Vëllim Poetik
Poezi nga autorë të ndryshëm të zgjedhura nga Ismail Rexhepi dhe redaksia.

Belantina Venari
Belantina Venari
KATËR STINËT
Me keq se vapa ne gusht, frymën ma more,
here me mjaltë here me musht, grimca helmi çlirove
me fjale dhe fjali boshe, me ndjell zagushi,
ma mbyll rrezen ne nje qoshe, here qiellin le kufi!
Si gjethe vjeshte, bie trishtimi, mbi mua
me ty, loti buzëqeshte, marrezi, prap të dua,
Gjethe vjeshte, fletë me fletë, stinë melankolike
por une bej si dua vete, i jap jete ëndrës lirike!
Iku vjeshta, erdhi pranvera, s’mbaj mend,
ndoshta kalova stine te tjera, e vetme, pa askënd
ti paskishe qene nje deshire, qe me mbysje ne mungesë,
per nje jete me te mire, kjo çelje stine, beri kthesë!
Të gjitha stinet i do jeta,
vallë…njera nga tjetra
i ndan fantazia, a e verteta?…

Luan Kalana
Luan Kalana
Ujët e burimit pikon lot
1
Kur dielli në verë ju bie mbi kokë,
s’gopi së gëlltituri pa frymë ujë,
të shuanin etjen e të nxehtit,
ju shkon mendja tek burimi,
andej nga buron uji,
larg si udha e qumeshtit,
ju që vini të lodhur të djersitur,
ju me buzë te thara të pjekura,
nga era nga vapa, nga dielli,
vraponi te pini qumesht si qinjgji.
2
Beharit kur shterojnë lumenjtë,
çezmat kanë ujë me limit,
jeni të ftuar nga unë,
të vini si në dasëm tek burimi,
të mbushni bucelat e stomna,
s’dua bakshish e dhurata,
vetëm të prek duart tuaja,
uji le të vejë në përrua.
te pijë ujë tërë bota.
3
Dimrit në pikun të ftohtit,
çdo gjë është akull kallkan,
kur tubat ngrijnë e pëlcasin,
bëni nje vrap nga unë ,
t’ju ngroh,të lani fytyrën,
duart mos ju ngrijnë,
të mbushni ujë te burimi,
rjedh pambarim, s’pyes dimirin..
4
Ju që vdisni për mua,
mos më lini vetëm,
pini ujë me duar,
mos më lini te vuaj,
t’ju njom buzët tuaja,
shikomni si në pasqyrë,
kam shok e miq plot,
a e dini që edhe unë qaj ,
burimi pikon lot ?!…
5
Kam frikë se nje ditë,
si vëllezërit mij më parë,
s’i lanë të rjedhin të lirë,
si gjaku në dejet tuaja,
Njerës pa mëshirë,..
qe pinë vetëm verë birë,
kur bota s’ka ujë për te pirë,
duan të më burgosin..
të më venë në dhe të gjallë…
6
Dua të marr ajër te pastër,
të shoh dritën,rezet e diellit,
të lozin fëmijët me mua,
të qullen të bëhen lloçkë
s’dua të me zenë frymën,
me kyçe e zinxhirë,biruca,
nën dhe me erresirë
të më fusin në qivur në tuba…
7
Si mund të më dënoni,
si një njeri me vdekje,
të më fusni në shishe,
burimin me ujë natyral,
burimin me ujë të bekuar,
çardhakun* e Syrin e Kaltër*…
8
Dua të rjedh i lirë,
kam lindur ujë,
dua të ritem ne krua,
lule, jam burim jete
s’jam rrob i askujt,
duan të më shesin,
të bëhen të pasur me mua.
9
Në shtratin e vdekjes prehej trimi,
para se të jepte shpirt,
në koka me armët e flamurin,
e la amanet me gojë:
-Më lagni buzët,
trupin të ma lani,
varin të ma spërkatini,
me ujë te freskët burimi…
10
Ashtu si ajri në natyrë,
burimin mos e trazoni,
mos më vini pranga mua,
më lini të jetoj i lirë,
mos vdes njerëzia për ujë,
burimi të rjedhë pa pushim si lumi..

