dhe vlerësimi i tyre.

Krahas përdorimit të metodave të reja aktive, në shkollat tona përdoren dhe metodat verbale, në dhënien e punëve të pavarura, ku bazë në zgjidhjen e tyre mbetet puna me tekstin mësimor, por sot nxënësi gjen informacion të bollshëm në mjetet informative gjë që ndihmon në pasurimin dhe plotësimin e mjaftë koncepteve shkencore.

Suksesi i punëve të pavarura varet nga metoda që përdor mësuesi për të nxitur nxënësin, që të aktivizohet sa më shumë në orën e mësimit dhe e ndihmojnë atë, për të punuar dhe mësuar në mënyrë të pavarur dhe krijuese në jetë.

Detyrat dhe punët e pavarura janë të suksesshme kur jepen të studjuara nga mësuesi, duke e futurë në punë nxënësin në mënyrë sistematike, për të rritur efektivitetin në realizimin e tyre.

Përdorimi i metodave kërkimore-shkencore, i aftëson nxënësit  dhe i përgatit ata, që të eksplorojnë në jetë. Rritja e interest në zgjidhjen e detyrave dhe punëve të pavarura, krijon te nxënësit dëshirën për lëndët mësimore.

Përsosja e metodave të mësimdhënies me elemente të reja didaktike, aftësojnë nxënësit për të përvetësuar me nivel e cilësi sasinë e njohurive të caktuara, të cilat rritin shpejtësinë dhe qëndrueshmërinë e zgjidhjes së detyrës dhe aftësojnë nxitjen e intuitës në pavarsinë dhe krijimtarinë e të menduarit.

Mendoj se për të arritur nxitjen e intuitës së nxënësit në procesin e të mësuarit brenda orës së mësimit  në zgjidhjen e detyrave dhe punëve të pavarura duhen përdorur një larmi metodash duke i gërshetuar ato me njëra-tjetrën.

Para mësuesve, shtrohet si detyrë që të zgjedhin problemin e kombinimit të të mësuarit në klasë, me format e të të mësuarit jashtëklase, me qëllim që të sigurohet përvetësimi i plotë i njohurive.

Përsosja e mësimëdhënies, kërkon njohjen e veçorive bazë të zhvillimit psikik të nxënësve në përshtatje me veçoritë e moshës, për të zhvilluar dhe edukuar ato procese psikike njohës me aftësi intelektuale, si perceptimin, vëzhgimin, kujtesën logjike, imagjinatën krijuese, të menduarit aktiv, punët e pavarura etj.

Zgjidhja e detyrave dhe realizimi i punëve të pavarura lidhet me nevojën e fëmijës, për të mësuar dhe vepruar vetë, zhvillonë aftësitë, shtonë përvojën dhe e lidh atë me të gjitha fushat e të nxënit, nxitet në vëzhgimin dhe në vërtetimin e hipotezave, zhvillon aftësitë hulumtuese dhe stimulon të menduarit krijues, rrit aftësitë e të shprehurit gjuhësor, përcakton qëllimin e të mësuarit, nxit të menduarit për të ardhmen.



Related posts

SHPALOSJA E DHËMBJES DHE PALOSJA E SAJ NË HISTORI
Fjetja e Shën Mërisë në Manastirin e Zvërnecit
NË 100 VJETORIN E LINDJES TE PROFESORIT TE MADH
Në 41-vjetorin e vrasjes nga UDB-ja të poetit Alush CANAJ

Leave a Reply





Archive