Pilo Zyba
Pilo Zyba
PËR MBI DET TË HISTORISË
- Me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë -
Hapi krahët Shqipja ime, hapi krahët kombi im,
Mërr të tjera fluturime, kërko një tjetër agim…
Kërko zogjtë, brënda folesë,ti rrëmbyen dhe ti vranë,
Mos i humb shpresë dhe besë, historia pas ti ka lanë!
Mblidhi zogjtë, poshtë nën krah, të ndihen të lirë, ngrohtë,
Me fluturime të mëdha, nis dhe firmos nëpër botë…
Mblidhi krahët kombi im, mblidhi lumenjtë e traditës,
Nëna ime don shpagim, 100 vjet në rend të ditës…
Ngreu Kosovë vëlla Çam, zgjohu dashuri e lashtë,
Nuk duron më ky vatan, mish të huaj, jashtë, jashtë…
Jashtë nga trupi ynë i pastër, që ka nder, gjuhë dhe fjalë,
Prej Besës, bashkim i lashtë, dhe fjala bashkim ka dale…
Koha është det me valë, kombi im anije e bardhë,
Herë me pushkë, herë me fjalë, drejtësia yll që zbardh.
Përmbi dallgë çfaqet, “humbet”, nga drejtimi nuk lëkundet…
Nga drejtësia bota tundet, dridhet hesht por dhe do mundet…
Pilo Zyba
NUK E DI, SOT Ç’MË KA GJETUR ?
Nuk e di, sot ç’më ka gjetur,
S’di ç’kërkoj, nuk di ç’far dua,
Gjithë natën jam pa fjetur,
Poshtë mollëve të tua…
Sytë mbyll, dëgjoj muzikë,
I ndjej hapat nëpër gjethe,
Nata me duket si ditë,
N’pyll të ndjenjës jap koncerte…
Dëgjoj puhizë, fëshfërimë,
Rrjedh burimi nëpër gurë,
Apo hapat në lëndinë
Larg dëgjoj kur vjen te unë ?
Qënke zhveshur Eva ime,
Dhe më shkon si erë e fllad,
Herë Engjëll me vegime,
Fosfor gjith’ trupi të mbart…
Të shikoj, por ti s’ke ngjyrë,
Nuk ke formë, je si kënga,
Nëpër trup, dhe në fytyrë,
Qënke ngarkuar me ëndrra…
Dorën zgjas mbi gushë e flokë,
Buzën vë mbi buzën tënde,
Më ngjet vetja mbret mbi botë,
Dirizhent në orkestër kënge…
Trupin tënd nuk mundet kurrë,
S’ka dirizhent që atë mban,
Nuk ka notë e partiturë,
Është det dhe shatrivan…
Vjen më derdhet nëpër duar,
Vjen më derdhet nëpër buzë,
Duke ecur e gurgulluar,
Mijëra tinguj uverturë…
Të marr, të përkund latuar,
Të këndoj me zë bilbili,
Trupit tënd duke kërkuar,
Ku fshihen lulet e Prillit…
Ku rrinë fshehur ndjenja jete,
Ku rri fshehur çarku i ngritur,
Që ngjall shije hireplotë,
Shpirtin duke më vaditur?…
Dhe lastarët e hardhisë,
Nëpër kurmin tënd të lidhur,
Do ti pi si të jenë sisë,
Duke i pirë, duke i vaditur…
Nëpër gushë të rrjedh rrëkezë,
Puthjet në vrapim të lirë,
Oh, sa kam gëzim të zbres,
Një flakë zjarri për të fshirë…
Kjo rrëkezë mbi tëndin trup,
Jam unë vetë, zbres ngadalë,
Herë me vrull, dhe herë me turp,
Të përmbyt me puthjet – fjalë…
Nëpër kodrat nur mbuluar,
Nëpër kërthizën e hënës,
Rend me buzë duke kërkuar,
Notën – pentagram të zemrës…
Duke ikur tatëpjetë,
Përmbi ballë të një lugine,
Me buzë larg i degëdis retë,
Pranë pranverës së një stine…
Për një çast mbetem pa fjalë,
Zemra rreh dhe syri hesht,
Trëndafili qesh përballë,
Kopshti Edenit një vresht…
Frymëzimi im një gurrë,
Që nuk paska shterim kurrë…

Myrvete Osmani
Myrvete OSMANI
E VETMJA DASHURI
Kjo natë më mbanë,
nën vështrimin e saj prej të huaje
Unë si perendesh veshur
nën shkëlqimin e derdhur të hënës,
vrapoj ashtu “mëkatare” e qeshur
Mbi fustanin mëndafsh të derdhur,
dhe yjet kanë rënë të ndrisin
E bukura fytyrë imja prej zane,
thërret në zgjim dhe perenditë
Me droje shikimin tënd,
rrokoqiejve të territ kërkoj
dhe orët e natës mbi mua rënkojnë
E zemra përvajshëm dalldiset
Kur magjinë e syve tu pushtoj
Errësirës ngadal të të nxjerrë
të mbërthej në timin krahërorë
Mes puthjesh tuaja le të humbas,
oh, le të jet dhe i fundit çast
A thua si mund të quhet ky, mekatë?
kur dhe perënditë ashtu dashurojnë

Amijet Vinca
Dëshira ime
Amijet Vinca
Më lejo të prek trupin tënd.. Lermë të lirë e të notoj …
Të shkrijë , në trup të prusht … Lëri gishtat e lirë të ndiej … !!
Të vrapoj në valëzjarrmin e buzëve përtej…!! Pasioni im të ndez në flakë ,
Dridhem , të mbështjell , të pushtoj e pa duruar …!!!! Ti s’e di se çfarë është kjo ..????
Është stuhi e ndienjave , vale liqenore ….?!!!
Dallgë valësh vullkan gërryes
amshorë ;
Tani e gjithë jeta ime këthyer në valë grumbullimi
Notoj e rrëshqas si një mjellmë pendë mëndafsht..!!
E lirë të lundrojë në zemrën tënde…!
Vetë dëshira ime dehur dashurija …!
E vështirë për tu kapur , e larguar për tu flakur …!!
Kamë ardhur në tokë , për të jetuar …!!
Arë që zotërojmë e pritur e zhdukur ..?!
S’i një hije që flladin vellon e bardhë hedh …!
Dëshira ime pa epur , dallgë vrullshëm derdh..!!
Njomi bimën , rigjenerojë gjethi …!
Djelli rrezet i lëshoj ,në degë të akaces , bylbyli këngën fillojë .!!
Isa Ferizaj
I P A V A . . .
I pava një ditë, i pava ca gra!
Copë -copë, me varè, gurin duke ça’.
I pava një ditë, i pava ca burrnesha;
Fyta -fyt me malin, m’u duken luanesha!
Po, po! I pava një ditë ca gra si burra,
Me varè mbi gurët, djersa porsi gurra!
Po, po! Luftonin ato ta ndalin mjerimin;
Shperfillnin jetën, ta mundnin trishtimin.
I pava një ditë,…për ditë i shoh ato gra;
Fytyrërreshkurat, regjur në djersë, larë me lotë;
Kacafytur me malin, ah, me “malin” që s’bëza;
Pasqyrë e kësaj kohe, shëmtuar nga kjo “botë”!
Bam e bum vareja, sikur godet kohën;
Zien brenda zemra, vullkan në shperthim;
Rëndon peshë e kohës, nga i egri mjerim;
Sfidon shpirti i grave jetën plot trishtim!
Daltë e hekurt, malit gurët ia shkoklon,
Daltë e mjerimit, jetën ç’po shkallmon!
Daltë e revoltës, “malit” i duhet ngulur,
Rrënjët e të keqes, nga jeta duhen shkulur.
Çahet zemer e nënës si guri nga vareja;
Xixa – xixa, gurë e sy, përflakin si rrufeja.
Rrokullisen gurët, poterën prapa duke lënë;
Vjazhgojnë lotë e gjak, diç “malit” duke i thënë.
I pava ca gra; u kish’ humbur bukuria!
I preka ca plagë, lëngonin nga varfëria!
I dëgjova ca zëra, shterruar nga uria!
I njoha ca shpresa, vrarë nga çnjerëzia!
I pava ca fytyra, të qarit dot s’e fshehnin!
Ledhatonin jetënjomat e, llërët përveshnin,
I pava ca buzë të çara plot me shkrum,
Bëlbëzonin pa kuptim, sikur flitnin në gjumë!
I preka ca zemra, i preka lehtë me dorë,
Vullkan përbrenda, të ftohta si dëborë!
Ndjenjat ua preka e, peshë ato i zgjova,
“Malin” që i shtyp, me gisht ua tregova!
I njoha ca nëna, lindnin jetët mbi varè!
I njoha ca jetë, mbijetonin nën varè!
I njoha ca shpirtra, mbushur ndjenja plot;
E njoha dhe “malin” që rëndonte mbi botë!
Lart e ngrita grushtin, ç’m’u duk si varè!
Ta godas dhe unë malin, “malin” mbi ne.
I thirra ngado zemrat, si grusht të mblidhen.
Veç nga forcë e grushtit, “malet” nisin dridhen!

Namik Selmani
Namik Selmani
Lirikë çame
Do vë grykënxehtën mbi bistak në lule
të shoh faqekuqen kur mbi kroin ulet.
Kur e vë bucelën, të puthë sylynjarë
nga sevdaja ime vesa bëhet zjarr.
Nga sevda e saj skuqet furra e prushtë
Dielli përtej malit për ne harron udhë..
Kur plisat e ngrohtë avullojnë si buajt
vetmitar me duar po i numëroj duajt.
Ndjej hapa dasmorësh tek më vijnë së largu
toka e gjërë lehonë ninullon te pragu.
Duan miell të zgjedhur për dasmën e parë
teksa xhixho Malo prek mjekrrën e bardhë.
Në një fushë me yje hëna drapëron
sy i saj me xixa, udhën ma verbon.
Do ta vë martinën në një fole zogu
se më dehu fort kjo erë borziloku.
Se më dehu puthja, më bëri si fllad
pranveron dhjetë dimra, nëpër fushë e mal….
Mërmërij pa fjalë ku çurgon currili
pres edhe përcjell vezullime ylli.
Do ta mbush bucelen në krua të sirit
O, ç’më dridhet dora si gjethe e blirit.
Po më thahet dega kërcell më kërcell
qenkam bërë si bujk që nuk di se ç’mbjell.
Qënkam si bulkth nate që ka humbur këngën
Ndaj kam ngjyer fjalën në palcë të ëndrrës.
Namik Selmani
Lokja e Këngës
Duke dëgjuar Nexhmije Pagarushën
1.
Duke dëgjuar Pagarushën
Ia gjeta burimin lotit të gaztë që derdhet në sofra.
Dyert e shpirtit
Për besë, një nga një, si gardian dashurie i hapa
Për fajin e vjetër
Gjykatësin e munguar që nga nëntë malet e solla.
Amëshimin
E preka si gjethe në miliona tinguj rrezore, të kaltra,
2.
E frymë më frymë
I trazova lumnueshëm gjithë drurët e lulet e Sharrit
Fushë Kosova
Po më duket dhe sot si lëndinë e fëmijërisë, si shtegu i lojës
E heshta i memecëruar
Kur një ujëvarë ma mbyti kurmin në rrëzë të malit.
E u fëmijërova
Me bastunin në duar që nuk ka statusin e lodrës.
3.
E lisat,
I ngrita në duar si të ishin të gjithë kukulla.
Më Ante se Anteu
Në fjalët e Lokes gjeta palcë shqiponjash nga palcë toke.
Duke dëgjuar Pagarushën
Qiellit tim ia gjeta tetë shkallë të bukura
Një balonë
Me tinguj tupanash më shtrëngonte gishtërinjtë e dorës.
4.
E u verbërova
Si garues pa kundërshtar qoftë edhe të vetëm, në lirishte.
E ua mora dritën
Gjithë fareve të botës, i lashë përjetësisht si vuvër
Hej, këndon Pagarusha
E thyhen pasqyrat e vetrinave në shitoret dritëmagje.
E shkrihen akujt
Që të vijnë nëpër këmbë si kone e zbutur.
5.
Ia gjeta
krahët e munguar zogut trupdridhur mes dëborës
Ia gjeta
Farën dhe ujin plisit të tharë për pikën e dritës.
Këmbët m’u ndalën
Tek shihja akrepat e ndaluara të orës
E në udhëkryqet njerëzore
Po bëhem me Loken e Këngës semafor rrezëllitës.
6.
E Kosova
Po më vjen si Zamabak në piedestalin lulëror
E nuk kam gojë
Të flas me shtiranakët në Mbretërinë e Fjalëve
Dora
Po më mbeska pak e tharë, si ta kish bërë një skulptor
E nuk po gjej dot një ekran
T’ua përcjell miqve të gjitha adresat e mesazhet
7.
Duke dëgjuar Pagarushën….

Dhimiter Nica
Dhimitër Nica
MUNGESA E HËNËS
E preva hënën në dritare
Dhe lehtë e ula në një pjatë
Do t’a pjek në një furrë nate
Mbi një shkëmb,nën një saç…
Do t’a ndez për vajzën time
E medalion t’ia varë në qafë
Do t’a ngjyej më thërrime
E pak nga pak do ha kulaç…
Kulaç të pjekur ndezur në flokë
Kulaç të verdhë nën një gushë
Mbushur me gjalp e borzilokë
Me buzët zjarr,me buzët prush…
Ndaj s’kemi hënë ne për çdo natë
Dhe kjo është shumë e sigurtë,
Flokë verdha ime e fsheh nën qafë
Dhe unë e rris,dhe unë e puthë…
Selanik, më 5 gusht 2012

Lindita Prenga
Lindita Prenga
Forca e zemrës
Një letër e zhubrosur
fshehur në xhepin e jetës
shkruar me lapsin e kohës
mbi plazmën e etur.
Rrinë ne vetmin e huazuar
Guximin marr ta shpalos
me forcën e zemrës ta hekuros
syri s’me tradhton
qerpiku me beson .
Oh perëndi …
është e imja dashuri
e shkruar mbi t’ bardhe
n’ shpirt është thesar
n’gjak kromozom .
Adn qe kërkon
Oh ku jam valle
n’ ëndërr apo n’ përrallë
po dielli ç’fare pati
si kur i erdh inati .
Qielli u trazua
pak shi lëshoj mbi mua .
E di ju kuptova
zemrës i besova
kurrë mbi atë letër
nuk shkruhet emër tjetër.
Ashtu e zhubrosur
me emrin e dashurisë
e bëra kala strehën e lumturisë.
Drita Fejza
Mirëmëngjesi Yll i heshtur
O yllë i heshtur
Ti ndjenja ime
Nise heshtjen tënde në bregun e detit
Ku heshtja e jote akoma ska shkelë
Dallgën e valës së shpirtit tim, buzët e mia
Ku ti e pret puthjen time…
Në flladin e verës
Do të vijë
Dua, shumë dua
Heshtjen tënde ta ndijë.
Ke frikë se mos ftohem?
Që ëndrra e ime të turbullohet
Gëzimi i jetës sime për ty,
Në dallgë deti shndërrohem
Zilinë e zanave do ta ndry
Xhamadan e veshi heshtjen
Dhe vrik të futem në gji..
Rruga të duket e gjatë?
Ke frikë se nuk të pres?
Mungesën e shpirtit tim!
Lë frikën te mua se mos vonohesh
Ndërgjegja më vret
Të mos nxitohesh,
Jamë shpurpurisë
Zilinë sja kamë erës
Rashë në dergjën e dashurisë
Këmishën e lagur ndër ethe ta thajë,
Nxito të lutem dua ta ndijë
Krypën e valës të lutem ma ndajë
Të shkrijë hojet e mia
Një natë të tërë rreshtur
Bashkë me heshtjen time
Të ndrijë në mëngjesin e yllit të heshtur….

GËZIM MUÇOLLI
Gëzim MUÇOLLI
MI BËJ TË FALA ALI PODRIMJES
Prap u takuam në Patavium
të zbritur nga e ardhmja
të ikur nga e djeshmja
për të ngrohur muhabetin
te ish furra antike La Fornace
dikur aty priteshin
tulla e tjegulla argjile
për shtëpitë e republikës
mijëvjeçare
sot aty nuk piqet dheu
po ngrohen projekte
të tjerrura
kohësh moderne
vend konferencash
ku të ftuarit
nga ish perandoria
nga ish tokat e pushtuara
nga tokat e prera
flasin me fjalë
gjysmë të heshtura
për të mbajtur gjallë
memorien
kërkojnë drejtësinë
për shtigje të rralla
të pajtimit
në fund të janarit
ngrohin fjalët në shfletim
faqesh historie
të tokës së Ballkanit
lexojnë kujtime
trishtuese
dhe emra qytetesh
njerëzve të djeshmes
u janë vënë
numra në vend të emrit
aty dallojnë pastaj
për mbiemër quhen viktima
-civile
-të luftës
-të dhunimit
-të pushkatimit
-të djegies për së gjalli
prap me numra
përmenden emra të humbur
njerëzish të zhdukur
në pritje të gjetjes të
atyre që na mësuan të quajmë
mbetje mortore
Në Pataviumin e kronikave antike
ku laureoheshin dikur
me kurora dafine
doktorët e Venedikut
ku ligjëronte retorikë
Marin Beçikemi
e matematikën e yjësive qiellore
arbëri Gjon Gazulli
ua fuste në kokë
“bijve të atëve” të
ardhur nga principata e mbretëri
të mesjetës evropiane
sot erdhën kronistët,
drejtor agjensish gazetare
të ish perandorisë
të dëshmojnë për luftën
e parë aqë shpesh “live”
në “mondovisione”
erdhën “gratë në të zeza”
të flasin për ngjyrën
që zgjodhën përjetë
në kujtim për ata që
s’do të kthehen më kurrë
erdhën edhe
drejtorë agjensish O.K.B.
dhe idealistë lëvizjesh
pacifiste
shërbyes solidariteti
Në ish fabrikën e tullave
në kërkim projektesh
rekonstruktim i paqes
bashkëjetuese
takoj atë që jetën
e palosi mes faqesh
të 150 librave
e punën e vet e quajti ylber
brigjesh
njeriu i madh i vogël
Giacomo Scotti
i përndjekur kohësh nga ideali
desha të flisja me të
për vendlindjen afër Napolit
emigrimin në Istrën italiane
të “çliruar” nga partizanët
zhveshjen ishullore të Goli Otok-ut
ekzodin dhe foibet e heshtura
histori hakmarrjesh të “çlimtarëve”
hije të zhdukurish të historisë
moderne
në bregun e njëjtë të Adriatikut
Istra,Delmecia,Tivari
kronika fituesish mbi civilë
Xhakomo më flet për Kosovën
Prishtinën
për miqtë e tij poetë
për shkrimtarin dhe presidentin
Rugova
që kishte javën e amshimit
unë Kosovën e njoha moti
e përqafova dhe përktheva
në vargjet e Podrimjes
gjeta një pjesë të dinjitetit
te kufiri i lirisë
aty ku fillon ëndërra
e njeriut skomod
dhe drita zhduk hijet
e atdheu është dhimbje
në tokën e Ballkanit
të quajtur
zemër evrope
Mos harro
kur të shkosh në Prishtinë
i thuaj mikut
Saluti da Giacomo Scotti
Mi bëj të fala Ali Podrimjes.

Giacomo Scotti
Padova,28 janar 2006.

Eduart Frakulla
Eduart Frakulla
” IKONA IME ”
Nënë shpirt jetë të kam ,
Dhe kur jam larg të ndihej pran ,
Sa hërë përlotem vështroj nga Ti ,
Mëngjes e mbrëmje lutem tek Ty !
Kur shpirti ndihet i trazuar ,
O NENE nis thërret ….
Ti vjen afrohesh më buzëqesh ,
NIS FLET :CKE BIRO ME PYET ?
Nis më puth syt e flokët më lëmon ,
Aq ëmbël më buzëqesh ,sa plagët më shëron ,
Tek Ti mbështetem e ndihem rehat ,
E Ti nis flet..”-SHKO BIRO JETA VAZHDON ”- ti nise prap….

Kujtim Stojku
GJURMË NË QIELL
Trokun e kuajve t’bardhë t’agimit dëgjoj çdo mëngjes
Pas ata lënë ushtimën që përhapet,pastaj një fëshfërimë
Zogjtë përrreth meje këndojnë me zërin e magjishëm
Unë sëbashku me ditën rendim teposhtë rrokullimë.
Ditës nga pas,hap pas hapi nuk i ndahem
Peshën e kohës mbi shpatullat e mia ndjej
Ngjis t’përpjeta e zbres tatpjeta me trokun e kuajve t’agimit
T’clilët zhduken në horizont, etjen shuajnë bashkë me diellin
Nëpër lumenj.
Më pas n’gjithçka bie heshtja
Më mbështjell n’sjetullën e natës
Hëna nxjerr syrin,ndriçon me rrezet e saj t’verdha
Mbi sipërfaqen e ujrave flokët rrezear ajo kreh.
N’qetësinë e natës dëgjohet vetëm ushtima e zallit
Që gjarpëron ditë e natë,uturin pa pushim
Me ushtimën e zallit përzihet kënga e qokthit t’natës
Ku hëna bashkë me yjet n’kupën qiellore rrëzëllijnë.
Dëgjohet nga larg troku i kuajve t’bardhë t’agimit
Troku sa vjen e shtohet,dëgjohen kuajt që hingëllijnë
Kalëroj kuajt e agimit
Bashkë me ditën rend, i dehur gjith’ gëzim.
Kalëron me ta gjithë ditën duke mbajtur frerët me dorë
Duke u rujtur t’mos rrëshqasin mbi gurët me myshk mbuluar
Jetën mund ta humbasësh n’greminat shkëmbore
Jeta të ndjell ngadalë, e ardhmia pa pushim të cyt
E ty era butësisht të përkdhel në krahëror.
Dielli i qeshur t’rrezaton në fytyrë
Duke ndjekur rrjedhën e zallit që rrjedh papushim
Ku shkulmat e tij hedhin valle, n’të shihesh si n’pasqyrë
Edhe natës t’ja marrim të bukurën për veten tonë
Dielli me kuajt e bardh’ t’agmit, hënën pas e le
Nata ja këput vrapit dielli rri në mesin tonë.
Duke rendur kështu turravrap dëgjoj një zë që m’thërret
Ndjej erën e lehtë që fryn,gjethet perrreth fëshfërijnë
Qukapiku duke çukitur prish heshtjen përrreth
Zoqtë duke cicëritur fluturojnë në hapsirë.
Dita rrëshket me shpejtësi pa u ndjerë
Mëngjeset gjithmonë janë të ngopur me vesë
Duke rendur kështu njeriu shpesh ujin turbullon
Valët e kaltra s’reflektojnë më në diell
Reflekse ngjyrash,harkore si ylber.
Turrem pas tyre dhe një nga një mundohem t’i mbledh
Kur t’vijë përsëri nata në qiell t’i shpërndaj
E njeriu erën e furishme prêt në kraharor
Pastaj nata fillon të bjerë dalëngadalë
Si sumbulla të argjendëta vesa bie prej qiellit poshtë.
Përrreth meje dëgjoj zhurmë por gjurmë dot s’dalloj
Hutini këndon vetëm natën është mik me errësirën
Disa duan dritën se pa të nuk jetojnë dot
Por dhe natën hëna vazhdimisht sjell dritën
Si duaj t’verdha gruri me kallëza mbushur plot.
E unë dukem sikur fushave të mbjella tej përtej kaloj
I mbuluar i tëri nga pluhuri i florinjtë
Në shtëllungat e mëdha të reve dua të pushoj
Dëgjoj zemrën që rreh, si pëllumb gugat n’krahëror.
Yjet n’qiell gjithmonë bredhin me mua,m’duken të lodhur
Prej dritës tyre dhe hënës ja dalloj malit vetullën
Hapin e njeriut që zbret,gjurmët e freskëta ja dalloj
Tufën e rrezeve qiellore një nga një mundohem t’i mbledh.
Derisa të dëgjoj trokun e kuajve të bardhë t’agimit
Ku me patkonjtë prej ari do të trokasin n’çdo gurë shkëmb
Duke u zhdukur ngadalë n’horizont, bëhen njësh me diellin
E unë bashkë me ta nëpër qiell, rend dhe vetëm rend..

Mentor Thaqi
Mentor Thaqi
ATË DITË E SOT, IMZOT
Me ndarje hemisferash,
shpirtërat në dysh
para syshë
u ndanë
ImZot,
trashëgim
pelim
vaji në buzë
na mbet
plot një jetë!
Në Berlin
rënkim,
sakrifikim
n´sakrificë
Toplicë,
Malësi e Kosanicë,
pre shëmtie
hegjemonie
ai Shpirtë Çamërie!
Në Shën Stefan
shëntëri
nuk u gjet
e as pamë,
djallëzi
për jetë
mbet
emri i tij!
Tevona
kah Londra
në Versaj
mbetëm n´vajë,
e n´Jaltë
hë flaka i daltë,
m´cunguan krahët,
këmbët,
më shtuan dhëmbjet!
Kulmi i mbrapshtë
nga Miskov
në Stamboll,
kob
ai Protokoll!
Eh! Plot 100 vjet
poshtë e përpjetë
të mbijetojmë,
e sot
kah po shkojmë?!
Paj,
kush më përbuzë
Heronjtë,
për së gjalli
i rënçin thonjtë!
09.07.2012
Mentor Thaqi
Në 14 Vjetorin e shkuarjes në Përjetësi të Heroit Gjeneral Agim Binak Qelaj:
AGIMIT TË AGIMIT TË LIRISË
(Në përkujtim nderues të Heroit Gjeneral Agim Qelaj)
Kah Anadriniasi vetëtimë
me murmurimë
oshëtinë,
thanë: Agimi
ia mbërrini!Eh, Rahavec
në atë RaVet
që koha ecë
me mijëra vjet
e asgjë nuk ngecë
por bulon n´jetë,
qyshë nga Epokë
e Motit të Madh,
tevona
në pritjepërcjellje
Kapedanësh,
Bajram Currësh
e Sadik Ramësh.
Naltë shkoi flaka,
zhagas shkoi tymi,
u thyen mite me gafa,
Legjendëgjalli mbërrini,
paj, ia krisi Agimi!
O mërgimtarët e mi,
lehtë e patem
të mbahemi me të,
AI na ruante zjarrin në gji
me Fjalen e tij Krismë,
Krismë
që hegjemoninë
gjumhisë!
Bekimi
për të, mbeti refren
shpirti e zemre,
Nderin e Nderit
n´Singen
e kthejmë n´vargje kënge,
atë mall në bebëza
plagës
që iu vu dregëza
e shërojmë me ëndje
me dashuri zemre
edhe pse me dhëmbje!
Ev Agim Qela, ev!
Shumëçka na mbet
pa e thënë
ato ditë e sot
e nuk e thamë dot,
po aq shumë thamë
e do vazhdojmë
ku e patem lënë,
n´Histori
Lavdinë e lamë
të mbjellur
me zjarr pushke
të sjellur!
Po TY?!
Ah, po po,
TY të kemi Legjendë
për k´të Arbëri,
të kemi dhe Histori
për Dardani,
për Pavarësi
pasha k´të Shqipni,
pasha k´të Liri
e pasha k´ta dy sy!
Paj,
Kolos Kombi
o Hero,
je Ti,
Gjeneral
sa një Mal,
në Përjetësi!
30.06.2012
Mentor Thaqi
ASHTU KJOFTË!
(Lutje për Lutjen, Poet)
Ynë Zot,
s´mund t´jenë poet
ata që koriten
sot,
s´ishin dje
as n´mot,
kurrë dot!
Unë për vete
as me mend
e as n´rend
e n´vend,
vetëshëmti jete
s´mund t´pranoj,
shpirtin
vetmëvete
të mallkoj!
Po kush mund t´shqelmon
vegshin e të ngrënurit,
t´mallkon
Djepin e vetpërkundjes,
t´mohon
qelizën e gjenit
t´gjakut t´trashëguem?!
Gjakimi im
n´Amfiteatrin tonë Tragji-Komik
të eklipsit
n´mes gjysmëhënash,
hijeve,
gjysëmerrësirave,
plagëve t´Historisë
fill e për pe
rreth vetes sonë
n´gjurmim.
Paj, më t´zymtë
se vetshëmtimin
nuk gjeta gjë,
qebesa!
Poet i koritur
s´mund t´jem,
s´ma banë lëkura
as k´ta dy gisht ballë,
i vdekur do isha
sa t´jam gjallë,
e kur t´vdes
i vdekur mbes!
Dikush e tha sot,
shpërtheu skandali,
vdiq poeti skandaloz
me fytyrën
dhe shpirtin
blozë!
Ah. ç´simbiozë!?
Metamorfozë?!
Epo,
ne shëndosh
për atë kodosh
që fjalën e ka t´mjerë,
e vargun bosh,
qënie e pavlerë!
Paj, Historia u shkrua
kur u shkrua Histori,
ato tjerat
le t´mbesin
aty ku tresin!
O Ynë Zot,
Poet Skandal
mos na fal,
kurrë,
as për farë,
se s´ka të mbarë!
Eh, pastë mallkim
nga gjaku im!
19.06.2012

Mark Kuzhnini
Mark Kuzhnini
FLAS ME KE MUNDEM
Ne ngushticat qe mi servoj jeta
forca vetes i them cdo her
me trup e mendje nje dite do vdes
por me shpirt te paster do mundohem te mbes perher
Suksesi mban inate me mua
ende smundem me te te behem mik sa jam gjall
ndoshta me urren se verdall po i sillem
ju premtoj se vella ate kam per ta shpall
Kurajo vetes i ofroj
nje pal kepuc kam ne kemb te tjerat jan tuat zotrote
kepucet e mia smund ti mbathesh
se jan te renda te grisura jan gjurmet e kesaj bote
S,kam faj une qe me ankohet truri
skam faj perse zemra i shpall fajtor keta dy sy
qe me nje shikim zemren dashuria e zuri
ku dit e nat mendon per ty
E mundoj dhe qiriun ne mesnate
sepse nga gjumi e zgjoj te trazuar
per te me bere drite ne errsiren e thate
te tretet me mua ashtu siq jemi mesuar
Ne situata te veshtira dhe un jam gjetur
sepse edhe une jam i till njeri o ZOTRI
por ne balte nuk kam mbetur
jam mekatar si te tjeret nuk jam PERENDI
Zemren time o ZOT perse se bere per dhjete burra
se shum e rend eshte per mua kjo pesh
loti im ushqen me qindra gurra
qe burojn pa ndal ne fushen e shpesh
Ende dheu me mban permbi
dhe sa koh fatin e mbar do e pres
me trego o qiell qe ty te kam siper
dhe sa mbi supe kam per tet bartur, gjer sa te vdes?
Nese nuk do e kisha penden ngushllimin e vetem
me besoni se kaq nuk do rroja
njerzimi pa parajsen e premtuar ne tok mbeten
mbyten mes vete si kafshet nen rrenoja.

Abdi Pergjegja
Abdi Pergjegja
Koha,s’eshte per te fjetur
Kur te gjallet,
jetojne si te vdekur..!
Therrasin Ata
nga erresira e dheut..
“Le te ngrihemi,
si dikur,nen
komanden e Skenderbeut”
Koha s’eshte per te fjetur.
Atje
ne Lisusin e lashte,
Plasi mermeri,
toka levizi…!
“Shalomani atin e bardhe,
Dikujt ne Ballkan,
po i ha kurrizi”
“Dikur,
Pakt,bera me Europen.
Fjalen e mbajta,
Shqiptar dhe burre.
Sot,
n’heshte ja ve koken,
n’guxofte,
t’me prek Flamur”
Ne memorje te brezave,
Percillet
ligj i lashte.
Te vraret,
Nga varri ringrihen,
ne u dashte………….!
Le te bejne libra
ca filozofe te rrjedhur,
duke blere dhe
ndonje Hamond Anglez.
Thjeshte,me ngjajne
me eunuke te tredhur,
as haremin
se bejne te qeshe.
Laokontin,
kujtoni o te ngrate…
Te pabesueshem,
Historikisht
edhe kur beni dhurate.
04.07.2012
|
|
Tweet |



[...] Vëllim Poetik nr.9: Lexo Këtu >> [...]